Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Një teatër absurditeti ka ndodhur në Shkodër

| E diele, 03.08.2025, 06:56 PM |


NJË TEATËR ABSURDITETI KA NDODHUR NË SHKODËR

Nga Frank Shkreli

Me keqardhje të thellë dhe me shqetsim të madh mësova lajmin e përjashtimit të Simon Shkrelit nga Teatri “Migjeni” në Shkodër. Është në kulturën tonë si malësorë që, në raste të tilla si kjo, të mos shprehemi, por të lemë të tjerët të flasin duke qenë se Simonin e kam nga i njëjti fis. Dhe të tjerët, një listë e gjatë bashkpuntorësh e kolegësh të tij që e njohin shumë mirë Simonin dhe kanë punuar e bashkpunuar me ‘të, vërtetë, kanë folur dhe vazhdojnë të flasin në mbrojtje, me zë të lartë dhe me bindje dhe përvojë të lartë profesionale për meritat dhe aftësitë e Simonit si aktor profesional, në mbështetje të Simonit dhe kundër vendimit të Bashkisë së Shkodrës dhe Kryetarit të saj, Benet Becit për dëbimin e Shkrelit nga Teatri “Migjeni” Shkodrës.

Por në solidarizim me të, vendosa që kësaj liste të gjatë mbështetsish të Simonit po i bashkohem edhe unë -- në solidaritet me këtë aktor dhe gazetar të njohur të atyre anëve dhe njëkohsisht, bashkvendas i imi. Jo se Simoni ka nevojën time për ndihmë sepse unë jam i bindur se e VËRTETA është në anën e tij dhe se atë ai do ta ndjeki deri në fund, nepëmjet ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Por, në të njëjtën kohë, ndjejë një përgjegjësi morale për të mos heshtur, pasi e njoh personalisht dhe jam rritur në të njëjtin fshat me familjen dhe babain e Simonit, të ndjerin Gjokë Dedën Shkreli, i njohur në ato anë, si një atdhetar, intelektual, aktivist dhe njeri human, që e dalloi veten si i tillë, sidomos, gjatë luftës në Kosovë, duke strehuar mijëra familje shqiptarësh (në rrethin e Ulqinit’ nga Kosova, dhe duke mbledhur ushqim dhe ilaçe për ta, në një prej periudhave më të vështira në historinë e Kombit shqiptar.

Gjithashtu, disa nga kolegët e tij në Shkodër e Shqipëri si edhe në Kosovë e konsiderojnë Simon Shkrelin si një urë, në fushën e teatrit dhe të veprimtarisë së tij, midis Shkodrës dhe trojeve të tjera shqiptare.

Një shumicë e vërejtësve dhe atyre që e njohim mirë profesionalizmin dhe seriozitetin e tij, në skenë, në gazetari dhe në shoqëri, me të drejtë janë shprehur në rrjetët sociale se largimi i Simon Shkrelit nga Teatri i Shkodrës ishte një vendim politik nga ana e Bashkisë Shkodër, pasi bashkshortja e Simonit, Eliona Shkreli, që nga fillimi i këtij viti, është emëruar Kryetare e Partisë Demokratike në Shkodër – në opozitë, kundërshtare politike pra e Benet Becit, Kryetarit aktual të Bashkisë Shkodër.  E titullova këtë shënim modest dhe shkarkimin nga puna të Simonit nga ana e Bashkisë Shkodër si një absurditet teatror, pikërisht, për arsyetimin e dëbimit të tij me shkresë, për mungesë gjoja, “efikasiteti, efektiviteti, produktivitetit dhe cilësie në punë”, sipas Bashkisë Shkodër. Një gjykim ky i një politkani ndaj një aktori!!! Ata që njohin mirë Simonin shprehen se ky arsyetim nuk ka të bëjë fare me realitetin e aftësive profesionale të Simon Shkrel, por thjesht, është një vendim politik, me një mesazh të caktuar politik.

Një vendim politik ky që na kujton – 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit -- për fat të keq, një periudhë të tmershme, një histori të errët për Kombin shqiptar shekullin e kaluar, kur vendime të tilla, por edhe më keq, ndaj kundërshtarëve politikë, merreshin nga regjimi komunist, me qëllim zhdukjen fizike ose intelektuale.  Ky vendim, në rastin e Simon Shkrelit -- që në skemën e intrigave dhe zhvillimeve të tjera politike më të mëdha në vend – në krahasim mund të duket si diçka e vogël dhe rajonale që prek një person ose një qytet si Shkodrën. Por në realitet pasqyron një dështim katastrofal politik dhe një prove siç kam thenë shpesh se “demokracia jo vetëm që nuk pret”, në Shqipëri por demokracia për të cilën shpresonim për atë vend, me “ndryshimin e sistemeve”, ka dështuar mizorisht, për shqiptarët. Shkarkimi i një aktori, artisti ose gazetari nga një politikan siç është Kryetari i Bashkisë Shkodër ose cilitdo qytet tjetër qoftë, është një mesazh shumë i keq për një vend anëtar I NATO-s dhe tretend për tu antarësuar në Bashkimin Evropian, nuk mund të shikohet ndryshe veç si një vendim i bazuar në rrënjët e thella të strukturave të vjetra të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe apologjetëve të tij.  Shqipëria sot është më shumë në linje me vendet autoritare si Rusia, Turqia, Serbia e të tjera dhe jo me perendimin.

Shqipëria, zyrtarisht dhe sipas disave, mund të pretendojë se ka bërë ndryshime dhe ka arrijtur suksese këto 35-vite tranzicioni të dështuar, por në fakt siç është shprehur dikur Vaclav Havel, ish-disident kundër komunizmit, dramaturg dhe më në fund president i Çekisë, se ajo që nuk mund të arrihet shumë shpejt në një vend ish-komunist është “transformimi i mentalitetit” dhe mungesa e një “revolucioni moral”. “Të gjithë ne që kemi përjetuar komunizmin, jemi të deformuar…Siç duket të gjithë ata që në kohën e komunizmit ishin të mitur, edhe sot e kësaj dite, janë të infektuar dhe të korruptuar nga ato që kanë mësuar prej prindërve të tyre…Një trasformim i tillë merr një kohë të gjatë për tu realizuar, ndoshta dy brez a më shumë para se të transformohet edhe kultura politike, e të cilën mund ta quajmë më në fund demokraci…”, ka thënë, Vaclav Havel.

Për fat të keq, ky transformim po merr një kohë shumë të gjatë në Shqipëri, ndryshe nga ish-vendet e tjera komuniste, sidomos në një shoqëri me një kulturë të papjekur demokratike siç është shoqëria shqiptare e deformuar nga komunizmi.  Si rrjedhim, njerëz të pafajshëm, intelektualë, aktorë, artistë e gazetarë si Simon Shkreli e kolegu i tij, aktori i Teatrit “Migjeni” në Shkodër, Vladidmir Doda, në këtë ndërkohë, po bien viktima hakmarrjesh politike, me humbje pune dhe reputacioni. Ka vite që me shkrimet e mia modeste, paralajmëroj se “Demokracia nuk pret”.  Për fat të keq, rasti i fundit i këtyre dy aktorëve të Shkodrës më bën të shprehem se demokracia shqiptare është lodhur duke pritur dhe se ky eksperiment, sado i sinqertë të ketë qenë fillimisht, ka dështuar tanimë.  Por shpresa vdes e fundit!