Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihal Antonesku: Të shpërngulur në gjerësinë e shpirtit

| E enjte, 12.02.2009, 07:51 PM |


Mihai Antonescu
Mihai Antonescu
Mendime rumune mbi vlerat shqiptare

Të shpërngulur në gjerësinë e shpirtit

(Përkitazi me librin e Sali Bashotës, Exilul sufletului/ Ekzili i shpirtit)
       
Nga Mihai Antonesku (Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë)

Të dish të dashurosh siç vepron Sali Bashota në poezi, është njësoj sikur ta ngjallish lotin në shpirtin e gurit, apo, sikur ta tërheqish pas teje glinën nga e cila lartësohesh duke u bërë pjestar i fitoreve të jetës mbi vdekjen tënde të përkohshme. Asnjë rrudhë të shpirtit nuk e ka kapluar thatësia, asnjë frymëmarrje nuk është e kotë, atëherë kur poeti qëndron si dëshmitar i ringjalljes së tij për përjetësi. Ai është vetëdija e madhe e së mirës dhe së keqes në qenje dhe sende, instanca e fundit që  e shpall dashurinë si antidot i vërtetë universal kundër harresës dhe urrejtjes: "Kur të pashë kur të njoha kur ti shkëlqeve/ Përnjëherë të gjithë zogjtë e robëruar fluturuan/ Mbi simbolin e bukurisë tënde/ Përqafimin më nuk do ta ndëshkojnë frikacakët/ A je Zanë mali  apo vetëm dhembje/ Që e fsheh shikimin e përlotur mbi bebëza/ Himnin e dashurisë s'mund ta gozhdojnë më nëpër mure/ Lëre dritaren hapur vetmia të mos krimbet/ Lulet të mos copëtohen nëse ndodh zhgënjimi/ Në parajsë purgator ferr takohemi si hije të gjalla/ Pritja shndërrohet në shekull/ Ti je Zanë mali apo vetëm dhembje/ Që papritmas përjetësohesh nga bukuria/ Kur ëndërron kur buzëqesh kur flet" (Zanë mali apo vetëm dhembje).

Sali Bashota
Sali Bashota
Por Sali Bashota është më shumë se sa aq. Të dish të heshtish siç vepron Sali Bashota, është njësoj sikur t'i japish emër burimit duke e pagëzuar etje kalimtare, rrugëtimit të diellit në qiell, duke e pagëzuar vëlla me dritën e syve të vet dhe të Atdheut, kthimit "në shtëpi" nga çfarëdoqoftë ngjarjeje e fatit, me ty dhe me njerëzit e tu. I këtillë, madje shumë e më shumë, duket poeti: "Unë s’mund të hesht ndryshe/ Të pavdekshmit presin lindjen e diellit/ Pikërisht në orën dymbëdhjetë/ Në orën dymbëdhjetë/ Nëna del nga shtëpi e braktisur/ Syri i keq të mos e shohë/ Gugat kumria/ Pesë shekuj mbi gjakun e shprishur/ Para se të agojë/ Jo s’mund të hesht ndryshe/ Për tokën dashurinë fëmijërinë/ Nënë oh nënë" (Agmia). Ngase, si mund ta pagëzosh përndryshe heshtjen, veçse si vegim i këngës në zog, etje duke ëndërruar burimin që dridhet pa e ditur nën vapën e shputës së zbathur, të gjitha duke u emëruar "lindje" dhe "shpresë", mbarim i dyshimtë dhe besnik, nga një përjetësi përrallore:

"Në pjesën e grisur të ditës/ Zgjohet një mjellmë e bardhë/ / Çdo gjë do të harrosh/ Nga mëria e akullt e fjalëve/ Më në fund s'do të ketë heshtimë uturimë/ Prej amshimit tonë përrallor/ Vetëm etjet t'i çelim në një krua/ Ti mbajmë gjallë/ Shpresëfikurat e vendlindjes/ Nëse kukuvajkat shprishin ëndrrat

Sali Bashota mes dashamireve te tij ne Bukuresht
Sali Bashota mes dashamireve te tij ne Bukuresht
tona/ Secilës do t'ia hapim/ Nga një varrë" (Heshtimë). Të dish të vuash, siç vepron Sali Bashota, nuk është veçse dhunti e të shenjtit të shkëputur nga plaga e tij, e endacakut pa rroje nëpër vetëdijen e atyre që të kanë dhënë emër dhe shpirt, duke i lutur të gjithë të mbeten NJË ATDHE, e ëndrrës së ëndërruar me sytë e çelë, deri në përhitjen e gjakut : "Njëqind vjet e kam dashur kurrë s’e preka/ Gjinjtë i kishte të verdhë si loti i dhembjes sime/ Po ajo ishte vetëm një ëndërr e zmadhuar/ Në melankolinë e trishtimit/ Kur përzjehej e bardha me ngushëllimin e pabesë/ Në tryezën e vdekjes ku e hanim njëri-tjetrin/ Mos e trembni le të mrizojë në vend të harresës/ Atëherë do ta kuptoni pastrimin e shpirtit/ Syrin pse është i verbër/ Kokën pse është e thinjur/ Vjershën pse është e censuruar/ Njëqind vjet e kam dashur si vetminë/ Shkrumb i zi i shpirtit/ Po ajo ishte vetëm një ëndërr e smadhuar/ Që këlthet këlthet këlthet" (Ajo ishte vetëm ëndërr).

Kështu është, "asgjë s'është hyjnore përveç sakrificës", ndërsa poeti është shtiza e gjallë e flamurit që valëvitet në përjetësi, përkundër çfarëdoqoftë tëhuajësimesh të padrejta. Të shpërngulur në gjerësinë e shpirtit tonë, jemi o Zot! Mjalta e vargut të këtij poeti të madh (botuar në Bukuresht më 2004), ma ka dhënë rastin të ballafaqohem me vetveten dhe me të gjithë ata që dergjen nga arti fisnik i shkrimit, në një bregdet të shenjtë rë poezisë, që është Kosova, e ardhur edhe ograjën tonë të  quajtur Rumani. Një mendim i mirë dhe tërë mirënjohja ime për këtë poet të shquar kosovar, i përket edhe Baki Ymerit, tani, këtu e kudo! (Mihai Antonescu, Umbra palida a timpului/Hija e zbehtë e kohës, Editura PRINTEURO, Bukuresht 2006, f. 144/145)

Për ZSH: Baki Ymeri