Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemaledin Salihu: Fustanella shqiptare u vesh edhe në Karadakun e Preshevës

| E diele, 10.08.2025, 02:52 PM |


FUSTANELLA SHQIPTARE U VESH EDHE NË KARADAKUN E PRESHEVËS

/Këtë e vërtetojnë udhëpërshkruesit e librit: Ë. Smyth, A. Layard, D. Rakiq, Viset lindore shqiptare, udhëpërshkrime, Gjysma e dytë e shekullit XIX, Shkup, 2025 dhe Metush R.Berisha, në librin e tij: Reflektime të traditës kulturore/Karadaku i Preshevë/,Prishtinë, 2013

Nga Xhemaledin Salihu

Këto ditë, në fillim të gushtit 2025, një mik më dha librin: W. Smyth, A. Layard, D. Rakiq, Viset lindore shqiptare, udhëpërshkrime, Gjysma e dytë e shekullit XIX, Shkup, 2025, të cilin me vëmendje e lexova dhe vendosa që të shkruajë për veshjen e fustanellës shqiptare në Malësinë e Preshevës, ashtu si e përshkruajnë dy udhëpërshkrimet e diplomatit anglez Sir Austen Henry Layard dhe të bashkëvendasit të tij, gjeologut Warington Wilkinson Smyth.

Rrugëtimi i udhëpërshkruesve ndodhi në vijën Selanik-Beograd edhe ate nëpër rrugën e ndërtuar më 1865, Nish-Kumanovë e që populli e quan “Xhadja e vjetër”

Në faqen 35 të librit udhëpërshkruesit shkruajnë për bisedimet e Pashait të Vranjës me Kryengritësit shqiptarë. Pra Kryengritja e Dervish Carës për Shqipëri etnike ndodhi më 1843/44, kur Shqiptarët kryengritës të Luginës së Preshevës iu bashkangjitën kësaj kryengritjeje kundër Perandorisë osmane, në realitet kundër Hysen Pashait të Vranjës.

Autorët udhëpërshkrues, këtë titull e fillojnë me disa vargje të Childe Garoldit:

Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi

Mbit y, o nënë e rreptë burrash t’egër!

Kryqi po zbret, po ngrihen minaret,

E zbehta hënëz ndrin nëpër lugina

Mbi pyje me selvi n’agor të çdo qyteti.

Autorët kështu e përshkruajnë arritjen në Vrajë dhe këtu deklarohen si i panë Shqiptarët kryengritës të veshur me fustanella dhe të tjera veshje mbi ta:

“Derisa po kalonim rrugicave të periferisë, diçka shumë ndrydhëse po ndodhte në aspekt të Vrajës. Çdo derë, çdo dyqan, çdo dritare ishte e mbyllur, dhe ndonjëherë, në vend që të përgjoheshim nga sytë e njerëzve kureshtarë, ishim vënë në shënjestër të ngrysur të tytave të pushkëve! Disa nga rrugët krejtësisht të shkreta, të tjerat të mbushura me grupe të Shqiptarëve të egër dhe jo aq të pastër! Shqiptarët dukeshin shumë interesantë, tamam si subjekte të përshtatshme për një Salvator Rosa/piktor italian/, FUSTANELLAT e tyre nuk i kishin ndërruar ndoshta një vit e më tepër, ndërkaq xhaketat dhe “plisat e bardhë” iu shërbenin si strehë për t’u mbrojtur nga moti i lig.

Autorët shkruajnë edhe për veshje të tjera, mbajtjen e jataganeve, karakteristikat e Shqipëtarëve dhe për ushqimet tradicionale të tyre.

Pra, autorët anglezë vërtetojnë se Fustanella ishte veshje  e Shqiptarëve, në shekullin XIX. Por këtë më së miri e vërteton dhe e ilustron edhe autori Metush Berisha, në librin e tij: “Reflektime të traditës kulturore/Karadaku i Preshevës/, Prishtinë, 2013, se Fustanella ishte veshje e Shqiptarëve edhe në Karadakun e Preshevës.

Autori për “Veshjet tradicionale” shkruan: “Veshja tradicionale në Malësinë e Karadakut ishte karakteristike dhe dalluese nga rajonet tjera shqiptare, sidomos nga ato fushore apo qytetare/veshja e burrave në Preshevë nuk dallonte nga veshja e burrave në Malësi, kur bëhet fjalë për veshjen tradicionale kombëtare, ndërsa dallonte me veshjen e femrave në Malësi dhe në qytet-autori i këtyre rreshtave/. Ai vazhdon duke shkruar se “ Veshja tradicionale edhe këtu në Malësi ka elemente nga kohët e kaluara, veçanërisht të periudhës ilire. Gjatë shekujve ajo është pasuruar me elemente të reja, por pas vetes ka lënë elementet e vjetra, nganjëherë të harruara e të lëna pas dore si pasojë e ndikimit të kulturave tjera. Në anën tjetër kemi raste kur popujt e Ballkanit kanë huazuar elemente nga tradita kulturore shqiptare…

Pleqtë në Malësi e kishin të njohur se të parët e tyre dikur kishin mbajtur këmisha të gjata, të cilat i mbanin mbi pantollona/tirqe/.

Nje veshje e kohës ilire është edhe fustani me palë ose siç quhej ndryshe FUSTANELLA. Edhe kjo veshje dikur ishte prezente te malësorët e Karadakut.

Sot shumë pak flitet për atë, përveç harresës në kohë më të reja ekzistonte bindja se fustanat-fustanella ishte vetëm veshje grash e burrat nuk banin veshje grash. Ekziston thënia se burrat e dobët mbajnë fustana dhe dimi, apo thënia me përbuzje “hiq pantollonat dhe vish dimi”.”

Pastaj autori në libër vazhdon të shkruajë për veshjen e burrave në Karadakun e Preshevës.

Pra, nga këto dy argumente të autorëve anglezë dhe autorit preshevar përfundojmë se FUSTANELLA është veshur edhe Karadakun e Preshevës.