Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Gjergji: Ne ishim tre

| E shtune, 21.06.2025, 03:33 PM |


Mihal Gjergji

NE ISHIM TRE

Ne ishim tre, jetonim si në ëndrra

E brenda dhimbjes ndjenim dashuri

Trishtimin tim e puthte ëmbël nëna

Im Atë më maste; hap e shtat e sy

Ky trinitet u prish një ditë papritur

Si këmbë mali, ra im Atë, u shemb

Me plagë në shpirt dhe trupin e kapitur

Mizorja kohë! Lëndime sjell ndër mend!

Kaluan vite, ndodhi që dhe Hëna

U fsheh një natë, a shkau në humnerë

Më la vetar, e mira ime, nëna

E vetmja dashuri, që sjell pranverë

Ne ishim tre, e prap' po aq do mbeten

Nga palcë e trungut dolën tre lastarë

E brenda mallit si qiriu tretem

Veç dhimbjen po e lë, si dëshmitar!

Tiranë, Maj 2019