Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kultura përballë rolit kontradiktor të KKSh-së në Luginë

| E hene, 02.06.2025, 06:17 PM |


Manifestimet kulturore dhe sportive të organizuara së fundmi nën përkujdesjen e Komunës së Bujanocit – “Ditët e Komandant Lleshit” dhe Turneu Mbarëkombëtar në Futboll “Tërnoci 2025” – ngjallën një jehonë të madhe te shqiptarët, jo vetëm në këtë komunë, por edhe më gjerë në rajon. Ato u pritën me entuziazëm dhe përfaqësojnë një model të suksesshëm të qeverisjes lokale që promovon bashkimin kombëtar, kulturën dhe sportin si ura komunikimi mes komuniteteve.

Megjithatë, këto suksese nuk janë pritur mirë nga drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), të cilët, të mësuar që të mbajnë ekskluzivitetin mbi organizimet kulturore dhe politike, zgjodhën të mos marrin pjesë në ditën përmbyllëse të këtyre aktiviteteve – konkretisht në Koncert-homazhin për Komandant Lleshin, të mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc.

Ky nuk është rasti i parë që KKSh shfaq një qasje përjashtuese dhe arrogante ndaj zhvillimeve që nuk kontrollohen prej tij. Që nga themelimi në vitin 2010, ky institucion ka krijuar imazhin e një strukture që përjashton, injoron dhe përçan, në vend që të përfaqësojë gjithë shqiptarët e Luginës.

Veprimet e tij kanë reflektuar negativisht edhe në raport me shoqërinë civile, të cilës nuk i është dhënë hapësirë në katër shtyllat e veprimtarisë së Këshillit, madje as në komisionin e kulturës. Ky përjashtim dhe mungesë përfaqësimi kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e institucionit.

Për më tepër, KKSh ka kontribuar në ndarjet politike, përçarjen e shkollave dhe shoqatave, përmes ndikimit të tij në emërimet e drejtorëve dhe përkrahjes së projekteve sipas interesave klanore. Në vend që të merret me zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit të vitit 2001, KKSh është angazhuar në hartimin e platformave të reja si ajo e “7 pikëshit”, duke relativizuar kërkesat madhore të së kaluarës që përfaqësonin aspiratat e rinisë shqiptare për punësim dhe qëndrim në vendlindje.

Gjithashtu, përmes manipulimeve me fondet e Kosovës dhe donacioneve të tjera, janë shpërdoruar burime publike për udhëtime dhe shpenzime lluksoze, duke e komprometuar rëndë misionin dhe ekzistencën e këtij institucioni.

Si pasojë, shumë projekte ndërkombëtare të rëndësishme – si ato të OSBE-së për riorganizimin e policisë multietnike, mediave apo administratës – kanë mbetur në gjysmë apo nuk janë realizuar fare.

Nëse kjo qasje vazhdon, ky institucion ose duhet të reformohet thellësisht, ose të shpallë një moratorium funksional deri në një rehabilitim të plotë të tij. Përndryshe, thellimi i mëtejshëm i përçarjeve do të sjellë pasoja të parikuperueshme për shoqërinë shqiptare në Luginë dhe më gjerë. /Portali Jetapress Bujanoc/

Manifestimi tradicional Ditët e Komandat Leshit, Bujanoc