| E diele, 20.04.2025, 12:05 PM |
"REÇAK - HISTORIA E NJË KRIMI LUFTE" E AMBASADORIT WILLIAM G. WALKER
PROMOVIM NË VATRËN E NOLIT E TË KONICËS
(Federata
Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra organizoi promovimin e librit të Ambasador
William G. Walker -- "Reçak - Historia e një krimi lufte", ditën e
Shtunë më 19 Prill 2025 ora 11 Am në Selinë Qëndrore në Bronx, Nju Jork)
Nga
Frank Shkreli
Ambasador
Walker, ju përshëndes zotëri – është vërtetë kënaqësi, ashtu si gjithmonë, që
shihemi sot këtu në Vatër. Mua, duke
qenë në praninë e Ambasadorit Walker, më bën të ndihem se për sa ka njerëz si
z. Walker -- në këtë botë të trazuar tonën -- ka shpresë për njerëzimin. Të
qenit në praninë e tij më rikthen besimin tek njerëzimi! Jemi të nderuar dhe të
privilegjuar që ju kemi sot këtu me ne, ambasador Walker.
Zonja
dhe zotërinj! Jemi këtu sot, për të promovuar një libër të mikut të madh të
Kosovës dhe të kombit shqiptar, ambasadorit William Walker. Një libër që duhet
lexuar nga çdo shqiptar, kudo. Një dëshmi e dorës së parë nga një diplomat
amerikan -- i cili i tregoi botës për krimet serbe kundër njerëzimit në një
fshat të vogël të quajtur Reçak të Kosovës. Por, ne jemi këtu edhe për të
shprehur mirënjohjen tonë për ambasadorin Walker.
Për
ta falënderuar atë për vendimin e guximshëm që të shkonte në Reçak atë ditë të
ftohtë janari, ku zbuloi masakrën e 15 janarit 1999, e ku forcat terroriste
serbe kishin masakruar 45 civilë shqiptarë dhe më pas, përmes një konference
për shtyp për shtypin vendas dhe botëror, Z. Walker denoncoi para botës atë që
kishte parë me sytë e tij në Reçak, një “masakër” dhe “krim kundër
njerëzimit”. Ambasadori Walker do të na
thotë se vajtja e tij në Reçak atë ditë, ishte një ditë që jo vetëm ndryshoi
jetën e tij, por ndryshoi përgjithmonë edhe të ardhmen e Kosovës dhe të
Ballkanit.
Tani,
për ata që dinë diçka se si vepron burokracia qeveritare, dijmë se William
Walker, i cili udhëhoqi Misionin Verifikues të OSBE-së në Kosovë në atë kohë,
pritej që të kishte kërkuar leje nga lart për të mbajtur konferencën për shtyp
në Prishtinë, me qëllim për t'i treguar botës se çfarë pa në Reçak. Falënderës
Zotit, ambasadori Walker nuk i kërkoi askujt leje për të mbajtur konferencën
për shtyp pas kthimit të tij në Prishtinë nga Reçaku, ndërsa kishte vendosur
t'i tregonte botës për masakrën e Reçakut -- masakrën më të rëndë që kur forcat
serbe kishin nisur goditjet e tyre masive terroriste kundër civilëve shqiptarë.
Për besimtarët, shkuarja e Ambasadorit Walker në Reçak mund të duket si një ndërhyrje hyjnore për të
shpëtuar një popull nga zhdukja.
Merrni
me mend për një sekondë, nëse do të kishte qenë dikush tjetër në vend të Z.
Walker si Shef i Misionit Verifikues në Kosovë, në atë kohë. Dikush, i cili për
çfarëdo arsye, nuk do të kishte shkuar në Reçak. Vetëm imagjinoni! Bota nuk do
të kishte mësuar kurrë për masakrën në Reçak dhe si rrjedhojë, Zoti e di se
cila do të ishte e ardhmja e Kosovës sot.
Por,
fatbardhësisht, ishte ambasadori Walker ai që vendosi të shkonte në Reçak dhe personi
që i tregoi botës të vërtetën e madhe për çfarë kishte ndodhur në atë vend dhe
për atë që po ndodhte anë e mbanë Kosovës: Ndaj deklaratave të Ambasadorit
Walker, reagimi ishte shumë i shpejtë në Uashington. Ndaj asaj që z. Walker po
raportonte për mizoritë e forcave serbe në mbarë Kosovën kundër shqiptarëve
civilë e të pa armatosur. Si rrjedhim, e gjithë qeveria e SHBA-së po
mobilizohej për t'u marrë me situatën -- në përpjekje për të ndalur masakrat e
mëtejshme në Kosovë.
Mbaj
mend se si konferenca për shtyp e Zotit Walker -- kur ai ka denoncuar masakrën
e Reçakut -- pat tronditur Uashingtonin zyrtar por dhe botën.
Si
Drejtor i Divizionit Evropian të Zërit të Amerikës në atë kohë, kam marrë pjesë
pothuajse çdo ditë në takime ndër-institucionale të qeverisë federale amerikane
mbi gjëndjen e krijuar në Kosovë, në përpjekje për të bashkrenduar aktivitetet
midis agjencive qeveritare të SHBA-së si dhe me aleatët e SHBA-së në Evropë dhe
në mbarë botën, me qëllim për të ndalur gjakderdhjen e mëtejshme në Kosovë. Në atë kohë nuk kishte dyshim se vrasja
masive në Reçak do të bëhej një pikë kthesë në krizën e Kosovës.
Por,
ja ku jemi sot 26 vite më vonë… Në janar të vitit 1999, ambasadori Walker
njoftoi botën për krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë. Masakra e Reçakut –
një pikë kthese tragjike për njerëzimin që e nxiti botën të vepronte për të
ndaluar krime të mëtejshme kundër njerëzimit nga forcat terroriste serbe në
Kosovë. Po, masakra në Reçak ishte një ngjarje tragjike, por edhe një
pikëkthesë që çoi në çlirimin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe në një
miqësi dhe aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara – në një përkushtim të
përbashkët të dy vendeve aleate, për të vërtetën dhe drejtësinë.
Nëse
më lejoni të bëj një sugjerim ose më mirë një thirrje… Libri i ambasadorit
Walker, “Reçak: Historia e një krimi lufte” është një dokument për zbulimin dhe
denoncimin e krimeve kundër njerëzimit në Kosovë. Çdo familje shqiptaro-amerikane dhe në mbarë
trojet shqiptare në Ballkan dhe më gjerë duhet ta ketë këtë libër në
bibliotekën private. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë sot: të shprehim
mirënjohjen, falënderimet dhe admirimin tonë për gjithçka që miku ynë i madh
Ambasadori William Walker ka bërë dhe vazhdon të bëjë për popullin tonë! Duke të uruar shëndet dhe jetë të gjatë të
falënderojmë përgjithmonë, përzemërsisht!
William
Walker pays homage in front of Recak/Racak massacre memorial on January 15,
2025. Photo: BIRN
(William Walker bën homazh përpara memorialit të masakrës së Reçakut më 15 janar 2025. Foto: BIRN)