Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Imazhi i qeverisjes së keqe dhe pa vizion janë rënia e lirisë së mediave dhe mendimit të lirë kritik

| E premte, 02.05.2025, 06:55 PM |


Imazhi i qeverisjes së keqe dhe pa vizion janë rënia e lirisë së mediave dhe mendimit të lirë kritik

Nga Gjon Keka

Është për të ardhur keq kur merrë lajme të këqija për atdheun tënd, për shtetin tënd, aq më tepër kur dihet se Kosova ka sakrifikuar aq shumë për lirinë e saj, e në kuadër të kësaj edhe për lirinë e mediave, të mendimit të lirë kritik, të besimit etj. Paramendoni jemi në vitin 2025 dhe Kosova në vend se të ngritet si për nga lira e brendshme, ajo e mediave ,besimit dhe mendimit kritik ,ajo ka rënë poshtë e më poshtë, kjo tregon imazhin e keq të qeverisjes dhe të pushtetit që nuk din me komuniku me media, nuk din me pranu kritikën dhe si duket nuk e njeh thelbin e lirisë së vërtetë.

Nuk mund të zhvillohet dhe forcohet një shtet nëse nuk e ka lirinë si kryefjalë dhe kryevepër të përditshme, pra nuk e mbronë lirinë e fituar me gjak, lirinë e qytetarit të saj, lirinë e mediave, të demokracisë, të besimit dhe të mendimit kritik. Pushtetarët dhe partia që vetë është në pushtet si dhe simpatizantët e saj në vend se lirinë ta bëjnë bukë të përditshme, ujë që i freskon pemët e lirisë dhe të jetës së shtetit ata ia kanë mbyllë frymën dhe nuk po e lënë të merrë rrezet e diellit të këtij shekulli. Rrezet e lirisë dhe të pavarësisë ose duhet të lulëzojnë sëbashku ose shteti një ditë bie ne humnerë dhe nuk ka të ardhme të sigurtë.

Koha që në Kosovë të ndryshojë qasja qeverisëse, të ndryshojë poashtu edhe mënyra e artit të qeverisjes dhe udhëheqjes, sepse po shihet qartë se sa poshtë, se sa keq dhe se sa është e mbyllur me anë të sanksioneve dhe të mungesës së lirisë e pasigurisë shteti i Kosovës krahas botës së lirë dhe demokratike e të civilizuar.

Po e përmbyll këtë shkrim të shkurtër me fjalët e presidentit të 32 amerikan Franklin D. Roosevlet:

„Liria e ndërgjegjes, liria e edukimit, liria e fjalës dhe liria e tubimit janë ndër themelet e demokracisë, dhe të gjitha këto do të hiqeshin nëse ndonjëherë liria e shtypit do të sfidohej."