| E hene, 28.04.2025, 06:55 PM |
Dodë
Gjonaj dhe Ndue Shyti: Dy mjeshtra të
shquar ë çiftelisë dhe instrumenteve muzikore në një koncert të
përbashkët në Amerikë
Dodë
Nikollë Gjonaj, tërë jetën ia ka kushtuar artit popullor
Meloditë
antologjike e tij të ekzekutuara me çifteli
Nga
Gjekë Gjonaj
Në
traditën folklorike të etnomuzikologjisë shqiptare ka pasur emra të
njohur si instrumentistë, duke qenë në radhë të parë mjeshtër artizanalë, por
edhe ekzekutues virtuozë. Kësaj radhe do të ndalem te një instrumentist shumë i
njohur në Malësi të Madhe, por jo sa
duhet i prezantuar, i gjurmuar dhe i studiuar, Dodë Nikollë Gjonaj , nga fshati
Rudinë-Triesh . E veçova këtë emër të njohur të interpretimit të muzikës folklorike shqiptare sepse, siç e kanë vlerësuar instrumentistët, artistët
popullorë dhe mjeshtërit më të rrallë
dhe më të njohur të
etnomuzikologjisë shqiptare, me të
cilët ka bashkëpunuar ngushtë dhe mjaft
gjatë në shumë festivale kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, ai
posedon jo vetëm nivelin e lartë të
talentit për sajimin e instrumentit dhe ekzekutimit me të, por edhe duke qenë
prodhues dhe konsumues të këtij arti. Atë, shumica e njohin si instrumentist,
si mjeshtër që prodhon instrumente muzikore dhe ekzekuton me to. Por janë
të paktë ata që e njohin botën e tij të pasur të artistit krijues, të talentit
të realizuar me përkushtim dhe këmbëngulje, si dhe tërësisë krijuese që
ai ka manifestuar dhe manifeston.
Virtuoz
në çifteli
Te
Dodë Gjonaj janë njëzuar, që në
fëmijëri , në radhë të parë talenti i
lindur i artistit dhe pasioni. Çiftelia, që është instrumenti muzikor më
i preferuar ndër shqiptarët e krahinave
veriore dhe verilindore të Shqipërisë etnike , ishte dashuria e tij e parë dhe do të mbetet
e fundit . Ai këtë instrument e zotëron qysh në moshën 5 – vjeçare, kurse një
vit më vonë ka ekspozuar në skenë me
këtë instrument në SHKA “ Besa” , në një koncert të mbajtur në Triesh , ku morën pjesë shumë shoqëri e ansamble folklorike
nga Komuna e Titogradit ( sot
Podgorica), duke u bërë instrumentisti më i ri dhe i vetmi që luajti në çifteli.
Aq
bukur, aq mrekullueshëm dhe me mjeshtri të rrallë ka luajtur në këtë instrument sa që unë e kam parë disa herë ti bie çiftelisë në pozita të ndryshme, në këmbë, ulur
këmbëkryq, pas qafe, me të cilat kam
mbetur i mahnitur. Që nga mosha 11 -
vjeçare ka qenë anëtar i rregullt i SHKA” Besa” e Trieshit. Me kalimin e
kohës ai u bë mjeshtër virtuoz në çifteli, më i miri në
Malësinë e Mbishkodrës. Nga duart e këtij muzikanti ( artisti) virtuoz që ka arritur shkallën më të lartë të
interpretimit në çifteli dolën dhjetëra
instrumentistë të rinj të shquar trieshianë-malësorë, të cilët performuan në
shumë koncerte e festivale të ndryshme.
Ai
është ekzekutuesi i çiftelisë, i cili përmes një instrumenti të
thjeshtë me dy tela, shprehu një botë të tërë virtuoze, një botë të tërë
ndjenjash sublime, një botë të tërë të artit që i referohet shpirtit, këngës e valles ritmike, e cila buron nga
gjeni krijues shqiptar, që japin melodinë e cila pastron ndjenjat, forcon
moralin, besimin te forca krijuese e
njeriut, thyejnë monotoninë dhe rinojnë
shpirtin. Meloditë e tij të ekzekutuara me çifteli janë melodi antologjike. Nuk u ndalë vetëm në
çifteli. Interpretoi edhe në sharki,
lahutë, fizarmonikë. Mësimet e para në fizarmonikë i mori nga gjeniu, mjeshtri dhe kompozitori i famshëm
Agim Krajka.
Krijimtaria
artistike
Të
rrallë janë muzikantët, artistët dhe
krijuesit shqiptarë të cilësdo lëmi qofshin , që arrijnë ta
zotërojnë talentin , intuitën, mjeshtërinë, afinitetin, përkushtimin, vullnetin dhe kredon krijuese në Shqipëri, Kosovë
Maqedoninë e Veriut , Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc që tërë jetën ia ka
kushtuar artit të popullit, për ta shprehur botën e brendshme shpirtërore,
sikur e ka shprehur dhe e shpreh në krijimtarinë e tij etnomuzikologjike,
Dodë Gjonaj .
Gjatë
periudhave të ndryshme, ai ka kompozuar muzikë për këngëtarë të famshëm , pjesë
orkestrale , melodi të ndryshme dhe ka vënë në skenë dhjetëra valle popullore. Një pjesë e
madhe e melodive të kompozuara nga ai nuk janë publikuar ende, por shpreson se
një ditë do t’u prezantohen publikut shqiptarë .
Në
kohën e kryerjes së shërbimit ushtarak, ishte
anëtar i një ansambli vallëzimi
në Sarajevë. Në Podgoricë, ishte anëtar
i ansamblit të këngëve dhe valleve si instrumentist dhe këngëtar. Në ansamblin
profesional "Stari grad"(Qyteti i Vjetër) ishte i vetmi shqiptar nga
Mali i Zi i cili me kostume kombëtare,
interpretoi këngë dhe valle popullore
shqipe.
Në
vitin 1989, kur ka emigruar në Paris të Francës, është inkuadruar në
Ansamblin Folklorik “Aleksandër Mojsiu”, drejtues artistik i të cilës ka qëndruar deri në vitin 1993, kur ka
emigruar në Miçigan të SHBA-ve . Edhe
atje, ai vazhdon kontributin e tij në muzikën folklorike dhe krijimtarinë e tij të suksesshme
artistike. Rrugëtimin e tij muzikor e vazhdon
në një grup muzikor të mirënjohur me muzikantë , profesionistë e
këngëtarë me famë kombëtare , duke performuar
sipas kërkesave të komunitetit , në dasma,
lokale, koncerte etj.
Në
Francë dhe SHBA ka dhënë kurse për çifteli. Me nismën e tij është formuar edhe Kori i Kishës Katolike Shqiptaro -Amerikane “ Shën
Pali” në Miçigan , i cili përformon edhe
sot. Me iniciativën e tij dhe
dëshirën e komunitetit shqiptaro-amerikan
formoi Ansamblin e Valleve, të cilin e drejtoi deri në korrik 2008, kur u rikthye në vendlindje përgjithmonë nga kurbeti. Ka regjistrime të vjetra në Radio
Televizionin Shqiptar. Radio Televiyionin e Prishtinës, Radio Shkodër, Radio e Malit të
Zi etj.
Dodë
Gjonaj edhe sot e kësaj dite, kur po
rrugëton në të shtatëdhjetat nuk i
ndahet instrumenteve, interpretimit tashmë të përkryer dhe dashurisë së lindur të veglave muzikore këngës dhe valleve
shqiptare.
Bashkëpunimi
me artistë të famshëm
Në
periudhën kohore sa ka qëndruar në Francë dhe në Amerikë Dodë Gjonaj ka pasur
nderin dhe privilegjin të takohet dhe të bashkëpunojë me artistë të famshëm. Në Paris të Francës bashkëpunoi me Ehad Musën , kitarist me famë botërore, kurse
në Amerikë ka bashkëpunuar duke dhënë
koncerte me artistin popullor dhe
mjeshtrin e rrallë të etnomuzikologjisë
shqiptare, Shaqir Hotin ( i lindur në Rogovë të Hasit të Prizrenit) dhe me
Ndue Shytin me origjinë nga rrethi i
Pukë, “Paganini” shqiptar i
çiftelisë. Ky i fundit, siç pohon Gjonaj, pas takimit dhe bashkëpunimit me të në disa shfaqje e koncerte , i kishte thënë:
“
Unë në Shqipëri isha njëri
ndër krijuesit dhe instrumentistët më të njohur në botën e muzikës
shqiptare dhe përveç Artist i Popullit më quanin Mbret i çiftelisë. Mirëpo, kur erdha në Amerikë e gjeta një interpretues tjetër më të mirë të
çiftelisë sesa unë. Ju jeni ai”.
Punues
i shkëlqyer i instrumenteve tona
muzikore popullore
Çiftelinë e tij të parë e ka punuar me dorë në moshën 13-vjeçare, në gjysmën e dytë të
shekullit XX. Me këtë mjeshtëri të
punimit të veglave muzikore
popullore vazhdoi të punojë më së shumti në moshën e
adoleshencës . Shumë çifteli të punuara
me mjeshtri në fillimet e tij ua ka
dhuruar shokëve, miqve dhe adhuruesve të këtij instrumenti tradicional muzikor.
Asokohe nuk kishte mjete të nevojshme për punimin e çiftelisë dhe të
instrumenteve tjera tradicionale të cilësisë së lartë. Punohej me mjete primitive, andaj edhe
cilësia e veglave popullore nuk ishte e
lartë . Kjo ishte arsyeja që ai për 29
vite e ndërpreu këtë lloj
mjeshtërie, të cilën e rifilloi
kur shkoi në Amerikë , sepse
atje ekzistonin të gjitha mjetet moderne
për përpunimin e të gjitha instrumenteve muzikore. Pasi atje e punoi çiftelinë e parë miqtë e tij adhurues të muzikës folklorike
filluan të kërkojnë me porosi jo vetëm
çifteli, por edhe sharki, aude e instrumente
tjera popullore. Veglat muzikore popullore që ai i punon nga druri i kregzës, pajës,
arrës, manit, plepit etj., janë të
cilësisë së lartë prandaj janë shumë të shtrenjta në krahasim me instrumentet
muzikore që prodhohen tani në të gjitha trevat shqiptare.
Ky
krijues artistik e muzikor, cili ka
krijuar origjinalitetin e interpretimit autonom, nuk është vetëm instrumentist, koreograf, udhëheqës
artistik, këngëtar, kompozitor i veprave
muzikore dhe punues i shkëlqyer i instrumenteve
tona muzikore tradicionale , por është një ndër artistët më të dalluar të muzikës
popullore shqiptare.
Me
një karrierë të pasur dhe të gjatë , ai
la gjurmë në botën e muzikës folklorike
shqiptare , duke u bërë një figurë e
dashur dhe i respektuar nga kolegët dhe publiku në hapësirën mbarëkombëtare dhe
më gjerë. Ai nuk ka nevojë për ne. Ne kemi nevojë për artin dhe talentin e tij.
Gjithçka bëri Dodë Gjonaj për artin popullor
do ta bënin të meritueshme dhënien ( ndarjen) e një çmimi nga
Komuna Tuzit, pasi gjithë jetën ai e
nderoi Malësinë , në skenat brenda dhe
jashtë vendit, sepse përçoi anembanë identitetin e shqiptarisë.
Ky
mjeshtër virtuoz e ka çarë rrugën e
afirmimit të veglave muzikore tradicionale , këngëve, valleve dhe traditave etno-kulturore
shqiptare krejt i
vetëm, pa përkrahje institucionale, por me mbështetje të fuqishme të publikut artdashës.
I
dhimbset shumë arkivi ( albumi) i tij i pasur nga pjesëmarrjet në festivalet më prestigjioze , më në zë, më
me renome, të kohës në shtete të ndryshme të botës, të cilat i mbetën ( humbën) në Shtete të Bashkuara të Amerikës, që për të
është një pasuri dhe vlerë e
paçmuar artistike. Pavarësisht kësaj
krijimtaria e tij artistike kurrë nuk do
të vdesë.( Koha javore)