Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Gëzuar 4 Korrikun, Amerikë!

| E premte, 04.07.2025, 06:59 PM |


HAPPY 4-TH OF JULY, 2025, AMERICA!

Nga Frank Shkreli

Të nderuar miq --ju uroj të gjithëve 4 Korrikun! Amerika sot po feston 249-vjetorin e Pavarësisë të lirisë e demokracisë — në përgatitje për të festuar vitin që vjen 250-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.  Presidenti Ronald Reagan ka paralajmëruar bashkatdhetarët e tij kur ishte gjallë se "Liria nuk  është kurrë më larg se një brez nga zhdukja...": "Freedom is never more than one generation away from extinction. We didn't pass it to our children in the bloodstream. It must be fought for, protected, and handed on for them to do the same, or one day we will spend our sunset years telling our children and our children's children what it was once like in the United States where men were free."  Sa me vend ky paralajmërim i Presidentit Ronald Reagan.

50-vjet më parë, si student i ardhur rishtas në këtë vend në Nju Jork, si refugjat politik  jam përballuar me një frymë socialiste-komuniste në bankat e shkollës  — një frymë që promovohej nga profesorët e mi. Merreni me mend, si student i arratisur nga komunizmi, i ardhur në Amerikë në vitin 1970 për të gëzuar lirinë e demokracinë amerikane--  të dëgjoja lavde dhe merita të komunizmit e socializmit, si alternativa për demokracinë amerikane. Në atë kohë u mundova të shpjegoja përvojën time nën komunizëm me disa shkrime modeste dhe argumente të cilët qendrojnë edhe sot e kësaj dite, si më poshtë. Nuk e di nëse sot 50-vjet më vonë është një përputhje rasti a po një përsëritje e historisë.

Por për fat të keq, ja ku jemi sot, në 249-vjetorin (në prak të 250-vjetorit) të Pavarërsisë së Shteteve të Bashkuara — një kërcënim tjetër ndaj lirisë dhe demokracisë amerikane. Në qytetin më të madh të Amerikës — në Nju Jork — qëndrën kryesore të kapitalizmit dhe të financave në botë — ngre kryet e shëmtuar një kandidat për kryetar bashkie që haptazi e deklaron veten socialist-demokrat, i cili fitoi zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate amerikane kohët e fundit --duke promovuar qendërime politike radikale që nëse fiton në zgjedhjet e përgjithëshme në nëntor, politikat e tija të prononcuara, do të shkatërrojnë qytetin e Nju Jorkut, nga ai që e njohim sot. Kemi të bëjmë me një të ri 33-vjeçar i pa përvojë politiko-ekonomike — një djalosh i lindur në Ugandën e Idi Aminit — Kasapit të Ugandës — i quajtur Zohran Mamdani, "soscialist-demokrat", që disa e quajnë komunist e që është bërë shtetas amerikan vetëm 7 vite më parë. Siç duket një gënjeshtar i pa identitet — që sipas gazetës Nju Jork Tajms në të kaluarën, herë është deklaruar me origjinë indiane e herë si zezak e herë të tjera afrikano-amerikan. Faji, natyrisht, është i votuesve të Partisë Demokrate në Nju Jork që votuan për një socialist, plani i të cilit është të falimentojë, financiarisht, Nju Jorkun me politikat e tija socialisto-komuniste.

Edhe amerikanët — përfshir shqiptaro-amerikanët -- duhet të zgjohen — në këtë ditë të Pavarësisë — dhe të dëgjonë fjalët e Ronald Reaganit se, "Liria nuk është kurrë më larg se një brez nga zhdukja..." — Gëzuar Ditën e Pavarësisë — Ditën e Lirisë e të Demokracisë!