| E diele, 20.04.2025, 12:00 PM |
TE
VARRI I KRISHTIT,
KU
NDODHI RINGJALLJA
DHE
JO VETËM ATY…
Shënime
nga Jeruzalemi, 2022
-
Pjesëza -
Nga
Visar Zhiti
…dolëm
pas mesnate, herët, kur s’duhej të kishte turma nëpër qytet, që të mos
pengoheshim dhe të shmangnim radhët e gjata.
U
futëm nga Porta e Herodit dhe po ecnim si grup rrugicave të ngushta, ku dritat
zverdhnin si flakë qirinjsh dhe hëna sipër digjej si kemore meshe.
Ndonjë
mace shfaqej te dyert e mbyllura si enigmat, por dhe ndonjë makinë policie më
tej dhe ushtarë me armë pranë tyre, ndonjëri dhe këndonte bashkë me ne, teksa
ndalnim me radhë në vendet, ku kishte ndaluar Krishti… Stacioni i parë, siç i
quanin këtu… I dyti… me kryqin mbi shpinë… I treti… goditjet me kamxhik, ja,
kolona, ku e lidhën, tani është e përgjysmuar, iu afruam, e preknim me dorë të
dridhur, dukej sikur ende kishte diçka nga trupi i Birit të Zotit. Këtu Jezusit
i shqyen
veshjen
bashkë me mishin dhe më tej dhe e tallnin turmat duke i vënë kurorën me gjëmba
mbi ballin e përgjakur. Aty ku Ai rrëzohej, ngrihej sërish mes rënkimeve dhe ne
lexonim pjesën përkatëse nga Bibla dhe vazhdonim me meditimët dhe himnet deri
te ndalesa tjetër. Po përshkonim pikërisht po atë Rrugë të Dhimbjeve të para
2000 vjetëve… Hapat tanë kumbonin mbi gurët e hershëm si rrahjet e zemrave.
…po
ku është Golgota? Këtu s’ka asnjë kodër? As kryq të përbindshëm, të zi… Janë
ndërtuar kisha të lavdishme mbi to, i nisi Shën Helena, nëna e perandorit
romak, Konstandinit, me origjinë ilire, ishte dardan, pra nga Kosova jonë…
duhet ta themi, të bëjmë dhe ne diçka… si të tjerët, po mendoja dhe futemi në
njërën nga kishat në heshtje dramatike. Në dysheme nën një xham të madh, ja,
shkëmbi i errët, i shtrirë i Golgotës si kurriz kafshe… pelegrinët bien në
gjunjë aty. Ngrihen të përlotur. Eda ndez qirinj të tjerë.
Ndalesa
12, Krishti vdes në kryq.
13.
Jezusin e zbresim nga kryqi dhe ia japin Nënës në prehër.
Tani
lexon Eda ime, zëri përhapet në mugëtirë dhe sikur mpikset me dritat. Këtu m’u
mor fryma prapë. 14… shkuam te vendi, ku shtrinë kurmin e sfilitur të Jezusit.
…njerëz
të tjerë para nesh, të gjunjëzuar, puthin rrasën. Vëmë duar aty. Ç’duam të
marrim nga thellësitë? Ç’kumt të pambërritshëm shenjtëror? Dhe ikim te varri.
Të vendi që ka qenë shpellë dikur, si nën ndriçime pishtarësh, një meshë
mahnitëse, e paparë ndonjëherë…
…sytë
plot me lotë që vezullojnë bashkë me rubinët e kishëzës, edhe zërat mallëngjyes
të meshtarëve, nuk po qajmë për vdekjen, - na thanë, - e kemi nga emocioni, nga
mesha këtu, se Krishti për ne është në jetë dhe është gëzim.
…dhe
shkojmë një nga një te varri nëpër hyrjen e ngushtë… ngjante me një shtrat
guri… m’u mor fryma prapë, po më çahej krahërori si shkëmbi i Golgotas nga
tërmeti atë pasdite në orën 3.00, kur dha frymën e fundit me gozhdët e ngulura
mbi mishin njerëzor, mbi dymijë vjet më parë… e deri më tani, kur mishi i jetës
ende masakrohet, desha të dal me vrap, me britma ose të shembesha mu aty
përdhe. Por pashë Edën time dhe u ktheva prapë me atë të varri. Nuk nxinte të
tjerë. Eda dhe unë po ledhatonim pllakën e gurtë me psherëtima, në fakt po
ledhatonim Atë që ishte shtrirë aty, i padukshëm dhe i gjithkundshëm, Birin, me
atë pikëllim prindëror, të hatashëm… hyjnor. Eda m’u bë Marie, ikonë e bukur, e
kapa nga supet, e ngrita, dola i pari nga hyrja e ngushtë, e gurtë, mëgjunjazi,
hija e Edës binte mbi mua shelbuese, e ndihmova prapë të ngrihej dhe menjëherë
u ktheva nga varri për herë të tretë dhe vura kokën aty. S’e di sa ndejta
ashtu, një përjetësi, por po përsiasja turbull se këtu vdekja u sfidua me
vdekjen, varri është bosh, s’ka mortje aty, varri më ngushëllues në botë, varri
që shpëton prindin nga tragjedia, Biri u ngjall, varri i mrekullisë që pranoi
jetën si fitimtare, që ajo vazhdon përtej, me më të rëndësishmen, shpirtin, që
rrjedh si dritën prapë shpirt, kujtesë dhe fjalë dhe dhimbje… dhe mëshirë e
madhe.
Pa
atë varr toka do të ishte e shkretë, pa atë vdekje, jeta do të ishte më e vdekur.
Kështu në fituam jetën e Tokës dhe atë të Qiellit. Me Krishtin ndryshoi
historia njerëzore mori rrugë tjetër, erdhën epokat e Mëshirës hyjnore dhe të
dashurisë, që është si pavdekësia…
Kur
u përmenda pashë veten në krah të Edës time, te kisha tjetër aty pranë, “Upper
Room”, ku ndodhi “Darka e Fundit” dhe shfaqja e Krishtit, njëra se ai
vazhdimisht shfaqet, nga kupola qiellore bie drita e ringjalljes, e Birit të
Zotit… Ai u fut mes dishepujve të vet dhe njerëzimit pa fund e vazhdon,
vazhdon, vazhdon, Ai solli ringjalljen, që është dashuri… sjell dashurinë që
është ringjallje… solli Kohën e re…
U
kthyem andej nga erdhëm. Tani ishte ditë
në rrugët e Jeruzalemit. Dëgjoheshin kambanat dhe zëri i hoxhës nga minaretë në
te njëjtën kohë. Në Rrugën e Kryqit, ato që më ishin dukur si dyer të mbyllura
enigmash në errësirë, pashë që ishin dyer shitoresh, mund të blije ikona,
Krishtin e gdhendur në dru, varëse floriri, unaza, rruzare, më tej bukë,
djathëra, zarzavate, pak më tej tapete, kapele, etj, etj. Po besim, po shpresë
a e dini ku merret?
Me
të përditëshmen, të zakonshmen, madje dhe më të rëndomtën ishin të përziera si
asgjëkundi tjetër, veçse në Jeruzalem, martirja, e shenjta dhe hyjnorja.
-
Duhet të dish të bashkëjetosh me to, - po më thoshte Eda ime, te çdo njeri
është e shenjta...
Po
edhe ringjallja, - them tani, - është… kudo dhe brenda gjithkujt… si
armëpushim, paqe e dashuri… në tokë dhe Qiell.