Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Tufa: Ekzorcizmi

| E premte, 23.05.2025, 06:53 PM |


Agron Tufa

EKZORCIZMI

Do thërrasim doktor, do thërrasim heqim,

sall ti të mos kesh asnjë mendim.

Mendimet e tua shumohen me spore,

shpërthejnë në ajër - stuhi dëbore,

që bie dhe mbush dhe rrugët dhe sheshet,

që ngrin buzëqeshjet, pezullon marrëveshjet.

Mandej vjen acari me ithtësinë e ngricës:

ngujohen qytetet prej provincës.

Izolim, paralizë nga mali në fushë -

gënjeshtrat tona s'do t'i blejë më kush.

Herëdokur njerëzia vetmie ngujuar

ka gjasë të zgjohet e purifikuar.

Të ndërhyjnë, pra, xherahë e heqimë,

sall ti të mos kesh asnjë mendim!