| E merkure, 06.08.2025, 06:58 PM |
Kapitali Gjergj Kastrioti dhe Dr. Ibrahim Rugova
Nga
Gjon Keka
Është e qartë se një ngjitje e papritur dhe e menjëhershme në pushtet e
një individi apo partie politike, lëvizje etj, mund ta dehë edhe një mendje të fortë për një
moment dhe t'ia turbullojë shikimin. Është e kuptueshme dhe plotësisht e
vetëdijshme për fuqinë e tij apo saj që ai apo ajo mendje e fortë ta
mbivlerësojë atë. Ky mbivlerësim është aq më i kuptueshëm në një mendje të re e
cila nuk e njeh as artin e lojës politike e diplomatike dhe as urtësinë e
qeverisjes së një shteti dhe vizionin për të ardhmen e vendit.
Nëse, p.sh.
dashuria e madhe për ato figura sikur ishin: Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) dhe
dr. Ibrahim Rugova i ngjajnë një kapitali të vazhdueshëm që i lihet pasardhësve
të kombit të tyre si trashëgimtarë të ligjshëm, nëse ky kapital nuk ka vazhdimësi
dhe nuk është lidhë me atë atëherë kjo tregon se ajo nuk është arritur dhe
rrugët e vogla që i bëjnë pushtetarët e ri pa kapital të vijimësisë është rrugë
e panjohur për natyrën dhe karakterin e popullit , kombit apo shtetit.
Përkundrazi, ajo që duhet të jetë
vijimësi e kapitalit të paraardhësve është pikërisht aura e tyre që shkëlqeu
gjatë qeverisjes apo udhëheqjes së tyre e cila do të duhej t'i ndriçonte edhe
pasardhësit, por për njëfarë kohe, sepse
si çdo kapital edhe kapitali i tyre mund të shpenzohet nga pasardhësit dhe
kështu ajo aura e tyre që ishte tek pasardhësit zbehet me kalimin e viteve.
Prandaj duhet që një pushtetar apo udhëheqës i ri ta lidhë kapitalin e
paraardhësve me kapitali e tij të ri por që nuk devijon nga rruga e
parardhësve.
Nga
historia e shteteve dhe popujve mësojmë që çdo udhëheqës apo pushtetar i ri, me marrjen e pushtetit, ndez shpresa që ishin të pamundura nën
paraardhësit e tyre të mëparshmit. Një numër i madh dëshirash dhe planesh që
kishin mbetur në gjumë nën ata më të vjetrit(udhëheqësit e mëparshëm), tani po dalin me frikë ose me guxim në dritë
duke pritur shumë ose gjithçka nga ai që është ngjitë në pushtet si pushtetar
apo duhëheqës i ri. Viti i parë i qeverisjes së çdo udhëheqësi apo pushtetari
të ri është një terren i pjekur për trëndafila dhe barëra të këqija. Prandaj, pushtetarët
e rinj gjithmonë përshëndeten me gëzim ose të paktën me një pritje të
gëzueshme. Të gjithë janë nga populli i tyre "të dashur dhe sytë të gjithë
i kanë tek ai", pavarësisht se prej
cilës parti , lëvzje apo nivelit të tij të përgatitjes apo të kaluarës së tij ,
ai prapë pritet nga populli ashtu, kjo
për shkak se populli pret si çdo kush nga i riu shpresa te reja, mirëqenje
ekonomike dhe të ardhme të mirë e të sigurtë të vendit të tyre dhe kështu të
gjithë brohorasin emrin e tij apo të partisë a lëvizjes së tij etj. Dhe kjo
është psikologjikisht e kuptueshme.
Çdo brez
dëshiron të udhëhiqet nga një udhëheqës apo pushtetar që i përket atyre
, pra është
i popullit , thjeshtë i tyre, i cili i njeh dhe ndoshta ndan ndjenjat dhe
pikëpamjet e tyre. Brenda popullit të Kosovës, por
edhe tërë kombit tonë botëkuptimet romantike dhe demokratike po luftojnë një
betejë të gjatë, një betejë që
zhvillohet edhe brenda gjoksit të secilit madje edhe të pushtetarëve të ri.
Është e qartë se një pushtetar apo udhëheqës me një psikikë të tillë nuk mund
të jetë i lumtur në një epokë kaq të vështirë si kjo e tashmja.
Është një
fenomen i habitshëm që ne lexojmë nga historia se si trashëgimtarët e fronit
shumë shpesh kanë braktisur shtigjet e njohura të sistemit të vjetër të
qeverisjes dhe kanë ndërmarr një kurs të ri, kështu ndodh edhe në shtetet që janë qeversur
nga një brez i etërve , por që brezi i ri i politikës kanë ndryshuar kursin
duke ndryshuar kështu edhe rrjedhën , por edhe kjo është e kuptueshmë
psikologjikisht, sepse i riu kërkon
shtigje të reja dhe mendon se kursi i tij i ri është i kohës së tij, por që harron se përvoja nganjëherë është nëna
e të gjitha shtigjeve dhe kurseve të reja e ajo arrihet vetëm nëse një udhëheqës
ka lidhë kapitalin e parardhësve me kapitalin e tij që dëshiron ta fitoi
përgjatë qeverisjes apo udhëheqjes së tij, Kjo do të nënkuptonte kështu se djali
këmbëngul në kursin e babait, por pasi ta ketë përjetuar ngjitjen në pushtet
dhe të ketë parë se kursi i babit është i babait, ai fillon ngadal të dal me
një botëkuptim të ri dhe kështu populli dhe vetë brez i ri fërkon sytë me habi
dhe zbulon gjëra të reja, farat e reja
të cilat mund t'i mbjellë me lehtësi se sa të merret me ujitjen e pemës së
madhe apo farave të mbjella nga paraardhësit e kombit apo shtetit.
Edhe kjo
është e kupttueshme psikologjikisht, sepse djali i ri kërkon shtigje të reja, kurs të ri, sepse ka energji të reja , ka sy
të ri, por të gjitha këto pa përvojën, urtësinë e vizionin dhe pa kapitalin e
paraardhësve janë të kota.
Duhet një
lidhshmëri në mes të kapitalit të vjetër me kapitalin e ri, sigurisht kohërat kanë dhimbjet e tyre sepse
çdo ndryshim bëhet duke prekur të vjetrën me të renë apo brezin e vjetër dhe të
ri të politikës, por udha e vjetër e paraardhësve të shtetit e kombit nuk duhet
të ndryshohet, shinat duhet rregullohen
të reja që i përshteten kohës së tanishme moderne , pra brezit të ri politik
dhe të udhëheqjes.
Gjithçka
që është e re, moderne dhe demokratike
në psikikën e udhëheqësve apo pushtetarëve të brezit të ri sot nuk duhet të
nënkuptojë njëkohësisht një ndarje me tradita e Gjergj Kastriotit(Skënderbeut
dhe dr.Ibrahim Rugovës, por lidhja e traditës së vjetër me të renë. Kjo është
shumë e rëndësishme, sepse nëse një brez
i ri politik i udhëheqjes ka ndërmend të ndjek shtigje të reja, ai duhet ta dijë se ende janë të pandërtuara
për të ardhmen, pra i mungonë përvoja
dhe tradita , por edhe vizioni për të ardhmen, prandaj lidhja me të vjetrën do
të thotë lidhje e traditës me modernen dhe kështu i riu mëson vazhdimisht nga
etërit e kombit dhe shtetit edhe sot dhe do të mësoj edhe nesër dhe gjithnjë.
Kapitali Gjergj Kastrioti dhe
Ibrahim Rugova mund të shpenzohen lehtë, duhet kapital i ri i vazhdimësisë së aurës së
këtyre dy paraardhësve tanë të mëdhenjë të kombit
dardano-arbëror.
I kuptoj
zemrat lirike dhe romantike por edhe ato moderne dhe demokratike, por sot është koha të lidhet tradita me
moderne në brezin e ri të politikës në Kosovë për të ecur përpara sigurtë si
dhe për ta integruar shtetin e Kosovës në familjen europiane, aty ku e ka vendin e saj historik dhe të
natyrshëm.