Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Spica Metalike: Premtimet e agait

| E diele, 15.06.2025, 11:05 AM |


Spica Metalike

Satirike

Premtimet e agait

Në çiflik të vogël, në majë të një shpati,

Jetonte Agai  me luks dhe stil burokrati,

Rreth e rrotull lakuriq, pa fije të moralit,

Me verë edhe raki, në kulm të skandalit.

Shërbëtori i shkretë, me rrobat e leckosur,

Mbante tabakanë me fytyrë të katranosur.

Papritur Agai, në krahët e verës e rakisë,

E thirri me britma, punëtorin e çifligarisë:

- Pse ti kështu dukesh, me pamje zhelan,

Sikur vjen nga fronti i luftës me talibanë?

Nesër me dritë, eja për pagesën në dorë,

Merr kostum e kravatë, s’e na bëre horë!

U gëzua shërbëtori, nuk vuri gjumë në sy,

Shkoi te rrobaqepësi me shumë kënaqësi.

U vesh bukur ashtu si në ndonjë festival,

Të nesërmen te Agai, trokiti me ngadalë.

- Hyn! - i thotë Agai - Ç’je veshur si zotëri?

- Erdha për premtimin, që ma dhe si porosi.

- Ik more hajvan! Kam qenë i dehur tapë,

Mos më dil para me këto kostume prapë!

Karikatura nga interneti