Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Tufa: Fajin e ka Saliu...!

| E hene, 04.08.2025, 06:54 PM |


Fajin e ka Saliu...!

Nga Agron Tufa

I dashur mik, zonjë, zotëri, zonjushë,

të njohur e të panjohur, me emra e pa emra!

Ju që kapërceni gardhin e fb dhe futeni pa teklif, llap e squp në komentet e shkrimeve të mia e të kujtdo që prekin një çështje lënduese, shpesh pa e lexuar shkrimin, pa e vrarë mendjen fare për idenë. Pra ju që të gjitha dështimet, për të gjitha tragjeditë personale e kolektive, për çdo gjë që frymon e lëviz - fajtor bëni Saliun, pra një person.

Hiqni dorë nga kjo sindromë e rrezikshme, edhe sikur kjo të ishte në mënyrë të  mbinatyrshme e mundur - sepse Saliu nuk mund të jetë si ai Cjapi biblik i mëkateve që hebrenjtë ia ngarkonin dhe e dëbonin në Shkretëtirë. Kjo është sëmundje që ju bllokon të menduarit origjinal.

Dhe mos thoni: "Na e la Saliu peshqesh", apo "mbaje, se t'a ka lënë Saliu!" Kjo zgërdhirje qoftë e ligë, qoftë shprehje zhgënjimi, nuk ndihmon askënd të ruajë dinjitetin dhe të mos përkulet. Saliu mund t'i lërë ndonjë gjë, po pati, fëmijëve të vet, jo mua, as ty, as shoqërisë shqiptare - edhe në kuptimin figurativ që e ke ti, komentues.

E dyta, ai që i lë bekim ose mallkim një personi apo një populli është një forcë madhore, Destini, apo ndryshe, veç i madhi Zot, në bazë të mëkatit.

E treta, nuk janë diktatorët, autokratët, njëshat që vendosin një gjendje të caktuar regjimi, por Vetëdija e manipulueshme, vullneti i plogësht dhe karakteri qytetar frikacak, servil dhe i nënshtruar i shoqërisë.

Ti mund ta marrësh fare ngushtë, fjala vjen, që të fajësosh 1 person për fatkeqësinë popullore, por kështu ke habitur veç veten, askënd tjetër. Merreni (me mend) Enver Lugatin, çojeni në krye të shoqërisë franceze (angleze, gjermane) të vitit 1945 e në vazhdim. Sa muaj mendoni se mund ta duronin këto shoqëri Enverin tuaj?

Nuk zgjidhen çështjet duke fajësuar njërin për gjithçka që shkon keq, duke thënë "fajin e ka Saliu" edhe kur e ka Rama; "fajin e ka Saliu" edhe kur ty, më falni, nuk të ngrihet ai miku në shtrat!

Po përveç Saliut, a ka kush ndonjë faj në këtë botën tonë shqiptare?

Prandaj Rama bën përsheshin e tij, se e ka gjetur sheshin dhe alibinë e gatshme: çfardo krimi, çfardo  përdhunimi që të bëjë ai me bandën e pushtetit, e di tashmë që njerëzit, masa e njerëzve që e pandehin veten të lirë, do të thonë: "fajin e ka Saliu!".

Pra fajet i ka Saliu, edhe pse ti e shet votën me para, fajin e ka Saliu edhe pse ti nuk del në votime; fajin e ka Saliu edhe pse ti trembesh, shantazhohesh, pranon ofertat, pislleqet, korruptimet në administratë; fajin e ka Saliu edhe kur ti e sheh padrejtësinë dhe dhunën para hundet dhe nuk flet, nuk proteston, madje bën sehir, se e ke gjetur fajtorin -Saliun e përjetshëm. Pra fajin e ka Saliu se të pëlqen të jesh i poshtëruar; "fajin e ka Saliu", ndonëse të qiu Rama! Kjo është alibi e pështirë!

Por gjithsesi, gjithsesi, Saliu i ka fajet e veta, përgjegjësitë e veta, të mëdha, shpesh të tej-ekzagjeruara, por ka dhe gabime me pasoja të rënda. Sikundër ka dhe merita të padiskutueshme, historike.

O popull i mjerë! Ju skllevër të shtypur e të deformuar në shpirt e në mendje nga pesha dërrmuese e diktaturës 50  vjeçare! A njëmend prisnit t'ju dërgonte Perëndia nga sferat qiellore Kryeengjëllin njëmijëkrahësh me kerubimët e Zotit? Dhe ju kujtuat se ai është Berisha me PD? Po ai ishte pasqyrë e juaja: nuk mund të shpikej tjetër. Ju doni drejtësinë dhe zgjedhjen hyjnore midis punëve të njerëzve: drejtësi, por mundësisht hyjnore! Kështu? Po ju? Ju vetë si zgjidhni e si zgjidheni? Zgjidhje zengjineshë!

Edhe mund të jeni engjëj krejt të dlirë, siç shtireni shpesh, por po bëni një mëkat të përjetshëm: nuk po kundërshtoni përdhunimin që po ju bëhet. Dhe nuk do të jeni kurrë më të dëlirë!

Dhe për këtë, kurrëfarë faji s'ju ka as Saliu  i ditëve të para, as i ditëve të fundit të tij (meqë është në fundin e tij). Dikush tjetër po ju ndërron Kodin Penal, Kushtetutën, e çfarë ju përmban pragu: po ju luan fenë! Në të gjitha kuptimet!

A ju lehtëson tani të thoni: "po, ti ke të drejtë, por edhe për këtë, fajin e ka Saliu, sepse..."

Vazhdojeni, vazhdojeni i nderuar mendimin...