Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Meti Rexhepi: Me James Brown

| E diele, 04.05.2025, 06:52 PM |


ME JAMES BROWN

(1933 - 2006)

Met REXHEPI

Si u çilke lulet e këngës

lehtë lehtë aq lehtë

e ma mbështjellje timen zemër

si diell nate që rrezonte tinguj

dhe melodinë e tëholloje me limë tingujsh

në tetë copë atë zemër këlthitjeve ua shtroje

drithëruese secila copë

magnetizuese çdo ngritje - zbritje melodie

përmes tingullit shpirtit i thoshe dil

dil ore dil

nga zymtësia jote e plogështisë

dil

se je bilbil

e vdekjen e ke pos në këngë

nga një syprinë

këngës ia shpie dashurinë

në majën e bjeshkës piramidë të lartë

dhe e zbrisje poshtë në luginë

të rridhte me gurgullimë

borën që shkrinë

nëse aorta nuk ka valëzim shtytjeje

në grykë zemre të melodisë

për secilën zemër

jepi dhe grahmat e fundit

se doje që melodia për galdimin

të kumbonte ta tundte drithërimin

fort fort fort

ritëm ritëm ritëm i prekshëm rrëqethës

dhe jepi jepi tok tok tok jepi

ritmet prekin edhe të vdekshmit

ngjyrat drithëruese të këngës

i djegin dhimbjet tuaja në mua

thoshe: unë ngre me kordat melodike ura

aty ku ju kam

gjithandej në këngë

bilbil dil në ballë

ti tenor i korit

që kalleshe flakë

dhe turmën e hidhje në delir të galdimit

Gjilan, prill 2025