| E premte, 01.08.2025, 07:00 PM |
SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES SE MJEDES
Dom Ndre Mjeda, sipas dy
figura monumentale të letrave shqipe, Ernest Koliqit dhe At Gjergj Fishta
Nga
Albert Vataj
Në
një kohë kur figura të tilla si Dom Ndre Mjeda ndonjëherë errësohen nga zhurma
e mediokritetit, kotësidashja jonë
kolektive dhe zelli narizist, këto dy dëshmi e ngrejnë Dom Ndre Mjedën jo
thjesht në një piedestal, por në një dritë që i mëson edhe sot njeriut shqiptar
virtytin e dijes dhe forcën e mendjes, jo përmes bujës por kreshtës së lartë të
veprës.
Për
të rikthyer në kujtesë, Dom Ndre Mjedën, në përmasat e tij, në një kushtim të
ndryshtë, le t’u hedhim një sy asaj çfarë shkruan Ernest Koliqi, “Cirka” nr.
28-29, Shkoder 5 shtatuer 1937 dhe At Gjergj Fishta në (Posta e Shqypnís, 1917/
20.
Ernest Koliqi, “Cirka”
nr. 28-29, Shkoder 5 shtatuer 1937
“Kur
e shifshe, Dom Ndreu të paraqitej në gjasë të nji prifti katundi ndër mâ të
lânunt. Shkurtalak edhe pak si i gërmuçun, verë e dimën mbërthye në nji pallto
të randë të zezë të përlyeme përpara me pluhun burrnoti, me nji fytyrë kuqloshe
në të cilën syt e vogjël zhdukeshin nën vetulla të denduna fije-trasha dhe goja
nën shllungën e musteqeve të ngathët e vërdhukë: kështu të dilte para Poeti i
njimbëdhetë rrokshave të Lissus e nuk të bânte asnji përshtypje zotsije të
veçantë.
Për
natyrë perbuzës i çdo reklami dhe i çdo esibicjonizmi, urrente lávdin dhe
ndryhej ne nji pervujtní idhnake qi ishte mësim, qortim i naltë për të gjithë
ne.
Nuk
i rridhte aspak fjala, shprehjet i dilshin copa copa, i qitte prej goje me
mundim. Ngatrrohej tue folë e, kur vèhej disi për fije në bisedë përdorte
terminologji të thatë. Anmik në shkrim e në jetë i lajleve e i stërhollimeve,
por jo i panjerezíshem, perkundrazi, tue e njoftë s’afermi ndihej në tê nji
edukatë humaniste plot masë e plot mirsí të ndritun dhe shifeshin në tê sjellje
të zgjedhuna qi dishmojshin qëndrimin e gjatë në rrethe të nalta të hueja.
Dom
Ndreu duhej zbulue si njerí dhe si artist. Tue ndejun me tê, pikësëpari gjêjshe
Dijetarin. Kush ndër Shqiptarë mund i krahasohej për kulturë organike ?
Greqishten e vjetër dhe latinishten i dinte në themel. Qyshë në rini fitoi
përjâshta konkurse me vjerrsha klasike.
Shetiti
mbarë Europën njiherë si nxanës e ma vonë si Profesor. Banoi në Francë, në
Spanjë, në Poloni, në Jugosllaví. Filozof i shquem, mrekullonte shokët me
analyza të reja e me objekcijone të paprituna.”
At Gjergj Fishta (Posta
e Shqypnís, 1917/ 20)
“Qe
nji vepër poetike, me të cillen mund të thohet, se pernjimend asht stolisë
gjuha e rritë pasunia e literaturës shqipe. Në ket veper gjuhën e gjen të
paster, stilin e naltueshém, shembélltyrat të gjalla e plot njomësi e gjithmonë
të arsyeshme. Aty ke nji prendverë lulesh e bilbilash, e nji natyrë të
kérthnestë e plot jetë; e fillim e mbarim né ket veper zotnon nji melankoni e
kandshme, e cilla edhe sendeve ma të vogla u jep nji interes e nji randësi të
veçantë: sado qi kisha me thanë se kjo melankoni nuk rrjedh gjithmón prej
zemres aq sa prej mendes s’autorit. Njimend, duket se kjo melankoni nisë
njiherë prej mendes s’autorit, pershkohet neper rreze të filozofisë e të
poezisë klasike, e mandej deperton neper fashóje të gjuhes shqipe: por jo aq e
përmallshme, sa me t’u molisë zemra per çka auktori k’ndon mbi lirë të vet të
tingëllueshme, me gjithëse bukurín e formës e rreh orë e çast edhe flladi i
poezisë. Si prej shllimeve të zgjedhuna, si prej mjeshtris’ me të cillen janë
ndertue vjershat e lidhë mendimet, shihet çeltas se autori, para se me e botue
vepren e vet, e ka përshkue kushedi sa herë nen limë të mendes e të teknikës. Prandej
kjo veper ka me qenë domosdo e nevojshme me u përdorue si tekst nder shkolla të
Shqipnisë. Autori mundet me qenë i sigurtë, se atdheu ka me ia ditë per nder
mundin qi ka hjekë në perpilim të k’saj vepre”.
***
Për
të marrë në shqyrtesë mënyrën sesi dy figura monumentale të letrave shqipe,
Ernest Koliqi dhe At Gjergj Fishta, kanë paraqitur figurën e Dom Ndre Mjedës,
duhet të ndërtojmë një qasje krahasuese që shpalos jo vetëm portretin fizik e
shpirtëror të poetit, por edhe vizionin që të dy autorët kanë për të si
krijues, si njeri i kulturës dhe si personalitet me ndikim në historinë e
gjuhës dhe letërsisë shqipe.
1. Portretizimi: Mjeda
mes thjeshtësisë dhe dinjitetit të dijes
Ernest
Koliqi, në esenë e tij të vitit 1937, e paraqet Dom Ndreun jo si një figurë me
aureolë mitike, por si një prift i thjeshtë katundi, me pamje modeste, i veshur
me një pallto të zezë të përlyer nga pluhuri i kohës. Në këtë pamje ka një
qëllim estetik e filozofik, të theksohet kontrasti mes dukjes së jashtme dhe
pasurisë së brendshme shpirtërore e intelektuale. Koliqi përdor një stil
realist e të nuancuar, që nuk idealizon, por e lartëson Mjedën përmes detajeve
të thjeshta që përçojnë thellësi dhe humanitet: mustaqet e ngatërruara, sytë që
zhduken nën vetulla, heshtja që nuk është mungesë mendimi, por një përmbajtje e
qëllimshme dhe e ndershme.
Në
të kundërt, At Gjergj Fishta, në një koment të hershëm të vitit 1917, ndalet
mbi veprën poetike të Mjedës, duke e konsideruar një nga zbukurimet më të vyera
të gjuhës shqipe. Fishta nuk e përshkruan portretin fizik të Mjedës, por na jep
një pamje të shpirtit të tij poetik: të ndjeshëm, melankolik, të thelluar në
filozofi dhe të ngulitur në një përpunim rigoroz teknik. Ai e sheh Mjedën jo si
një poet të frymëzimit të çastit, por si mjeshtër që e kalon veprën “nen limë
të mendes e të teknikës”. Ky është një vlerësim që e vendos Mjedën në panteonin
e artizanëve të gjuhës – aty ku ndjenja dhe arsyeja bashkëjetojnë.
2. Kontrasti i afërsisë
dhe universalitetit: Një shqiptar i rrënjëve dhe i botës
Koliqi
e zhvesh Mjedën nga çdo glorifikim monumental, por jo nga madhështia.
Përkundrazi, ai zbulon dimensionin evropian të këtij njeriu të heshtur:
dijetari që fliste greqishten dhe latinishten në thellësi, që kishte përjetuar
Evropën e kulturës – nga Franca te Polonia – dhe që i solli Shqipërisë jo vetëm
dijet e përkthyera, por edhe një etikë të të menduarit dhe të të sjellurit.
Afërsia me të e bëri Koliqin ta shohë Mjedën si një mësues të vërtetë, një
model i pakohë për rininë shqiptare.
Ndërsa
Fishta, gjithnjë më i fokusuar te “vepra”, e sheh Mjedën si të paçmueshëm për
kontributin letrar dhe gjuhësor, duke i dhënë vlerë kombëtare dhe didaktike
asaj që ai prodhoi. Sipas tij, Mjeda është shembull i artit të përpunuar dhe
stilit të pastër që duhet të përdoret në shkollat shqiptare. Ky është një
vështrim që i jep Mjedës një rol formues dhe përfaqësues në formësimin e
standardeve të shkrimit shqip.
3. Vlera e heshtjes dhe
forca e mendjes
Të
dy autorët bien dakord në një pikë themelore: Mjeda ishte larg zhurmës. Ai
ishte njeri i brendësisë, i përvujtërisë së thellë, përbuzës i lavdisë dhe
reklamës. Koliqi e vë theksin në këtë cilësi si një formë rezistence kundër
vanitetit të kohës, ndërsa Fishta e sheh këtë përmbajtje si burim të thellësisë
poetike dhe filozofike të tij.
Ajo
që është me rëndësi të theksohet këtu është se heshtja e Mjedës nuk ishte
mungesë, por një akt i qëllimshëm: një pozicionim kundër eksibicionizmit dhe
përshkallëzimeve të zbrazëta. Koliqi e përshkruan këtë si një “përvujtni
idhnake”, një mësim i heshtur për të tjerët. Kjo “heshtje që flet” është pjesë
e karakterit të ndritshëm të Mjedës.
4. Përmbledhje: Një
gjeni i heshtur në dy pasqyra të mëdha
Përmes
Koliqit, ne e shohim Mjedën si njeri – me të gjitha palcën e vërtetësisë
njerëzore: modest, i thjeshtë, por me një univers kulturor brenda tij që të
mahnit. Ai është njeriu që duhet “zbuluar”. Ndërsa përmes Fishtës, Mjeda na del
si mjeshtër i gjuhës, si poet i formës së rafinuar dhe i një ndjeshmërie që nuk
buron vetëm nga zemra, por nga një mendje që di të peshojë fjalën dhe të
farkëtojë bukurinë.
Të
dy e bëjnë Mjedën të pavdekshëm, njëri përmes afërsisë dhe konkretësisë, tjetri
përmes lavdisë së letrave dhe rëndësisë që i jep veprës së tij. Bashkë, ata na
ofrojnë një spektralitet të rrallë të njohjes së Mjedës: si njeri, si poet, si
model.