Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Urim Bajrami: Lamtumirë miku i të gjithëve!

| E diele, 15.02.2009, 12:01 PM |


Vladimir Prela
Vladimir Prela
Lamtumirë miku i të gjithëve!

Nga Urim Bajrami

I ndodh shpesh njeriut të shkretë të mos gjejë fjalët e duhura, atëherë kur ato janë më të nevojshme se kurrë. Duket sikur perëndia ia ka kyçur gojën dhe, ai, duke u përpjekur të thotë diçka, e kupton se po i ngatërron fjalët më shumë nga sa duhet. Kështu po më ndodh edhe mua.

Do të kisha shkruar dhe unë ca fjalë më shumë për Vladimir Prelën, të cilin një atak i papritur në zemër e ndau dje nga jeta, nga familja e tij e shtrenjtë, që e donte aq shumë dhe miqtë e shumtë... sikur të mos e kisha takuar dy-tri ditë më parë. Përqafimi me të, çmallja si mes miqsh të vjetër, biseda e bukur dhe e vlerë, e mbi të gjitha premtimi për t‘u takuar sërish pas disa ditësh, kur do na jepte edhe numrin e ri të telefonit, po m‘i "burgosin" fjalët. Por, mes lotësh hidhërimi, ca munda t‘i çliroj. Për Ladin!

I sapokthyer nga Maqedonia në Tiranë, ku shërbeu si ambasador i Shqipërisë për shumë vite, në pritje të një detyre të re në Ministrinë e Jashtme, Ladi kishte ftuar për një kafe çmalljeje disa miq të tij. Ndër ta, edhe unë. Nuk e di pse. Vetëm dy herë e kisha takuar. Një herë në Shkup, pikërisht atë ditë kur ambasada jonë atje festonte Ditën e Flamurit, e ku ai, më shumë se të tjerët po kujdesej për mikun e sapoardhur nga Atdheu, dhe herën e dytë (e të fundit gjithashtu) në Tiranë, dy-tri ditë pasi kishte mbyllur suksesshëm detyrën e ambasadorit në Shkup. Ama, mjaftuan vetëm dy herë për t‘u bërë miq të mirë, për të folur për gjithçka; që nga gazetaria kur ai e ushtronte vite të shkuara, deri te kjo gazetaria jonë e sotme, që nga hallet e familjeve tona e deri te hallet e vatanit, për të vijuar më tej me shakatë e tij të zakonshme dhe historitë po të zakonshme njerëzore që i tregonte aq bukur.

Ky ishte Ladi! I qeshur, i ëmbël e me shpirt të madh, ai që do na mungojë.

Që sot, Ladi do t‘i mungojë edhe Kosovës, të cilës i shërbeu që në vitet e para të pasluftës. Sot ndoshta do të ishte nisur drejt Prishtinës për të festuar njëvjetorin e Pavarësisë. Për fat të keq, nuk do mundet, sepse sot Ladi do të rrugëtojë drejt banesës së tij të fundit. Por emri dhe shpirti i tij do të jenë atje, në Kosovë, duke kundruar plot dashamirësi, por do të jenë edhe në Shqipëri, vendlindjes që i shërbeu plot dëshirë dhe ndershmëri.

Lamtumirë Ladi!

Lamtumirë miku i të gjithëve!