| E hene, 05.05.2025, 06:53 PM |
Gjykata Kushtetuese t'ua merrë mandatin 120 deputetëve dështak!
Nga Florim Zeqa
Dhjetë
përpjekje të kota, dhjetë seanca të dështuara, Kuvendi i Republikës së Kosovës
po mbushet dhe po zbrazet për pesë minuta. Pesë minuta të mjaftueshëm për
deputetët për t'i marrë pagat e majme nga buxheti i shtetit!
Abuzim skandaloz i 120
deputetëve
Ky
është pak më tepër sesa dështim institucional, është abuzim skandaloz i 120
deputetëve me paratë e taksapaguesve të varfër të Kosovës! Kjo është dëshmi e
abuzimit të paskrupullt e të zgjedhurve të popullit me besimin e qytetarëve.
Deputetët, të zgjedhurit e popullit, që
kanë për obligim kushtetues, detyrim politik dhe mbi të gjitha obligim moral
për të ofruar zgjidhje, janë bërë pengesë e procesit demokratik në Kuvendin e
Republikës së Kosovës.
Barrikadimi i deputetëve në dy taborre
politike nuk vjen nga përkushtimi për shtetin dhe qytetarët, por është produkt
i inateve personale mes liderëve për interesat e ngushta partiake.
E kemi një situatë paradoksale, kur njëra
palë ngulë këmbë në të drejtën kushtetuese për të propozuar kryetarin e
Kuvendit, kurse pala tjetër, në të drejtën për të votuar kundër apo për të
abstenuar.
Por askush nuk merr përgjegjësinë për
dëmin që janë duke i shkaktuar vendit. Edhe pse asnjëra palë nuk i ka numrat
për të formuar e vetme qeverinë, të dyja palët e kanë fuqinë për të bllokuar
njëra-tjetrën dhe ecurinë e punës në Kuvend!
Me ose pa vetëdije, të dyja palët janë
duke punuar kundër interesit të shtetit të Kosovës duke i lëkundur në themel
institucionet e shtetit, veprime këto që po e gëzojnë Listën Serbe në Kuvend.
Prej që ekziston jeta parlamentare në
Kosovë, asnjëherë nuk ka ndodhur që të mos konstituohet Kuvendi i Republikës së
Kosovës!
Ky precedent i paparë dhe i padëgjuar
duhet trajtuar me urgjencë nga gardianët e shtetit-Gjykata Kushtetuese.
Përderisa për dhjetë herë me radhë dështon konstituimi i Kuvendit, atëherë
problemi nuk qëndron tek procedurat demokratike, por tek mungesa e vullnetit
politik për formimin e instititucioneve të reja të shtetit!
Kështu ndodhë kur mungon përgjegjësia
morale e të zgjedhurve të popullit. Në rastin konkret, nga përgjegjësia morale
duhet të kalohet në përgjegjësi politike dhe ligjore për secilin deputet pa
dallim.
Kosova ka nevojë për një zgjidhje të
shpejtë e jo për bllokada të qëllimshme dhe artificiale të ndikuara nga liderët
partiakë. Zgjedhjet e jashtëzakonshme (qëllim i liderëve partiakë) nuk janë
zgjidhje për Kosovën, për shkak, se edhe nëse shkohet në zgjedhje do ta kemi
përafërsisht të njëjtin rezultat!
Meqenëse jemi në situatë paradoksale,
edhe zgjidhjen duhet kërkuar në të njëjtën rrugë paradoksale, me marrjen e
mandateve të deputetëve nga Gjykata Kushtetuese, për t'i ngarkuar me mandat
të deputetit kandidatët e rinj nga të gjitha subjektet politike që kanë mbetur
jashtë dyerve të Parlamentit me rekomandim të liderëve partiakë.
Florim
Zeqa, 04.05. 2025