| E merkure, 23.07.2025, 07:38 PM |
Shpalosja
e flamurit kuqezi historik para poetëve në fshatin Cërvicë të Kërçovës (2014)
SHPALOSJA
E FLAMURIT HISTORIK
NGA
“NIPI” I XHA DERALLËS
NGA
KALOSH ÇELIKU
Përderisa,
Partitë Politike Shqiptare në pushtet dhe opozitë luajnë rolin e Arushës me dajre, populli ende gjatë kohë do
të përpëlitet në pelena. Ose, përkundet me ninulla. Vaji në djep do t’i shkojë
për qielli. Nënës do t’i shteret gjiri. Tambël nuk do të ketë t’ua ndali lotët
rrëke nëpër faqe.
Përditë, pas zgjedhjeve lokale e
parlamentare do të shpallim “fitore e Republika të Iliridës”, para këmbëve
të Skënderbeut me shpatën në brez. Vit për vit do të organizojnë manifestime kulturore
sipas “arshinit” të partive politike në pushtet. Emërojmë anëtarë të
komisioneve nëpër ministri, partizanët e tyre gjysëmanalfabetë. Nëpërkëmbin manifestimet kulturore
tradicionale ndërkombëtare, që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare. Arsimin
shqiptar, që të parët tanë nëpër shekuj kanë hedhur farë ugareve me hebet në
krah.
Rrugaçët “kuqezi”, i hurit dhe litarit do
të merren edhe me kulturë dhe arsim shqiptar. Përbaltin arsimin dhe kulturën
shqiptare deri në palcë. Ditenatë do të enden rrugëve të “Bit - Pazarit”,
dalldisen pas Arushës me dajre me maxhupin në krye. Maxhupi e heq me litar për
dore dhe i bie dajres. Arusha heq valle duke i përdredhur bythët para Kalit të
Skënderbeut. Kryengritësi përgjumshëm me gjithë herdhe, gati i ka hyrë në bark.
Krah për krahu si “dëshmorë” lufte fotografohen para kamerave televizive.
Përçudi, kohën e fundit Arushës me dajre,
as fëmijët më nuk i turren përmbrapa plotë pordhë e piskamë. Duartrokisin për
“vallen kombëtare” nëpër “Bit – Pazar”. Mëkot, Maxhupi i bie dajres. Përpiqet
publikun ta mashtrojë me muzika. Përdridhet e hidhet me shami me vallen e
mirënjohur popullore të “vëllazërim - bashkimit”. Sokaqeve t’i mashtrojë me
bozë tetove, e qofte te “PÇELA” (BLETA) e limunadë te “Libraria e Çarshisë”.
Asnjë fëmij nuk i shkonë përmbrapa me duartrokitje, duke i mbajtur brekët me
dorë. Duartrokitë në rrugë Arushës me dajre. Vallen e këtij soji e njohin moti
kohë edhe në Abetare. Arusha me dajre i la pa brekë. Tekste shkollore. Lektyra
shkollore. Revista për fëmijë.
Probleme: Arusha me dajre nuk sjellë risi
në vallet populllore shqiptare. Përmëtepër, vazhdon t’i heq vallet popullore të
“vëllazërim – bashkimit” para kamerave televizive. Porositë, e “harxhuara” të
shokut Tito. Veprat “artistike”, e pedagogjike të trusakatëve. Poashtu, të
njëjtët vallëtarë me tirqit nëpër këmbë, që mezi i lëvizin këmbët e bythët në
politikë. Shumica, edhe nuk kanë “haber” nga vallja popullore shqiptare.
Maxhupi i bie dajres, e ajo hidhet e përdridhet si “hojdodole” nëpër
“Bit-Pazar”.
Përfundimi: Maxhupi e mbush torbën me
miell dhe para, e fëmijët mbesin me gishta në gojë te pragu i derës. Edhe këtë
vit shkollor ta nisin pa çati mbi kokë: libra, lektyra shkollore e revista
letrare për fëmijë.
Punemadhe. Rilindasët, tanë moti janë ulur
këmbëkryq te pragu i derës Shtëpisë. Ali Asllani për çdo vit në Manifestimin
Kulturor Tradicional Ndërkombëtar, Ditët e Humorit dhe Satirës: “XHA DERALLA”
me poezinë satirike:
Hani,
pini dhe rrëmbeni:
Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një
errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!
………………………………………………………
Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me
bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, benet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!
A e dini që fitimi brënda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mekuar, ësht’ i vëndit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dermon hekur!
Dhe, me këto vargje satirike të poetit Ali
Asllani, populli shqiptar një ditë do ta përzë nga “Bit – Pazari” Arushën me
dajre. Krah për krahu me poetin Pano Taçi me poezinë nën “Rrap”: Na bashkoi
“Rrapi”.
Lufta vazhdon me Penë. Poetët, që ju
mendoni se i keni marrë nëpër këmbë, një ditë do t’ju varrosin të gjallë me
vargje në histori. Njeri rruge nuk do të gjëndet të ju shpie as në varr, përveç
Hoxhës “Allahut” i dehur me çaj rusi e “tespihe kuqezi” nëpër “Bit - Pazar”.
Nateditë duke bërtitur për “ndryshime” politike si Dexhalli me kokën në xhami e
palarenë në polici.
Lufta vazhdon me penë e poezi në Shkup e
Kërçovë. Poetët anë e mbanë Atdheut dhe bota përparimtare, në vend të armëve, i
kanë nxjerrë vargjet nga brezi. Tymeflakë e shkrepin Penën me dy tyta. Ora
simbolike letrare me poezinë e “egër” tradicionale të Manifestimit Kulturor
Tradicional Ndërkomtar: TAKIME NËN RRAP e shkrep vargun. Him Koça me poezinë e
Pano Taçit “Na Bashkoi Rrapi”. Xhelal Tosku, me tre sejmenë
përmbrapa: Sami Velçani e Pëllumb Mane të armatosur deri në dhëmbë me poezi.
Plumbin, që ju nuk doni të vriteni nga dora e një gruaje, vdisni si jo
“shehit”. Rushit Ramabaja krah për krahu me Avni Deharin e Nebi Bunjakun.
Dashnor Selimi me Michela Dërvishi nga Selaniku. Fatmir Minguli, Jokida Mati,
Nikolla Spathari e Vladimir Muça nga Durrësi. Vahit Nasufi me çetën e tij
nga Drinia: Besnik Lena e Xheladin Muça. Reshat Sahitaj e Behare Rexhepi nga
Kosova. Fadil Curri me dy kaçakë të penës nga Shkupi: Sami Sherifi e Rexhep
Bajrami. Remzi Salihu, Rami Kamberi e Bujar Plloshtani nga Tetova. Delvina
Kërluku e Nuri Koleci nga Dibra. Dhimitër Orgocka me Edmond Xhaxhollin e
Skënder Demollin nga Korça. Mariana Shkurti me Festim Tomorrin e Ilir Shytën
nga Poradeci. Istref Haxhillari e Bujar Balliu nga Lini, në breg të Liqenit.
Nehas Sopaj, Sermet Sulejmani e Arben Ibrahimi u vjen në ndihmë nga Kumanova.
Xhelal Ademi nga Zajazi, krah për krahu me Him Koçën,
Adem Xheladinin, Xhevdet Ukallin, Ahmet Morën, Begzat Rrahmanin e Xhemile
Adilin me shoqe e shokë u bënë konak. Vesel Xhaferri - Çeliku me kësulën e
bardhë të Bajram Currit vjen nga Zvicra, në Kërçovë.
Rrethimi poetik, bëhet në Kërçovë (Kalanë
e dytë të Skënderbeut). Vendlindjen e kaçakëve të Zajazit. Mauzerri i
dikurshëm, kur sot është zëvendsuar me penë. E shkrep vargun në Lepurushkë, e
ajo le t’i dali Arushë. Alarmin e jep kantautori Ferid Abdiu: “Të pret
Poeti”. Dervish Dervishi me të Birin me këngën e mirënjohur të këngëtarit
kërçovar Rexhep Zajazi: “Në bahçe na ka ra bryma”. Armët i nxjerrin
nga brezi poetët duke e pritur agimin me poezi, këngë e valle në mes të
Kërçovës.
Ditën e Nesërme, poetët dhe dashamirët e
artit nisen për te Muzeu i Luftës Dytë Botërore, rrëzë Kalasë të Kërçovës. Pusi
u ka vënë me ekspozitën figurative “Ballkanika”, mësuesi dhe
piktori kërçovar Ramadan Ramadani - Ballazhi. Sofrën e ka shtruar si
shqiptarët. Padashtas, ma kujton një vetaran tjetër të arsimit shqiptar, mikun
e tij Hajrullah Ukallin, që një pjesë të jetës e kaloi edhe në Amerikë. Kohën,
kur fëmijtë e tij në Kërçovë i kërkojnë para që të hyjnë në shtëpinë e re si
shkiet. E ai, u përgjigjet nga Amerika: unë nuk kam para, por ju hyni si
shqiptarët!
Rruga poetike vazhdon për në fshatin
Cërvicë, vendlindjen e Xha Derallës. Katundin, ku
njëqind vjet është ruajtur i fshehur në arkë flamuri kombëtar shqiptar plot
plumba në gjoks me të cilin mësuesi i fshatit Lajq Prençi nga Shqipëria, krah për
krahu me nxënësit e tij, në Ditën e flamurit (28 Nëntor, 1942), u nisë me
lodra, cingana e valle duke kaluar nëpër fshatin Strellcë e vazhduar
nëpër Shutovë për të festuar Ditën e flamurit në fshatin Premkë, rrëzë
“Çelëvjollcës”. Mësuesi eci me guxim heroik drejtë zyrës së togerit të policisë
italiane dhe me duart lakuriq, sulmoi togerin duke u munduar t’ia rrëmbejë
revolen nga brezi. Dyluftim historik, ku si vetëtimë nga qielli, mësuesit trim
i vjen në ndihmë një fshatar nga fshati Shutovë me thikë në dorë duke e lënë
togerin të vdekur përtoke.
Mësuesi me “nagantin” e togerit në dorë,
sa herë qëllonte nga një karabinierë e rrokulliste të vdekur në tokë. Ditë
historike, kur mësues e nxënës me ndihmën e fshatarëve e shkatërrojnë stacionin
e karabinierëve, në fshatin Premkë, dhe me flamurin shqiptar kuqezi në gji me
gjithë nxënës kthehen krenarë në fshatin Cërvicë.
Pronari i lokalit, Feto Dauti për
mikpritje e nxorri nga arka flamurin shqiptar dhe e shpalosi për herë të dytë
para poetëve. Plaku i katundit, Skender Xhaferri, por jo ai plaku i Katundit që
në kohën e Xha Derallës i shëtiti gjithë natën nëpër Katund xhandarët e serbit,
e duke zbardhur agimi mbi “Çelvjollcë” më në fund i dërgoi te porta, rrëfen për
historinë e flamurit që është ruajtë me frikë në arkë gati një shekull.
Sofrën poetike në fshatin Cërvicë me
anekdota, barcoleta e poezi e përcjellë matanë malit, “nipi” i xha Derallës,
Skënder Demolli nga Korça. Xhelal Tosku, dihet me tre sejmenë përmbrapa.
Nikolla Spathari me barcoleta. Avni Dehari me një “vëlla” tjetër të Xha
Derallës nga Kumanova. Rushit Ramabaja nga Kosova.
Poetët deri te porta i përcjellë pronari i
lokalit, Feto Dauti krah për krahu me Kryetarin e Bashkësisë Lokale të fshatit
Cërvicë, Skënder Xhaferri me një porosi: Burra, bini rrugës të Xha Derallës nga
i shëtiti gjithë natën xhandarët e Serbisë për të dalë nga fshati në Kërçovë.
Karavanit poetik, i pri Him Koça dhe na shpie te simboli i Pavarsisë Shqipërisë, në fshatin Garanë. Poetët pasi u fotografuan,
u nisën për në Kërçovë, restrorantin hotel
“Kërçova”, ku më gati u ishte “ftohur” moti dreka.
Natën e Madhe e përcollëm matanë malit me
poezi, këngë e valle. Poetët dhe dashamirët e fjalës shkruar anembanë Atdheut i
përshëndeti duke u dëshiruar mirësesrdhje edhe Kryetari i Komunës Kërçovës, z.
Fatmir Dehari, ku mes të tjerave edhe tha: miq të nderuar poetë, përfundoi koha
e kryengritjeve me pushkë. Luftën duhet ta vazhdojmë me penë! Shqiptarët sot
duhet t’i rreken arsimit dhe kulturës! Themeleve të një shoqërie. Shteti.
Dhimitër Orgocka, regjisor i mirënjohur shqiptar lexoi poezi të “egra” nga
Kalosh Çeliku dhe Xhelal Ademi. Edmond Xhaxholli me kitarë një “mishmash” me
poezi e serenada korçare. Dikur, u bë edhe përurimi
i librave: “Zjarr e flakë “, (poezi kryengritëse) i poetit
Shaqir Sadiku, “Pretenca” (roman dashurie) i shkrimtarit
Istref Haxhillarit, “Çapini” (dramë) e autorit Nehas
Sopaj, “Lirika me Hënë” (poezi) i Vahit Nasufit, dhe “Venela
2” (dramë, për heroinën Sulltanë Qafa) e Vesel Xhaferrit - Çeliku. Për librat
në fjalë shprehën vlerësime artistike kritikët letrarë: Fatmir Minguli, Sermet
Sulejmani, Ilir Shyta e Rami Kamberi.
Pasmesnate, nën përcjelljen e tingujve të
kitarës, juria profesionale e përbërë nga Fatmir Minguli (kryetar), Fadil Curri
dhe Kalosh Çeliku (anëtar) i ndau edhe çmimet
letrare: Çmimi letrar “RRAPI” për vepër jetësore i takoi
shkrimtarit nga Kosova Reshat Sahitaj, “E përcolla Natën” për
vepër erotike botuar gjatë dy takimeve poetike, Dashnor Selimit, dhe “Ulu
mal të dalë Hëna” për poezi, Sami Sherifit nga Shkupi. Juria ndau edhe
dy çmime speciale letrare: “Mikja e Rrapit” i takoi poetes
kërçovare Xhemile Adili dhe “Miku i Rrapit”, Xhelal Toskut: Dy shtama me verë të kuqe.
Përgëzime, në një sofër të shtruar
miqësore kërçovare me humor dhe satirë, e pritëm Agimin me poezi satirike,
këngë e valle.
Dielli me rreze mbi “Çelëvjollcë” zbriti
më këmbë maleve…
Nga libri me humor dhe satirë: ZGËRDHIRJA (2025).
Poetët para Muzeut të Luftës Dytë Botërore, rrëzë Kalasë historike, ish përmendores të Skënderbeut, e cila sot dergjet në podrume…