| E hene, 23.06.2025, 06:58 PM |
Mbahet në Llapushnik të Kosovës veprimtaria letraro-kulturore: "Qershori i Lirisë- takimet "Jeronim De Rada", edicioni VIII
Nga Entela Binjaku
Ditën
e shtunë më 7 qershor 2025 në Kishën
Katolike Shqiptare të “Shën Abrahamit” në Llapushnik të Drenasit, letrarë,
dashamirës së kulturës kombëtare, miq e të njohur, u mblodhën në veprimtarinë
me titull: "Qershori i Lirisë -Takimet "Jeronim De Rada". Kisha
e "Shën Abrahamit" gëzon një pamje madhështore dhe ndodhet e vendosur
në një zonë simbol të historisë siç është Llapushniku nga ku vështrimi përqafon
Drenasin dhe zonën përreth. "Gryka e
Llapushnikut" është e njohur për qëndresën e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, për heronjtë dhe dëshmorët e rënë në betejën me regjimin ushtarak-e
policor serb. Veprimtaria kulturore e sivjetme ishte e teta e organizuar
nga Shoqata për art dhe kulturë –
"Jeronim De Rada" që ka zgjedhur për organizim qershorin, muajin e
Lirisë për Kosovën. Për organizimin me përpikëri të këtij takimi u kujdes
Këshilli Organizativ i përbërë nga: famullitari i Kishës Don Pal Tunaj, znj.
Rina Sopi, studente e Gjuhës shqipe, gazetari, ish luftëtari i UÇK-së, z.
Ismet-Marin Sopi dhe znj. Drita Kosumi Syla. Nën moderimin e zonjës Kosumi
Syla, në një mjedis të ngrohtë e shpirtëror, takimi i këtij qershori u çel nga
fjalët e Don Pal Tunaj, Famullitarit të Kishës i cili në cilësinë e nikoqirit
uroi mirëseardhjen të pranishmëve, ardhur nga brenda dhe jashtë Kosovës. Çdo
vit takimi ka një Sesion Shkencor ku mbahen kumtesat që edhe hapin takimet.
Këtë vit ishin vlerësuar të mbaheshin dy kumtesa për të shënuar përvjetorin e
Naum Veqilharxhit, njërit ndër themeluesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
"Veprimtaria patriotike e Naum Veqilharxhit në Br?ila të Rumanisë” ishte
titulli i kumtesës së znj. Entela Binjaku, sociologe dhe pedagoge. Shkrimtari
dhe përkthyesi në disa gjuhë të botës z. Elvi Sidheri mbajti kumtesën me titull:
“Naum Veqilharxhi, disa fakte të panjohura për familjen dhe jetën e tij” duke
trajtuar zbulimin dhe trajtimin e një pjese të historisë së Veqilharxhit. Në
fjalët e mbajtura prej tyre u sollën për te pranishmit përzgjedhje të
hulumtimeve mbi këtë figurë të rëndësishme duke u ndalur në kontributin e
shquar të patriotit të shquar në drejtim të gjuhës shqipe dhe të kulturës sonë
kombëtare. Takimi më pas vijoi me "Orën poetike" ku protagonistë
ishin autorë ardhur nga të gjitha viset shqiptare si dhe nga jashtë Kosove.
Krijimtaria e paraqitur në këtë sesion të vitit 2025 u vlerësua nga një Juri
Profesionale dhe Komision i kryesuar nga
Prof. Drita Isufaj nga Durrësi dhe nga dy anëtarët znj. Bruna Gjoni Përvathi
nga Lezha dhe poeti pejan zn. Agim Desku. Në garën për cmime morën pjesë 70
krijime poetike. Kryetarja e Jurisë, profesoresha Drita Isufaj dhe anëtarja e
Këshillit Organizativ, studentja e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Erina Sopi i
dorëzuan poetit llapjan, Ramë Oraca çmimin e parë. Poetja Hava Shabanaj u nderua
me çmimin “Hieronymus”, i ndarë nga Zyra për Përkthime “Hieronymus” dhe Shtëpia
botuese me të njëjtin emër, në pronësit të prof. Dodë Ndrecaj nga Klina,
njehërazi mbështetës i përvitshëm i Takimeve të Qershorit të Lirisë që nga
fillimi i tyre. Autorja e njohur tropojane, znj. Zyra Ahmetaj, mbledhëse dhe
kultivuese e folklorit dhe trashëgimisë sonë kulturore u nderua me çmimin
“Halil Bogaj”. Juria e ngritur për vlerësimin e poezive vlerësoi me: çmimin e
dytë z. Bekim Kelmendi dhe çmimin e
tretë – znj. Adelina Çarkaj nga Mitrovica. Me Çmimin "Halil Bogaj", u
nderuan edhe znj. Fjolla Agusholli nga Gjakova. Ndërkaq me "Çmimin
motivues" u nderua znj. Hava Shabani. Në takim kishte udhëtuar nga Austria
për të qenë e pranishme poetja e njohur zonja Angjelinë Marku, shkrimtari dhe
prozatori i mirënjohur z. Mentor Thaçi, i cili i dhuroi për Bibliotekën e
Kishës disa libra të shkruar për arbëreshët e Italisë, si dhe një Gur me vlerë
nga Arbëreshët. Pas ndarjes së çmimeve, takimi u përmbyll me dhurimin e Librit të botuar me punimet e një viti më
parë si dhe me një sofër të begatë ku organizatorët treguan edhe njëherë
mikëpritjen bujare, karakteristikë e çmuar e kombit shqiptar.