| E merkure, 30.04.2025, 06:52 PM |
NJË “MËSUES” I NJERËZIMIT DHE “KLASA” E TIJ...
Nga Ndue Dedaj
Ka disa ditë që vras mendjen se ç’diçiturë mund të ketë kjo fotografi.
“Thjeshtësia e Madhështisë”, mund të ishte me të parën njëra nga ato, pasi për diçiturën më domethënëse të saj mund të shpallej një konkurs botëror. Apo, më e pakta, ndër shqiptarë.
Presidenti ngjan me një mësues kujdestar, që po e çon klasën e tij diku... Po ku?
Nuk është diçka e zakonshme, pasi “mësuesi” po i mban ata fëmijë përdore dhe ata, po ashtu, ecin të zënë përduarsh njëri me tjetrin. Edhe vështrimi i tij nuk është si të jetë duke shkuar me nxënësit e tij për të parë një film në kinema, apo ata për të luajtur me bashkëmoshatarët e tyre në lagjen tjetër. Ata janë gazmorë dhe duan të luajnë e qeshin duke e përfshirë dhe atë, por ai sheh diku tej, në të ardhmen e tyre, se si duhet të jetë ajo?...
Ata janë fëmijët e Luftës së Kosovës dhe kanë dalë në liri, por nuk mjafton kaq. Liria është diçka shumë më e madhe se bombat e NATO-s mbi ushtrinë serbe.
Ky doemos që është një shpjegim.
Por, thellë - thellë, edhe pse nuk është e lehtë të përfytyrosh se si kanë qenë ungjillizuesit e parë, ky zotëri i lartë i paqes së njerëzimit të ngjan si njëri nga ata. Mbase gjithmonë bota ka nevojë për profetët e lirisë dhe paqes...