| E hene, 05.05.2025, 06:44 PM |
VËSHTRIME RRETH LIBRIT "MODERNËT E KOHËS", TË AUTORIT SEJDO HARKA
Nga
Bashkim Saliasi
Më
është bërë zakon, sa herë lexoj një libër, dëshiroj që mbresat e mia t`i ndaj
me lexuesit, por në rastin e leximit të librit "Modernët e kohës", të
autorit Sejdo Harka, nuk lexova vetëm veprën e tij, por u takova me shumë
shkrimtar e krijues të tjerë, të cilët i kisha lexuar më parë, dhe leximi i
këtij libri më ringjalli shumë kujtime. Pas leximit të librit në mendje më
mbeti paragrafi i parathënies i shkruar nga shkrimtari Bardhyl Xhama.
"Kultura
e gjerë letrare dhe gjuhësore, njohja e psikologjisë dhe e pedagogjisë, e ka
bërë Sejdon të jetë vullnetfortë dhe gjurmues pasionant, në fushën e
krijimtarisë letrare".
Kam
vite që njihem me Sejdon, që në takimin e organizuar në një lokal pranë MASH
nga miku ynë i përbashkët Viron Kona me shkrimtarët kosovarë me banim në Suedi,
z Sokol Demaku, Bahtir Latifi etj. Që në takimin e parë u miqësuam shpejtë dhe
të dy në atë takim qëndruam të heshtur dhe dëgjonim më të vjetrit. Nuk kaloi
shumë kohë dhe përsëri u takuam te gazeta "Mësuesi", kohë kur
Vironi punonte në MASH, në redaksinë e
gazetës "Mësuesi".
Vironi
më kishte folur shumë për Sejdon si njeri punëtor dhe i qetë, fjalëpak e punë
shumë si i thonë fjalës. Në biseda, ai të dëgjon me vëmendje e respekt dhe, kur
është për të shprehur mendimin e tij nuk ngutet, por e argumenton qetësisht
problemin për të cilën diskutohet. Ishte mesi i muajit nëntor dhe së bashku me
Vironin dhe Sejdon shkuam deri në Durrës te miku ynë Kadri Tarelli për ta
ngushëlluar për ndarjen nga jeta të të vëllait, Hytbi Tarellit. Në kthim
Sejdoja më pyeti nëse ma kishte dhuruar librin e tij të fundit. Jo, ishte
përgjigja ime.
Në
fund të javës kur ora shënonte 8 e mëngjesit mora një telefonat nga Vironi. Pas
përshëndetjes ai më bëri me dije se me
Sejdon e kemi lënë të takohemi nga ora 10. Ai të ka ftuar edhe ty që të të
dhurojë librin e tij.
-Me
kënaqësi, iu përgjigja Vironit.
Në
orarin e caktuar u takuam dhe u ulëm në një kafe. Në dorë Sejdoja mbante librin
e tij "Modernët e kohës".
Biseda
rrodhi e ngrohtë sepse ne, si nga hera vetëm për letërsinë dhe artin
diskutojmë. Sejdoja më dhurojë me dashamirësi librin e tij.
Në
autobus fillova të lexoj dhe si me magji faqe pas faqeje libri po më tërhiqte. Kur zbrita në stacionin e fundit te Lapidari
i kisha lexuar 20 faqe. Me të mbërritur në shtëpi u ula në tryezën e punës dhe
vazhdova të lexoj. Leximi nuk më lëshonte dhe pothuajse gjithë atë pasdite deri
natën vonë e mbarova gjysmën e librit. Në çdo faqe që lexoja gjeja zjarr që
ruante prushin që të ndizej dhe të përhapte flakët e të ndriçonte mendjen.
Kultura e gjerë letrare që zotëron shkrimtari tregon për një punë shembullore
të analizave letrare që i bënë veprave, për
të cilat ka përshkruar kritikën jo vetëm për autorë pak të njohur, por edhe shumë të njohur. Me një gjuhë të
kuptueshme dhe me plotë figura letrare, Sejdoja analizon me penën e tij të
mprehtë kritikën dhe vlerat që kanë veprat që ai ka analizuar. Në nivelin
shkencor të mendimit pedagogjik dhe psikologjik, duke hulumtuar në veprat që
merr në analizë, ai jep një ndihmesë të
jashtëzakonshme në fushën e kritikës, e cila mendoj se iu shërben jo vetëm
studentëve të gjuhë-letërsisë, por edhe mësuesve që punojnë në ciklin 9- vjeçar
dhe të mesëm.
Sejdo
Harka, me një klimë të ngrohtë dhe me magjinë e përdorimit të fjalës, hap
horizonte të reja në fushën e krijimtarisë në vetëbesim dhe guxim për të
trajtuar problemet që bartin veprat nga ana profesionale. Të edukosh te lexuesi
ndjenjën e kritikës do të thotë që vepra të ketë vlera të arrira dhe libri i
Sejdos është si një "minierë ari", që sa më thellë të gërmosh aq më
shumë ke se çfarë mëson. Me mendimin e tij profesional të spikatur në fushën e
krijimtarisë shkencore e pedagogjike ai sjell para lexuesit një pasuri me vlera
kombëtare në fushën e krijimtarisë letrare, në fushën e kritikës.
Janë
të rrallë kritikët në këtë periudhë tranzicioni që lëvrojnë fushën e letërsisë
kritike, por Sejdo Harka, duke qenë vet dëshmitar i këtyre ndryshimeve guxon
dhe i përshkruan dukuritë qofshin pozitive apo edhe ato negative. Botimi i
Sejdos zë një vend të rëndësishëm në historinë e mendimit pedagogjik të
trajtimit të problemeve kritike të veprave letrare që jo gjithkush guxon dhe
trajton këtë fushë të letërsisë. Përmes këtij botimi autori hap portat e kalasë
që për këto 30 vjet rrallë po i shohim
dhe i lexojmë. Libri është një laborator në krijimtarinë artistike të autorit,
ku nëpërmjet analizës dhe sintezës hap horizontet e mbyllura. Libri përcjell te
lexuesi mesazhe me një profesionalizëm të lartë dhe përkushtim shkencor nga ana
gjuhësore dhe letrare me një informacion të freskët si flladi në pranverës.
Nëpërmjet kësaj vepre Sejdoja na jep një pasqyrim real në këndvështrimin e njeriut të ditur dhe
me përvojë. Përmes faqeve të këtij libri, autori edukon te lexuesi kritik
dashurinë për t'u marrë me letërsi, ku nëpërmjet figurave letrare të di të
mbrohet nga e keqja dhe të jetojë me të mirën. Libri "Modernët e
kohës" për mendimin tim është një
thesar që kushdo që do vendosi ta lexojë dhe ta ruaj në bibliotekën e tij do të
ketë mundësinë që hera-herës të këshillohet me të.
Po
kush është Sejdo Harka? U lind më 31 janar të vitit 1949, në Përmet. Në vitin
1974 mbaroj studimet në UT Tiranë, dega gjuhë shqipe dhe letrës. Më pas kreu
kursin pasuniversitar për kritikë letrar. Për një periudhë 30 vjeçare ka punuar
në rrethin e Përmetit dhe Tiranës mësues dhe drejtues shkollash. Ka punuar
kryeredaktor i gazetës "Mësuesi".
Është dekoruar me medaljen "Naim Frashëri". Ka një krijimtari
të gjerë në fushën e publicistikës, studimeve kritike, që zë fill që nga viti 1970.
Ka
shkruar dhe botuar artikuj në gazeta dhe revista më të njohura të kohës që
publikohen brenda dhe jashtë vendit, qindra shkrime problemore, studime letrare,
recenca, ese, skica, reportazhe, monografi,
etj. Dy botimet e tij janë, " Figuracioni në këngët e
popullit", "Në ndihmë të
mësuesve të letërsisë. Botimi "Modernët e kohës është libri i tretë i tij.
E
përshëndes mikun tim Sejdo Harka dhe e falënderoj për vlera dhe kënaqësinë që
na dhuroi me librin e tij "Modernët e kohës".