| E hene, 26.05.2025, 06:52 PM |
Makinat
heroike
Nga
Edison Ypi
Më
ka marrë malli për makinat e aso kohe, për makinat heroike, që nuk ishin si
këto legenet e sotme të heshtura, tinzare, gjoja të sofistikuara. Ç'patët me
makinat o burrat e dheut ? Pse i denatyruat, çfytyruat, degjeneruat, makinat
heroike me leva, manovela, doreza, këmbëza, kërrcitje, zhurma. Kishe qef ti
shikoje dhe dëgjoje. Ishin të gjalla. Ishin plot jetë. Aso kohe, saksofonat,
tamburët, pianot, kitarrat, krejt muzika, krejt Rock and Rolli, por edhe
piktura, arkitektura, imitonin pa rreshtur lakoret e aeroplanave, harqet e
turbinave, muzikat e makinerive, simfonitë e lokomotivave, anijeve,
kovaçhanave.
Makina
e shkrimit, për shembull, ajo që gjithë gjallëri dhe jetë kërrciste pas çdo
gërmë duke të lajmëruar se kryeveprës që po shkruaje ju shtua një tullë,
tingulli që mendove nuk u mbajt i fshehtë, por duke u shkruar dhe pavdekësuar u
shpërblye si meriton. Jo si Word Editori i sotëm, i pabesë, me pesqint dredhira
dhe hilera, që përpëlitet në heshtje dhe errësirë sa në tokë në Cloud, me
gjithato fonte, formatime, foldera, krejtësisht të pa nevojshme, krejtësisht të
tepërta, që po e luajnë vulgun nga ment e kokës, kanë ngritur këmbët tu bien
kokës. Ishin më të mira ato të çiltrat e Gutenberg se këto zuskat e
Zuckerbergut që po verbojnë sytë, ngathtësojnë trupin, trashin mendjet.
Gazi
i Degës, imitim i një Jeep-i të luftës, tmerrësisht i thjeshtë, pa asnjë yçkël,
pa asgjë të tepërt. Jo si makinat e sotme që ndryshojnë çdo muaj. Gazit i Degës
ishte aq perfekt, sa Rusia, Kina, dhe gjithë Lindja, në dhjetra vite nuk i
shtuan apo ndryshuan dot asnjë vidhë.
Gazi i Degës ishte dhe mbeti një makinë që e mbajti kokën përpjetë, nuk tut nga
asnjë shqotë, stuhi e tufan. Gazi i Degës nuk vinte kot, për qef, se ashtu ju
tek. Gazi i Degës vinte për diçka serioze, të epërme, sublime, vinte të
arrestonte. Gjithmonë me shkak. Kurrë nuk arrestoi Gazi i Degës po të mos kishe
thënë të paktën një fjalë të tepërt, apo shprehur një mendim jo sipas turmës.
Gazi i Degës s'kishte GPS, as Spotify, as mrroklla të tjera. Shtëpinë ta gjente
vet. I dinte adresat përmendësh. Edhe ato të qyqarve nga Puka e Mokra që
shkonte tu hidhte hekurat.
Makina
e mishit ishte gjithashtu njëra nga makinat heroike që duhet të mos harroheshin
por të ruheshin. E vogël, e thjeshtë, manovelë, shnek, disk me vrima, kishte
lezet. S'linte mish e kock e deje pa grirë. Ndonjëherë, nëse kishe bërë ndonjë
faj, për dënim, bashkë me mishin ta rrëmbente dhe gishtin. Por para asaj
bukurie që me thjeshtësinë dhe efikasitetin e vet asocionte në mendjen e
përdoruesit një mënyrë për hakmarrje efikase jo me llafe por me makinë, grirja
e gishtit ndaj grirjes së jetës, ishte hiçasgjë.
Një
tjetër makinë heroike mahnitëse ishte makina llogaritëse. Ajo e vjetra, ajo që
kushedi ku e hodhën e dergjet. Zot na ruaj, nëse në ndonjë furrë. Ajo me
manovelë, që e rrotulloje nja dy herë, dhe, pasi zhurmonte dhe kërrciste sa
tundëte dheun, brenda disa sekondave ta nxirrte ekzakt shifrën. Jo si këto të
sotmet që bëjnë gjithçka në heshtje dhe në çast, sikur muzika dhe koha nuk
ekzistojnë.
Makina
e Korrjes ishte ajo që më së shumti frymëzonte mosbindjen, rrebelimin ndaj
Diktaturës së halabakëve, korrjen e komunistave si grurin, misrin, tërshërën,
thekrën, që nuk e di pse s'ndodhi.
Makina
e mutit, pavarsisht se transportonte atë që s'thuhet por sapo e thashë, kishte
dhe ajo sharmin e vet, dhe sot meriton lavdinë e vet. Sa herë që vinte bosh dhe
ikte plot, u kujtonte shqiptarëve se njeriu nuk është çfarë ha, por çfarë 10.
Fiati
i Drejtorit ishte një rrangallë e heroike të cilën mjeshtrat pararojë me shpirt
bolshevik të kalitur nëpër "veprat monumentale të 5 vjeçarëve", nuk i
lanë modifikim pa bërë, llamarinë pa shqyer, vidhë pa ndërruar, vetëm e vetëm
që kur karroca me rrota e quajtur Fiat i Drejtorit të ishte gati, të vinte
drejtori tu thoshte proletarëve duarartë: Rrofshi o mutër që ma ndreqët.
Lokomotiva
me avull, me asgjë të fshehur, të gjitha rropullitë jashtë, cilindrat, levat,
bjellat, shtangat, vavolat, ishte një makinë heroike kryevepër. Mrekullisë së
teknologjisë që bënte çuf-çuf i përket e gjithë lavdia e prittjeve lotndjellëse
plot ankth në stacion, edhe kot, edhe pa shkak, edhe në pritje të dashurës që
s'dihej në do vinte a s'do vinte, apo të vdekurit në front që kurrë nuk u
kthye.
Makina
qepse, ajo që s'ndali as ditë as natë duke prerë e qepur për çunat dhe gocat
modelet më të fundit të veshjeve, s'pordhi fare kjo makinë për nenet e
propagandës dhe tradhëtisë ndaj atdhjeut. I shkeli të gjitha pa mëshirë në emër
të hakmarrjes së atyre që s'kishin gjetur doqet apo basmat e duhura. Meriton
një shtatore majë Dajtit, a të paktën te kodrat e Saukut, Heroina që do ja
kishin prerë mishin dhe varur në litar me gërshërën dhe sapunin e vet, do e
kishin tërhequr zvarrë nëpër katundet kufitare, do e kishin burgosur,
pushkatuar. Halli se mund të zvarrisësh një qen a një zagar, por zor se
zvarritet një makinë.
Ndër
makinat e lavdishme s'mbetej pas mulliri kafesë dhe qebapi që e rrotulloje mbi
zjarr. Kafen e piqje dhe e bluaje vet. Dhe dije ç'pije. Dhe llumi pas
përmbysjes për të hedhur Fall, nuk ishte i manipuluar, ishte autentik. Jo si
tani që kafen e mpleksin, dhe llumi duket si baltë Karavastaje shkelur nga buaj
të zinj me brirë duke nxjerrë nga bataku një qerre. Para këtij llumi, nga frika
mos çmendet, këtij filxhani sja hedh sytë asnjë jevgë.
Kishte
lezet makina e rrojes. Blije një herë e mirë makinën, dhe ndërroje brisqet. I
është mohuar pa të drejtë fama që meritonte makinës heroike që rruante çdo
skutë me gjakderdhje të sigurtë.
Makinat
heroike ishin aq të buta dhe të ëmbëla, sa me makinat binin në dashuri,
ftoheshim me gruan, shkaktonin xhelozira, tradhëtira, divorce. Njoh nja katër a
pesë që u marrosën pas motociketës. Dhe të tjerë që derdheshin duke prekur dhe
përkëdhelur tornon.