Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Opera e Vivaldit kushtuar Kryezotit të kombit të shqiptarëve dhe heroit të qytetërimit perëndimor, Gjergj Kastriotit

| E marte, 06.05.2025, 06:56 PM |


Ndue Ukaj:

Kjo është opera e Vivaldit kushtuar Kryezotit të kombit të shqiptarëve dhe heroit të qytetërimit perëndimor, Gjergj Kastriotit, emri dhe lavdia e të cilit u përjetësua prej shkrimtarëve, filozofëve e  piktorëve të Europës, shumë përpara se të kthehej si figura kryesore kombëtare, përgjatë Rilindjes Kombëtare, periudhë kjo kur shqiptarët e dërmuar prej robërisë, kërkonin lirinë e humbur dhe shëmbëllimin e frymëzimin e gjenin te emri dhe lavdia e Gjergjit.

Pas vdekjes së Gjergjit, figura e tij ishte luftuar; ishte luftuar edhe kujtimi për të, madje, ishte dhunuar edhe varri i tij, por ai kishte jetuar i gjallë në kujtimet e arbërve të ikur dallgëve të frikës, përtej Adriatikut, kishte jetuar në mesin e kombeve të Europës dhe në kujtimet popullore, ndonëse, sundimi i gjatë otoman, kishte dashtë të zhbënte emrin dhe hijen e tij.

Sepse, sunduesit otoman“...shpresonin që një ditë të shtypurit do t’i donin sunduesit. Madje të kishin mall për ta, saqë, po të vinte dita që ata të iknin, t’u thoshin: mos! Mos na lini. Ose: kthehuni prapë”, thotë një personazh turk në novelën fatnastike të Ismail Kdaresë, “Rarporti i fshehtë”, ku Kadare, heroit tonë kombëtar i jep tiparet e një Krishti që ka themeluar kombin shqiptar.

Pra mes kësaj dëshire skëtrre, kishte jetuar figura e Gjergjit që nuk lejonte një gjë të tillë, që e luftonte harresën dhe përpara shqiptarëve shfaqej si një figurë ripërtritëse.

Sa ishin të mlopesur, ai u jepte shpresë, sa herë ishin të zymtë, ai u jepte dritë.

Dhe Tuz efendiu, në këtë novelë, duke lexuar “Merhum Defteri”, kupton për një varr tjetër, të gjeneralit Ballaban, tradhtarit, jeniçer shqiptar, që kishte ngulë flamurin turk në murin e Kostandinopojës. Pra, jemi përpara një shemrim varresh, dhe turku e kupton se në jetën shqiptare bëhej fjala për “dyvarri”, dhe pikërisht nga kjo enigmë varej gjithçka, meqë, “këndej e tutje historia shqiptare do të përcaktohej, më sa dukej, nga ndeshja midis dy varreve, të zbrazëtit dhe të plotit.”

Shqiptarët që e kanë dashtë lirinë, janë lidhë përjetë me varrin e Gjergjit dhe jo të Ballabanit.

Prandaj, figura e Gjergjit nuk është mit e as produkt i tallaveve ideologjike komuniste, siç përqurren herë pas here ca shqiptarë mendjeshkretë, por është figurë reale, e jashtëzakonshme dhe me shtirje në krejt historinë kulturore perëndimore, dhe ai nuk është luks, siç thotë Kadareja, por një gur themeli. Ai mundi pa shqiptarët, por shqiptarët jo pa të.