| E hene, 02.06.2025, 06:50 PM |
Globalizmi, globalizmi teknologjik dhe individualiteti njerëzor - sfida të kohës moderne
Nga
Llesh Ndoj
1.
Takova këto ditë një
të njohurin tim që prej gati çerekshekulli jeton në amerikën e largët me të
gjitha të drejtat si nënshtetas i SHBA dhe në kushte normale jetese, e “m’u duk
si njëri prej nesh”!. Rrobat e tij nuk e kalonin markën e rrobave të mija, as
aparati i tij celular nuk ishte më i mirë se i imi, veç në mos më i
“prapambetur”, as kërkesat e tij nuk mbërrinin tek të mijat, sidomos kur bëhet fjala
për një kafe a ndeje qefi në tavolinë, as… Nuk di çfarë kishte ndryshe,
përveçse shprehjes “no, no…”, që i vinte si inerci e të folmes atje, gati si e
pa kontrolluar.
Edhe bisedat me të
shpalosin të njejtin normalitet: punë, familje, shtëpi, shqetësime prindi për
fëmijët “e amerikanizuar” me hapa të shpejtë, pagesa pa fund, trafik, zhurmë…
Asgjë nuk më vinte
ndryshe, përveçse njëfarë ftohtësie e tij, përtej të konsideruarit normale prej
meje, edhe pse ndoshta tipike kjo për shoqëritë moderne.
Por nuk është kjo
pamja e vetme! Më ka rastisur tek një i afërm i imi, i martuar me një vajzë jo
shqiptare, të kaloj disa ditë e që kurrë në jetë nuk mund ta harroj ngrohtësinë
e shërbimit të saj: edhe këmbët, sipas atij “zakonit” tonë të dikurshëm, donte
t’mi lante ajo… Dhe, edhe pse nuk fliste ajo shqip, as unë gjuhën e saj,
mirëkuptimi me të mbërrinte deri në detaje, që mbase shpesh nuk i arrijmë
brenda familjes…
Të gjithë kemi provuar
që në celularët tanë “të zgjuar” të mbërrijnë kërkesa për shoqëri virtuale që
nga Kina e largët e gjithë bota dhe që gjuha që flasim mos të jetë fare problem
“komunikimi” mes nesh, e ndërsa deri dje nuk dinim për asgjë që ndodh “përtej
kodrës” së lagjes tonë, sot marrim në kohë reale informacion edhe për një mace
“të sëmurë” diku në një cep të globit.
Dhe të gjitha këto
falë globalizmit, kryesisht atij teknologjik, që po përparon më shpejt se
mendimi më i përparuar.
2.
Të jetosh mes
njerëzish e të mbetesh njeri, ndoshta kjo është sfida më e madhe që secili prej
nesh do të duhet t’ia bëje vetes. Kjo nuk është kërkesë vetëm e kësaj kohës
tonë të re, por koha e globalizmave gjithfarësh e ka theksuar më shumë këtë
kërkesë si nevojë që individualiteti i secilit prej nesh të mos humbasë në
“oqeanin” global ku jetojmë sot.
Ishte kjo çeshtje
problem edhe në kohën e shoqërisë së mbyllur, asaj të sistemit të kaluar, ku
reforma e të gjitha reformave ishte shpallur “krijimi i njeriut të ri”
socialist, një stampë kjo që synonte rrafshimin e të gjitha individualiteteve tek
çdokush. Edhe atëherë na bënte përshtypje, për shembull, një kuadër i lartë i
dal nga zona ku jetonim, i cili kthehej atje si “i njejti njeri”, i thjeshtë
dhe i dashur, që s’përtonte të ulej e të bisedonte këmbëkryq me një të moshuar,
të hante me ty “edhe në një sahan”, që të priste njejtë kur e takoje në Tiranë
e nuk të linte të kërkoje hotel, por të ftonte e të merrte në shtëpinë e tij,
edhe pse jetonte ndoshta ngusht me familjen, që nuk nguronte të të prezantonte
me shokët a eprorët e tij si “shoq e dashamirë” apo “si vëlla” të tijin. Këta
tipa e karaktere janë ngulitur thellë në kujtesën e njerëzve përkundër dikujt
që, për vetëm dy vite shërbim ushtarak larg vendlindjes, harronte edhe “babën e
vet”, apo ndonjërit që mbaronte një arsim të mesëm larg zonës ku jetonte
familja e tij e kthehej aty “të shiste mend” si Zeusi, atyre që kishin një jetë
duke jetuar me të njejtat halle e probleme. Por atëhere globalizmi nuk kishte
trokit kaq fuqishëm sa sot! Dyert ishin të mbyllura, teknologjia mungonte e vetëm
propoganda mbërrinte kudo ku gjendeshin njerëzit, për t’i indokrinuar ata.
Me kalimin në sistemin
pluralist e “shqyerjen” e kufinjëve, vështirësia e ruajtjes së
individualiteteve përballë globalizmit u bë edhe më e theksuar; lëvizja e lirë,
emigrimi masiv e krijimi i familjeve mikse nga martesat me të huajt e kanë bërë
më të mprehtë problemin, dhe njerëzit përditë e më të ftohtë po bëhen mes veti.
Aktualisht jetojmë edhe një globalizëm tjetër, globalizmin teknologjik. Ky,
natyrshëm, ka gjëra pozitive e të mrekullueshme, pasi moda, mjetet e jetesës,
shkenca, kultura e çdo gjë tjetër mbërrinë në çdo cep të globit sapo “të shoh
dritën e diellit”, duke kursyer energjitë njerëzore për “të shpikur” atë që
mund ta marrësh të gatshme nga arritjet e të tjerëve. Natyrisht që, ashtu si e mira,
me të njejtën shpejtësi, në mos më shpejt e në rrugë më të shkurtëra, mbërrin
edhe e keqja! Pikërisht këtu lind e forcohet nevoja që, duke shfrytëzuar arritjet
globale, të ruajmë individualitetet tona. Është ky individualitet që e bën të
mundur pikërisht këtë: shfrytëzimin e arritjeve globale për të përparuar, përshtatjen
e tyre në kushtet tona të jetesës duke i përmirësuar ato, e “refuzimin” e atyre
të këqijave që na zhbëjnë në personalitetin e integritetin tonë, si droga,
prostitucioni, bixhozi, hajnia etj. Shtrohet kjo çeshtje në çdo nënndarje
globale, në çdo shoqëri njerëzore e në çdo familje. Shikojeni situatën aktuale:
lufta në Ukrainë riktheu nevojën e riformatimit të nevojave mbrojtëse të çdo
vendi, ardhja e epokës “Tramp” bëri që bota të ndryshoje qasjen, Evropa ta
mendojë veten jashtë “ombrellës amerikane”, Izraeli të mendojë kthimin e Gazës
në tokë çifute, Kina të ridimensionojë nevojën e “pushtimit tregtar” të botës,
etj.
Po faktori shqiptar,
ku gjendet? Jemi vërtetë në një udhëkryq historik, ku kemi më shumë se kurrë
nevojë të forcojmë individualitetin tonë: bashkimin familjar me njëri - tjetrin,
solidaritetin shtetëror e njerëzor mes nesh, pa kufi, duke e konsideruar
bashkimin edhe me kufinj të ndarë, si një nevojë jetike! Mendojeni në se do të
ishte kjo bota e 1998-1999-ës, ku do ishim? As Kosovë të pavarur s’do të kishim,
as Shqipëri kandidate serioze për në BE jo, as të drejta sadopak të avancuara
të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, as… Ndoshta vala e luftës do të na
kishte përfshirë përfundimisht e nga lufta shuhen edhe ëndërrat.
Po në aspektin e
familjes shqiptare, ç’na solli globalizmi?
Të mira plot,
natyrisht: jetojmë ku mundemi e pa kufizime shtetërore, dhe jetojmë më mirë.
Por… Këtu fjala del me zor! Jetojmë larg njëri - tjetrit e vala e “ftohjes
globale” na ka marrë tejembanë, në palcë e në shpirt! Pleq të vetmuar,
trishtimin e të cilëve nuk e mbyll dot celulari, përmes të cilëve komunikojnë
me fëmijët, nipër e mbesa, që gjyshërit i dinë imazh celulari, djem e vajza
rrugëve të botës që harrojnë se janë shqiptarë, plakje galopante e popullsisë e
djepat thatë!
Është e tmerrshme të
mundohesh të parashohësh të ardhmen, në kushtet kur nuk e sheh në sy të sotmen.
Fshatrat janë braktisur thuajse totalisht e qytetet po koncentrohen në disa “qiellvërvishtës”
në qendrat e tyre, ku asnjëri nuk e njeh as veten. Është bërë e modës që emrat
e fëmijëve të jenë “modern” e joshqiptarë, që emrat e dyqaneve té mbajnë markat
e gjithë botës e pak apo aspak prej tyre mbajnë emra shqiptarë, që fëmijët të flasin
çdo gjuhë tjetër, përveçse jo shqip, që gjuha jonë të mosdrejtshkruhet e vendin
e fjalëve shqipe ta marrin shprehje të tilla si: ciao, tung, klm, flm, thanks,
aliverd(r)eqi etj, por pak dëgjon: tungjattjeta, a je a si je, nadja e mirë, u
pafshim me hajr etj. Edhe brenda familjes, po deshët, globalizmi, sidomos ai
teknologjik, na ka marr terrenin krejt: secili komunikon “me gishta” në
celularin e tij e asnjë shije s’e ka mbrëmbja; të gjithë ushqehemi, bile mirë,
por tryezë nuk shtrojmë, askush s’thoté mëngjeseve për nga e ka drejtimin e
ditës, as mbrëmbjeve çfarë ka bërë! Le të kthehemi tek letërsia, artet e
kultura, po deshët! Ballafaqimi i tyre me arritjet bashkëkohore globale është,
pa asnjé mëdyshje, arritje e çmuar, por çfarë mund të themi për muzikën sot që
s’i ngjet as vetes, për këngët gjysma shqip, gjysma gjuhë e huaj pa asnjë
përmbajtje e art fjale, që të shurdhojnë kudo, për poezitë “moderne” pa kumt e
ngjyra shqipjeje, për filmat që s’transnetojnë asgjë e plot të tjera si këto?!
Kur unë akoma vetëm sa kisha dëgjuar për inteligjencën artificiale e thuajse
nuk dija asgjë rreth saj, një shqiptaro-amerikan i brezit të sotëm që kishte
lexuar një apo disa nga poezitë e mija në rrjetin social facebook, më
shkruante: Të ndjek e më pëlqen, po duket se lodhesh shumë (në fakt jo, i kam
shplodhje!) me këto poezitë tuaja, thuajse të përditshme! U mundova t’ia
shpjegoj atij se i krijoj ato lirisht dhe vetëm kur më lind një motiv i
brendshëm që më ngacmon shpirtin, por shqiptaro-amerikani im, ishte bërë pragmatist,
si vetë amerika, e më sugjeroi një rrugë të lehtë: Pse nuk përdor inteligjencën
artificiale, më thotë, e nis t’më shpjegojë aplikacionin përkatës me më shumë
pasion se unë krijoj poezinë. Mjafton t’i japësh motivim, apo fjalët kyçe,
përfundoi ai, dhe ajo (inteligjenca artificiale) e krijon menjëherë një poezi
për ty…
Faleminderit, i them,
po autori kush do të jetë?, ndërkohë që mendja ime “kishte fluturuar” e po
përpiqej “të provonte” shijen e mishit artificial, prodhuar në laboratoret e
kohës moderne, dhe të bënte një paralelizëm me një poezi të tillë, si dy gjëra
të pa shpirt.
3.
Po globalizmi
ideologjik?
Po të vesh re me
kujdes zhvillimet aktuale në vendin tonë, por edhe në Evropë e botë,
ekstremizmat ideologjike, të hapura apo të maskuara, përbëjnë një rrezik real.
Ideologjia sunduese aktuale është paraja, pasurimi me çdo kusht, pa marrë
parasyshë asnjë nevojë e individualitet njerëzor. Nuk përbën lajm sa njerëz
vuajnë nga uria apo jetojnë nën minimumin jetik, sa pensionistë jetojnë të vetëm
e vuajnë mungesën e shërbimeve sociale, sa të rinj janë përdorues të rregullt
të drogërave të forta, sa fëmijë e të rinj në moshë shkollore, janë analfabet
funksional, sa të tjerë në moshë pune, nuk kanë asnjë zanat, ndonëse mbajnë në
xhepa edhe nga 2-3 diploma, e të tjerë terma si këto që janë bërë të harruar për
botën e sotme, por trend e modë është sa multimiliarder ka çdo vend, si rritet
pasuria e tyre, me çfarë jahti bën pushimet Ronaldo, çfarë makinash luksoze ka
Noizi në oborrin e tij, etj. Bile edhe qeveritë, përjashtuar ato të disa shteteve
evropiane, kryesisht atyre skandinave, ku ka gjetur ndoshta shprehjen e vet më
të plotë teoria e shtetit social, rendin në të njejtin drejtim: premtojnë lehtësisht
uljen e taksave ndaj kategorive të më të pasurve, premtojnë si t’u krijojnë
lehtësi atyre përfitime maksimale etj, më shpejt se sa të shprehen për atë që është
detyra e tyre primare: vendosja e ruajtja e ekulibrave sociale. Rendja pas
parasë e pasurisë me çdo kusht sjell pashmangshëm edhe luftërat. Jo për “sytë e
bukur” të saj Rusia po Lufton për t’a pushtuar Ukrainën prej disa vitesh, por për
faktin se pasuritë e saj tokësore e nëntokësore, janë konkuruese në Evropë e më
tej; jo më kot Tramp e kushtëzoi çdo ndërhyrje për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës
me të ashtuquajturën “marrëveshje minerare”; jo me kot ka luftuar e lufton
Serbia për Kosovën, por në mes janë Trepçe, Fushë-Kosova e Ujmani… Jo vetëm
sot, por gjithnjë rendja pas pasurimit ekstrem ka qenë shkak luftërash, e
ekstremi pjell gjithnjë ekstreme. A nuk ishte lufta e pasurimi ekstrem që solli
lindjen e ideve komuniste, revolucioneve proletare e ideologjisë marksiste –
leniniste, e cila mori përmasa të mëdha, nga ana tjetër, në kurriz të shuarjes
së individualiteteve njerëzore. Edhe ekstremizmat fetare, si dje edhe sot, janë
në rend të ditës. Bota akoma si ka harruar kryqëzatat e dikurshme romake,
mongole e turke dhe prapë rend drejt ekstremeve të tilla fetare. Shikoni njerëz
që jetojnë në kufij varfërie, që kanë më lehtë të lypin në udhë të madhe se sa
të punojnë, që dinë të betohen vetëm “pasha Allahun” e nuk dinë ç’është në të
vërtetë Allahu, që vrasin veten për të vrarë të tjerët e plot ekstremizma me
baza fetare që marrin terren çdo ditë! Brezi i ri pati fatin të rritet me lirinë
e besimit, por mungesa e shkollimit dhe (pa)kultura e të priturit të gjërave
“nga lart” e bën besimin e tyre një autobombë ideologjike që dëmton ata vetë,
por edhe familjen e shoqërinë, ngadalson të sotmen e vendos pikëpyetje serioze
ndaj të ardhmes.
Ruajna Zot nga vetja e
tepruar!
4.
Rroftë globalizmi,
poshtë globalizmi!
Unë, të kuptohemi, nuk
kam gjë kundër globalizmit, por natyrisht që nuk pajtohem lehtë që në këtë
rrjedhën globale të kohës, të humbim individualitetin tonë njerëzor si
shqiptarë.
Do të doja, megjithë
fuqinë e shpirtit, që shqiptari si individ, si familje, si shtet, të
identifikohet lehtë në këtë rrjedhë globale. Dhe të identifikohej me vlerat e
tij që i trashëgon, jo me “bëmat” tona që nuk mungojnë t’na identifikojnë, edhe
në mënyrë keqdashëse, si njerëz të egër, si vrasës, si hajdutë…
Do të doja që
individualisht të shfaqnim secili inteligjencën që kurrë s’na mungon, punën që
na dallon, personalitetin që na karakterizon; familjarisht të shfaqim traditën
e bukur, solidearitetin e bashkëjetesën, ndihmën reciproke e “ngrohtësinë” e
gjakut që trashëgojmë; si shoqëri e si shtete shqiptarësh, të identifikohemi në
tregun global e shumëdimensional me prodhimet tona “made in Albania”, “made in
Kosova”, “made by albanians”…
E bota t’na njohë e
pranojë me kontributet tona, jo siç tipizon biseda e mëposhtme:
-Ça t’ka syri?, e pyet
shoku shokun.
-Ma kanë nxjerr!
-Kush?
-Vllau…
-E shoh se e paska
gërrye fort e thellë!
Këtu e mbi 20 vite më
parë, në bashkëbisedimin e përhershëm me veten, pata shkruar një poezi, që në
thelb mbante shqetësimin e mësipërm: të qënit i gjallë në një trup përherë e më
global, se e gjalla paraqet përherë veçanti, kurse “e vdekura” rrëmbehet nga
dallga, si kërcunat që i vé përpara një ortek.
Poezia në fjalë
titullohet: Unë jam…
Po riprodhoj, për ju
lexues të dashur, të parën dhe të fundit strofë prej saj, duke e lënë
interpretimin në duart tuaja:
Unë jam,
Pjesëz e kësaj bote
jam,
Qelizë e gjallë në
trupin e saj,
Zemra më rreh me të
njejtin ritëm,
Frymëmarrjen me të e
ndaj.
***
Si?
Adresën po më kërkoni?!
“Qytetar i Botës së Lirë”,
mjafton mbi zarf të
shënoni
e mesazh i saj
tek mua do të mbërrijé
nga çdo cep i Globit.
Globalizmi në tërësi e
ai teknologjik në veçanti, e ka bërë botën “më të vogël”, por “të lundruarit”
në rrjedhat e saj përherë e më të vështirë sa i takon ruajtjes së identitetit
si njerëz, shoqëri e si shtete, aq të domosdoshme këto për të mos rrezikuar
“mbytjen” në dallgët e zhvillimeve bashkëkohore.
Lezhë, më 31 maj 2025