| E premte, 16.05.2025, 06:57 PM |
GJYKATA KUSHTETUESE NË KRIZË BESIMI!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Kryesuesi i seancave kuvendore, zotëri
Avni Dehari, i pati dërguar një letër Presidentes Vjosë Osmani, për të ndërhyrë
në zhbllokimin e Kuvendit, lidhur me konstituimin e tij, zgjedhjen e
kryekuvendares/it. Këshilltari politik, Bekim Kupina, publikoi përgjigjen e
Presidentes, se është e gatshme, kurdo që subjektet politike e ftojnë për
takim. Por, deri me tani Presidentja nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare. Partitë
politike parlamentare mendojnë se ende nuk janë ezauruar, shterur mundësitë që
zhbllokimi të bëhet nga brenda Kuvendit.
Votimi aklamativ, i hapur, nuk arriti
të zgjedhë kryetaren, sepse munguan votat, për deputeten e propozuar nga LVV,
Albulenë Haxhiu. Opozita refuzimin e "arsyeton" se deputetja e ka
fyer ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, duke e quajtur -kriminel-, madje
është "përçarëse" dhe "nuk i shërben unitetit brenda
Kuvendit!" Pozita arsyeton se kandidatja, Albulenë Haxhiu, është deputetja
femër më e votuar, madje e të gjitha kohërave në Kosovë, me tej 150 mijë vota!
Opozita nuk solli arsye bindëse, për
refuzimin e kandidaturës në fjalë. Ndërkohë që, duhej të sqaronte nëse është
fyerje, apo shpifje akuza e Albulenës për ish-kreun e Kuvendit, njëherësh, edhe
për kryetarin e Organizatës ilegale kriminale SHIK! Zoti Veseli e pranon, që së
bashku me Hashim Thaçin dhe shokët tjerë të PAN-it, ka themeluar SHIK-un me 92
anëtarë. Realisht, kjo organizatë ka pasur 30 mijë anëtarë, por e ndarë në
degëzime "Shqiponjat e Zeza", BIA shqiptare e tjera.
Opozita, sidomos ajo PAN-iste, nuk
duhet të lëshojë akuza të pa baza, "si lopa bajgën", por duhet ta vë
pikën mbi "i", të debatojë në Kuvend, nëse deputetja Albulenë ka fyer
e shpifur, apo ka thënë një të vërtetë në shkallën sipërore?! Bartësit e së
vërtetës i linçojnë vetëm sistemet diktatoriale dhe assesi një Kuvend
demokratik!
Akuza se Albulenë Haxhiu ka qenë
"përçarëse", përgjatë ushtrimit të detyrës së ministres të
Drejtësisë, nuk qëndron. Edhe pse VETTING-u, në parim është aprovuar nga
Kuvendi, por, për konflikt interesi, është sabotuar, bojkotuar, nga zhvatësit e
pangopur e zuzarë, kryesisht, "komandantë" mujsharë, ish-pushtetarë,
partiakë hileqarë.
E njëjta gjë ka ndodhur dhe vazhdon
bllokimi, përkatësisht, sabotimi për BYRONË e Verifikimit të Pasurive të
Paligjshme, të pa mbulesë burimi financiare. Këmbëngulja e ministres Albulenë,
për ta zbatuar ligjin, për mbrojtjen e pasurive të brezave shqiptarë, jo vetëm
që nuk ka vend për ta akuzuar si "përçarëse", në të kundërtën, duhet
lavdëruar për punën e shkëlqyer që ka bërë dhe bënë ende, qoftë edhe si
ministre në detyrë.
Pozita, respektivisht, LVV, bëri një
përçapje zhbllokuese, duke aplikuar votimin e fshehtë, i lexuar në Kushtetutë,
si një e drejtë legjitime. Por, në larminë e interpretimeve të juristëve, ka
mendime se kjo duhej bërë në fillim të seancës. Realisht, kjo relativizohet,
kur në praktikë votimi aklamativ, i hapur nuk e zgjidhë çështjen, vjen në
shprehje votimi i fshehtë, sepse Kushtetuta e pranon, madje edhe forma tjera.
Kushtetuta i pranon vetëm koalicionet parazgjedhore, por opozita e tanishme e
bëri, kundërligjshëm, pas zgjedhjeve, përfshi edhe Listën Serbe - PLAS -!
Në interpretimin e Kushtetutës, për
zgjedhjen e kryekuvendares/it, ka kundërthënie brenda ish-anëtarëve të Gjykatës
Kuahtetuese, por edhe në mes të juristëve. Disa thonë se 10 deputetë kanë të
drejtë t`i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, për interpretim të mirëfilltë
kushtetutorë. Të tjerë e mohojnë, sepse deputetët ende nuk kanë formuar Grupet
Parlamentare.
Mbizotëron mendimi se të drejtë ankese
apo të parashtrimit të pyetjeve në Kushtetuese ka vetëm Presidentja. Natyrshëm,
ajo duhet ta shfrytëzojë autoritetin kushtetues gjatë procedimit, ose gjatë
zgjedhjes së Kuvendit, nëse ka pasur shkelje kushtetuese dhe si të veprohet më
tej? Presidentës Vjosë Osmani nuk i mungon as aftësia profesionale dhe as
guximi intelektual, për të ndërhyrë brenda kompetencave kushtetuese të saj.
Me gatishmërinë e shfaqur, për të
diskutuar me partitë politike, për krijimin e institucioneve shtetërore, brenda
kompetencave neutrale dhe të kompetencave ekzekutive që ka, si faktor në bazë
të Kushtetutës. Pra, ajo pret të ftohet nga subjektet politike, pasi të jenë
ezauruar, shterur mundësitë e zgjedhjes brenda sallës kuvendore, pa ndërhyrë në
kompetencat e Kuvendit, siç janë përcaktimi i datave dhe të afateve.
Gjykata Kushtetuese për mision ka
drejtësinë supreme brenda shtetit. Rrënimit të Sistemit të Drejtësisë, nga
ish-pushtetarët, tashmë, disa syresh të zbuluar si agjent të Shërbimeve
Informative të shteteve armike të Kosovës, kanë dëmtuar shumë Atdheun. Dyshimi
në Gjykatën Kushtetuese është aq i madh, sa Qeveria nuk guxon ta dërgojë një
draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese, sepse nuk ka asnjë siguri që ajo
mbronë interesat e vendit!
Në këtë instituticion të lartë, ka edhe
gjyqtar të devotshëm. Por, dyshohet se e keqja ka epërsinë, ashtu siç është
provuar në nivelet tjera të gjykatave vendore. Edhe krimet e rënda, siç është
tentativa për vrasje të qëllimshme, konvertohet në një dënim simbolik me para!
Shumë qindra dosje të stivosura, presin të parashkruhen, t`u skadohet afati
shqyrtues, ashtu siç është vepruar përgjatë këtij çerek-shekulli. Mjafton të
shembullojmë me 45.500 "veteranë" të rrejshëm, me miliona euro të
abuzuara! Thënë troç, Gjykata Kushtetuese ka devijuar nga garantuese e rendit
kushtetues.
Thuhet e shkruhet se -krimit nuk i
skadon afati-. Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, kufizon hetimin dhe
gjykimin për krime lufte dhe pas luftës, deri në fund të vitit 2000!? Ndërkohë
që, krimet, vrasjet e cilësuara politike, kanë vazhduar ndër vite e tej
dekadës, përfshirë edhe vrasjet e dëshmitarëve! Janë të njëjtat organizata
kriminale, të themeluara nga LPK-ja e djeshme, PAN-i i sotëm, bandat e
instruktuara nga Sigurimsat e Enver Hoxhës. Dhe, Gjykata Kushtetuese i ka parë
të tëra këto krime dhe i ka heshtur, sikur këto krime kanë ndodhur në Mesjetë,
në një shtet të Afrikës apo të Azisë dhe jo në zemër të Evropës!
Prandaj, me të drejtë Gjykata
Kushtetuese mund të konsiderohet si një "filozofe" e të drejtës, pa u
merakosur për ta përdorë fuqinë reale të veprimit, edhe pse e ka të garantuar
me ligjin kushtetues.
Referenca ke Gjykata Kushtetuese,
përgjatë këtyre dy muajve të fundit, është vënë re për disa shabllone e
lëshime, që ngjallin huti dhe paqartësi. Mungesa e kryetarit të Kuvendet, sipas
Kushtetutës, po e pamundëson krijimin e grupeve parlamentare. Kjo po nënkuptohet
si justifikim, për zvarritjen e qëllimshme të formimit të institucioneve.
Është hera e parë që Kosova përballet
me vakum kushtetues. Kushtetuta nuk ka arritur të veprojë, në masën e duhur as
në demokraci. Përgjegjësi kushtetuese kanë të gjitha subjektet politike. Kur
ish-pushtetarët shpërfillën ligjet dhe vet Kushtetutën, duke e zhvatur shtetin
egërsisht, partitë politike bënin sehir dhe nuk bënë asgjë, për t`i stopuar
ata.
Opozita PAN-iste përgjatë gjithë
mandatit qeverisës të LVV, ka qenë skajshëm destruktive dhe, pothuaj se,
gjithherë palë me Serbinë, për ta larguar Kurtin nga pushteti. Edhe në vënien e
sanksioneve Kosovës, krahas Serbisë, edhe PAN ka kontribuar zellshëm. Madje,
kuadrot e PDK-së, "janë zënë me pelë për dore", duke lobuar kundër
favorizimit të Kosovës, resepektivisht, kundër heqjes të sanksioneve Kosovës,
për deri sa Albini është në pushtet! Kjo na kujton raportin nuse-vjehërre:
"Për inati të sime vjehërre, do të flej me mullixhinë!"
Dhe, krejt në fund, në ngulmimin e
opozitës, për ta zbutur humbjen në fushë-betejë, duan fitoren në tavolinë! Për
këtë dyshohet në presionin-porosi, nga hisedarët e lirisë tonë, që opozita e
bashkuar dhe Lista Serbe, bojkot e bllok qeverisjes Kurti me Vetëvendosjen
e tij! Gjithsesi, hiç parimore dhe fort e pamoralshme!