Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Nënat mbajnë botën në duar

| E diele, 11.05.2025, 06:48 PM |


NË NDERIM TË 9 MAJIT, DITËS NDËRKOMBËTARE TË NËNËS!

NËNAT MBAJNË BOTËN NË DUAR

HIMN PËR NËNAT SHQIPTARE si një tufëz me lule vjershërore për 9 Majin, Ditën ndërkombëtare të nënës -

Nga Albert HABAZAJ

Dashurinë më të ngrohtë

Që për fëmjët ka nëna,

Asnjë këngë dot s’e thotë

E di zemra e saj përbrenda.

Na dha jetë, qumësht e këngë,

Nën’ e xhanit, durim madhe,

Me rrufetë dhëmb për dhëmbë

Qan e hesht, hambar me halle.

Ju, o nënat shqiptare

Veten harruat për ne,

Testament i Mirësisë

Ikët me yjet mbi rè.

Vendin e nënës askush

Askush s’e mban dot një ditë,

Sytë me ç’dashuri i mbush

O sytë e pastër plot dritë!

Vajza, gra, nëna e gjyshe,

Jeni Shqiponja Tërbaçi,

S'ka se si të jeni ndryshe

O mëllëri nga kulaçi!

Kulaç malli, dashurie

Për shtëpi e për Atdhe,

Mbushur me mjaltë mirësie

Shenjtore me frymë për ne.

Gremisni paragjykime

Luftoni për botë të re,

Ju s'njihni ditë për pushime

Amazona si rrufe.

Sot ne u themi gëzuar,

Pse mos t'u themi përditë?!

Ju mbani botën në duar,

Ju botës i jepni dritë.

Ju jeni urata vetë,

Luftëtare shumë trime,

Pastroni qiellin nga retë

Shqiponja në fluturime.

Kolona virtyti, nderi

Kurora të dinjitetit,

Pasqyra, ku thyhet terri,

Sheh veten sinqeriteti.

Bija, motra, nuse, dada

Nga ju ka frikë ligësia,

Se ju çani barrikada

A u faltë Perëndia!

Lum kush e ka nënën! Në krahë të dritës ato që kanë ikur tek yjet...

Nënat bëjnë botën.

Dashurinë e nënës nuk e shpreh dot kush, aq të ngrohtë, aq të ëmbël, aq të dhembshur.

Ku ka si nëna!

Lum kush i ka!

Shenjtoret e vërteta për ne!

Kurora e dinjitetit.

Mirënjohje të gjithmonshme!

Vlorë, e premte, 9 Maj 2025