Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Lindja e Mesme po kërkon paqe, por...

| E hene, 16.06.2025, 06:55 PM |


Prof. Blerim Latifi:

Prej vitesh ekzistonte një proces i ngjeshur negociatash mes Izraelit dhe vendeve arabe, me qëllim normalizimin e raporteve mes tyre.

Marrëveshjet e arritura në këto negociata janë quajtur “Marrëveshjet e Abrahamit”.  Ky emërtim lidhet me faktin se figura legjendare e Abrahamit është e përbashkët për Islamin dhe Judaizmin.

Në fillim pjesë e këtyre marrëveshjeve me Izraelin ishin Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Sudani dhe Maroku.

Në vitin 2023 Arabia Saudite kishte dhënë shenja se donte të bëhej pjesë e këtyre marrëveshjeve.

“Marrëveshjet e Abrahamit” Irani i pa si kërcënim për interesat gjeostrategjike të tij në rajon dhe vendosi t’i shkatërronte ato, sidomos afrimin e Izraelit me Arabinë Saudite. Mjetet e përdorura për këtë qëllim ishin Hamasi në Gaza dhe Hizbollahu në Liban. Dhe pastaj ndodhi 7 tetori i vitit 2023.

Pjesa tjetër është histori e njohur nga të gjithë. Përfshi edhe atë që po ndodhë këto ditë, kur Izraeli është duke e shkatërruar plotësisht gjithë kompleksin ushtarako-industrial të Iranit, ndërsa Ajatollahu Khamenei është futur në vrimën e miut për të shpëtuar kokën e tij.

Lindja e Mesme po kërkon paqe, por kjo paqe nuk mund të arrihet derisa atje të mos e kuptojnë një domosdoshmëri bazike: largimin e mullahëve të çmendur nga vendimmarrja politike.

Arti i politikës është art i negociatave, i dialogut, i kompromisit, i biznesit, dhe si i tillë ai nuk funksionon dot me njerëz që e rrejnë veten dhe botën se ata posedojnë monopolin mbi interpretimin e dëshirave të Zotit.

___________________

Irani nuk e njeh pavarësinë tonë. Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë. Njësoj si Rusia, flet e vepron kundër Kosovës kudo ku ka mundësi. Dhe teksa po ndodhë lufta e tij me Izraelin, shoh shumë shqiptarë[ nëse ende mund t'i quajmë të tillë] duke mbajtur anën e Iranit.

Kjo është patologjia e antisemitizmit: ajo ta helmon shpirtin deri në atë shkallë, sa të shtyn të rreshtohesh edhe me armiqtë e vendit tënd.

Qofshim me fat që të mos kemi më punë lufte me Serbinë, se po patëm një gjë është e sigurtë: ata që flasin shqip dhe do të dalin ta presin me lule ushtrinë serbe, do të jenë tmerrësisht të shumtë.

___________________

E lexova në media: 100 mijë qytetarë të Izraelit, me qëndrim jashtë vendit, qenkan lajmëru për t'u kthyer në atdhe. Për shkak të mbylljes së aeroporteve, mijëra prej tyre qenkan nisur me rrugë tokësore. Arsyeja kuptohet.

Qe çka domethanë patriotizëm i vërtetë.

Qe çka domethanë me dashtë shtetin përnjimend.

___________________

Kafsha e di se kë ka mik e kë ka armik. I tregon instinkti i vetëruajtjes, me të cilin e ka pajisur natyra. Ndërkaq, i marri, budalla, duke mos pasë as instinkt as mendje, nuk di me bá kët' dallim, i cili, siç argumenton fort bindshëm Carl Schmitt, ásht ligji i parë i politikës.

___________________

ISTOG, Qershor 2025. I takonin një ushtrie. Asaj me emrin ma të bukur dhe idealin ma sublim që kanë popujt. Ranë në beteja të ndryshme dhe u varrosën në kushte lufte, larg njëri-tjetrit. 26 vjet më pas ata ribashkohen. Në memorialin që do t' na kujtoj dhe mësoj çmimin e paguar për lirinë tonë.