| E hene, 11.08.2025, 06:58 PM |
ARQIPESHKVI PAL ENGJËLLI (1417 - 1470)
HUMANIST I SHQUAR SHQIPTAR DHE BASHKËPUNËTOR I AFËRT I SKËNDERBEUT
Nga Dr. Mikel Prennushi
Në plejadën e
humanistëve të shquar shqiptarë të shekujve XV, XVI, një vend të merituar ka
Imzot PAL ANDREA ENGJËLLI nga familja e njohur e Engjëllorëve, dukë të
Drishtit, familje e njohur patriote që luajti një rol me rëndësi në mesjetën
shqiptare e sidomos në periudhën e Skënderbeut. Kjo familje me titull
fisnikërie kishte lidhje të ngushta me familjet kryesore princërore shqiptare
të kohës.
Pal Engjëlli jetoi e
veproi në epokën e Skënderbeu si prelat fetar e si humanist i përmendur dhe
diplomat i shtetit të përqëndruar arbëresh të kësaj kohe. Pothuajse
bashkëmoshatar me Heroin Kombëtar, ai qe njëheri edhe mik i tij, siç pohon disa
herë Marin Barleti në veprën e njohur "De vita et Gestis Scanderbeghi,
Epirotarum Principis" Roma 1508 - 1510, qe këshilltar dhe diplomat i tij.
Pal Engjëlli lindi në
1417 dhe vdiq rreth viteve 1469 - 1470. Ai qe arqipeshkëv i Durrësit.
Në kryeveprën e tij
kushtuar Skënderbeut, Marin Barleti jep këtë karakterizëm për Pal Engjëllin:
"Ky kryepeshkop
qe epirot, nga kryeqyteti i Drishtit, bir i Andrea Engjëllit për të cilin folëm
më lart, burrë i pajisur me mendje shumë të lartë e me zotësi të rallë në të
folur (në gojtari), me dituri si askush dhe i vaditur në letërsinë e shenjtë
dhe në letërsinë humane, si greke ashtu dhe latine, sidomos i shquar për
rreptësi në jetë e zakone... burrë që Skënderbeu e mbajti mbi krye për maturinë
e tij, kulturën e pastërtinë e jetës, burrë që e respektonin dhe e dëgjonin si
ndonjë orakull të gjithë epirotët dhe arbërit..." (M. Barleti
"Historia e Skënderbeut" T, 1964, fq. 395, 430)
Imzot Pal Engjëlli
është i njohur sepse prej tij kemi të shkruar në gjuhën shqipe "Formulën e
Pagëzimit", të parin dokument të gjuhës shqipe të shkruar. Është viti
1462. Duke u gjurmuar në bibliotekën Laurentiana të Firencës, dijetari rumun
Nikolae Jorga e gjeti këtë frazë në gjuhën shqipe dhe e botoi më 1915 në veprën
e tij "Notes et extraites pour servir à l'histoire des croissades au XV
siècle" (Bukuresht, 1915, f. 195).
Në udhëzimet e
porositë që Pal Engjëlli, me cilësinë e kryepeshkopit të Durrësit, i jepte
klerit të dioqezës së Lisit në Mat, ku shërbente peshkop Andrea, ndër 37 fletët
në pergamenë që përmbante ky dokument në gjuhën latine (formati i fletëve 20 x
14 cm), dijetari rumun gjeti dhe dy radhë të shkruara në gjuhën shqipe me
alfabet latin: "Unte' paghesont peremnit Atit et Birit et Spertit
Senit". Këto radhë janë shkruar në faqen 4 (në krye) të këtij dorëshkrimi
latin. Duke lexuar këtë raport të Pal Engjëllit mësojmë se ai si kryepeshkop
kishte mbledhur gjithë klerin e dioqezës së Matit në kishën e Shën Trinisë, më
8 nëntor 1462 dhe se atje ndër udhëzime të tjera i jepte porosi klerit që
prindërit në mungesë të priftërinjve mund t'i pagëzonin fëmijët e tyre me këtë
formulë duke u hedhur pakëz ujë mbi krye. Dihet se dioqezi i Matit varej nga
Ipeshkvia e Durrësit dhe se në Mat janë mbajtur në atë kohë shumë kuvende
kishtare. Formula e shkruar në shqip dhe e përdorur në ritet fetare të kohës
tregon një shfaqje të g
Në Bibliotekën
Laurentiana të Firencës ky raport i shkruar nga dora e Pal Engjëllit në 37
fletë, mban numrin e inventarit 1167 dhe ruhet si një ndër dokumentet e çmuara
të kësaj biblioteke të kohës së Rilindjes Europiane.
Në vitet 60-të të
shekullit XV, Pal Engjëlli, si diplomat e këshilltar për punët e jashtme i
Skendërbeut, qe aktivizuar shumë. Ai e shoqëroi Skënderbeun në vizitën
katërditore që bëri në Raguzë (Dubrovnik) dhe në Itali më 1461.
Dihet historikisht se
Republika e Raguzës pati marrëdhënie të mira me Gjergj Kastriotin gjatë gjithë
kohës që Shqipëria kalonte provën e rëndë të ballafaqimit luftarak me forcat e
pushtuesve osmanë. Në Raguzë, fjalimeve mburrëse të udhëheqësve raguzanë për
Skënderbeun dhe popullin e tij, Pal Engjëlli, siç na tregon Marin Barleti, iu
përgjigj paralelisht me një oratori të rrallë, duke lavdëruar zhvillimin kësaj
republike dalmate, shkencën humaniste dhe artet që atje kishin lulëzuar. Ndër
të tjera në fjalimin e tij ai tha: "... Këtu në Raguzë lulëzojnë të gjitha
artet e lira, filozofia, teologjia, shkenca e ligjeve dhe disiplinat e tjera...
Unë ju jap fjalën e zotohem se për të mirat që na keni bërë, kujtimi juaj, emri
juaj dhe i qytetit tuaj do të jenë përgjithmonë të nderuar sa të rrojë Epiri,
do të jenë ngulitur thellë në shpirt, në mendjet dhe zemrat tona". Vërtetë
se kjo pjesë e fjalimit të Pal Engjëllit është krijim i penës mjeshtërore të
Marin Barletit, po dihet gjithashtu mirë fort se në farkëtimin e m
Imzot Pal Engjëlli,
si diplomat, u përpoq të afrojë shtetet e interesuara në aleancën kundërosmane.
Shqipërisë në atë kohë i interesonte të kishte marrëveshje e aleanca me
Raguzën, Hungarinë, Venedikun dhe me vende të tjera. Në këtë drejtim përpjekjet
nuk munguan, e sidomos nga ana e Pal Engjëllit. Autoritetin e tij fetar e
shfrytëzoi plotësisht në dobi të atdheut. Kështu, si shoqërues i Skënderbeut në
vizitën në Itali më 1461, ai u tregua i shkathët në marrëveshje me mbretërinë e
Napolit, me Papatin dhe në takime me princër të tjerë. Gjithashtu edhe Traktati
i Gaeta - s është vepër e Pal Engjëllit (1461). Shteti i përqëndruar i Arbërit
nën udhëheqjen e Skënderbeut kishte nevojë për ndihma materiale e morale,
kishte nevojë për aleatë në luftën e pabarabartë kundër pushtuesve osmanë që
derdheshin çdo vit kundër kështjellave tona me sulmet e tyre të tërbuara.
Më 1464, Pal
Engjëlli, si i dërguar i posaçëm i Skënderbeut, kreu një mision diplomatik
pranë kontit Sforza të Milanos. Në letërkredencialet e paraqitura shprehet
qartë misioni i tij i rëndësishëm në kërkim të një aleance dhe të ndihmave
materiale. Skënderbeu, siç na e tregon dhe Fan Noli, kishte pasur letërkëmbim
me kontin Sforza që në vitin 1461. Siç duket, misioni diplomatik i Pal
Engjëllit pati sukses fillimisht, po më vonë nuk dihet përse ndihma materiale
për Shqipërinë trime qe reduktuar. Pikërisht në ditët kur Pal Engjëlli ishte në
Milano, humanisti i shquar italian, Françesk Filelfo u drejtonte letra
princërve italianë si dhe dogjës së Venedikut, Kristofor Maurit, në të cilat
shpreh gjithë simpatinë dhe përkrahjen për luftën e drejtë që bënin shqiptarët.
Përmbajtja e letrave lë të kuptohet se Pal Engjëlli e ka takuar edhe Françesk
Filelfon, njëri me influencë dhe humanist i përmendur. Në letrat e tij Filelfo
shkruan: "Skënderbeu është shpirtmadh dhe i stërvitur në mes të turqve që
në moshë të re... P
Pal Engjëlli diti të
mbrojë drejt çështjen shqiptare dhe të bëjë përkrahës edhe në principata të
tjera të Italisë. Nuk duhet të na habisë fakti që një kryepeshkop luan kaq mirë
rolin e një diplomati. Në Mesjetë, klerikë, shkencëtarë, shkrimtarë kryenin
këto detyra duke përfituar nga prestigji që gëzonin, gojëtaria dhe mençuria.
Kështu, në Mesjetë edhe Dante e Bokaçio qenë ambasadorë, po ashtu si
matematikani e stronomi shqiptar, Gjon Gazulli, presbiter, (prift i nderuar) qe
për disa vite sherbeu si i dërguar i posaçëm i Skënderbeut në Republikën e
Raguzës, radhazi me vëllezërit e tij Pali dhe Andrea. Në dokumentet e kohës:
"Johannes Gini Gazulo, artium doctor, astronomus praeclarissimus (Gjon
Gjin Gazulli, doktor i shkencave dhe astronom shumë i çmuar) qe edhe profesor i
Universitetit Al'Bo' të Padovës.
Pal Engjëlli qe
diplomat i Skënderbeut edhe në marrëdhëniet komplekse e të vështira me
Republikën e Venedikut. Këtë e dëshmon edhe një marrëveshje e datës 13 shtator
1465, në të cilën Pal Engjëlli nënshkruan "në emër të madhnueshmit
Skënderbe" si dhe konsultimet e shpeshta e të herëpashershme që bëri
Skënderbeu me të lidhur me marrëdhëniet me Venedikun.
Duke punuar me ngulm,
mençuri e atdhetarizëm për një politkë të jashtme sa më aktive në dobi të
çështjes kombëtare, Pal Engjëlli nuk harron asnjë çast se burimi kryesor i
forcës shqiptare qëndronte në bashkimin e popullit të të gjitha krahinave nën
udhëheqjen e Skënderbeut, nën një komandë të vetme e të drejtë. Prandaj në
fjalimet e tij para popullit ai mburri kurdoherë këtë figurë kryesore të
qëndresës shqiptare. Në një nga fjalimet e tij para luftëtarëve shqiptarë,
sipas Marin Barletit, Pal Engjëlli më 1461 tha këto fjalë për kryetrimin e
atdheut tonë:
"Fatbardha dhe
fort të lumtura janë ato republika, mbretëri e shtete, që qeverisen nga
njerëzit më të mirë dhe më të ditur... Në kohën e sotme ne e shohim qartë si
drita, se këtë fat e kanë pasur Arbërit tanë, të cilët qeverisen nga
Skënderbeu, i vetmi princ aq i ditur, aq i mirë dhe kapidan i
pathyeshëm..." Këto fjalë tregojnë konsideratën e lartë të Pal Engjëllit
për Skënderbeun. Ata ngjallën besimin e krenarinë e popullit për këtë figurë
politike e ushtarake, për këtë njeri me virtyte të larta, simbol i popullit të
vet.
Me autoritetin e tij
kishtar Pal Engjëlli u përpoq të realizojë dhe bashkimin e koherencën mes
princërve shqiptarë nën udhëheqjen e Skënderbeut. Një vepër e mirë e tij është
sidomos ajo që, me përpjekje e maturi, më 1459 pajtoi mes tyre princërit dukagjinë
me Skënderbeun, duke shmangur një përçarje mes rradhëve të shqiptarëve apo një
gjakderdhje të kotë.
Nuk ka dyshim se në
politikën e jashtme të shtetit arbër, në shekullin XV, një rol të rëndësishëm
ka luajtur Imzot Pal Engjëlli si një i ditur, i kulturuar dhe i besuar i
Skënderbeut, si prelat kishtar që me autoritetin e prestigjin e tij ndikoi me
atdhetarizëm në ngjarjet e kohës.
Ai është figura e
diplomacisë shqiptare së kësaj periudhe që shënoi një epokë dhe diplomati i
parë shqiptar që njohim deri tani.
Pal Engjëlli, si
figurë historike, atdhetare e humaniste i atribuohet dhe një meritë tjetër.
Mendohet se ai është autori i një historie të Skënderbeut në gjuhën latine e
botuar në Venedik më 2 prill 1480, pra gati 30 vjet para veprës së Marin Barletit.
Për herë të parë dhe i vetmi që e shfrytëzoi këtë vepër është historiani
italian G. Biemmi i cili botoi më 1742 në Breshia (Brescia) "Istoria di
Giorgio Scander'begh". Ai pohon se historinë e Skënderbeut të vitit 1480 e
gjeti në një bibliotekë dhe e shfrytëzoi gjërësisht për veprën e tij, ashtu si
dhe vepra të tjera, si atë të Barletit dhe të shumë autorëve të huaj mbi
Skënderbeun. Vetë Biemmi na e jep titullin e kësaj vepre, titull të cilin e
gjeti në fund të librit, meqenëse fletët e para qenë të grisura: eksplicit
Historia Scanderbeghi, EDITA PER QUONAM ALBANENSES..." (Këtu merr fund
Historia e Skënderbeut, botuar prej një shqiptari...) Meqenëse autori mbeti
anonim, Biemmi e quajti "Antivarino" apo në gjuhën shqipe
"Tivaresi". Biemmi na thotë edhe se Tivare
Të gjithë janë të
mendimit se prej Imzot Pal Engjëllit pritej një vepër e tillë për Motin e Madh
shqiptar dhe kryetrimin e arbërve, Skënderbeun, sepse ai qe një ndër
bashkëpunëtorët e afërt të heroit, mik, shok e bashkëmoshatar me te. Ai më mirë
se asnjë bashkëkohës i tij, me erudicionin, me atdhetarizmin, me idetë
humaniste, mund të shkruante këtë vepër në kujtim të atyre ngjarjeve të mëdha
që përjetoi Arbëria, një vepër për brezat që do vinin.
Autor i dokumentit të
parë të shkuar në gjuhën shqipe, diplomat, atdhetar, humanist i njohur, Imzot
Pal Engjëlli si bashkëpunëtor e bashkëluftëtar i Skënderbeut për çështjen
shqiptare ka një vend të merituar në historinë religjoze e kulturore të
atdheut.
Imzot Pal Engjëlli ka
luajtur një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e Shqipërisë së kohës së
Skënderbeut me Papatin, dhe konkretisht me Papët, Nicola V (1447 - 1453)
humanist i përmendur, Kalisti III (1453 - 1458), Pio II (1458 - 1464) dhe Paolo
II (1464 - 1471), gjatë pontifikateve të tyre.
Enea Silvio Piccolimini,
humanist i shquar që më vonë u bë Papë, e çmoi shumë humanistin Pal Engjëlli si
prelat fetar dhe humanist. Dihet historikisht se ky Papë (Pio II) qe nisur për
Shqipëri për t'i ardhur në ndihmë Skënderbeut dhe kishte ndërmend të
kurorëzonte Heroin Kombëtar mbret të Shqipërisë. Por dihet se Papa Pio II,
gjatë rrugës për në Shqipëri, vdiq në Ankonë më 15 gusht 1464.
Bibliografia
1. M. Barleti. "Historia e Skëndërbeut", Tiranë, 1964 (përkth.
prof. Stefan Prifti) fq. 395, 396, 397, 430, 467.
2. N. Jorga. "Notes et extraites per servir à l'histoire des
croissades au XV siècle", Bukuresht, 1915, fq. 195.
3. Fan S. Noli "Historia e Skënderbeut", Tiranë, 1967, fq.
245, 251, 270, 120, 159, 170; George Castrioti Scanderbeg (1405-1468) by Bishop
Fan Stylian Noli Ph.D., International Universities Press, New York, 1947.
4. Giammaria Biemmi. "Istoria di Giorgio Castrioto Scanderbegh,
Brescia, Giam. Battista Bissimo, 1742 (Biblioteka e Muzeut Shkodër).
5. M. Barlezio "De vita et Gestis Scanderbeghi Principes, Romae 1508
- 1510. (Biblioteka e Universitetit Shkodër).
(Shënim i autorit: Në librin
tim "Kontribut shqiptar në Rilindjen Europiane" Tiranë 1980, mungojnë
humanistët Imzot Pal Engjëlli dhe prifti nga Drishti Dhimiter Frangu, historian
i Skenderbeut. Me botimet që po i bën "Phoenix" këtyre dy figurave,
plotësohet edhe kuadri i kësaj trajtese).