Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli – Kombi

| E shtune, 24.05.2025, 02:30 PM |


INTERVISTË ME GAZETARIN DHE PUBLICISTIN

SHQIPTARO-AMERIKAN FRANK SHKRELI (V)

KOMBI

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Në pjesën e pestë dhe përmbyllëse të serisë së intervistave me gazetarin, publicistin dhe ish-drejtorin të Zërit të Amerikës për Evropën dhe Azinë, Frank Shkreli, do të ndalemi në disa nga temat më të ndjeshme, komplekse dhe njëherësh të rëndësishme për kombin shqiptar. Duke u nisur nga çështje të identitetit dhe vlerave tona kombëtare, e deri te analiza e ngjarjeve historike që kanë formësuar ndërgjegjen shqiptare, Shkreli ndan me ne reflektime personale e profesionale për figura të shquara si Ibrahim Rugova, Arbën Xhaferi, Sami Repishti e Jim Xhema, por edhe për rolin vendimtar të diasporës shqiptare në SHBA.

Në këtë bisedë, ai shpreh mendimet e tij për ndikimet gjeopolitike në rajon, për sfidat që përballon sot Çamëria dhe shqiptarët jashtë kufijve, për dilemën e emigracionit përballë ëndrrës europiane, për ndërhyrjet kulturore dhe politike nga Turqia, për raportin me Serbinë dhe Rusinë, dhe për aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

GM: Çfarë do të thotë për ju të jesh shqiptar? Cilat janë disa nga vlerat kryesore që e karakterizojnë kombin tonë shqiptar?

FSH: Edhe njëherë të falemnderës për mundësinë për të shprehur mendimet e mia modeste për lexuesit tuaj…Unë jam larguar nga vendlindja në moshën 14-15-vjeçare, fillimisht, pas shkollës fillore, kam vazhduar gjimnazin klasik në Kroaci dhe prej atje jam arratisur nga ish-Jugosllavia komuniste për në Itali – e për t’u vendosur më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jetoj që nga viti 1970. Pjesën më të madhe të jetës time, pra, jam duke e kaluar në Amerikë. Vlerat bazë që karakterizojnë Kombin i kam marrë, natyrisht, në familjen malësore ku jam rritë, por gjatë gjithë këtij rrugëtimi jete e veprimtarie të gjatë, shpesh të vështirë, larg trojeve shqiptare, kam pasur privilegjin dhe nderin të takoj e të komunikoj, me disa edhe të punoj me të tjerë, patriotë e burra shteti, intelektualë e atdhedashës, figura anti-komuniste shqiptare. Janë shumë dhe nuk po përmend emra, por prej tyre kam mësuar shumë se ç’do të thotë të jesh shqiptar, e sidomos shqiptar në mërgim. Se Kombi shqiptar ka një shpirt. Se ndjenjat kombëtare nuk u shuan kurrë, as në periudhat më të errëta shekullore, qoftë edhe për ne, në mërgim. Se Shqipëria e pavarur, gjithmonë duke përfshirë këtu edhe Kosovën dhe trojet shqiptare, anë e mbanë Ballkanit Perëndimor, pa dallim feje, krahine ose ideologjie, i përkasin një Atdheu, një Kombi shqiptar, stërnipa të Teutës e Gjergj Kastriotit-Skënderbe. Vatër e përbashkët, ku të gjithë jetojnë, vëllazërisht, të lirë, duke ndjekur doke e zakone stërgjyshore, duke përfillur dhe duke jetuar me vlerat morale të njohura ndër shqiptarët si shumë të çmuara: besa, nderi, burrënia, mikpritja e të tjera. Ishin këto vlera për të cilat mësova nga brezi i shqiptarëve të pas Luftës së II Botërore, vlera që duheshin ruajtur dhe të kaloheshin nga brezi në brez. Por, prej tyre mësova gjithashtu se, për fat të keq, periudha e komunizmit, që për pothuaj një gjysëm shekulli, robëroi gjindjen shqiptare në përpjekjet për të krijuar “njeriun e ri”, sipas ideologjisë sllavo-aziatike komuniste – bëri çmos për të zhdukur këto vlera dhe tradita kombëtare, që përmenda më sipër. Shkollat nën komunizëm ishin kthye në çerdhe çkombtarizimi “Traditat u thyen nga… zgjedha politike, kur vendin tonë e mbuloi pabesia, shvlerësimi i nderit e burrënisë, dënimi me vdekje i mikpritjes, arratisja, e talljet publike “për mbeturinat e së kaluarës së errët reaksionare…”, është shprehur me një rast Profesori i nderuar i Kombit, Sami Repishti. Komunizmi pra mundësoi hapjen e terrenit për abuzime, çthurje morale dhe politike, zhveshje nga tradita kombëtare shekullore e fetare, pasojat e të cilave Kombi shqiptar vazhdon t’i pësojë edhe sot pas 35-vjet të shembjes së Murit të Berlinit, por që politika aktuale nostalgjike e regjimit komunist, sidomos në Shqipëri, me gënjeshtëra përpiqet të ruaj atë tarshëgimi komuniste në dëm të objektivave të shëndosha kombëtare.

GM: Cilat janë disa nga ngjarjet kryesore historike që mendoni se kanë pasur ndikim të madh në kombin shqiptar, dhe si e shihni ndikimin e tyre në formimin e identitetit, kulturës dhe politikës shqiptare?

FSH: Le ta fillojmë me periudhën e Kryetrimit, të Pëgjithmonshmit të Kombit, Gjergj Kastriotit -Skenderbe – themeluesit të shtetit arbëror, bashkuesit të princave të Arbërit, ndërkombtarizuesit të çështjes kombëtare. Por edhe si bashkpunues me aleatët perëndimorë dhe papët e Romës, të kohës së tij. Mbi të gjitha, ndikimet e kohës së Skënderbeut, mbrojtësit të vlerave iliro-arbërore, shpëtimtarit të Evropës e pse jo edhe i qytetërimit evropian dhe krishtërimit, si “Kryqtari i fundit”, titulli i librit Gjergj Kastrioti-Skënderbe – Ditar Diplomatik, i autorit Virgjil Kule! Çdo komb tjetër, do ta çpikte një “Skenderbe” të tyre, siç kanë bërë disa kombe gjatë historisë, por për fat tonin ne e kemi Gjergj Kastriotin-Skenderbeun që do duhej të ishte alfa dhe omega e identitetit kombëtar dhe shtetndërtues - si fillimi dhe baza e historisë së shqiptarëve, ndër shekuj edhe sot dhe jo ta mbulojmë përmendoren e tij në mes Tiranës me çarçaf të bardhë a të zi, për të kënaqur vizitorë të huaj që Skenderbeun e shikojnë si armik të tyre.  Ma merr mendja se thellësitë e vetdijes kombëtare ndër shqiptarë, mbijetuan ndër shekuj, si rrjedhim i ndikimit të luftërave të tij për çlirimin e trojeve arbërore nga pushtimi otoman dhe veprimtarisë së tij të palodhur dhe me mjeshtëri diplomatike. Duke siguruar sado pak mbështetjen e Evropës së atëhershme dhe ndihmën e papëve të Romës.

Natyrisht se u desh të kalonin disa shekuj duke pritur organizimin dhe themelimin e Lidhjes së Prizrenit për të ëndërruar për një Shqipëri që përfshinte të gjitha trojet ku flitej gjuha shqipe, si një ndër ngjarjet kryesore historike që ka ndikuar si një shembull që vuri themelet dhe nxiti vrullin e një Rilindjeje kombëtare të paparë (pas pesë shekujsh) deri atëherë në tokën arbërore. Ishte ideja e Lidhjes së Prizrenit dhe bindja se shqiptarët, më në fund, e kishin përnjëmend të merrnin në dorë fatin e tyre kombëtar e politik që disa vite më vonë, me 1912, shqiptarët, përfaqsues të gjitha krahinave shqipfolëse u mblodhën në Vlorë për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë.

Nga ngjarjet kryesore historike nuk duhet harruar Kongresin e Manastirit me 1909, qëllimi të cilit ishte për të caktuar një alfabet të përbashkët kombëtar.  Pasuar nga kryengritjet e shqiptarëve të Kosovës kundër Turkut dhe Kryengritjen e Malësisë së Madhe në Mars, të vitit 1911 – një ngjarje kjo që për herë të parë tërhoqi vëmendjen e shteteve  evropiane se diçka po vlonte ndër shqiptarët, duke shënuar ashtu edhe fillimin e “ndërkombtarizimit të çeshtjes shqiptare” në Ballkan dhe përpjekjet tyre për liri e pavarësi.  Ishin pra këto ngjarje historike – ndër të tjera – që më në fund, ndihmuan gjatë shekullit XX, në mbijetesën me shumë vështirsi të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavinë komuniste.  Shembulli i rilindasve të vërtetë shqiptarë jo vetëm ndikoi në ruajtjen dhe formimin e identitetit, kulturës dhe politikës shqiptare për brezat e mëvonshëm – por me luftë dhe me mbështetjen ndërkombëtare, u themelua edhe shteti i dytë i pavarur në Ballkan – Republika e pavarur e Kosovës.  Për ta përmbyllur këtë përgjigje ndaj pyetjes tuaj, ngjarjet dhe individët e historisë shqiptare si Gjergj Fishta ndër të tjerë, kanë ndikuar “në formimin e identitetit, kulturës dhe politikës shqiptare”, dua të sjell një rast konkret:

Kohë më parë, bashkshortja e Heroit kombëtar Agim Ramadani (Shukrije Ramadani) ka folur për dashurinë e bashkshortit të saj për Lahutën e Malësisë të At Gjergj Fishtës, duke thënë se para se të nisej për në betejat kundër forcave terroriste serbe në luftën e fundit në Kosovë, Heroi i Kombit, Agim Ramadani, sipas saj, gjithmonë merrte me vete kasetën me vjershat e At Gjergj Fishtës, recituar me zërin e Reshat Arbanës. “Agimi, kur u nis për në luftë, nga gjithçka që mori me vete, ishte një kasetë, në të cilën kishte të regjistruara me zërin e Reshat Arbanës, poezitë e Fishtës së Madh. Kur e pyeta pse po e merr, ai më tha: – “Shiqo.  Ky është zëri i Atdheut, zëri që na ndihmon, na jep shpresë na jep fuqi, që të vazhdojmë luftën ashtu siç duem, deri në çlirimin e plotë të Atdheut. Me atë zë (të Fishtës) ai u dha zemër ushtarëve të tij në betejat më të forta që u zhvilluan në luftën çlirimtare të Atdheut tonë”. Megjithkëtë dhe për fat të keq, njëri prej frymëzuesve më të mëdhej të mbrojtjes dhe formimit të identitetit, gjuhës dhe kulturës kombëtare të shqiptarëve, At Gjergj Fishta, mbetet gjithnjë, zyrtarisht, i anashkaluar, dhe i harruar nga nostalgjikët politikë dhe akademikë të komunizmit të Enver Hoxhës. Fishta “ashtë i mbuluem me mëni tradhëtie në Atdhe”, ka thënë At Daniel Gjeçaj.

Jam i vetdijshëm se po del e gjatë, por pasi folëm për ndikimet pozitive të personave dhe ngjarjeve historike, nuk mund të mos përmendi periudhën errët komuniste pothuaj 50-vjeçare dhe ndikimet e saj negative ndaj identitetit dhe vlerave tradicionale të shqiptarëve, që ndihen edhe sot në të gjitha sferat e jetës politike e shoqërore ndër shqiptarët.  Nuk është e moralshme të abstenohet përball së keqes! "Gjithçka ka historinë e vet, përfshirë edhe historinë vet," është shprehur historiani i njohur Xhon Lukacs. Historia e komunizmit është monstruoze; si e tillë duhet mbajtur mend, duhet dënuar dhe kujtuar, si një ideologji anti-kombëtare që nuk ka asgjë të përbashkët me identitetin dhe traditat e shqiptarëve. Si diçka që nuk ka kontribuar asgjë përveç, varfëri, vuajtje dhe vdekje. Për fat të keq, në vend që t’i bashkohen botës së qytetëruar për të ndëshkuar krimet e komunizmit dhe të kujtojnë viktimat e gjalla dhe të vrara të atij sistemi terrorist -- forcat aktuale nostalgjike të komunizmit shqiptar, në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, me arrogancën dhe indiferencën e tyre, po përpiqen me çdo mjet që kanë në dispozicion, të justifikojnë dhe të legjitimojnë krimet dhe të riabilitojnë figurën kriminale të regjimit diktatorial komunist; Enver Hoxhën. Shëmbull ndikimi më të keq në historinë dhe kulturën ndër shqiptarë, nuk besoj të ketë patur historia e Kombit!

Autori me Dr. Ibrahim Rugovën në Presidencë, 2005 – me Dr. Ibrahim Rugovën, Prof. Engjëll Sedaj dhe Simon Simolacaj në shtëpinë e autorit në Washington, në tetor, 1989, vizita e parë e Dr. Rugovës në SHBA, por jo e fundit

GM: Ibrahim Rugova - Lartësi Intelektuale dhe Krenari Kombëtare. Ju e keni njohur nga afër Dr. Rugovën. Çfarë përfaqësonte ai për ju personalisht dhe si e vlerësoni rolin e tij në historinë e kombit shqiptar?

FSH: Dr Ibrahim Rugova për mua ishte figura e duhur kombëtare në kohën e duhur për Kombin, kur jetoi dhe veproi. Ndoshta figura e pazevëndsueshme historike kombëtare për atë kohë. Unë e kam takuar për herë të parë Dr Ibrahim Rugovën në tetor të vitit 1989, kur ai dhe Dr Engjëll Sedaj më nderuan me vizitën e tyre në shtëpinë time në Virxhinia, afër Washingtonit, pasi kishin ardhur në Shtetet e Bashkuara të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork për të marrë pjesë në një seminar kushtuar Imzot Pjetër Bogdanit. Në atë kohë ai ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe për mua, deri atëherë, ai ishte i panjohur për arsye të rrethanave politike të kohës. Por fati e deshti që me kthimin e tij në Kosovë nga vizita e tij e parë në Shtetet e Bashkuara, ajo vizitë të mos ishte e fundit. Ngjarjet për Dr Rugovën, personalisht, dhe për Kosovën përgjithësisht, u zhvilluan ashtu si u zhvilluan dhe shumë shpejt. Pas asaj vizite në Amerikë në vitin 1989, Dr Rugova me bashkpuntorët e tij, themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), që besohet të ketë qenë e para parti politike anti-komuniste në Evropën Lindore në atë kohë, menjëherë pas shembjes së Murit të Berlinit. Takimet e mia me të kanë qenë të shumta gjatë pothuaj dy dekadave të fundit të jetës së tij, në kuadër të vizitave të tija të shpeshta në Washington gjatë 1990-ave dhe në fillim të shekullit të ri XXI dhe takimeve të shumta me komunitetin shqiptaro-amerikan. 15-vitet e fundit të jetës së Dr. Ibrahim Rugovës ishin vendimtare në historinë e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Ishte një periudhë historike që kërkonte guxim e vendosmëri – një periudhë që bërtiste për një udhëheqës, ndryshe për shqiptarët.  Kujtimet e mia janë të shumta dhe si rrjedhim jam dakort me karakterizimin tënd duke e përshkruar Dr Rugovën si një përfaqsues të denjë me “Lartësi Intelektuale dhe Krenari Kombëtare”.  Unë Dr. Ibrahim Rugovën – Presidentin Historik të Kosovës – e kam njohur dhe e kujtoj si një udhëheqës ndryshe nga liderët shqiptarë të trojeve tona në Baallkanin Perendimor, por jo vetëm, nga ata që kemi njohur gjatë 50-viteve të fundit ose më shumë.  E kujtoj si një udhëheqës i cili, që nga takimi i parë, me gjithse në atë kohë nuk besoj se kishte ndonjë ide se cili do ishte fati i tij politik dhe as e ardhmja e Kosovës, por më la me kuptue se vërtetë kishte mendime ndryshe nga kolegët e tij të edukuar nën komunizëm. Unë kam shkruar disa artikuj për Ibrahim Rugovën dhe u kërkoj ndjesë nëse aty këtu përsëris ato që kam thenë e shkruar më heret. Ai ishte i bindur se zgjidhja e vetme e çeshtjes së Kosovës ishte pavarësia, megjithse fillimisht ndoshta nuk ishte i sigurt se si to realizohej një gjë e tillë. Por ai kurrë nuk e humbi shpresën as rrugën drejtë pavarësisë së Kosovës dhe realizimit të objektivave kombëtare, në përgjithësi. Si përfundim, unë e vlerësoj rolin e tij si të njërit prej udhërrëfyesve më të dalluar të Kombit shqiptar të shekullit XX, por jo vetëm. E kujtoj si figurën që mbi supet e tij, gjatë viteve të kalvarit të Kosovës –kishte përgjegjësi të mëdha morale, politike e kombëtare, por që ia doli me sukses. Në një kohë kur për ‘të dhe për bashkpuntorët e tij të ngushtë, ishte shumë lehtë që të humbisnin shpresat dhe guximin nga vranësitë ndër më të errëta që kishin mbuluar ndonjëherë jetën kombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve, në përgjithësi.  Vlerësoj se kalimi i tij në amshim i parakohëshëm – atëherë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për të –ishte një humbje shumë e madhe. Unë kam pasur rastin të takoj pothuaj të gjithë ata që e quanin vetën “liderë” të shqiptarëve të 35-viteve të kaluara, por për mua ishte Dr Ibrahim Rugova ai që posedonte një grumbull të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri të sinqertë. Më shumë se çdo tjetër nga politikanët shqiptarë të gjysëm shekullit të kaluar, ai ishte një përfaqsues autentik i vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perëndimore, të shqiptarëve – pas një periudhe të zezë sllavo-komuniste prej gjysëm shekulli, të bazuar në një ideologji sllavo-aziatike e cila zbatonte brutalisht, si parim kryesor, shlyerjen, pikërisht, të këtyre vlerave kombëtare dhe të identitetit autentik kombëtar të shqiptarëve.

Duke bërë nderimet e rastit tek varri i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidenti Ibrahim Rugova asnjëherë nuk u demoralizua, nuk humbi shpresë as nuk ndërpreu përpjekjet e tija për lirinë e popullit të vet, por përdori çdo rast që i paraqitej, sidomos me të huajt, që të shpjegonte vuajtjet dhe padrejtësitë që i ishin bërë, historikisht, Kombit shqiptar gjatë shekujve.  Si një zëdhënës dhe interpretues ndryshe i historisë kombëtare Rugova para të huajve, lartësonte emrin dhe vlerat e Kombit shqiptar dhe të Dardanisë së tij të dashur, duke ndërkombëtarizuar, atë që e quanim atëherë si “çështja e Kosovës”: kërkesat e Kosovës për liri dhe pavarësi si dhe duke venë në dukje vuajtjet shekullore të shqiptarëve nga shteti terrorist serb dhe okupues të tjerë. Ndonëse fliste pak dhe urtësisht, Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë që ai e artikulonte shumë mirë me miqët perendimorë, sidomos me përfaqsues amerikanë — për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar, në liri dhe demokraci. Si asnjë udhëheqës tjetër i këtyre 35-viteve të fundit, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar, nëqoftse dëshironte të hynte, ndërshmërisht, në radhën e kombeve të përparuara të Përendimit. Ai besonte në përkrahjen e perëndimit demokratik drejt kësaj rruge për shqiptarët. Ai ishte sidomos i bindur për mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikes — drejt bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar në aleancat me vendet perëndimore, sipas tij, aty ku shqiptarët, historikisht, e kishin vendin e vet, që nga koha e Skenderbeu e këtej.  Ibrahim Rugova kishte një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai, domosdoshmërisht, ishte i vetdijshëm se, natyrisht, që trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për t’u përdour në mbrojtje të interesave të Kombit.  Por me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur — mbi të gjitha — edhe nderin e respektin emrit shqiptar. Një mesazh ky shumë aktual dhe tepër i nevojshëm për skenën politike shqiptare, si në Kososvë ashtu edhe në Shqipëri.  Kjo veti, është dhe mbetet edhe njëra nga trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, e që është përfaqësimi para botës -- sidomos asaj perëndimore -- me nder, burrëni dhe respekt i të drejtave dhe përgjegjësive kombëtare, përball shtypjeve dhe terrorizmit shekullor sllavo-serb kundër shqiptarëve autoktonë dardanë. Presidenti historik i Kosovës nuk u lëkund asnjëherë nga vija e drejtë e shqiptarizmit dhe as nga idealet e tija atdhetare.  Megjithë sfidat e mëdha me të cilat përballej ai dhe populli i tij, Dr. Rugova nuk hoqi kurrë dorë nga përpjekjet e tija dhe as nga bindja e tij se me ndihmën e miqëve historikë perëndimorë të shqiptarëve, Kosova, do të çlirohej nga zgjedha serbe dhe se, më në fund, do të fitonte lirinë dhe do të siguronte edhe pavarësinë e saj. Ç’prej fillimit, ai e kishte shumë të qartë objektivin përfundimtar për Kosovën si dhe mënyrat për realizimin e këtij objektivi. Fatkeqësisht, ai vdiq pa e shijuar frutën e shpalljes dhe njohjes zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës e sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurdoherë që fliste për Amerikën, përfundote me fjalët, “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”.  Jam i besimit se trashëgimia e lavdishme e jetës dhe veprës së Presidentit historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës të vazhdojë të lëshojë dritë përherë e më shumë për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve të Kosovës dhe mbarë Kombit. Duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për Kombin shqiptar.  Ashtu siç i ka hije një udhërrëfyesi historik ose një, “Heroi kombëtar, madhështor e mendjemprehtë”. siç e ka cilësuar Dr. Ibrahim Rugovën ish-Presidenti i Amerikës, Z. Joe Biden.

GM: Arbën Xhaferi është një tjetër personalitet i shquar shqiptar që keni pasur mundësinë ta njihni personalisht. Cilat janë disa nga kujtimet që mbani mend dhe çfarë ka lënë ai tek ju?

FSH: Arbën Xhaferin nuk mund të them se e kam njohur si Ibrahim Rugovën por edhe ky ishte një figurë e shquar, largpamës, një mendimtar politik, më i Madhi i shqiptarëve të Maqedonisë dhe ndër më të mëdhejt e mbarë shqiptarizmit, por edhe i përmasave, përtej botës shqiptare. Si intelektual, publicist e politikan, por mbi të gjitha atdhedashës me zemër e me shpirt, i trevave. Mund të them se edhe Arbën Xhaferi ishte personi i duhur në kohën e duhur. Shqiptarëve të Maqedonisë dhe kauzave kombëtare të kohës së tij, u mungonte një personalitet si Xhaferi – qoftë nga pikëpamja politike qoftë nga interesat kombëtare. Për fat të keq të Kombit ashtu si edhe Ibrahim Rugova, edhe ky ndërroi jetë në një moshë të re, atëherë kur mendimi politik shqiptar kishte më së shumti nevojë për këtë dijetar të madh, autor i “Skicës Mbrothësi e Përbashkët” -- njëfarë dekalogu për bashkpunim midis Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në Ballkanin Perëndimor, por duke përfshirë edhe bashkësitë shqiptare në vende të tjera: Një skicë për përparimin, mbarësinë dhe lulëzimin e Kombit shqiptar.  Ai ishte i vetdijshëm se sa e vështirë do ishte bashkimi i shqiptarëve, sipas idesë së tij, por ishte gjithashtu i bindur se pa bashkim nuk ka rrugëdalje tjetër që mund të kontrollohen proceset që në zhvillimin e tyre po degjenerojnë kapacitet kombëtare dhe shoqërore të shqiptarëve – disa prej të cilat i vemë re sot anë e mbanë trojeve shqiptare.  Për herë të parë e kam takuar Arbën Xhaferin në vitin 2005 gjatë një turne fakt-mbledhës në trojet shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Me qëllim për t’u këshilluar me krerët e politikës shqiptare dhe me përfaqësuesit diplomatikë amerikanë në rajon dhe pastaj për të raportuar mbi gjendjen politike në trojet shqiptare — me të kthyer në Washington – organizatës që përfaqësoja, KKSHA-në, si dhe zyrave dhe personave përkatës të administratës dhe të Kongresit Amerikan, që merreshin me çështjet shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Me Xhaferin jam takuar në kapacitetin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni.  Ishte e qartë se sëmundja kishte filluar ta rëndonte. Më dukej i lodhur fizikisht, i thjeshtë në pamje dhe modest në bisedë. Në të shprehur të mendimeve, Xhaferi ishte i kthjelltë dhe i thellë.  Ndërkohë që po fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe për marrëdhëniet e tensionuara midis popullsisë shqiptare dhe asaj maqedonase në vend, më ra menjeherë në sy, për të mos thënë se më habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia, pothuaj me të gjithë përfaqësuesit e tjerë të politikës shqiptare të asaj kohe anë e mbanë trojeve shqiptare — me përjashtim të Ibrahim Rugovës — të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste keq kundër partive të tjera ose liderëve të tyre, gjatë këtij takimi, as Arbën Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi ndonjë kritikë as dënim të pikëpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të tjerë politikë shqiptarë.  Jo vetëm ndaj shqiptarëve në Maqedoni, siç isha mësuar të dëgjoja në takime me përfaqësues të tjerë politikë shqiptarë, sidmos në Tiranë dhe në Prishtinë, por askënd nuk ofendonte.  Çfarë freskie e këndshme por e pazakontë për botën shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën Xhaferin.  Ai dallohej nga të tjerët, shprehej gjithmonë për një politikë ndryshe në diskursin politik, një ndër figurat më të spikatura ndër shqiptarë – një rilindas i vërtetë i kohërave moderne.  Respekti për ‘të dhe reputacioni i Arbën Xhaferit, si njeri i arsyes dhe si politikan tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijtë ndër-shqiptarë. Si i tillë, ai ka lënë përshtypje të thella, jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe ndër të huaj, me të cilët është takuar gjatë karrierës së tij, si udhëheqës politik dhe si ndër intelektualët më të shquar shqiptarë. Mbi të gjitha, Arbën Xhaferi dallohej për diplomacinë respektin dhe karakterin e tij, edhe në takimet me udhëheqës të huaj me përvojë dhe të njohur në fushën e politikës ndërkombëtare. Njëri prej këtyre udhëheqësve të huaj, ish-Presidenti i Italisë, z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy mendimtarë shqiptarë që i respektonte bota -- atëherë dhe sot -- se, “Nëse Arbën Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël”.  Një atribut ky shumë me vend -- për të gjithë ata që kanë njohur Xhaferin dhe Rugovën, nga një udhëheqësi i huaj me reputacion.  Për aq sa e njihja Arbën Xhaferi më ka mbetur në kujtesë si njëri prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të Kombit Shqiptar. Si një njëri prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të dalluar të botës shqiptare në përgjithësi -- vepra, filozofia politike dhe publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e artë dhe pikë referimi për frymëzimin e brezave të ardhëshëm të shqiptarëve. Po e mbyll me një citim të Arbën Xhaferi "Çështja shqiptare nuk është fiksion ose romantizëm, por realitet…tani mbetet të shqyrtohet realiteti", ka deklaruar Arbën Xhaferi në një intervistë televizive.  Një porosi brezave nga Xhaferi se bashkimi i territoreve shqiptare në një shtet duhet të bëhet në kontekstin e zgjidhjes së çështjes shqiptare, pa të cilën nuk mund të zgjidhen as krizat në Ballkanin Perendimor.

Në celebrimin e 90-vjetorit të lindjes së Prof. Dr. Sami Repishtit

GM: Prof. Dr. Sami Repishti, i cili përjetoi Monarkinë, Fashizmin, Nazizmin dhe Komunizmin - si dhe vuajti burgjet dhe kampet e regjimit komunist - nuk është më. Ju e keni njohur nga afër, ashtu si edhe veprën e tij. Si do ta përshkruanit figurën dhe trashëgiminë e tij?

FSH: Për jetën prej një shekulli dhe për veprat e tij, profesor Repishti është njëri prej të pa zëvendsueshmëve dhe i pa arrijtshëm. Veprimtaria e Profesor Repishtit ishte shumë dimensionale, por do përpiqem të kufizoj komentet e mia mbi Profesorin e nderuar shkodran, mbi qendrimet e tij ndaj komunizmit enverist dhe mbi veprimtarinë e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo për arsyen se ai vet e identifikonte veten si një ish-i burgosur politik (1946-1956) dhe si aktivist i të drejtave të njeriut.  Profesor Repishti siç sugjeroni edhe ju në pyetjen tuaj, ka pasur përvoja të idhta me të gjithë “izmat” e shekullit të kaluar, sidomos me diktaturën e komunizmit të Enver Hoxhës. Pasi, që në fillim mori një qëndrim të prerë kundër regjimit të ri komunist, ai arrestohet në vitin 1946 dhe pas 14 muaj torturash të egra nga ish-Sigurimi i Shtetit dënohet me 15 vjet burg dhe punë të detyrueshme, nga të cilat bëri 10-vjet në birucë. Lirohet në vitin 1956 dhe arratiset në vitin 1959, duke arritur më në fund në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1962.  Ishte kjo eksperiencë që i kishte venë atij një detyrim dhe përgjegjësi morale që të fliste hapur, “për me tregue” për krimet e komunizmit. Ishte shumë konsekuent në këtë pikë dhe nuk humbiste asnjë rast për të folur dhe shkruar për të zezat e komunizmit. “Denoncimi i tyne, justifikon mbijetesën time”, është shprehur me një rast Profesor Sami Repishti.  Ka qenë shqiptari i parë që ka dhënë dëshmi në Kongresin Amerikan, menjiherë pas ardhjes së tij në Amerikë, në vitin 1962 mbi krimet e regjimit të Enver Hoxhës dhe për shqiptarët në Ballkan.  Profesor Repishti, shkruante dhe fliste, si ta kishte një mision profetik mbrojtjen e të drejtave të njeriut për shqiptarët por edhe në mbarë botën, në një kohë kur të drejtat e njeriut ishin një subjekt për të cilin nuk fliste pothuaj askush.  Pasi kishte kaluar shumë vite në burgjet e Enver Hoxhës me klerikët katolikë më të dalluar të Kombit, Profesor Repishti kishte lidhur miqësi të ngushta me ‘ta -- me të cilët kishte përjetuar ferrin në burgjet komuniste të Shqipërisë. Të shumtë janë artikujt, madje edhe libra të Profesor Repishtit kushtuar vuajtjeve dhe persekutimeve të klerit katolik në burgjet e Enver Hoxhës. Deri në ditët e fundit të jetës së tij ai nuk pushoi së shkruari në mbrojtje të klerit katolik shqiptar me të cilët vuajti në komunizëm.  Me rastin e ceremonisë së Lumnimit të 38 martirëve të klerit katolik shqiptar, më 5 nëntor, 2016, Profesor Repishti kishte shkruar librin “Lotë-Lavdi e Lumnim”, kushtuar  këtyre martirëve, “Me mirënjohjen dhe respektin ma të thellë” nga vetë autori, bashkëvuajtës me shumë prej tyre në burgjet e Enver Hoxhës, me këtë motivacion: “Për 38 Martirët e fesë katolike dhe kolegët e tyne të masakruem nga terrori komunist, për atë madhështi të pa shkallë që përvujtënia falë vetëm për njerëzit e kushtuem, për atë qetësi që buron vetëm nga shpirti i qenieve njerëzore pa kërkesa, për atë hir që rrezaton vetëm ata që idenë e kanë afsh zemre e përpjekjen për atë ide -- qëllim të vetëm të jetës së tyne…Shërbim për Zotin e krijesën e Tij, që unë dëshmova gjatë viteve të burgut të përbashkët!”, ka shkruar Profesor Repishti në dedikimin e librit kushtuar martirëve të lumnuar shqiptarë.

Senatori Bob Dole, Profesor Sami Repishti, aktivisti i çeshtjes shqiptare Jim Xhema

Ndër të tjera, kjo është trashëgimia kryesore e Profesor Sami Repishtit se si rrallë kush ka shkruar, ka folur dhe ka denoncuar të keqen e madhe komunizmit barbar edhe për informacion për botën perendimore. Profesor Repishti do të mbahet mend gjithashtu edhe si aktivist i dalluar kombëtar dhe ndërkombëtar në mbrojtje të të drejtave të njeriut.  Në fushën e të drejtave të njeriut, Profesor Sami Repishti ishte një ikonë shqiptaro-amerikane. Një mbështetës i fortë i idealeve të drejtave të njeriut, si vlera universale njerëzore për të gjithë ne – vlera këto të cilat Prof. Repishti i ka jetuar, i ka mbështetur dhe i ka zbatuar gjithë jetën e tij dhe pa dalllim për të gjitha qenjet njerëzore. Ai ishte një person i veçant që ia ka kushtuar jetën mbrojtjes dhe promovimit të drejtave të njeriut, jo vetëm në trojet shqiptare nën komunizëm, por anë e mbanë botës. Ishte aktiv me organizatën e të drejtave të njeriut Amnesty International, si një person vlerash dhe virtytesh njerzore! Gjithë jetën e vet, Prof. Repishti ka treguar një forcë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme morale në fushën e të drejtave të njeriut dhe ka pasqyruar vlerat dhe një besim të fortë për t’ia pasur gjithkush lakmi, të pakën nga ata që i respektojnë këto vlera. Ai kurrë nuk është dorëzuar në luftën për të drejtat e njeriut. Pothuaj deri në vitin e fundit të jetës së tij në këtë botë, as mosha, asgjë dhe askush nuk e ndalonte atë që të shprehej dhe të shkruante në mbështetje të të drejtave të njeriut, të vlerave, të drejtave universale dhe të integritetit të individit. Kjo për arsye se Prof. Repishti nuk ka pasur kurrë frikë të merrte qëndrime të prera dhe të vendosura në mbështetje të parimeve në të cilat ai besonte. Madje edhe në rrethanat më të vështira në burgjet e komunizmit shqiptar dhe jugosllav, ai nuk heshti, por kundërshtoi padrejtësitë. Gjatë gjithë jetës së tij, Prof. Repishti ka besuar se kur flasim për respektin për të drejtat e njeriut, pa marrë parasysh rrethanat, njeriu nuk mund të mbetet asnjanës. Ai citonte aktivistin e të drejtave të njeriut dhe fituesin e Çmimit Nobel, Elie Wiesel, “të jesh asnjanës, vetëm ndihmon shtypësin dhe kurrë viktimën dhe heshtja inkurajon gjithmonë torturuesin dhe asnjëherë të torturuarin”. Sami Repishti, vërtetë nuk heshti kurrë dhe askund kur shkeleshin brutalisht të drejtat e njeriut kudo.  Kjo rezistencë e tij ndaj së keqës, sidomos ndaj komunizmit, ka shkruar me një rast Prof. Repishti, “Më ka obliguar moralisht për të ndarë me të tjerët ato që kam parë, sidomos krimet e diktaturës së proletariatit. Duke venë në dukje, jo vetëm vuajtjet e popullit tonë, por edhe karakterin e popullit shqiptar, i cili i qëndroi besnik vetvetes, përball kërcënimeve të ndryshme, përfshir edhe kërcënimet me vdekje”.  Kështu që, interesimi dhe vendimi i Prof. Repishtit për t’iu dedikuar mbrojtjes së të drejtave të njeriut nuk kishte filluar në 10-20 as në 30-vitet e fundit.  Kauza e të drejtave të njeriut për ‘të ishte bërë pasion i jetës së tij qysh në fillim. Angazhimi i tij për të drejtat e njeriut e ka zanafillën atje, në vitet e vuajtjeve të tija, në burgjet komuniste, si i burgosur politik në Shqipëri, ku vuajti 10 vjet burgim, së bashku me intelektualët më të dalluar të Shqipërisë së asaj kohe, përfshirë edhe klerikët katolikë shqiptarë më të shquar, ndërkohë që kishte qenë dëshmitar i tmerreve që ata vuajtën në duar të torturuesve komunistë. Deri në ditët e fundit të jetës së tij, Prof. Sami Repishti nuk heshti as nuk hoqi dorë nga mbrojtja e të drejtave të njeriut në botën shqiptare, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri por dhe kudo në botë. Nuk besoj se bota shqiptare të ketë pasur një mbështetës më të fortë të drejtave të njeriut se Profesor Sami Repishtin.  Besoj se shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, si edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, do ta kujtojmë gjithmonë me krenari Profesor Repishtin për veprimtarinë e tij në fushën e të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët në veçanti.

Jim Xhema (majtas) me ish-senatorin Bob Dole dhe ish-presidentin Bill Clinton, në mbrëmjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, qershor 2003

GM: Çfarë do të dëshironit të ndani me lexuesit tanë rreth Jim Xhemës, një personalitet me ndikim dhe mbështetës i palëkundur i çështjes shqiptare?

FSH:  Xhim Xhema është njëri prej aktivistëve më të dalluar shqiptaro-amerikanë, për të mos thenë më i dalluari gjatë shumë dekadave i çeshtjes së Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi dhe një biznismen i mirë-njohur, shumë i suksesshëm në nivel kombëtar amerikan. I njohur gjithashtu edhe si ambasador i komunitetit shqiptaro-amerikan në marrëdhëniet me politikanët amerikanë dhe me entet më të larta të qeverisë amerikane në Washington për shumë dekada, e deri në ditët e sotme. I njohur, edhe si njeriu që i qiti shumë telashe Beogradit, pikërisht, për lidhjet e tija të ngushta me elitën politike amerikane në favor të çeshtjes së Kosovës – lirisë dhe pavarësisë së saj. Një bashkpuntor i ngushtë i Presidenti historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës, Xhim Xhema, është dalluar, gjerësisht, për punën e tij heroike dhe për kontributet që ka dhënë në realizimin e çlirimit të Kosovës nga regjimi barbar i Serbisë duke ndryshuar, kështu, për më mirë dhe përgjithmonë, historinë e kombit shqiptar. Ai ishte dhe, me të vërtetë, mbetet i pa-arritshëm në këtë fushë, ashtu siç mbetet edhe një njeri tepër shumë modest. Devotshmëria e tij ndaj çështjes shqiptare dhe puna e tij e palodhur drejtë përmirsimit të jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut, do mbetet legjendare.  Përkushtimi dhe devocioni i Xhim Xhemës – dje dhe sot — ndaj interesave shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në trojet e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor nuk kanë kufi. Xhim Xhema e kishte kuptuar shumë mirë se fati i shqiptarëve nga fillimi i shkeullit të kaluar ka qenë i lidhur me Amerikën. I vetdijshëm për rolin që kishte luajtur komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me Fan Nolin – në fillim të shekullit XX– në ndërmjetësimin e presidentit amerikan Woodrow Wilson, në favor të pavarësisë së Shqipërisë, Xhimi me disa pjesëtarë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan kishte ardhur në përfundimin se vetëm Amerika do të ndihmonte shqiptarët dhe të drejtat e tyre -- edhe në fund të shekullit XX.  Ai filloi të trokiste në dyertë e senatorëve dhe kongresmënve më të njohur të jetës politike amerikane, për t’i njohur ata me situatën tepër të vështirë përball të cilës gjëndeshin shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta. Si kurrë më parë, dyertë e zyrave më me influencë të politikës amerikane nuk u mbyllën për Xhim Xhemën.  Kam patur fatin që Xhim (Xhemail) Xhemën ta kem njohur për më shumë se 40-vjetë. E kisha takuar për herë të parë në Washington aty nga gjysma e 1980-ave, në një prej vizitave të tija të shpeshta që bënte në atë kohë nga New Yorku në Washington. Ishte pothuaj kulmi i luftës së ftohtë, por edhe fillimi i përpjekjeve të shqiptaro-amerikanëve për ndërkombëtarizimin e asaj, që në atë kohë filluam t’a cilësonim si, “Çështja Kosovare”, “The Kosova issue”. Deri në vitet 80-ta, ish-Jugosllavia, megjithse një vend komunist, gëzonte një mbështetje dhe reputacion të konsiderueshmëm në Washington, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste. Fjalët e ish-Jugosllavisë kishin peshë dhe jo vetëm në qarqet qeveritare, por edhe në ato akademike dhe gazetareske. Por ja, më në fund, falë veprimtarisë së Xhim Xhemës me shokë, gënjeshtrave dhe shpjegimeve zyrtare të Serbisë mbi situatën dhe trajtimin e tmershëm që u bëhej të shqiptarëve të Kosovës, u kishte dalë boja. Diplomacia jugosllave kishte filluar të vihesh gjithnjë e më shumë në dyshim nga Washingtoni zyrtar.  Serbia kishte filluar të fliste me veten, pasi nuk priste një ndryshim të qendrimit të Washingtonit ndaj shqiptarëve “irredentistë” të Kosovës, por gënjeshtrat e Beogradit nuk ishin më monopol i Serbisë. Tashti kishte edhe një zë të besueshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me ngjarjet në Kosovë, një zë që filloi të siguronte besimin dhe bindjen e zyrtarëve të Washingtonit dhe botës, se diçka e tmershme po ndodhte në Kosovë. Vërtetë, diçka po ndodhte! E vërteta mbi trajtimin e keq të shqiptarëve nga regjimi i Beogradit, më në fund, kishte arritur në korridoret politikës në Washington, falë përpjekjeve të Xhimit me shokë, të cilët nepërmjet të vërtetës mbi gjëndjen e vështirë të shqiptarëve të Kosovës, do të ushtrohej influencë mbi politikën amerikane në favor të kauzës së shqiptarëve për liri e demokraci dhe më në fund edhe për mbështetjen e pavarsisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara. Është meritë e Xhim Xhemës me shokë që komuniteti shqiptaro-amerikan siguroi mbështetjen për kauzën shqiptare të disa ligjvensve më me influencë në Amerikë, si republikanë ashtu edhe demokratë.  

Nga inaugurimi i rrugës “A” me emrin e aktivistit të madh shqiptaro-amerikan, Jim Xhema, duke përjetësuar emrin e tij për brezat e ardhshëm në Prishtinë dhe Kosovë, falë kontributit të tij të pazevëndësueshëm, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Jim Xhema, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama me bashkshorten

Xhimi ishte bërë si “vendas” në Washington gjatë 80-ave dhe 90-ave.  Më kujtohet me një rast një vizitë e Xhim Xhemës në Kongresin amerikan.  Ndërsa po shkonte tek disa zyra të ligjvensve, dëgjoheshin zërat e stafit që e panë, duke thirrur, “Jimmy is coming, Jimmy is coming”, Po vjen Xhimi, Po Vjen Xhimi.  E tillë ishte prezenca e tij, sidomos në Kongresin amerikan por edhe në ente të tjera qeveritare në Washington. Sidomos, miqësia e tij me Senatorin Bob Dole, ishte kritike në mendimin tim. Xhimi kishte mbështetur fuqishëm fushatat politike të Senatorit Dole dhe ish-presdentit George Bush por jo vetëm me këta.  Ishte meritë e Xhimit se dinte të bënte për veten politikanë me mendime të ndryshme nga të dy partitë kryesore, përfshirë jo vetëm senatorët nga New Yorku e Connecticut, ku jetonte dhe punonte, por edhe nga shtete më të largëta, si Senatori Bob Dole nga Kansas dhe Senatori Mitch McConnell nga shtetit Kentucky, me të cilin Xhimi vazhdon të ruaj miqësi të ngushtë. Për disa dekada me rradhë, Xhim Xhema e kishte gjithmonë gishtin në pulsin e politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj shqiptarëve në përgjithsi dhe ndaj Kosovës në veçanti, deri në shpalljen e pavarësisë, por edhe deri në ditët e sotëme.  Kryetari i Komunës së Prishtinës, Z. Përparim Rama në njoftimin e tij për të emërtuar rrugën në nderim të Xhim Xhemës në kryeqytetin e Kosovës ka përjetësuar përgjithmonë emrin e tij në historinë e trojeve dardane e ka thënë më së miri se, “Xhim Xhema, një patrioti i yni, me punën e palodhshme la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë moderne”.

GM: Diaspora shqiptare në Amerikë gjithnjë e ka pasur vëmendjen e kthyer nga atdheu, duke mos harruar rrënjët dhe duke dhënë një kontribut të çmuar për kombin tonë të përbashkët. Cilët shqiptarë të tjerë të Amerikës do të veçonit?

FSH: Ke të drejtë për këtë që thua, Z.Gëzim. Xhim Xhema nuk ishte i vetmi që kontriboi në çeshtjen shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Tepër modest gjithmonë, Jim Xhema është i pari që e thotë këtë. Ai gjithmonë përmend emra dhe grupe që kanë bashkpunuar me ‘të gjatë dekadave në mbështetje të kauzave kombëtare anë e mbanë trojeve tona dhe me përfaqësues të krahinave të ndryshme shqiptare. Shumë prej tyre kanë kaluar në atë jetë e shumë janë ende gjallë.  Nuk dua të përmend emra, nga frika se po lë jashtë listës persona me shumë merita, por  ke të drejtë se si komunitet, shqiptaro-amerikanët, kanë dhënë ndoshta më shumë se kush tjetër - mund, djersë, kohë e ndihma financiare –natyrisht, pa dashur të nënvlersoj edhe kontributet e mëdha të diasporës shqiptare në Evropë dhe gjetkë. Periudha e 1980-ave dhe 1990-ave besoj se mund të konsiderohet si një periudhë e artë në historinë e mërgimit shqiptar dhe historisë shqiptaro-amerikane në përgjithsi, për nga bashkpunimi dhe bashkrendimi i veprimtarive në mbështetje të kauzave kombëtare gjatë atyre dy dekadave – shembjes së komunizmit sllavo-aziatik në Shqipëri dhe luftës, çlirimit e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga pushtimi terrorist barbar serb prej më shumë se një shekulli regjimesh terroristo-komuniste serbojugosllave. Një meritë e madhe për këtë bashkpunim midis grupeve dhe individëve të komunitetit shqiptaro-amerikan i shkon, padyshim, Presidentit historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës, i cili në atë kohë kishte mbështetjen e pothuaj mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan, pa dallime politike, fetare a krahinore, si udhëheqës i padiskutueshëm i shqiptarëve të Kosovës dhe mërgimit.

Peshkop Fan Noli                                                          Faik Konica

GM: Diaspora shqiptare, në përgjithësi, ka luajtur dhe vazhdon të luaj një rol thelbësor në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe politik të Shqipërisë, Kosovës dhe trevave shqiptare. Cilat momente historike të diasporës do t’i konsideronit si më të rëndësishmet?

FSH: Kur flasim për diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht, se diaspora e vjetër shqiptaro-amerikane e fillim shekullit të kaluar – me udhëheqsit Peshkop Fan Noli e Faik Konica, themelues të Federatës Vatra dhe gazetës Dielli, kanë luajtur një rol historik në sigurimin e mbështetjes amerikane për pavarsinë e Shqipërisë dhe në shtetformimin e Shqipërisë, pas pavarësisë, si dhe në njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri.  Peshkop Fan Noli, si udhëheqës shpirtëror, intelektual dhe politikan, e përdori Vatren si një ent të rëndësishëm kombëtar, për të mirën e Atdheut. Ashtu si edhe përpjekjet e diasporës së mëvonshme shqiptaro-amerikane në fund të shekullit të kaluar në mbështetje të Kosovës -- diaspora shqiptare e asaj kohe, kryesisht, e vendosur në Boston e më vonë në Nju Jork, ka qenë angazhuar për të propaganduar ose, me fjalorin e sotëm, për të ndërkombëtarizuar çeshtjen shqiptare, qoftë në Amerikë, qoftë në nivel ndërkombëtar.  Ia vlen të përmendet këtu delegacioni i Vatrës që ishte dërguar në Konferencën e Paqës në Paris më 1919, në përpjekje për të ndaluar ndarjen e tokave shqiptare fqinjëve armiqsorë të Shqipërisë dhe për të siguruar mbështetjen politike dhe diplomatike për Shqipërinë, në nivel ndërkombëtar, si dy qëllime madhore për shpëtimin e Shqipërisë. Vatra pra, si organizata kryesore e komunitetit shqiptaro-amerikan në atë kohë, kishte angazhuar gjatë atyre viteve të para të shtetit, të gjitha burimet e komunitetit shqiptaro-amerikan në vitet 1912-19920, në mbështetje të shtetit të ri të pavarur shqiptar. Jo vetëm me veprimtari politike e diplomaci për të siguruar mbështetjen ndrkombëtare, sidomos të Amerikës për shtetin e ri shqiptar, por organizonte edhe mbledhje fondesh financiare për shtetin e ri – për buxhetin e Shqipërisë së pavarur.  Ashtu siç veproi diaspora e hershme shqiptare në krye me Nolin e Konicën në mbështetje të shtetit të ri shqiptar në dekadën e dytë të shekullit të kaluar, ashtu veproi edhe diaspora shqiptaro-amerikane në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës, pothuaj me të njëjtat metoda dhe në një mënyrë më efektive dhe më të organizuar moderne. Për faktin se komuniteti shqiptaro-amerikan i fund shekullit të kaluar ishte shumë më i madh, i përbërë nga emigracioni anti-komunist i pas Luftës së II Botërore dhe nga refugjatët politikë nga Kosova të ardhur nga trojet e tjera shqiptare në Amerikë gjatë tre dekadave të fundit të shekullit XX. Brezi i ri dhe brezi i vjetër i shqiptarëve në këtë vend konsoliduan forcat e tyre në mbështetje të Kosovës, me demonstrata anti-jugosllave në Washington dhe qytete të tjera amerikane për të informuar publikun dhe politikën amerikane se çfarë po ndodhte në Kosovë. Në këtë mes luajtën një rol të rëndësishëm edhe qendrat fetare shqiptare në Amerikë. Ndërkohë që biznesmenët shqiptaro-amerikanë me mbështjen e komunitetit të këtushëm, formuan një ndër lobingjet më të forta që kishte në Washington gjatë asaj kohe. Për disa vite, lobimi shqiptar në Amerikë konsiderohej i dyti më me influencë në Washington, pas atij izraelit. Mbledhja e fondeve për institucionet paralele në Kosovë, ka qenë një aktivitet tjetër në ndihmë të Kosovës duke mbledhur miliona dollarë për nevojat e shqiptarëve të Kosovës, në një kohë që regjimi terrorist i Millosheviqit kishte mbyllur të gjitha instucionet dhe kishte ndërprerë të gjitha fondet. Fondet e grumbulluara nga shqiptaro-amerikanët, por jo vetëm, siç dihet ishin për tu përdorur për nevojat bazë të shqiptarëve të Kosovës, sidomos në shëndetsi, arsim dhe më vonë edhe për armatim.

GM: Gjatë historisë sonë, shumë burra dhe gra kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për kombin, duke u bërë shembuj frymëzimi. Sipas jush, cilët janë disa nga personalitetet më të rëndësishme kombëtare dhe çfarë vlerësimi keni për rolin e tyre?

FSH: Është e vërtetë se shumë figura të Kombit shqiptar, gjatë shekujve, kanë kontribuar shumë për Kombin tonë për të mbijetuar pushtimet me qëllim shfarosjeje, përpjekjet, sidomos, të fqinjve për të zhdukur identitetin, kulturën dhe gjuhën shqipe në trojet iliro-arbërore. Kjo listë është shumë e gjatë dhe nuk dëshiroj të përpiloj një listen timen të kontribuesve më të mëdhej të kombit, se dashtë e pa dashtë, do gaboja rëndë, duke lënë jashtë emra dhe figura historike.  Por ajo që dua të them është se si brezi i sotëm i shqiptarve po i përdor ose jo porositë dhe kontributet e tyre për një të ardhme më të mirë të vendit dhe të Kombit.  Por për një përgjigje më të informuar lexuesit mund të drejtohen tek një shkrim imi botuar edhe në Zemra Shqiptare 11-vjet më parë në lidhje me promovimin e “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807-1957”, të autorit Ndriçim Kulla. Jam në ujdi të plotë me Z. Kulla sa i përket listës së tij për përfaqsuesit e mendimeve të shëndosha kombëtare, ose më mirë të themi testamentet e disa prej figurave më të ndriturve të mendimit shqiptar. Sipas tre vëllimeve të “Enciklopedisë Antologjike e Mendimit Shqiptar 1807-1957”, të studiuesit Ndriçim Kulla ata janë: Gjon Gazulli, Marlin Barleti, Engjëll Mashi, Xhuzepe Krispi, Vincenso Dorsa, Dhimitër Kamarda, Jeronim De Rada, Elena Gjika, Hasan Tahsini, Zef Jubani, Jani Vreto, Vaso Pasha, Sami Frashëri, Shahin Kolonja, Ismail Qemali, Mithat Frashëri, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dom Lazër Shantoja, At Ambroz Malaskaj, Visarion Xhuvani, Faik Konica, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, I Përndershmi Fan Stilian Noli, Eqërem bej Vlora, Branko Merxhani, At Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Krist Maloki, At Xhiuseppe (Zef) Valentini, Profesor Ernest Koliqi, Gaetano Petrotta, Karl Gurakuqi, Jorgji Meksi, Vangjel Kola, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Hafiz Ali Kraja, Ismet Toto, Safet Butka, Nonda Bulka, Sejfulla Malishova, Zef Mala, At Gjon Shllaku, At Benedikt Dema, At Donat Kurti, Stavro Skëndi, Arshi Pipa, Isuf Luzaj, At Marian Serdani, Filip Fishta, Profesor Eqrem Çabej, Athanas Gegaj, Ilo Mitkë Qafzezi, Dhimitër Shuteriqi, Kristo Floqi, Mustafa Kruja, Osman Myderizi, Zef Mark Harapi, At Shtjefën Gjeçovi, Dom Nikoll Gazulli, At Bernadin Palaj, Dom Gaspër Gurakuqi, Jakov Milaj, Dom Ndoc Suma, Gjon Kasmi, Mitrush Kuteli, At Justin Rrota, Mati Logoreci, Profesor Martin Camaj, Namik Resuli, Selman Riza, Aleksandër Xhuvani, ndër të tjerë.

GM: Kush mendoni se kanë qenë dhe janë miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, si në aspektin historik ashtu edhe në atë aktual?

FSH: Diku kam lexuar që Lord Byroni, të ketë shkruar se: “S’ka komb tjetër të jetë marrë nëpër këmbë kaq pamëshirshëm nga shtetet fqinjë, sa shqiptarët”.  Nuk di nëse pyetja nënkupton  ose i referohet se cilët janë ose kanë qenë shtetet mike apo individë të huaj, miq të shqiptarëve gjatë historisë. Nuk jam historian dhe është vështirë përgjigjem në këtë pyetje, por e di se Shqipëria dhe shqiptarët, gjatë historisë kanë pasur më shumë armiq se sa miq. Historikisht, ndër miqët e shqiptarëve, mund të konsiderojmë Vatikanin dhe Austrinë – Vatikanin për ndihmën dhenë Gjergj Kastrioti-Skenderbe dhe për faktin se aty është mbledhur dhe ruhet historia më autentike e dokumentuar shekulllore e Kombit shqiptar.  Austria/Austro-Hungaria për ndihmën dhënë shqiptarëve në mbarim të shekullit 19 e në fillim të shekullit 20. Me qëllim të zhvillimit të gjuhës, kulturës, të vetëdijes dhe ruajtjes së identitetit kombëtar me qëllimin përfundimtar të shkëputjes eventuale të shqiptarëve nga Turqia otomane. Siç tha edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në vizitën e ditëve të fundit e saj në Austri, “miqësia me Austrinë mbetet një shtyllë e fortë e rrugëtimit tonë evropian”.  Në përgjithsi pra, Austria ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe identittetit kombëtar të shqiptarëve në trojet e tyre, me qëllim përfundmtar të shkëputjes së shqiptarëve nga turqit dhe krijimit të shtetit të tyre të pavarur.  Sa i përket miqëve të historisë më moderne të shekullit XX-XXI, nuk ka dyshim se ndër miqët kryesorë të Kombit shqiptar e treguan veten Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke iu gjendur pranë Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar me mbrojtjen e Shqipërisë nga Presidenti Uodro Wilson në Konferencën e Paqes në Paris.  

Në mbarim të shekullit të kaluar, ishin përsëri Shtetet e Bashkuara shteti mik që u gjënd pranë shqiptarëve të Kosovës. Por kësaj radhe Amerika u erdhë në mbështetje shqiptarëve, në koalicion me vendet e tjera perëndimore, me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër Serbisë, duke çliruar tokën dardane.  Sa u përket miqëve individë të shqiptarëve nga bota perëndimore dhe nga mbarë bota – ata janë të shumtë, duke filluar nga figurat më të larta politike amerikane dhe evropiane.  Të shumtë janë figurat botërore nga të gjitha fushat e jetës, miq historikë dhe aktualë të shqiptarëve. Edhe shqiptarët janë treguar dhe po tregohen mirënjohës për ndihmën e marrë nga miqët perëndimorë, në kohërat më të vështira të historisë së tyre. Nuk po e zgjas, por po citoj një prej miqëve/mikeshave të shqiptarëve, anglezen Edith Durham e cila ka thenë se, “Shqiptari…krenohet se kurrë nuk ka tradhëtuar një mik dhe nuk ka falur një armik.”  Shpresojmë të jetë kështu tani dhe në të ardhmen – që të vazhdojmë tu jemi mirënjohës miqëve për ndihmën e tyre, gjatë historisë.

Qytetarët turq të dëbuar nga Kosova me urdhër të Presidentit turk Erdogan

GM: Në Kosovë dhe Shqipëri, janë kryer arrestime dhe deportime arbitrare të shtetasve turq për llogari të presidentit të Turqisë, Erdogan. Po ashtu, janë mbyllur shkolla dhe kopshte fëmijësh në mënyrë të njëjtë arbitrare. Ndikimi kulturor, shpirtëror dhe “ëndërror’’ turk është shqetësues. Shqipëria Natyrale, një vend me shumë probleme, ka shfaqur një situatë tragjikomike, duke u bërë edhe një ‘’fushë-betejë’’ mes erdoganistëve dhe gylenistëve. Si e shikoni praninë e ndikimit erdoganist në trojet shqiptare?

FSH: Ky ishte një rast që vërteton paralajmërimet e mia v10-15 vjet më parë mbi rrezikun turko-rus në trojet shqiptare. Modestësisht, jam munduar të ngre zërin tim për rrezikun e përhapjes së influencës ruso-turke që i kanosej Balllkanit Perëndimor, në përgjithësi, dhe në veçanti  Shqipërisë e Kosovës.  Jam munduar gjithashtu të paralajmëroj, sidomos, për rrezikun që do të vinte nga flirtimi që kemi venë re, vitet e fundit, në marrëdhëniet e udhëheqësve shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë me protagonistët kryesorë të kësaj përhapjeje të influencës turko-ruse, të frmyëzuar dhe të mbështetur nga Putin-Erdogan dhe emisarët e tyre, anë e mbanë trojeve shqiptare. Ky angazhim dhe kjo politikë e udhëheqësve autoritarë të këtyre dy vendeve – historikisht -- jo-mike për shqiptarët në trojet e veta, është aq dashakeqës sot, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë historisë së shqiptarëve. Rasti që ju përmendni pra -- arrestimi dhe deportimi në Turqi i shtetasve turq nga Kosova dhe Shqipëria, ishte një rast flagrant, illegal që pasqyron më së miri zgjërimin e influencës turke, në nivelet më të larta politike në Ballkan, siç janë Kosova e Shqipëria. Duke u dhënë përparësi interesave turke në dëm të rendit të brendshëm dhe ligjeve ndërkombëtare, por edhe në dëm të interesave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre. Mbaj mend në atë kohë edhe reagimet e Ambasadës Amerikane për shkeljet e shumta ligjore dhe procedurale nga entet zyrtare të Kosovës dhe “manipulimet politike” në rastin e dëbimit nga Kosova të mësuesve turq, të lidhur me Gulenin, kundërshtar politik i Erdoganit. “Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe u rikujtojmë liderëve të Kosovës se institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit”. Ai rast nuk kishte të bënte me fajsinë apo pafajësinë e individëve, por me një shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Republikës së Kosovës. Arrestimet dhe deportimet arbitrare të shtetasve turq për llogari të presidentit të Turqisë, Erdogan binin ndesh me ligjet vendore dhe ndërkombëtare, por kanë shkelur rëndë njëkohësisht edhe traditat shqiptare të mikpritjes dhe strehimit të mikut. “Shpija e Shqiptarit ashtë e Zotit dhe e mikut”.  Miqtë turq që Kosova dhe Shqipëria i dorëzuan autoriteteve turke, u prenë në besë! Thuhej dikur se për atë që pret në besë mikun e shtëpisë, atij nuk i mbetet tjetër veç “a të fiket a të koritet”. Shqiptarët u koritën.  Kjo është një ndër vlerat themelore shqiptare, me të cilat jemi krenarë, vlera që na kanë dalluar nga të tjerët popuj, por që janë shkelur brutalisht para botës nga autoritetet e asaj kohe në Prishtinë dhe në Tiranë, me dorëzimin e shtetasve turq të pafajshëm,  autoriteteve turke – për dënim e burgim.

GM: Anëtarësimi në Bashkimin Europian është ëndrra e shumicës së shqiptarëve. A mendoni se realizimi i kësaj ëndrre mund të sjellë një tkurrje të mëtejshme të popullsisë në trojet tona, duke pasur parasysh se ndoshta jemi ndër popujt më të prirur për emigrim në botë?”

FSH: E kam thënë ç’prej fillimit se nuk besoj se Shqipëria ishte/është aq e interesuar për antarësim në Bashkimin Evropian (BE), megjithse si thua edhe vet, antarësimi i Shqipërisë në BE mund të jetë ëndrra e shumicës së shqiptarëve.  Shqipëria zyrtare do duhej të ishte antarësuar shumë më heret në BE, të pakën që në kohën e antarsimit të saj në NATO. Por Tirana zyrtare nuk ka qenë kurrë e interesuar në zbatimin e kushteve për antarsim. Lexuesve mund tu kujtohen kërcënimet e KM Rama se nëqoftse nuk pranohet Shqipëria në BE, ajo ka alternativa të tjera, me insinuatën se Tirana zyrtare ka opsione të tjera aleancash, Moskën, Pekinin, Ankaranë. Është e mundur që, siç thoni ju, antarësimi i Shqipërisë në BE të sjellë ndoshta tkurrje të popullësisë, por nuk besoj se antarsimi zyrtar do të ndodhë shpejt. Shqiptarët po largohen në masë për shumë arsye, por një prej tyre është definitivisht mos-antarësimi i Shqipërisë në BE. Duke pritur më kot që BE-ja të vije në Shqipëri, ata po largohen për vendet e BE-së. Siç ka thënë Faik Konica: “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën deshirat.” Shqiptarët po ikin. Problemi mbetet përmbushja e standardeve evropiane nga qeveria e Shqipërisë. Procesi pra mbetet jo vetëm i ngadaltë por edhe i çalë. Të gjithë e dinë arsyen, e sidomos zyrtarët shqiptarë, se kjo ndodh, kryesisht, për shkak të polarizimit politik, konflikteve, korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisë, kapaciteteve të mangëta administrative, blerjes së votës, të mungesës së lirisë së medias, e të tjera. Një shtet që bota demokratike e konsideron ende si një vend “pjesërisht i lirë”, pas 35 vitesh tranzicion nuk mund të pranohet në Bashkimin Evropian me gjithë “ëndrrën e shumicës së shqiptarëve”. Më lart thashë se Shqipëria zyrtare, në mendimin tim –nuk ka qenë kurrë entuziaste për antarësim në BE. Ndryshe nga Kosova, nuk kemi dëgjuar kurrë ndonjë deklaratë nga Tirana zyrtare si ajo e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ditët e fundit, se, “Evropa nuk është një ëndërr e largët. Ajo është vet identiteti ynë. Ne jemi Evropë!”, është shprehur ajo.  Zgjedhjet e fundit të 11 majit, 2025 e treguan se më në fund kjo nuk është as “ëndrra e shumicës së shqiptarëve”. Michael Gahler, një vëzhgues i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit në Shqipëri deklaroi një ditë pas zgjedhjeve se “Shqipëria nuk do futet në BE, kështu siç është sot”  Zgjedhjet e fundit në Shqipëri treguan edhe njëherë se Shqipëria nuk mban dot zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk fitoi Partia Socialiste as Partia Demokratike, por jemi të sigurtë se humbi e shkreta Shqipëri.  Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, do futen në BE, jo për meritat e tyre as për zbatimin e standardeve të antarsimit në BE, por vetëm nëqoftse Evropa e sheh, eventualisht, si një interes gjeopolitik të vetin.

GM: Ndonëse opozita e asaj kohe, sot në pushtet, tallej dhe pothuaj lobonte kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, sot, sidomos pas zhvillimeve dhe konflikteve ndërkombëtare të viteve të fundit, a mund të konsiderohet ky moment një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit tonë? Dhe, në rastin më të keq, a mund të ekzistojë NATO pa Amerikën?

FSH: Antarësimi i Shqipërisë në NATO, pas shpalljes së pavarësisë me 28 Nëntor, 1912 pa dyshim është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit tonë. Një arritje kulmore në përpjekjet shekullore të Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar për t’iu bashkuar organizmave ushtarake dhe politike perëndimore euro-atlantike. Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka cilësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si akti më me rëndësi në historinë pothuaj të 100-viteve të fundit të vendit të tij. Si do që ta marrësh -- ngritja e flamurit të Gjergj Kastriotit - Skënderbe, Kryeheroit të Kombit shqiptar dhe Shpëtimtarit të Evropës -- para kryeqendrës së NATO-s në Bruksel – duke u valëvitur krenarisht aty pranë flamurit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është me të vërtetë një arritje historike, për të cilën të gjithë shqiptarët pa dallim, krenohen. “Ne po forcojmë partneritetin e Amerikës me kombet që dikur kanë qenë nën kthetrat e komunizmit”, është shprehur në atë kohë Ish-Presidenti amerikan George W Bush. Ndërsa ish-Presidenti i Shqipërisë i ndjeri Bujar Nishani ka shprehur me atë rast krenarinë e vendit të tij për këtë arritje historike duke deklaruar se, “Në historinë e gjatë e të vështirë të popullit shqiptar, anëtarësimi në NATO është arritja më e madhe historike...”. Shqipëria është sot anëtare e Aleancës më të madhe politiko-ushtarake që ka njohur njerëzimi, falë meritave të saja, por edhe në saje të mbështetjes së pakursyer të vendeve perëndimore, veçanërisht, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sot për sot, nuk besoj se ekziston rreziku i largimit të Amerikës nga Aleanca NATO. Amerika ka nevojë për NATO-n aq sa ka nevojë edhe NATO për Amerikën. Aleanca NATO, siç çdo ent ndërkombëtar i asaj natyre, me një histori prej 75-vitesh, ka nevojë për një shkundje! Nuk besoj të ketë nevojë për shqetsim për një NATO pa Amerikën.

GM: Si e shihni rolin e bashkëpunimit ndërqeveritar mes Shqipërisë dhe Kosovës në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe avancimin e interesave kombëtare në rajon?

FSH: Me të thenë të drejtën nuk i kam ndjekur nga afër, për arsye se ç’prej fillimit të bashkpunimit dhe lidhjeve midis tyre – përfshirë mbledhjet midis dy qeverive -- për nga mënyra e organizimit dhe zhvillimit nuk më janë dukur serioze as të denja. Një vërejtës nga rajoni është shprehur, si me pak ironi se megjith marrëveshjet e shumta midis dy qeverive gjatë viteve, mund të thuhet se suksesi më i madh mund të konsiderohet shpërndarja e abetares së përbashkët nepër shkollat e trojeve shqiptare. Me këtë nuk dua të nënvlersoj arritjet konkrete e deri tanishme ndërqeveritare, por me të thenë të drejtën unë nuk shoh shënja –sidomos nga Tirana zyrtare -- që tregojnë një vullnet serioz politik dhe kombëtar -- midis Shqipërisë dhe Kosovës -- për një bashkpunim më të ngushtë: “Motoja – Bashk pa kufi, në një rajon pa kufi”, më duket si një ëndërr e parealizuar megjith të gjithë ato marrveshje ndërqeveritare të nënshkruara gjatë viteve, shumë prej të cilave mbeten për tu nxjerr nga sirtari – vetëm ndonjë, aty këtu, ka filluar të zbatohet plotësisht. Ka mjaft probleme në bashkpunimin midis Tiranës dhe Prishtinës.  

Origjinalët e idesë absurde “Ballkani i Hapur”

“Ballkani i Hapur” ishte një propozim i mbështetur nga Tirana dhe Beogradi, duke përjashtuar dhe anashkaluar Republikën e Kosovës. Në një shkrim gjatë asaj periudhe që debatohej kjo politikë unë isha shprehur se, “Shqipëria në “Ballkanin e Hapur” pa Kosovën, po fle me djallin. Shqipëria duhet të distancohet nga kjo e keqe që kanoset Kosovës dhe Shqipërisë! Ashtu si Perëndimi, edhe Shqipëria gjendet përballë një momenti, në mos historik, atëherë të rëndësishëm për të hequr dorë njëherë e mirë nga flirtimet e rrezikshme me Serbinë putiniste të Vuçiqit, për nisma siç janë “Ballkani i hapur” dhe “minishengeni ballkanik”. Të parët tanë e kanë dijtur mirë se kush janë sllavët dhe synimet e tyre ndaj interesave shqiptare.  Ata na kanë porositur më shumë se një shekull më parë: Kujdes klyshët e Rusisë! Ka ardhë koha që Kombi shqiptar të zgjohet, përfundimisht, nga gjumi shekullor dhe të distancohet, njëherë e mirë, nga majtizmi sllavo-bolshevik ndërkombëtar dhe nga bolshevizmi liberal i brendshëm.  Shqiptarët të distancohen nga klyshët e Rusisë para se të jetë tepër vonë. Ku tjetër po ringjallet Stalini veçse në Rusinë bolsheviko-fashiste dhe Enveri Hoxha në Shqipërinë bolsheviko-liberale!?  “Ruski mir” dhe “Ballkani i Hapur” janë një dhe të pandarë. Aleksandër Vuçiqi është aleati më i ngushtë i Vladimir Putinit dhe i politikave të tija eskpansioniste të “Botës Ruse”, mbështetur nga Kishat Ortodokse ruse dhe serbe. “bota ruse” e Putinit është si “bota serbe” e Vuçiqit. Ndërsa “Ballkani Perëndimor”është pjellë e Serbisë e mbështetur qartë nga Moska, që mundëson shtrirjen e influencës ruse në Ballkan, përtej hapësirës së Serbisë. Sot, pretendimet e Vuçiqit kundër Kosovës janë të njëjtat me ato të Rusisë për të justifikuar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Për ata që ende nuk e kuptojnë se ç’është, “Ballkani i Hapur”, ua shpjegon njëri prej analistëve më të njohur amerikanë për çështjet ballkanike dhe evropiane, Janusz Bugajski: “Ballkani i Hapur është një nismë që favorizon Moskën, një nismë që mban rajonin larg Bashkimit Evropian, që mban të ngrirë konfliktin në Kosovë dhe në Bosnje Hercegovinë. Ajo nismë, po të rivizitohet nga palët, që do të kontrollonte Malin e Zi dhe të shtrijë influencën e Serbisë edhe më shumë në rajon.”  Shumë mirë e thënë nga analisti i njohur amerikan e që përmbledh thelbin e kësaj nisme tani për tani e ngrirë.

GM: Si e vlerësoni situatën aktuale të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht në trojet etnike shqiptare si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia?

FSH: Nuk ka shtypje më të rëndë se mohimi i identitetit, si person dhe si komb. Shqiptarët kudo në trojet e tyre nën ish-Jugosllavi përballeshin, pak a shumë me të njëjtën politikë të egër asimilimi e shtypjesh që ndërmerrte Beogradi zyrtar kundër popullsisë autoktone shqiptare, përveç masave të ashpra të përditshme politike dhe ekonomike. Duke filluar me mohimin e identitetit –ish-regjimi jugosllav përpiqej të ndryshonte emrat e mbiemrat e shqiptarëve duke i sllavizuar ato me prapashtesën “viq” ose mënyra të tjera, vetëm e vetëm për të zhdukë identitetin e tyre, me qëllim pakësimin e numrit të shqiptarëve në trojet e veta. Në atë kohë kjo bëhej haptas pasi ishte politikë zyrtare e regjimit të atëhershëm, por ndodhë edhe sot, ndonëse me mënyra më të sofistikuara, siç është emigrimi. Kjo politikë shtypëse gjatë dekadave ka bërë që më shumë se gjysma e shqiptarëve nga trojet e tyre në Mal të Zi, Maqedoninë veriore dhe trojeve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi, të kenë marrë rrugët e botës. Kjo është një politikë çkombatarizuese kundër shqiptarëve që vazhdon edhe sot në këto vende. Kur dëgjon zyrtarët e Shqipërisë, por edhe të Kosovës, ata pretendojnë se shqiptarët që jetojnë jashtë kufirit shqiptaro-shqiptar – pra në trojet etnike shqiptare si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia – kanë pasur dhe kanë vëmendjen e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare. Sipas meje, ata kanë deklaruar me fjalë, por nuk kanë treguar aq shumë me vepra për të na bindur, që, zyrtarisht dhe vazhdimisht ata të kenë mbrojtur dhe inkurajuar fuqizimin e identitetit kombëtar dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. Si rrjedhim kjo politikë çkombatirizuese ndaj shqiptarëve, që sot e 100-vjetë më parë, nuk ka ndryshuar shumë as sot, në parim – megjith ndryshimet politike, përfshri shembjen zyrtare – por jo aktuale, të regjimeve nacionaliste komuniste, siç ishte regjimi i Millosheviçit. Ndërkaq, kur flet njeriu me përfaqsues shqiptarë nga këto troje, ata pothuaj, njëzëri ankohen për mungesë mbështetje e kujdesi nga shteti amë Shqipëria, por edhe Kosova.  Ankesat janë të njëjtat, për të njëjtat gjëra, sepse objektivi kryesor i vendeve sllave në Ballkan, sidomos Serbisë dhe Malit të Zi ka qenë dhe mbetet çkombtarizimi dhe spastrimi etnik i shqiptarëve nga trojet e veta autoktone shekullore. Sipas tyre, as Tirana as Prishtina nuk po bëjnë mjaft për tu përballur me përgjegjësitë e tyre kombëtare për t’i ndihmuar ata të zhvillojnë gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, të ruajnë dhe të përdorin simbolet kombëtare si shenja të identitetit kombëtar dhe të mbrojnë pasuritë kulturore, historike shekullore të shqiptarëve në ato troje. Këto janë probleme me të cilat përballen të gjitha këto troje shqiptare. Si një shqiptar i lindur në rrethin e Ulqinit, mund të them me bindje se unë e kam ndie veten si i huaj në shtëpinë dhe në vendin tim ku kam lindur, ashtu si edhe shumica bashkadthetarëve të mi nga ato troje, atëherë dhe sot. Dihet se gjendja e shqiptarëve në Preshevë është shumë më e ndërlikuar dhe shumë më e vështirë se në Maqedoni e në Mal të Zi dhe si e tillë duhet të ketë një vëmendje më të madhe nga Prishtina dhe nga Tirana zyrtare.  Prandaj, kur flasim për gjëndjen aktuale të shqiptarëve në këto troje autoktone shqiptar, kjo është një çeshtje madhore për shqiptarët, për të cilën duhet të flitet nga një rrafsh kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Pse mos të kenë shqiptarët e Preshevës të njëjtat të drejta kombëtare si serbët në Kosovë? Edhe në të kaluarën kam bërë thirrje, si një individ, që një prej përparsive të interesit kombëtar duhet të jetë patjetër gjëndja politike, zhvillimi i tyre kulturor, gjuhësor dhe të drejtat e tyre bazë, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me ligjet vendase, ashtuqë shqiptarët e atyre trojeve të trajtohen në mënyrë të barabartë me shumicën vendase sllave por edhe me pakicat tjera etnike të atyre shteteve. Sllavëve të jugut, historikisht, u ka munguar, jo vetëm paanësia, por edhe njerëzia, në trajtimin e shqiptarëve, duke rrezikuar kështu jetën dhe identitetin e Kombit shqiptar, megjithse, në ato troje “…atje ndërmjet Thesalisë e Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në Stom të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish… Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ende këta e flasin atë gjuhë të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejnë të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshave të vet, e sot, edhe punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të Parët e tyne prehistorikë…”. (At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës, 1919, Paris).

GM: Çamëria u shua nga barbaria e urrejtjes greke! Sot, Çamëria është thjesht ‘një zjarr i vogël që mezi rri ndezur’ në kujtesën kombëtare shqiptare. Ju keni shkruar më parë për Gjenocidin grek ndaj shqiptarëve në trojet e tyre në Çamëri, por do të ishte me interes për ne një përshkrim i përmbledhur mbi tragjedinë çame dhe ndonjë hap të mundshëm drejt drejtësisë së munguar…?

FSH: “Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri”, citohet të ketë thënë Musine Kokolari.  Çamëria është një plagë kombëtare që vazhdon të pikojë gjak dhe është cilësuar si një nga hartat më të dhimbshme të Evropës.  Çështja e Çamërisë është një problem mbi 100-vjeçar, që nga ankesimi i atij trolli shqiptar vitin 1913 nga Greqia. Krimet greke dhe spastrimet etnike të shqiptarëve të Çamërisë dihen. Rreth dyzet mijë u dëbuan me dhunë nga trojet e veta shekullore, duke filluar nga vitet ’30, por sidomos midis viteve 1944-45. Dëbimet me forcë janë  pasuar nga masakrat e qindërave/mijërave, burra gra, pleqë e fëmijë në krahinën e Paramithisë, përfshirë vrasje të shumta, me qëllim të zhdukjes së popullsisë shqiptare nga Çamëria, duke i zevendësuar ata me banorë greqisht-folës. Është ndaluar përdorimi i gjuhës shqipe dhe pronat e çamëve shqiptarë janë konfiskuar, duke çpronësuar pronarët legjitim shqiptarë. Ashtu si edhe sllavët e jugut në trojet veriore shqiptare edhe grekët “me ligj” detyruan çamët të grekizonin emrat e tyre me forcë, duke ndryshuar në këtë mënyrë edhe strukturën demografike të popullsisë në Çamërinë shqiptare. Krimet greke kundër shqiptarëve çamë dihen shumë mirë. Historikisht, ato janë të përmasave dhe të natyrës së krimeve të karakterizuara ndërkombtarisht si krime kundër njerëzimit. Të krimeve të llojit të nazi-fashizmit e komunizmit, me disa prej të cilave është marrur bota e qytetëruar e pas Luftës së II Botërore. Komuniteti çam në Shqipëri por edhe ai i përhapur nepër botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është përpjekur gjatë 2-3 dekadave të kaluara që të ndërkombtarizojnë çeshtjen çame. Por, shqiptarët duhet që, më së pari, të kombëtarizojnë dhe të përvetsojnë këtë çeshtje si të tyren, si një prej çeshtjeve madhore kombëtare dhe të mbrohen të drejtat e çamëve e të gjëndet një zgjidhje kërkesave të tyre, para se të kërkojnë llogari nga Greqia dhe komunitetit ndërkombëtar. Shqiptarët kudo duhet të mbajnë një qëndrim të përbashkët dhe konsekuent për të drejtat e çamëve. Të gjithë e dimë se as Shqipëria komuniste dhe as qeveritë shqiptare të 35-viteve tranzicion nga komunizmi nuk kanë dëshiruar as të flasin fare për Çamërinë dhe fatin e saj. Siç është shprehur Ismail Kadare (1992) në lidhje me këtë, se Shqipëria dhe shqiptarët, “…Duke u dhënë pas doktrinave të huaja shterpa e miqësive të mbrapshta, u harruan për fat të keq shpesh njerëzit tanë të gjakut, ata që kanë qenë e janë pjesë e Trungut Shqiptar të Pavdekshëm. Kjo nuk ka qenë as aksident as rastësi. Ajo ka qenë pjesë e një harrese të madhe për të cilën Kombin Shqiptar do ta vrasë ndërgjegjja për një kohë të gjatë!”. Prandaj, nëqoftse Shqipëria vet nuk mban një qendrim të fortë dhe nuk kërkon llogari nga Athina zyrtare, pse të ndërmarrë ndonjë hap Greqia drejtë zgjidhjes së kësaj çeshtjeje? Merreni me mend: Greqia, ndonëse një vend anëtar i Bashkimit Evropian, as nuk lejon çamët e lindur në Çamëri të këthehen atje ose të vizitojnë trojet e pronat e veta. Ndërkohë Evropa hesht! Çështja çame është një problem jo vetëm midis Greqisë e Shqipërisë por edhe për mbarë Evropën. Natyrisht, se zgjidhja e këtij problemi madhor për Kombin Shqiptar është kryesisht midis Tiranës dhe Athinës zyrtare, por asgjë nuk do zgjidhet pa ndërhyrjen/ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, pasi kemi të bëjmë me dy shtete, anëtare të Aleancës së NATO-s.

GM: Një ndër shprehjet më popullore në trojet tona është ‘Jam krenar që jam shqiptar’, është ‘'himn i rrahagjoksizmit’’ të tepruar, i cili na dëmton, apo me të vërtetë ne jemi një popull special?! Cilat do të ishin disa kritika për ne si komb?

FSH: Po i përgjigjem kësaj pyetjeje se nga i vjen e keqja shqiptarëve,  me fjalët e At Gjergj Fishtës dhe Faik Konicës: At Gjergj Fishta ka bërë paralajmërimin për rrezikun e brendshëm në shkrimin e titulluar, “Rreziku i Përbrendshëm” në revistën e famshme françeskane të fillim shekullit të kaluar, “Hylli i Dritës”, numër 1 e vitit 1921, ku ndër të tjera ka shkruar se rreziku i përbrendshëm ishin, pikërisht, vagabondët, sallahanët, të shiturit. Ndërsa sot janë trafikantët, të korruptuarit dhe pazarxhinjtë e trojeve. “Kombi s’do rrejtë! Kombit i duhen çelë sytë! “Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer, jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnjë të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…” ka shkruar Fishta. “Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë”, ka paralajmëruar Gjergj Fishta duke pohuar se, “Elementi ma i rrezikshëm ose ma mirë me thanë, rreziku ma i madh i Shqypnisë janë vagabondat: njata shqyptarë që, pa mujtë me përfitue kurrë nji mendim të shëndoshë në mendje të vet, s’janë të zotët me i rreshtue dy shkrola bashkë pa gabim; që për atdhe filluen me u kapë së parit, m’atëherë kur banë rrush e kumlla gjanë e të parëve të vet e ma s’u mbet asnji dysh…Njerëz rrugaça, njerëz shakllabana e të pa kurrfarë njerëzie e mirërritjeje, të pa kurrfarë mësimi të vlefshëm. Që të gjithë jetën e vet s’qenë të zotët me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shtëpi, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nën dorë, të harlisun nga mendja, të përdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; ku mbillen, s’korren; ku bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pa krye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të ri, gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni”, sipas Gjergj Fishtës.  Ndërsa sipas Faik Konicës: “Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.” Faik Konica - (Vepra 1, f. 271).  “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë, lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj”. (Faik Konica). Ky pra është problemi edhe sot si në kohën e Fishtës dhe të Konicës. Asgjë nuk ka ndryshuar.

GM: Një logjikë e thjeshtë çon në përfundimin se, nëse fetë humbin besimtarët, ato automatikisht konsiderohen si histori. Kryeministri Edi Rama po përpiqet të krijojë një shtet islamik, konkretisht një Shtet Bektashi, duke u shfajësuar me rrezikun e shthurjes ose të shuarjes së këtij sekti, si dhe me kontributin historik të këtij komuniteti. Kjo ide, e cila për shumë njerëz është çmenduri, fatmirësisht është kundërshtuar nga shumica e shqiptarëve, pavarësisht nëse janë fetarë apo jo. Si e shikoni ju këtë situatë?

FSH: Unë kam pasë fatin të njoh disa shqiptarë bektashianë, patriotikë dhe nacionalistë anti-komunistë në mërgim, kryesisht këtu në Amerikë, me disa prej të cilëve edhe kam punuar. Prej tyre kam mësuar shumë dhe u jam mirënjohës për miqësinë e tyre, megjithse pothuaj të gjithë kanë shkuar në amshim tanimë. Në përgjithsi nuk më pëlqen të diskutoj çeshtjet fetare në shkrimet e mia modeste (sepse fenë/besimin e konsideroj si një çeshtje personale), me përjashtim të bashkjetesës fetare në Shqipëri, të cilën jam përpjekur ta ve në dukje si një prej vlerave më të shenjta kombëtare -- shembull që na bën krenarë të gjithëve kudo që jemi. Por dua të them se me shtet ose pa shtet, bektashinjtë shqiptarë për mua mbeten një thesar shumë i çmuar në historinë kombëtare deri në ditët e sotëme. Krijimi dhe njohja e një shteti të tillë mbetet për tu parë në të ardhmen, pasi rruga ligjore mbetet e paqartë për një ent të tillë brenda shtetit shqiptar. Sido që të jetë, më në fund, një vendim i tillë nuk i përket vetëm një njeriu, qoftë ai edhe një Kryeministër. Normalisht, në vendimin për një projekt të tillë duhet të jenë të përfshira të gjitha entet kompetente për një miratim të tillë siç është Kuvendi, jo vetëm të Shqipërisë por edhe në nivel kombëtar, pasi bektashinjë ka anë e mbanë trojeve shqiptare. Veçanërisht, në rastin që siç thoni edhe ju, kjo ide është kundërshtuar nga shumica e shqiptarëve.

GM: Në rrafshin ballkanik, Serbia është shteti më problematik, ndërsa në atë europian, Rusia. Cili është mendimi juaj mbi këto shtete dhe çfarë këndvështrimi të përgjithshëm keni për problematikat botërore?

FSH: Serbia dhe Rusia, historikisht, siç dihet kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një marrëdhënie të veçantë dhe agresive në Ballkan si dy vende motra sllave e ortodokse -- kryesisht në kurriz dhe në dëm të interesave të shqiptarëve dhe trojeve të tyre në atë rajon.  35-vitet e fundit nuk kanë munguar ndërhyrjet e drejtë për drejta të Moskës në rajonin e Ballkanit. Këto marrëdhënie janë intensifikuar si rrjedhim i kundërshtimit të Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës. Rusia ka mbështetur në vazhdimësi të gjitha kërkesat absurde të Serbisë edhe në nivel ndërkombëtar ndaj shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës dhe ka përqafuar edhe nismën “Ballkani i Hapur” – një krijesë kjo e Beogradit dhe Tiranës zyrtare me bekimin e Moskës – duke lënë jashtë Kosovën, për qëllimet e tyre djallëzore pasi Serbia vazhdon të refuzojë ta njohë Kosovën shtet të pavarur. Dihet se roli i Rusisë në Ballkan është për të kundërshtuar influencën perëndimore në Evropën jug-lindore duke e bërë të qartë se Serbia nuk do të jetë pjesë e Evropës por do mbetet zonë e influencës ruse në Ballkan, por duke bërë ç’mos që as vendet e tjera ballkanike të mos afrohen me Bashkimin Evropian. Serbia ka treguar mirënjohjen e saj ndaj Moskës duke mos u bërë pjesë e sanksioneve kundër Rusisë në reagim ndaj pushtimit të saj të Ukrainës. Ndërkaq, dihen dështimet politike dhe ushtarake të Evropës dhe perëndimit në përgjithsi në Ballkan. Por evropianët e dinë se pa Serbinë në Bashkimin Evropian është shumë e vështirë që Ballkani të jetë i qetë, sidomos kur të merret parasysh politika ekspansioniste ruse e cila gjithmonë peshkon në ujra të turbullta. Ndonëse Evropa tani për tani është e përqendruar në luftën në Ukrainë,  është e pamundur që të mos përballet, heret ose vonë, me sfidat e mundëshme që paraqet miqësia speciale historike Rusi-Serbi për sigurinë dhe paqën në Ballkan, me pasoja të rrezikshme për atë rajon, sidomos për Republikën e Kosovës por edhe më gjërë. E pa shpjegueshme për mua mbetet miqësia e fortë e viteve të fundit midis Hungarisë – historikisht vend mik i shqiptarëve – me liderin e saj Orban sot në aleancë me Rusinë e Serbinë, por edhe me Kinën, Iranin e Korenë e Veriut -- një sfidë kjo edhe për Bashkimin Evropian, anëtare së cilës është edhe Hungaria – një lamsh ky ose një çorbë ballkanike që dreqi nuk e merr vesh…A ka mundësi që t’i bashkohet Edi Rama këtij koalicioni keqbërës autoritarësh, në kurriz të Kosovës, me politika bashkpunuese anti-shqiptare të beogradit e Moskës, siç ishte “Ballkani i hapur”!?  Sido që të jetë, është e domosdoshme dhe në interesin kombëtar që si Shqipëria ashtu edhe Kosova të kenë marredhënie të mira me të gjitha vendet e botës, të mëdha e të vogla, duke përfshirë këtu edhe Rusinë e Serbinë, por këto marrëdhënie duhet të ndërtohen e të kultivohen, pikëspari, në bazë të interesit kombëtar të shqiptarëve dhe jo të interesave serbo-ruse në Ballkanin Perëndimor, me ndërlikime dhe mundësi për të krijuar probleme për Evropën dhe botën.

GM: Nëse ndihma amerikane për shqiptarët do të përshkruhej me disa fjalë, ato do të lidhen drejtpërdrejt me ekzistencën e një kombi: çlirim, pavarësi, demokraci, zhvillim dhe siguri. Si e shihni Amerikën aktuale në politikën e jashtme dhe a do të ishte një tragjedi botërore tërheqja e saj për t’u marrë vetëm me punët e veta?

FSH:  U mbushën 100-ditë të mandatit të dytë të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Agjenda e tij “Amerika e para”, në politikën e jashtme shikohet si një përpjekjet për të ndryshuar shumë gjëra brenda vendit por edhe në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Siç dihet gjatë dekadave të kaluara Amerika mbizotëronte, politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Ekspertët këtu në Amerikë thonë se agjenda e Presidentit Trump, “Amerika e para”, ndër të tjera, ka për qëllim edhe ribërjen e politikës së jashtme amerikane. Nëse do ia dalë, ndonëse është heret për tu parë, por shënjat e para tregojnë se ai është i vendosur për të bërë ndryshime rrënjësore në marrëdhëniet politike dhe ushtarake në nivel ndërkombëtar, jo vetëm me Evropën por me mbarë botën. Ndër të tjera, ndër vendimet e marra deri tani në këtë drejtim janë: ulja ose prerja e plotë e ndihmave të jashtme për vendet e huaja, deklarata e tij drejtuar Kanadasë e Grinlandës, vende mike këto të SHBA-ave, çeshtja e tarifave, pikëpyetjet e vazhdimit të Amerikës si antare e NATO-s, kërcnimet për tu tërhequr nga disa organizata ndërkombëtare siç është Organizata Botërore e Shëndetsisë e tjera – vërtetë kanë shkundur shumë tregjet botëre dhe kanë konfuzuar miq dhe armiq të Amerikës. Mbyllja e disa enteve të qeverisë amerikane që janë identifikuar, në të kaluarën, me politikën e jashtme, si USAID dhe Zëri i Amerikës, sot për sot, janë të mbyllura dhe nuk u dihet fati.  Për mua personalisht, vendimi për mbylljen e Zërit të Amerikës dhe enteve të tjera të transmetimeve amerikane ndërkombëtare ku kam punuar për tre dekada më është dukur si kur më ka vdekur një mik shumë i ngushtë. Në mendimin tim, një vendim i gabuar që godit rëndë lirinë e shtypit në botë. Uroj që administrata të rishqyrtojë këtë vendim dhe të bëjë reformat e nevojshme duke rihapur Zërin e Amerikës, si një zë i pazvendsueshëm të Washingtonit anë e mbanë botës.  Por le të presim se ka gjasa që gjërat të ndryshojnë, pasi administrata është tërhequr tanimë nga disa prej vendimeve të njoftuara më parë, qoftë në lidhje me tarifat ndërkombëtare qoftë edhe në zhvillimin e politikës së jashtme amerikane. Unë jam optimist se, eventualisht, ajo që quhet “common sense” dhe pragmatizmi do mbizotrojnë edhe në politikën e jashtme. Se Amerika ka nevojë për aleatë sidomos në Evropë por edhe anë e mbarë botës dhe se, njëkohsisht, edhe vendet aleate demokratike në Evropë dhe në botë kanë nevojë për Amerikën.  Shpresoj se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio që i përket atij krahu të Partisë Republikane që është frymëzuar nga ish-Presidenti Ronald Reagan, të paktën sipas deklaratave të tija në të kaluarën – që me kolegët e tij në Departamentin Amerikan të Shtetit, të jetë personi që do të mbaj një qendrim më të balancuar në marrëdhëniet e Amerikës me botën, sidomos me shtetet evropiane, historikisht, mike të lidhura me aleanca politike, ekonomike dhe ushtarake. Në botën e sotme, unë besoj se është e pamundur tërheqja e Amerikës nga bota. Mund të ketë ndryshime, rrokullisje, shkundje, madje edhe të aleancave të vjetra që mund të zevendësohen me diçka tjetër, pa rrezikuar rolin kryesor të Shteteve të Bashkuara në botë. Jam i mendimit se koha do e tregojë se tërheqje të plotë të Amerikës nga bota siç mund të besojnë disa brenda dhe jashtë Amerikës, nuk besoj se do të ketë. Besoj se pa marrë parasysh se kush është president në një kohë të caktuar, roli i Amerikës, si fuqi e pa kontestueshme ekonmike, politike dhe ushtarake, është tepër i rëndësishëm për botën dhe për Shtetet e Bashkuara, sot dhe në të ardhmen dhe si i tillë edhe do mbetet.

GM: Që nga lashtësia, jemi përballur me pushtime dhe copëtime. Ne, shqiptarët, jemi ndoshta kombi më i abuzuar në Europë. Sot, fatmirësisht, kemi dy shtete, por fatkeqësisht, një pjesë e madhe e trojeve tona duket se do të mbeten nën pushtimin e përjetshëm.  Nëse  "Shqipërinë Natyrale" nuk mund ta kemi, a mendoni se do të ekzistojnë mundësitë në të ardhmen për një bashkim Shqipëri-Kosovë?

FSH: Siç mund të kesh venë re i dashur Gëzim, unë nga njëherë preferoj të përdor mendimet e atyre figurave historike më të mençur dhe më me përvojë për të theksuar një çeshtje ose subjekt me rëndësi.  Duket se pyetja për Bashkim të shqiptarëve -- Shqipërisë dhe Kosovës është një subjekt gjithmonë aktual. Për fat të keq, për 500 e sa vjetë influencë e zgjedhë otomane aziatike dhe 50-vjet komunizëm ndërkombtar e kanë bërë punën e vet shkatërruese, duke “ngrenë” në magje të huaj, si të thuash në kurriz të vlerave kombëtare. A janë shqiptarët gati për bashkim? Jo se nuk e dua një gjë të tillë, por nuk jam i sigurt. A kanë shqiptarët një mendësi jete e dashurie për njëri tjetrin, si shqiptarë pa dallime politike, feje, krahine ose ideologjie, të bashkuar me vlerat e traditat e përbashkëta styërgjyshore, si një parakusht i bashkimit?  A i ka sot Kombi njerëzit e duhur politikë e atdhetarë për të udhëhequr një lëvizje të tillë historike?  I ndjeri At Zef Pllumit, i përndjekuri dhe i burgosuri i regjimit komunist dhe autor i veprës, “Jeto për me tregue” ka shkruar me një rast se parakusht për bashkim të kombit dhe të shqiptarëve është dashuria për njeriun – mbi të gjithë, shqiptari-për-shqiptarin: “Dashuria për njëri tjetrin është progresi i kombit shqiptar. Po nuk u respektua njeriu, e drejta dhe liria e mendimit, ne mbërrijmë në përfundimin se nuk duam as Kombin, as Atdheun. Progresi duhet të jetë ekonomik, mendor, shoqëror dhe kulturor”, është shprehur Frati i Maleve.  At Zef Pllumi, në përjetësi, flet me bindje e fakte të përjetuara, në kujtesë, me largpamësi dhe porosit me këshilla për të tashmen dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar, për idealin e bashkimit! “Në rast se mungon dashunia”, ka theksuar At Zefi, atëherë, “Në atë rast, duhet të kemi mirëkuptim. Dhe në qoftë se edhe ky do të mungojë, atëherë do t’i referohemi virtytit të tolerancës. Po mungoi edhe ky virtyt, atëherë jemi xhahilë. Xhahil-llëku ashtë shkatërrimi i Kombit, jo bashkimi. Në qoftë se nuk respektohen mendimet e njani tjetrit, don me thanë se nuk respektohet njeriu. Po nuk u respektua njeriu, e drejta dhe liria e mendimit, praktikisht, atëherë ne mbërrijmë në përfundimin se nuk duam as Kombin, as Atdheun”, as bashkimin, është shprehur At Zef Pllumi. Për Bashkim Kombëtar, At Zef Pllumi e ka shpresën tek intelektualët shqiptarë që, në bashkpunim me njëri tjetrin, pjesëtarët e inteligjencës shqiptare, (në mungesë të politikanëve të përgatitur për një mision të tillë), “duhet t’i prijnë këtij populli fatkeq, për me ecë përpara me ngulm në rrugën e vërtetë të Progresit Kombëtar”, nënkupto Bashkimit Kombëtar. (At Zef Pllumi, Hylli i Dritës 2-3, Tiranë, 1993). Po ku janë sot intelektualët shqiptarë sot dhe cili është misioni i tyre në këtë periudhë të historisë së Kombit shqiptar?

GM: Dhe në fund, duke ju falënderuar për intervistën, cili do të ishte një mesazh që dëshironi të përcillni për të gjithë shqiptarët?

FSH: ZGJOHU SHQIPTAR! Kombi shqiptar ka nevojë për një kthesë të re historike, me njerëz të ri dhe me përfaqësues ndryshe! “Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes”, ka thenë dikur ish-Presidenti amerikan Ronald Reagan. Demokracia duhet mbrojtur çdo ditë se Demokracia nuk pret!