| E merkure, 23.04.2025, 07:00 PM |
TRINOMI
HARMONIK: LUFTËTAR, VEPRIMTAR DHE KRYETAR NDERI
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Ish-kryetari
shumëvjeçar i Shoqatës Kulturore-Humanitare, Shqiptaro- Gjermane "Sali Çekaj",
në Bavari të Gjermanisë; ish-kryetari i Degës të LDK- së për Gjernani, Osman
Ferizi, mbushi 60 vjettë jetë. Me këtë rast ai bëri një letër publike për
opinionin. Në mes tjerash, shkruan:
"Dita
DD - Ditëlindje & Dorëheqje", - emërtoi shkrimin e Dorëheqjes,
-Kryetar NDERI- i Shoqatës "Sali Çekaj", Osman Ferizi. Një gjetje e
bukur, por shqetësuese, deri në mos aprovim nga bashkëpunëtorët dhe sidomos nga
miq e dashamirë, sepse me përvojën dhe vullnetin ngulmues Osman Ferizi është
unik, i cili pushton çdo kala, sado e koracuar që të jetë! Dhe, këtë e ka
dëshmuar përgjatë dyzetë viteve të veprimtarisë së tij të suksesshme, gjithnjë
në shërbim të çështjes kombëtare.
"Tërhiqem
nga veprimtaria Ferizi, pas një jete të tërë, në shërbim të kauzës kombëtare",
- shkruan ai, duke renditur, në sintezë, disa syresh: si student në greva urie,
në grupet guerile, mbështetje të luftës çlirimtare, ndihmë familjeve skamnore
përmes Shoqatës "Sali Çekaj", deri edhe ndërtim shtëpish për
ish-luftëtarët; në organizimin e jetës kulturore e humanitare.
Me
gjithë këtë punë sa sasiore, aq edhe cilësore, nga Kosova zyrtare nuk ka pasur
vlerësim e mirënjohje domethënëse.
"Përkundrazi
- kontributi ynë është zhvatur e politizuar për interesa të ngushta", -
shpërthen, zemërplasur, i papërsëritshmi Osman Ferizi.
Me
gjithë kërkesat e përsëritura, për të hapur Qendra Kulturore Shqiptare;
organizimin masiv të Shkollës Plotësuese Shqipe, mosinteresimi dhe
papërgjegjësia është dëshmuar, qoftë edhe pa thënë, në heshtje!
Në
cilësinë e -Anëtar NDERI- të Shoqatës së mirënjohur, "Sali Çekaj", në
emër të Kryesisë dhe të anëtarësisë simpatike të Shoqatës, i shprehim urimet më
të mira, për kryetarin shumëvjeçar Osman Ferizi, me rastin e 60 vjetorit të
Datëlindjes, duke i uruar shëndet të mirë, jetë të lumtur familjare dhe
jetëgjatësi të rehatshme.
Shkëputjen
Tuaj nga veprimtaritë e deritanishme, e marrë si relative dhe këtu e gjejmë
edhe ngushëllimin tonë. Megjithatë, është një largim i dinjitetshëm, me
ndërgjegje të dëlirë e krenar. "I mbetem besnik filozofisë rugoviane,
anëtar i LDK-së që nga 27 dhjetori 1989, si student". - thotë Osman
Ferizi. Kjo demanton të gjithë intriguesit, të cilët, cinikisht dhe
poshtërsisht, shpifnin, se Osman Ferizi është i vonshëm në LDK-e.
Ai
falenderon të gjithë ata që e mbështetën në veprimtarinë e tij të begatë, në
kohëzgjatje 40 vjeçare, nisur nga nusja ideale Sofë, djalin e veçantë,
Argentin,
vajzat e mrekullueshme: Mërgatën, Enkelejdën, Evën.
Familja
Ferizi
Ai
shprehë falënderimet e çiltra, për të gjithë ata që e shoqëruan në rrugëtimin e
tij fisnik, me përkushtim e dashuri për kombin. Dhe, vërtet, si veprimtar për
dekada radhazi në Gjermani dhe Evropë, nuk kam parë një shoqatë të dytë kaq
jetëgjatë, me një kryesi dhe anëtarësi kaq të harmonishme dhe skajshëm të
vyeshme, si kjo me emrin e Heroit markant të Kosovës, "Sali Çekaj"!
Së
fundi, luftëtari dhe veprimtari Osman Ferizi, njerëzisht e fisnikërisht, u
kërkon ndjesë të gjithë atyre "që mund t`i kem lënduar, përgjatë veprimtarive
tona, por me bindjen se gjithçka ka qenë në shërbim të punës, në interes të
Kosovës dhe kurrë e për asgjë personale".
Thonë
se drejtuesit e suksesshëm, përgatisin kuadro të aftë, për t`i zëvendësuar pas
largimit, pensionimit. Kryetar Ferizi pati bashkëpunëtorë të mirë dhe Shoqata
me punë shumë, i mësoi anëtarët e saj të punojnë kolektivisht, me një disiplinë
të veçantë, jo fort e zakonshme ndër shqiptarët. Herë-herë, dëgjoheshin zëra,
në surdinë, "i rreptë kryetari, por, ama, punëtor dhe i drejtë, madje,
edhe i drejtpërdrejtë", e justifikonin "rreptësinë" e tij
korrekte.
Osman
Ferizi rrethohet nga bashkëpunëtorë të vyeshëm dhe të sinqertë. Ata janë shumë,
anekënd Gjermanisë, por edhe jashtë saj në Evropë e më tej. Ata janë të shumtë
dhe unë nuk marrë guximin të përmend emra, sepse hatërimi i të harruarëve do të ishte i pashmangshëm. Përmenda
"rreptësinë" e kryetar Osmanit, disa jo vetëm e mendonin, por edhe e
thonin se "më mirë do t`i shkonte profesioni i ushtarakut, në komandë, se
sa ai i inxhinierit që ka përzgjedhur në rininë studentore".
Në
fakt, ai ka një komunikim logjik dhe të butë, me një përkujdesje të
njerëzishme, jo vetëm me bashkëpunëtorët e tij, por për të gjithë veprimtarët e
Mërgatës dhe më gjerë. Një sëmundje, një vdekje, një hall familjar, një
ngatërresë të vogël apo të madhe, ai e përjeton si personale apo familjare dhe
përdorë autoritetin e tij për të ndihmuar e zgjidhur. Kryetar Osmani, siç na
pëlqen ta thërrasim ne, mbanë lidhje dhe i kujton me respekt organizatorët e
Demonstratave të vitit të largët 1968 në Kosovë, të burgosurit dhe të dënuarit
të viteve `80-a dhe FARK-istët e Dr.Ibrahim Rugovës në vitet 90-a, të cilët
filluan organizimin dhe përgatitjen për luftën e armatosur; veprimtarët e
Mërgatës, të cilët kontribuuan shumë për mbijetesën ekonomike të Kosovës së
pushtuar nga bandat soldateske të Millosheviçit. Ai ishte aktiv në organizimin
dhe begatimin e Fondit shtetëror të 3 %.shit, së bashku me armatën e madhe të
LDK-së si dhe të gjitha aksionet tjera në ndihmë të Kosovës.
Osman
Ferizi përgjatë veprimtarisë së tij jetësore, nuk është kursyer as në kohë dhe
as në xhep. Udhëtimet e tij, në kuadrin e veprimtarive të Mërgatës, nuk janë
kufizuar vetëm brenda Gjermanisë, por ka qenë i pranishëm edhe në Evropë, si në
Zvicër, Belgjikë, Francë, Austri dhe gjetkë. Ai vlerëson njerëzit e mirë,
pavarësisht krahine e besimi fetar. Ai di të respektojë veprimtarët e vjetër,
si askush tjetër dhe të rastet Përkujtimore apo festive, ai "i bie rrth të
gjithë organizimit", duke e përmbushur më se miri misionin që ka ngjarja e
shënuar.
Në
Mërgatë, zgjedhjet partiake, të shoqatave, klubeve, zakonisht, praktikohet
votimi i fshehtë. Kryetar Osmani e ruan me fanatizëm këtë kod dhe kurrë nuk
frikësohej nga ky standard. Madje ka prishur edhe miqësi, në mbrojtje të këtij
standardi, si normë e demokracisë, për të mos i dhënë kurrë qytetarinë
aklamacionit fiktiv, të rrejshëm të monizmit marroq. Kjo ka qenë edhe përballja
jonë me Isa Mustafën dhe klanin e tij. Në Kuvendin e 8-të Zgjedhor të LDK-së,
më 25 maj 2015, shoku Isë na mbylli derën ne, delegatëve nga Gjermania, të
prirë nga kryetarja e dinjitetshme dhe guximtare, Donikë Gervalla, dhe ata të
Zvicrës. Edhe Shoqata "Sali Çekaj" respekton shenjtërinë e votës së
fshehtë. Në zgjedhjet e fundit të saj, bindshëm i parë ishte Mr. ing. Argent
Ferizi, djali i Osman Ferizit. Për punë e korrektësi, "më bëjë baba të të
ngjajë", por në sjellje me një butësi klasike, është vetja e tij.
Osman
Ferizi së bashku me djemtë e Kosovës, Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti,
Ahmet Haxhija dhe të tjerë, pas përfundimit të ushtrimeve ushtarake, në Surrel të Tiranës, nga
pedagogët elitë të Akademisë Ushtarake Shqiptare, të armatosur kaluan kufirin,
duke hyrë në Kosovë. Dhe, krijuan grupet e para guerile, bërthamë e Forcave të
Armatosura të Republikës të Kosovës.
Gama
e veprimtarive të Shoqatës "Sali Çekaj", e prirë nga Osman Ferizi,
është e gjerë. Kujtojmë njërën syresh, leja e vendosjes dhe e realizimit në
skulpturë nga Miftar "Tal" Istrefi, financimi të Shtatores të Nënës
Terezë, deri ke organizimi meshtar dhe festiv zyrtar "Nata
Shqiptare", në qytetin e Bavarisë gjermane, me pjesëmarrjen e
personaliteteve vendore dhe shqiptare; dhe të klerikëve të 4 (katër)
konfesioneve fetare, nga Kosova dhe Shqipëria.
Përgjatë
5 (pesë) vjeçarit të fundit janë financuar dhe realizuar disa vepra kapitale.
-Kompleksi Memorial Dr. Ibrahim Rugova-, në fshatin e origjinë së Tij, në Malaj
të Rugovës, si Kulla, me arkitekt Blerim Bajraktari, mjeshtrit Demiraj nga
Açareva; Shtatorën skulptori Gëzim Muriqi dhe rrugën me mjedisin artistik, me
një mini-amfiteatër në natyrë të hapur, e bëri Gazi i Pejës. Ky Memorial, ashtu
si edhe në disa objekte të tjera, me Shoqatën "Sali Çekaj", janë solidarizuar edhe Shoqatat simotra,
"Sali Çekaj", me kryetar Saim Tahiraj, në Zvicër dhe ajo
"Rugova", me kryetar Feriz Muriçin, në SHBA.
Shtatoret
e Heronjve të Kosovës, Rrustem Bruçaj, Smajl Hajdaraj; bustet e Adem Ukhaxhaj,
Smajl Hajdaraj, në Shkollën e Qyshkut; busti në oborrin e Shkollës të
profesorit arbresh Kruno Kërstiç, në Zarë të Kroacisë; lapidarin përkujtimor të
Sali Çekaj, në fshatin e tij Broliq; lapidarin e djemve ushtarë të Kosovës, në
ushtrimoren në Surrel të Dajtit, Tiranë, në bashkëpunim me historianin hulumtues,
Marin Mema e dhjetra vepra të tjera.
Vetëm
gjatë vitit 2023, Shoqata arriti t`i tubojë 200 mijë euro, të cilat u përdorën,
me një transparencë kolegjiale e proverbiale, duke e shtrirë aktivitetin dhe
humanitetin në të gjithë Etnikumin shqiptar.
Datëlindja
e 60-të, e zuri Osman Ferizin në një aksion të ri. Një grup vullnetmirë, nga
komuniteti artistik, në Prishtinë, të prirë nga njeriu i letrave, Gani
Mehmetaj, vendosën realizimin e një projekti artistik, Dokumentarin Filmik
"Dr. Ibrahim Rugova - Rilindasi i Fundit", me kosto prej 170 mijë
euro. Adresë e parë financuese ishte, pikërisht, Osman Ferizi, me Shoqatën
"Sali Çekaj", që nënkupton edhe pjesëmarrjen e Shoqatave simotra të
saj, por edhe të donatorëve të tjerë Rugovë-dashës të përbotshëm. Aksioni
vazhdon dhe kjo relativizon edhe "lamtumirën" e veprimtarive të Osman
Ferizit, -ANËTAR NDERI- , i Shoqatës "Sali Çekaj" në Gjermani.
Gëzofshi
vite e dekada të tjera, me shëndet të mirë, me lumturi në familje e shoqëri,
sërishmi, me punë të mbara e fisnike!