| E premte, 08.08.2025, 07:00 PM |
MBRETËRESHA TEUTA DHE LUFTA E PARË ROMAKO-ILIRE
Nga Dr.
Lutfi ALIA, Siena - Itali
Pas vdekjes të mbretit të Ardianëve Pleurat II, në krye të mbretërisë Ilire erdhi i biri Agroni, (250 – 231 para K) i cili i zgjeroi kufijt duke aneksuar
trojet e fiseve Dokleate dhe Labeate. Në vazhdim Agroni pushtoi trojet e
Parthinëve dhe të Taulantëve. Sipas Tit Livit:
“Parthinët ishin inkuadruar në formacione harkëtarësh në ushtrinë ilire të
Agronit. Parthinët nderonin
Jupiterin dhe kishin ngritur një tempull madhështor në
nderim të Jupiter Parthinus. [2, 4]
Në mesin e shekullit III
para K mbretëria e Ilirisë e Agronit, shtrihej
nga Narona në veri, deri në lumin Vjosa në jug, me përjashtim të Dyrra-hut dhe Apollonisë, që
vazhdonin të ishin koloni helene. Qytetet e veriut Lissus, Shkodra, Olcinum dhe
Risonium, me portet dhe gjiret e mbrojtura, strehonin anijet e flotës së
fuqishme ilire. Sipas Polibit dhe Dion Kassi: “Agroni, mbreti i
ilirëve, kishte fuqinë detare dhe tokësore, më të madhe, nga ajo që kishin pasur
mbretërit e mëparshëm të Ilirisë”. [1, 3]
Në mesin e shekullit III para K, pozita e Maqedonisë u
lëkund dhe me gjithë përpjekjet e mbretit Antigon Gonata për të ruajtur
hegjemoninë në Greqi, nuk sollën rezultatet e pritura. Pasardhësi i tij Demetri
II, u gjet në situatë të vështirë. Lidhjet Etole dhe Ajakide u bashkuan kundër
Maqedonisë dhe në vitin 231 para K, e shtuan presionin e tyre ushtarak, duke
sulmuar Akarnaninë, një trevë e vogël që gëzonte mbrojtjen e Maqedonisë. Në të
njëjtën kohë, dardanët e sulmuan Maqedoninë nga veriu. Demetri II, i ndodhur në
vështirësi, kërkoi aleatë dhe gjeti mbretin Agron të ilirëve. Aleanca Maqedone
- Ilire veproi kundër republikave helene. Në kohën që Demetri II ishte në luftë
kundër dardanëve, flota e Agronit me 100 anije dhe 5000 këmbësorë, i sulmoi
Etolët, që kishin rrethuar qytetin e Medionit në gjirin e Ambrakisë. [21] Ushtria Ilire e pushtoi Medionin. Këtë fitore,
Polibi ia atribuon fuqisë ushtarake, befasisë në taktikën ilire dhe qëndrimit
të shkujdesur të etolëve, të cilët lanë në fushën e betejës shumë të vrarë e të
plagosur, shumë robër dhe të gjitha pajis-jet e tyre luftarake. [21]
Ardianët pasi morën Epidamin,
sulmuan dhe pushtuan Korkyrën, si rikthim historik të bastionit të dikurshëm të
shtetit të madh Liburn. Me këto fitore të Agronit, u hap sipari i një mbretërie
të fuqishme, që i preokupoi helenët, maqedonët e në veçanti Romën, që e ndiqte
me shqetësim fuqizimin e mbretërisë së Agronit. Flota ilire kontrollonte detin
Adriatik, madje i sulmonte dhe grabiste anijet romake dhe greke, të cilët i
akuzuan ilirët për pirateri. Historiografia europiane, inkursionet e anijeve
ilire në Adriatik dhe në Jon, i trajton si akte piraterie ilire. A. Evans e
trajton fuqinë detare të Agronit, si kategori e zhvillimit dhe e fuqizimit të
avancuar të shtetit Ilir të asaj kohe, madje e përkufizon “imperializëm
fillestar ilir”, pikërisht zhvilloheshin si konflikte, që në ditet e sotme
quhen “luftat e tregjeve”. [16, 17, 20]
Në vitin
231 para K, mbreti Agron organizoi festime për fitoren në Medion, me
gostira, pije dhe argëtime popullore. Gjatë këtyre festimeve mbreti Agron piu
shumë venë dhe i dehur u mbyll në tendën e tij dhe pas disa ditësh u sëmurë
rëndë me pleurit dhe vdiq.
Pas vdekjes të Agronit, trashëgimia e fronit i takonte
Pinit (Pinnes 232 - 217 para K), i biri i Agronit me gruan e dytë Triteuta, por
me që Pini ishte 2 vjeç, sundimin e mori gruaja e parë Teuta. [21]
Historianët shpesh shtrojnë pyetjen: Marrja e pushtetit
nga Teuta, ishte uzurpim i fronit, apo një veprim i ligjshëm i saj? Ende nuk
është dhënë një spjegim i qartë, por ardhja në fuqi e thjeshtrës, paraqitet si
një rast i veçantë në të drejtën e trashëgimisë të fronit mbretëror të Ilirisë.
[2, 4]
E përkrahur nga përfaqësuesit më të fuqishëm të
aristokracisë ilire, Teuta u vu në krye të shtetit dhe me mbështetjen e tyre “i
dha drejtimin punëve”. [21]
Kryqyteti i Teutës ishte Rizoni, i cili njëkohësisht ishte dhe qendra
religjioze pagane e hyut Medaur, për nder të të cilit, ilirët kishin ngritur
një tempull madhështor. Tempulli i Medaurit në Rizon, u ruajt dhe 5 shekuj pas
vdekjes së Teutës. [16, 17]
Teuta, mbretëresha autoritare e ardianëve, u bë shëmbëlltyra arketipale e
pushtetares trime, që e sfidoi superfuqinë romake, çka çoi në fillimin e
konflikteve politiko-ushtarake ndërmjet Romës dhe Shtetit Ilir të Ardianëve. [17]
Historia e shtetit ilir të Ardianëve në vitet 230 -168
para K, është kryesisht historia e luftërave me Romën dhe dëshmia e rolit
parësor të ilirëve në ngjarjet e kohës, krahasuar me popujt e tjerë të
Ballkanit. Ngjarjet që u zhvilluan në prag të këtyre luftërave, janë një prelud
i konflikteve të ashpra romako – ilire, janë dëshmi e rëndësishme e vendit
qëndror, që zinte mbretëria ilire midis fuqive të tjera të Ballkanit dhe për
rolin e saj historik në ngjarjet politike të kohës në të dy brigjet e Adriatikut.
Polibi [21: ii, 2, 12] i
ndikuar nga tradita se “fati e kishte caktuar Romën të pushtojë botën”, e
spjegon fillimin e luftës së parë romako - ilire me dhunimet, që ilirët u bënë
tregtarëve romakë në Adriatik, ndërsa traditat e tjera më pak retorike të
Apianit [14, Ilirike 7,8] dhe
të Dion Cassius [22],
bëjnë fjalë për një tjetër casus bellis. Fillimin e luftës romako-ilire, ata e
lidhin me banorët e ishullit Issa, të cilët i kërkuan Romës, mbrojtje ndaj
sulmeve të ilirëve. Mund të themi se e vërteta është në mes, pasi interesat
ekonomike ishin themelore në divergjencat politike të ilirëve me romakët.
Mbretëresha Teuta, jo vetëm kontrollonte detin Adriatik, por i zgjeroi kufijt e mbretërisë. Në vitin 228 para K., ushtria e Teutës pushtoi Etolinë. Flota ilire e komanduar nga Skerdilaidi pushtoi ishujt grekë të Korkirës dhe polisin Foinike (Finiqin), kryeqytetin e Lidhjes Epirote. Sipas Polibit, i cili e përshkruan me hollësi fitoren e ilireve kundër epirotëve, krahas pasurive të shumta, Teuta mori dhe shumë skllevër, që i transferoi në veri. Politika ekspansioniste e Teutës dhe zhvillimi i piraterisë detare nga anijet ilire, ranë ndesh me interesat hegjemonike të Romës, e cila në rrethanat e dobësimit të Greqisë nga konfliktet e brendëshme, e shihte si rrezik fuqizimin e Ilirisë fqinje, që kishte aleate Maqedoninë. Për të thyer epërsinë e flotës ilire dhe për të vënë nënkontroll lundrimet në detin Adriatik, Senati Romak nisi një aksion të bashkërenduar politiko-diplomatik me mbretëreshën Teuta. Duke shfrytëzuar rastin, kur disa anije romake u sulmuan dhe u grabitën nga ilirët në Adriatik dhe nga ankesat e tregëtarëve romakë, që u grabitën nga ilirët në Finiq dhe në Korkyra, Roma nisi një delegacion, për t'i kërkuar mbretëreshës Teuta të ndërpriste sulmet në det. Sipas Polibit delegacioni përbëhej nga vëllezërit Gaio e Lucio Coruncanii (Korunkani) dhe nga Clemparosus (Klemparozi), përfaqësuesi i banorëve të ishullit Issa.
Mbretëresha Teuta iu premtoi se do të kujdesej që romakët
të mos pësonin ndonjë padrejtësi në detin e përbashkët, por theksoi se nuk mund
t’i ndalonte lundrimet private. Ambasadorët romak guxuan t’i bëjnë presion
Teutës, çka provokoi një debat, që rezultoi fatal për të deleguarit e Romës. [21]
Thuhet se mbreteresha Teuta e fyer nga toni prepotent i ambasadorëve romakë,
urdhëroi rojet ta vrisnin delegatin kërcënues. [21, 23] Kjo
ngjarje tregohet në shumë varjante, madje ka frymëzuar një artist francez, që e
pasqyron në mënyrë dramatike në një gravurë. Disa thonë se mbretëresha Teuta
urdhëroi t’i mbysnin në pus të dy delegatët romakë, ndërsa ndonjë tjetër thotë
se urdhëroi vrasjen e të treve etj. Pavarësisht nga këto legjenda dhe rrëfenja
të shumta, rëndësi ka fakti, se Romës i duhej një pretekst për ta nisur luftën
kundër Teutës dhe e gjeti shpejt te "pirateria e ilirëve" dhe
posaçërisht te "vrasja" ambasadorit romak.
Mbretëresha Teuta përdori mjaft taktika kundërvënie dhe
njëherësh toleruese për ta "përkëdhelur" Senatin e Romës, që të
shmangëte një konflikt të armatosur, por njëkohësisht mori masa paraprake
përgatitore, duke angazhuar ushtrinë dhe flotën për mbrojtjen e vijës
bregdetare. Teuta u përpoq ta zgjidhte konfliktin me rrugë diplomatike, andaj
dërgoi delegatë në Romë, por nga ana tjetër vazhdoi rrethimin e ishullit Issas,
dërgoi flotën në Dyrrahium, pushtoi Korkyrën, bëri betejën navale dhe fitoi
kundër grekëve të ishullit Paksos afër Korintit. Ndërmjet kontradiktave të
thella, që po trondisnin botën mesdhetare, në plan të parë dolën konfliktet e
mbretërisë Ardiane me Romën, të cilat në vitet 229 -228 para K, çuan në
shpërthimin e luftës së parë romako-ilire, që përfundoi me fitoren e romakëve,
të cilët në vitet e më pasme u shtrinë gjithnjë e më shumë drejt lindjes, duke
sjell luftëra të tjera me fiset e tjera ilire, me maqedonët dhe me qytet-shtetet
e vogla greke. [21, 23]
Teuta, mbretëresha e Ardianëve, e vetmja mbretëreshë në
botën antike europiane e asaj kohe, është metafora ilire, krenaria e heroinës
semantike ndër shekuj, e ruajtur në kujtesën historike shqiptare dhe botërore. [17,
20]
LUFTA
E PARË ROMAKO - ILIRE
Mbretëresha Teuta ishte protagoniste e konfliktit me
Romën. Në vitin 229 para K., filloi lufta e parë romako - ilire. Legjionet
romake, fillimisht pushtuan dhe krijuan një bazë mbështetje në Korkyra, nga aty
vazhduan sulmet kundër mbretërisë Ardiane dhe shteteve Ilire. Sipas Polibit,
Korkyrën e morën me tradhëtinë e Dhimitër Farit, që ua dorëzoi ishullin pa
luftuar. Pas kësaj fitore,
flota romake me 200 anije e komanduar nga konsulli Gneo Fulvio Centumalo
lundroi drejt Apollonisë, ndërsa konsulli Lucio Postumio Albino në krye të
20.000 këmbësorëve dhe 2.000 kalorësve, u nis nga Brindizi dhe pasi zbarkoi në
Durrahium, filloi sulmin në shkallë të gjërë kundër ilirëve. [21]
Ushtria e Teutës në Durrës, u tërhoq pa luftuar dhe ia
dorëzoi qytetin romakëve, të cilët i vazhduan sulmet në thellësi të trojeve
ilire dhe i pushtuan me rradhë parthinët, atintanët,
ardianët, labeatët dhe issejtë. [21]
Mbretëresha Teuta, e shoqëruar nga besnikët dhe gardën e saj, u mbyll në kështjellën e Rizonit. Pushtimi i Ilirisë u favorizua dhe nga tradhëtia e Demetër Farit dhe e aristokracisë ilire, që përkrahu pushtimin, për të fituar “miqësinë e romakëve”. Sipas Polibit, Parthinët dhe Antintanët, që kishin lidhje dhe interesa ekonomike me qytetet e Durrësit dhe të Apollonisë, iu nënshtruan “me dashje” Romës. [7, 16, 17, 20, 21, 23]
Në vitin 228 para K, mbretëresha Teuta e mundur dhe e
tradhëtuar nga bashkëpuntorët e saj dhe nga fiset e
tjera ilire, dërgoi një delegacion në Romë, të cilët
firmosën armëpushimin dhe paqen me Republikën e Romës.
Kushtet e kësaj paqe ishin të rënda për mbretëreshën Teuta,
e cila u detyrua:
1. Të paguante Romës një tribut
të madh.
2. T’i dorëzonte Romës pjesën më
të madhe të trojeve ilire.
3. Anijet ilire të mos lundronin
në jug të Lissus ndërsa në ujrat e lejueshme, mund të lundronin jo më shumë
se me dy anije ilire. [16, 21, 23]
Pas pushtimit të Ilirise, romakët bën organizim të ri
administrativ, duke i ndarë trojet ilire në dy pjesë. [21]
Në veri krijuan një shtet të vogël me në krye Demetër
Farin, por nën kontrollin e garnizonit romak të komanduar nga Lucio Postumio
Albino; ndërsa në jug krijuan një protektorat, të shtrirë nga Lissus deri në
malet Akrokeraune, ku krahas Parthinëve, Antintanëve dhe Taulantëve, u
përfshinë qytetet-shtete Dimali, Auolna, Bylis, Amantia, Antigonea, Oriku
ishujt Issa dhe Korkyra. Me këto vendime të Romës, mbretëria e Ardianëve e
Teutës, u zvogëlua në një territor të ngushtë i izoluar dhe pa lidhje tokësore
me Maqedoninë, nga mund të priste ndonjë ndihmë. [7, 16. 21, 23]
Në vitin 226 para K, mbretëresha Teuta vdiq. Polibi thote
se ajo vrau vehten nga dëshprimi i shkatërrimit të mbretërisë dhe nga tradhëtia
e bashkëpuntorëve. Në krye të shtetit të vogël të Ardianëve, Roma vendosi
Dhimitër Farin, i cili u përkrah nga Skerdilaidi, ish-komandanti i ushtrisë të
mbretëreshës Teuta dhe vëllai i vogël i Agronit. [16, 21, 23]
Bibliografia
01. Muzafer Korkuti. Perla: Revistë
shkencore - kulturore tremujore. Viti X
2005 Nr. 2 fq. 32 - 45
02.
Historia e Popullit Shqiptar. Tiranë 2002, f. 3
03. Muzafer Korkuti. Revista PERA; Viti
X 2005 . Nr. 2 (37), fq. 32-45
04. Muzafer Korkuti. Probleme etnokulturore të
epokes se neolitit. Tirane. 1982, 1, f. 156 – 173].
05. Edwin Jacques. Shqiptaret. Vol. 1. 1996, f. 124
-140
06. Gilkes, O. Albania An Archaeological Guide, I. B.
Tauris 2012,
07. John Collis. "L'età del ferro europea". B.
T. Batsford, Londra 1989
08. Berranger Danièle; Cabanes Pierre; ?pire, Illyrie,
Macèdoine. Presses Universitaire Blaise Pascal. 2007.
09. Fanula
Papazoglu. Les origines et la destinée de l’Etat Ilyrian”, 1965
10.
Selim Islami. “Historia e ilirëve”. Tiranë 2008.
11. Paul
Veyne. Did the Greeks, belive in their Myths? Editions du Seuil. London 1983
12. Patrick Counillon De Boccard. Pseudo - Skylax: Le
periple du Point-Euxin. 2004, f. 24
13.
Jacob Gronovius. Geographia Antiqua, University of
Michigan, Henry Vignaud Library 1817, f. 16
14. Appiano Alessandrino, Historia Romana. De rebus Macedonicis et de rebus
Illyricis. IX.
15. Chiara
Carsana, Commento storico al libro II delle Guerre Civili di Appiano (parte I),
Pisa,
Pubblicazioni dell'Università di Pavia, 2007
16. John Wilkes. The Illyrians. Wiley-Blackwell. 1995
17. Moikom Zeqo: Mbreti ilir Monuni dhe kulti i
Meleagrit. Pashtriku.org. 2012
18. Arthur Ewans. Ancient Illyria (an archaeological exploration). Edition
"I.B.Tauris” London, 2006.
19. C. Plinii Secundii.
Naturalis Historia, Vol III, D. Detfelsen recensuint. Libri XII – XXIII.
Berolini –Apud Weidmannos 1868
20. Moikom Zeqo. Mbretëresha e pazbutëshme e
ilirëve: Shkëlqimi dhe rënia e Teutës: American Eye, 2017
21.
Polibio, Storie II, 8, Rizzoli, Milano, 2002. XXI, 11, 7; XXI, 21, 3.
Traduzione: M. Mari. Pleuratus' relations
with
Rome. Polybius XXI. Le storie di Polibio da Megalopoli. Sul testo greco di
Schweghauser,
e
corredate dal Dott Kohen da Trieste. Tomo 8° Milano 1842, f. 6 - 10
22. Cassio Dione: Historia
romana. Libro XVIII, Harvard Univ. 1978
23.
Titius Livi: Ab urbe Condita, Libri XLV, 34, 1 e 7
24. May, J. M. F. (1946). "Macedonia and
Illyria (217-167 B.C.)". The
Journal of Roman Studies. 36: 48–56.
25. Smith W. Dictionary of Greek & Roman
Biography & Mitology. Boston, Brown 6Co, 1870, Vol 2, 313
26. Johann Thunmann. Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der Wlachen. Leipzig
1774
27. Francis Ryan, Rank and Participation in the Republican
Senate,Edit. Franz Steiner Verlag Stutgart, 1998
28.
Umberto Laffi. Colonie e municipi nello Stato romano. Roma: Edizioni di storia
e letteratura, 2007
29.
Giovani Rotondi. Leges publicae populi romani, Hildesheim: Edizione Olms, 1962
30.
Stadtmüller. G Forschungen, 1966, p. 89 sq.