| E diele, 11.05.2025, 06:54 PM |
Lena Graphic nuk ka pushim. Sot, më 8 maj 2025, nxori në dritë librin monografik “GLLANASELLA- SHKABA” të autorit të palodhur Osman Berisha, të cilin me kënaqësi e redaktova, duke e dhënë këtë vlerësim:
MONOGRAFI
PËR NJË VENBANIM QË PËRHERË I DOLI ZOT ATDHEUT
Nga
Bedri Tahiri
Kohëve
të fundit ka zënë të bëhet traditë hartimi i monografive për vende e vendbanime
të caktuara, gjë që është punë me vlerë edhe për historiografinë kombëtare në
përgjithësi. Aq më mirë kur kjo po bëhet nga vetë pinjojtë e atyre vatrave,
sepse ato po dalin më të kompletuara e më të përmbushura në të gjitha aspektet.
Kështu
veproi edhe i palodhuri, hulumtuesi kureshtar, autori i disa librave me peshë
kombëtare, z. Osman Berisha, cili para disa ditësh ma afroi dorëshkrimin me një
titull të thjeshtë, por që flet shumë “GLLANASELLA (SHKABA)”. Edhe pse me profesion elektroteknik, dashuria
e madhe për mbledhjen e të dhënave të shumta për historinë, gjeografinë,
kulturën, traditën, toponiminë e
trashëgiminë vendlindjes së tij, ka ber që dorëshkrimi të dalë i kompletuar,
i harmonizuar, i realizuar dhe t’i plotësoi kriteret e botimit dhe publikimit
si një monografi me vlera të veçanta.
Autori,
duke e ditur peshën e fjalës publike, në njërën anë dhe, volumin e materialeve,
në anën tjetër, ka punuar gjatë dhe me përkushtim, derisa e ka bindur veten, se
mund të dalë hapur para lexuesve. Në mënyrë që gjithë ky mal të dhënash e
faktesh, të dalë sa më i kapshëm e më i zbërthyeshëm për lexuesit, libri,
përveç parathënies sqaruese, dhe një përfundimi përmbledhës, është konceptuar
dhe sistemuar në tetë kapituj (më nga disa nëntituj), me një rrjedhë të mirë
kronologjike e një koherencë logjike përmbajtjesore:
1.
Gllanasella (Shkaba)- pozita gjeografike,
2.
Vështrim i përgjithshëm historik,
3.
Tradita etnokulturore,
4.
Struktura e popullsisë,
5.
Arsimi dhe shëndetësia,
6.
Përherë në mbrojtje të trojeve stërgjyshore,
7.
Lufta e lavdishme e UÇK-së dhe
8.
Fotoalbum.
Pasqyrimi
i fatit të këtij vendbanimi historik, reflekton mbi fatin e të gjitha trojeve
shqiptare që përjetuan ato zezona çmendësie gjatë historisë sonë mijëravjeçare.
Megjithatë,
Gllanasella (Shkaba) i ka specifikat e veta që e veçojnë nga vendbanimet tjera.
Autori e nis që nga fillimet e tij, nga emri, nga shtrirja gjeografike, nga
banorët e grupuar në familje e në lagje, nga bota e pasur natyrore e njerëzore,
nga rravgimet e bijve e bijave të saj nëpër kapërcyellët historikë, ku, në çdo kohë e në secilën
periudhë, i dolën zot Atdheut dhe ia thanë bukur këngës së grykëhollës.
Në
kapitullin e parë dhe të dytë, lexuesi kureshtar do të merr informacione të
duhura për këtë vendbanim të Drenicës, i cili daton që nga kohët e lashta
historike dhe përbëhet nga 12 lagje (Maloku, Bunjaku, Lladrovci, Mehani,
Berisha, Nikaj, Topilla, Krasniqi, Karaqica, Llugani, Kurrumeli, Saradaku), që
u përkasin katër fiseve: Berishë, Krasniq, Thaç e Kelmend. Vjetërsinë e tij,
pos tjerash, e dëshmojnë edhe disa toponime të veçanta: Lugu i Kishës, Kisha e
Makreshit, Vorret e Kishës, Vorret e Murtajës, Vorret e Vjetra etj.
Mjaft
interesant na del kapitulli Tradita etnokulturore, rëndësia e të cilit është e
shumëfishtë, të kujtohen e të mos harrohen traditat tona të mrekullueshme, me
të cilat mbijetuam shekujve, e të cilat duhet shpërfaqur edhe brezave të rinj,
që nuk kanë pasur fat t’i përjetojnë. Rendi nëpër odat tona, pritja e
mysafirit, kuvendimit me rend e me vend, këngët e rapsodëve, ku gjëllinte
historia e vërtetë, tregimet dhe lojërat e ndryshme, darkat e drekat e begata,
me lloj-lloj ushqimesh, fejesat e martesat, anekdotat e humori i shëndetshëm,
ritet fetare e festat pagane, paraqesin
thesar të veçantë, për çka na kanë lakmuar dhe xhelozuar edhe të tjerët.
Në
kapitullin vijues mësojmë për arsimin dhe shëndetësinë në Gllanasellë dhe
fshatrat përreth, të cilat patën fatin e njëjtë si kudo në trojet tona të
robëruara. Shkolla, si arma më e fuqishme për ta luftuar armikun shekullor,
ishte, njëkohësisht, edhe më e mbikëqyra, më e kontrolluara e më e ndaluara.
Megjithatë, ajo mbijetoi. Dhe, pikërisht, ata që përhapnin rrezet e dritës dhe
të diturisë, u shndërruan edhe në shëmbëlltyrë lirie për brezat e ardhmërisë.
Kështu, në Altarin e lirisë zunë vend edhe mësuesit dëshmorë të UÇK-së, si:
Fatmir Nuredin Nika, Islam Zenë Krasniqi, Jahir Mehmet Lladrovci dhe Sabit
Brahim Maloku.
Pa
fije dyshimi, palca kurrizore e librit monografik “GLLANASELLA (SHKABA)”, të
autorit Osman Berisha, mbeten kapitujt Përherë në mbrojtje të trojeve
stërgjyshore dhe Lufta e lavdishme e UÇK-së, në të cilët është mëtuar të
shpërfaqet një periudhë luftarake mbi njëshekullore të trimave të Gllanasellës,
të cilët përherë qëndruan besnikë të atdhetarizmit.
Sipas
autorit hulumtues, që nga lufta kundër Jashar Pashës, ku morën pjesë 13 trima
të Gllanasellës, pastaj në dëbimin e kajmekamit, më 14 janar 1891, ku morën
pjesë 15 luftëtarë, për të vazhduar në
Carralevë, në Kuvendin e Morinës, në dëbimin e konsullit rus, për tu tretur
edhe si gjynli (Sylë Musolli, Rexhep Krasniqi, Shaban Karaqica, Hysen Karaqica)
e në Luftërat Ballkanike e duke kulmuar në Lëvizjen Kaçake të udhëhequr nga
Azem Galica (1912-1924). Gjatë kësaj periudhe, pati sakrifica, vrasje, dëbime,
djegie, shkatërrime, plagosje, por edhe trimëri, heroizëm, qëndresë e
përjetësime në pavdekësi.
Në
Luftën e Dytë Botërore, përkatësisht në Luftën e Drenicës, udhëhequr nga
Tribuni Shaban Polluzha e nga strategu Mehmet Gradica, burrat e Gllansellës
armikun shekullor serb e shikuan përmes shënjestrës së grykëhollës. Ata u
gjenden edhe në Sanxhak e në Pazar të Ri, edhe në Shalë edhe në Drenicë, edhe
në Tivar, edhe në burgjet e në dënimet me pushkatim, edhe në Goli-Otok.
Ushtria
Çlirimtare e Kosovës është formacioni më i suksesshëm në gjithë historinë tonë.
Për herë të parë folëm me një zë dhe bëmë luftë mbarëkombëtare, duke fituar
përkrahjen e botës së civilizuar, andaj edhe fituam atë që na mungonte e na
takonte-Lirinë! Të flasësh për dëshmorët, është sa krenari aq edhe përgjegjësi.
Ata, me gjakun e tyre u bënë themeltarë të lirisë e të shtetësisë sonë. Ata nuk
kanë nevojë për fjalë të mëdha, sepse vetë janë të mëdhenj.
Këtë
e ka pasur parasysh edhe i palodhuri Osman Berisha gjatë hartimit të kapitullit
Lufta e lavdishme e UÇK-së, i cili vjen si një kurorë dafinash mbi monografinë
që po e shqyrtojmë.
Kapitullit
i paraprijnë dy moto-lapidarë, dy mendime me porosi përjetësie të dy
kryeheronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk i ndau as vdekja:
Fehmi Lladrovci (Me dëshirën më të madhe jam i gatshëm të vdes për Kosovën.
Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh i jetës!) dhe Xhevë
Krasniqi-Lladrovci (Zëri i popullit të Kosovës, që lufton për liri është më i
fortë se krisma e të gjithë topave e tankeve të Serbisë të marrë së bashku!).
Siç
u pa, gjatë shfletimit të kësaj monografie, Gllanasella përherë ishte halë në
sy për të gjithë pushtuesit. Ishte një arrë e fortë që ua dhente dhëmbët atyre
që provonin ta thyenin. Edhe në luftën e lavdishme të UÇK-së ishte prijatare.
Mirëpo, me kthimin e Fehmi Lladrovcit, u bë strumbullar i të gjitha ngjarjeve
të mëdha në Kosovë. Pas vrasjes së Avdullah Nikës (15 shkurt 1998) dhe pas
masakrës së Likoshanit- Qirezit (28 shkurt 1998), veçan pas Epopesë së
Jasharëve (5, 6 e 7 mars 1998), zjarri kryengritës liridashës ishte në të
shpërthyer.
Dhe,
momenti erdhi. Fehmiu, profesionist i artit luftarak, i dëshmuar edhe në Kroaci,
i dha përmasa biblike luftës sonë çlirimtare. U bë mobilizimi dhe ristrukturime
i radhëve. Fehmiu e Xheva, Azem e Shotë Galica të ditëve tona, u bën sinonim i
luftës sonë çlirimtare. Rënia e tyre në Altarin e pavdekësisë, në shtatorin e
vitit 1998, bashkë me të tjerët (Fatime Hetemin, Shefet Zekën, Hamit
Lladrovcin, Skënder e Behxhet Karaxhën, dr Lec Lecin-Gradicën), ishte humbje e
madhe dhe një dhimbje krenare, që e lartësoi idealin tonë për Liri.
Këtë
kapitull më së mirë e ka pasqyruar z. Ramiz Lladrovci në shkrimin UNË BIRI YT!,
përgatitur në 25 vjetorin e masakrës së Gllanasellës e ku me emra e shifra
jepen të gjithë të vrarët...
Fotoalbumi
është si kapak floriri që e përmbyll librin monografik “GLLANASELLA (SHKABA)”,
e duke e arsyetuar atë thënien e vjetër: Një foto sa njëmijë fjalë.
Në
të përfunduar, pa modesti mund të konstatojmë se libri “GLLANASELLA (SHKABA)” i
autorit Osman Berisha, është një monografi e realizuar bukur, e detajuar deri
në imtësi, me një aparaturë të duhur shkencore (me fusnota, me rrëfimtarë e me
literaturë të pasur), për një vendbanim të njohur të Drenicës, për Gllanasellën
(Shkabën) e trimërisë, bujarisë, besës e burrërisë.
Suksese
të reja për autorin e rrugë të mbarë librit!
Galicë, janar 2025