| E diele, 27.04.2025, 06:52 PM |
Ismail Ismaili: 15 vite në shërbim të vlerave socialiste dhe përfaqësimit gjithëpërfshirës në Zvicër
Nga
Sevdail Hyseni
Ismail
Ismaili, me origjinë nga Tërrnofci, Komuna e Bujanocit, edhe këto ditë në
Partinë socialiste Zvicerane, si anëtar i Kuvendit të Komunës Belmont-Broye, po
shërben me përkushtim në mandatin e dytë radhazi, duke kontribuar në mbrojtjen
e vlerave demokratike, sociale dhe të përfaqësimit të barabartë për të gjithë
qytetarët.
Një
nga betejat e fundit politike ku Ismaili ka dhënë kontribut të çmuar (këto
ditë) ishte angazhimi n i tij ndaj propozimit për zvogëlimin e numrit të
këshilltarëve në Kuvendin Komunal nga 50 në 40 apo edhe 30, siç ishte kërkuar
nga ekzekutivi (Le Conseil Communal). Në përgatitjen e Kuvendit (Le Conseil
Generale), Ismaili dhe shumë kolegë socialistë, u angazhuan fuqishëm për të
ruajtur numrin prej 50 këshilltarësh.
“Sipas
meje, ky numër reflekton më mirë përmasën e komunës dhe diversitetin e banorëve
të saj, meqë edhe ligji parasheh që popullatë të jetë e përfaqësuar me 1% të
saj në legjislativin e mjedisit. Me 6112 banorë (në 31.03.2025), duhet të ishin
60 këshilltarë, d.m.th. që jemi ma pak se që parasheh ligji. Pra, është e
rëndësishme të kemi një përfaqësim sa më të gjerë dhe të balancuar”, thekson
Ismaili, duke shtuar se edhe në mbledhjet e rregullta shpesh mungojnë me arsye
3-4 anëtarë, çka dëshmon për nevojën reale të ruajtjes së këtij numri.
Për të rikujtuar, edhe në vitin 2021 (para
zgjedhjeve të rregullta që mbahen në çdo pesë vite) ishte propozuar një ulje e
tillë drastike (nga 60 në 40), që do të përfaqësonte një reduktim prej 30%.
Por, Ismaili, atëherë si tani, së bashku me socialist tjerë, ka përkrahur propozimin
e reduktimit simbolik, duke e mbështetur opsionin e 50 anëtarëve si
alternativën më të arsyeshme dhe demokratike. Me 14 prill, në seancën e
Kuvendit të Komunës Belmont-Broye, mbështetja për këtë qëndrim ka ardhur JO
vetëm nga radhët e socialistëve dhe të gjelbërve, që janë një opsion i
përbashkët në Kuvend (La gauche pluriel et les verts), por edhe nga këshilltarë
e grupeve e tjera politike si Lëvizja për Belmont-Broye (MBB), PLR, dhe e
djathta UDC, janë bashkuar me këtë vizion, duke e shndërruar ruajtjen e numrit
50 në një fitore të përbashkët për përfaqësimin dhe përfshirjen.
Në
këtë drejtim, edhe këshilltarja Valentina Ismaili – Xheladini, ka theksuar
rëndësinë e ruajtjes së diversitetit dhe aksesueshmërisë në institucionet
demokratike: “Nëse do të kishim vetëm 40 anëtarë, shumë nga ne SOT nuk do të
kishim pasur mundësinë të ishim këtu ku jemi. Kjo do të ishte një humbje për
vetë pasurinë e mendimeve, për debatet dhe për angazhimin qytetar.” Ismaili, i
cili ka njoftuar se nuk do të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme, thekson se
është koha për t’u dhënë hapësirë të rinjve, përfshirë edhe brezave nga
Ballkani, që të angazhohen në jetën politike dhe publike në Zvicër.
“Ruajtja
e numrit prej 50 këshilltarësh nuk është thjesht një çështje aritmetike, por një
mundësi konkrete për të rinjtë që duan të kontribuojnë, për të sjellë ide të
reja dhe për të qenë zëri i popullatës së tyre në skenën politike zvicerane,”
përmbyll, ai, me modestinë që e ka karakterizuar në gjithë rrugëtimin e tij
politik.
Në
prag të përfundimit të mandatit të tij, zotëri Ismaili, ka bërë të ditur se nuk
do të rikandidojë, duke i hapur rrugën brezave të rinj për të vijuar
përfaqësimin dinjitoz në politikën lokale zvicerane. Pavarësisht se nuk do të
rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme, ai mbetet pjesë e komitetit të PS
Belmont-Broye, i bindur se angazhimi politik duhet të vazhdojë me gjenerata të
reja, duke ruajtur frymën e barazisë, diversitetit dhe pjesëmarrjes qytetare.
Ismail Ismaili dhe Valentina Ismaili – Xheladini
(babë e bijë), këshilltarë nga radhët e Partisë Socialiste, në Kuvendin Komunal
të Belmont-Broye, në Zvicër