Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Homazh për Papa Françeskun

| E hene, 21.04.2025, 06:59 PM |


Homazh për Papa Françeskun, Ati i mëshirës që shtriu dorën e sublimitetit hyjnor drejt shqiptarëve

Nga Albert Vataj

Në mëngjesin e sotëm, qielli hapi portat për të mirëpritur një shërbestar të përulur, një pasardhës të Shën Pjetrit që e përjetoi papatin si një thirrje për të qenë bari i të vegjëlve, i të margjinalizuarve, i atyre që historia shpesh i lë në harresë. Papa Françesku, udhëheqësi i Kishës Katolike dhe zemra e një bote në kërkim të mëshirës, iu dorëzua Atit Qiellor, duke e lënë këtë tokë më të ndriçuar nga përulësia dhe mëshirimi që ai përçoi.

Për shqiptarët, Papa Françesku nuk ishte vetëm një figurë e lartë shpirtërore, por një mik i sinqertë, një dëgjues i dhembjes dhe krenarisë së një populli që mbijetoi përmes besimit. Në vizitën e tij historike në Tiranë, më 21 shtator 2014, Ai nuk erdhi thjesht si Papë, por si një vëlla në Krisht, i cili e ndjeu gjakun e martirëve tanë dhe frymën e bashkëjetesës ndërfetare që përbën krenarinë shqiptare.

Në sheshin “Nënë Tereza”, përballë një populli që e priti me zemër të hapur, Papa Françesku tha:

"Nuk mund të mos përmend vuajtjet e shumta dhe të tmerrshme që keni përjetuar gjatë shekullit të kaluar: përndjekjet dhe shtypjen ndaj fesë, e posaçërisht kundër katolikëve."

Ai i quajti martirët shqiptarë "rrënjë të forta" të një besimi që nuk mund të shfaroset nga diktatura, as nga frika.

Në një akt domethënës, ai zgjodhi që shenjtorja e parë shqiptare, Nënë Tereza, të shpallej Shenjtore në një ceremoni madhështore në Sheshin e Shën Pjetrit më 4 shtator 2016, duke e njësuar shenjtërinë me shqiptarinë në altarin e botës.

Papa Françesku nuk i shikoi shqiptarët vetëm përmes lenten e kujtimeve tragjike, por si një popull me dinjitet shpirtëror dhe kapacitet pajtues. Ai i vlerësoi shqiptarët për modelin e bashkëjetesës ndërfetare, për harmoninë ndërmjet myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve, duke e përmendur shpesh Shqipërinë si shembull për botën.

Me ndarjen e tij nga kjo botë, nuk kemi humbur vetëm Papën e Kishës Katolike, por një shpirt të krishterë që e mishëroi Ungjillin me jetën e tij, me gjuhën e mëshirës, me heshtjen që lartëson dhe me përulësinë që transformon.

Sot, shqiptarët e nderojnë Papa Françeskun jo vetëm si një At shpirtëror, por si një udhëtar të dritës që la gjurmë në zemrën tonë kolektive. Ai është tashmë ndër yjet e përjetësisë, në atë dritë që Ai vetë na mësoi ta besojmë, edhe kur errësira na përgjon.

U prehsh në paqen e Atit, Papa Françesku!