Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nikoleta Kovaçi: Liderat e vendeve të pasura, mirësevini në Shqipni!

| E premte, 16.05.2025, 06:59 PM |


Liderat e vendeve të pasura, mirësevini në Shqipni

Nga Nikoleta Kovaçi

...në Shqipninë e dalun nga nji palë votime maskaradë, ku s'ka zgjedhje po diktat, ku s'kishte garë po pazar, kudo e në gjithçka! Ju ishit aty-e patë; ju mbajtët shënime-lexuet; ju u tromaksët-heshtët!

Ishit siç keni qenë gjithë k'to vite! Të qartë, të ftoftë e kalimtar. Ashtu siç jeni edhe sod; turistë të ftuem me të gjitha të pagueme! Dhe nga kush e për çfarë?

Të pagueme nga populli ma i varfër i Europës dhe jeni ktu me knaq egon e kryeministrit ma të pafytyrë dhe ma të pasur në Europë! Po, po, se kryeministri i Shqipnisë vjedh ma shumë se të gjithë ju bashkë! Dhe a e dini pse: sepse ju jeni frikacakë para popullit tuaj, para ligjit tuaj, para fëmijës tuaj!

Kryeministri i Shqipnisë që iu pret sod ju e ka përzënë popullin; ua ka sjellë juve t'i shfrytëzoni e t'i flakni; ligjin e dhunon si do vetë e fëmijën se konsideron hiç!

Kryeministri që iu pret iu sod, që iu krijon ide të një pasaniku të ligjshëm asht në krye të nji bande që funksionon fiks si Cosa Nostra. Pyeteni Melonin se duhet ketë lexue ndonjë dokument apo duhet të ketë dgjue ndonjë rrëfenjë për këtë organizatë!

Homologu që iu pret sod vjedh, plaçkit, abuzon e mashtron; ka gjysmën e qeverisë në burg, gjysmën e kryetarëve të bashkive në burg, drejtues policie në burg, ka gjysmën e kabinetit aktual kandidatë për burg! Fitoi zgjedhjet me njerëz për burg, me trafikantë droge e njerëzish për të cilët iu ulërini, që ju vini veto për atë aderimin në "shpinë" tuaj të përbashkët duke na dhënë shpulla sa herë na mikloni me ndonjë shpresë!

Homologu që iu pret si sheik iu mashtron! Se ka për gja, ashtu siç mashtron nji pjesë të mirë të shqiptarëve! Fundja a s' jeni edhe ju të knaqun sod kur shtireni sikur keni ardhur në nji parajsë që po e zbuloni për herë të parë?!

Jo, jo! Keni ardhë në Shqipninë që mbush shifrat tuaja me emigrantë të paligjshëm, me azilkërkues, me fëmijë që zhduken rrugëve tuaja, për t'mos u kthye ms në këtë vend!

Keni ardhë në Shqipni ku s'ka votë të lirë, s'ka fjalë të lirë, s'ka njeri të lirë. Keni ardhë në vendin ku ka skllevër, punëtorë të keqpaguem, të shkelun e kërcënuem, e pikërisht për këtë fakt mbushën rrugët tuaja me shqiptarë, mbushet Kanali me ikanakë e ju hidhni miliona euro të ngreni polici të përbashkëta për t'i ndalur!

Mirë se kini ardhë lidera të Europës me standarte, në vendin e vetëm në Europë pa asnji standard! Qeshni e gajasuni, bëni edhe batuta, veç mos guxoni me ba të njëjtat akte që dëgjoni ktu në vendet tuaja, se popujt tuaj janë të pamëshirshëm e përfundoni keq!