| E shtune, 19.04.2025, 06:59 PM |
18 PRILL 1921 LINDI NERMIN VLORA FALASCHI, HUMANISTE, SHKRIMTARE DHE ALBANOLOGE E SHQUAR
Nga Albert HABAZAJ
Dritë pastë Humanistja Dritërore
Nermin Vlora Falaschi, mbesa e Ismail Qemalit!
Ajo dhe i shoqi, Renzo Falaschi.
Kam pasur fatin e madh që kam qenë
mik familjar i tyre. Kam qenë disa herë në shtëpinë e tyre në Romë. Atje
themeluan dhe Akademinë "Iliria". Renzo ishte ambasador i
përjetshëm i Italisë. Të dy e donin shumë Vlorën e Shqipërinë, bënë aq shumë,
saqë të dy prehen në Kaninë, në vendorigjinën e të parëve të Nerminit...
Dritë pastë Humanistja Dritërore
Nermin Vlora Falaschi, mbesa e Ismail Qemalit!
Ajo dhe i shoqi, Renzo Falaschi.
Kam pasur fatin e madh që kam qenë
mik familjar i tyre. Kam qenë disa herë në shtëpinë e tyre në Romë. Atje themeluan
dhe Akademinë "Iliria". Renzo ishte ambasador i përjetshëm i
Italisë. Të dy e donin shumë Vlorën e Shqipërinë, bënë aq shumë, saqë të dy
prehen në Kaninë, në vendorigjinën e të parëve të Nerminit...
Nermin Vlora Falaschi: 18.04.1921-28.11.2004. Jam i detyruar t’i pohoj këto shifra, që
na tregojnë fillimin dhe përfundimin e jetës fizike të Nerminit, A-në dhe
Zh-ënë e segmentit kronologjik të humanistes së madhe, që i ka, tashmë, rrënjët
e pashkulura dhe frymën e emrit në Kaninë. Nermini, së bashku me Renzon
(bashkëshortin e saj, i cili qe italian) prehen në Kaninë, atje ku ka eshtrat e
të parëve, atje ku prehet stërgjyshi, Ismail Qemal Vlora. Edhe pse, bukuri
denjësisht të admirueshme si Nermin Vlora u krijuan në këtë planet që t’i japin
atij dritë. Një dritë të ngrohtë. Nermin Vlora. Një univers rrezatues. Një
univers fisnik. Një akademi në lëvizje. Një zonjë e madhe dhe e bukur.
Ambasadore e kombit shqiptar në botë.
Ç’të shkruaj më parë për
Nermin Vlorën?! E kam njohur nga afër. Në Tiranë, në Vlorë, në Romë. Në Vlorë,
në Tiranë, në Kaninë… Fatlum kam qenë. Ishin vitet Nëntëdhjetë. Filloi të
ndihej një fllad lirie edhe në këto vise. Një grup intelektualësh dhe
atdhetarësh u organizuan dhe krijuan në Vlorë Shoqatën Kulturore Mbarëshqiptare
“Ismail Qemal Vlora” me kryetar Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, nënkryetar i parë
Petrit A.Velaj, (i flasin Mandela i Shqipërisë, se ka bërë 42 vjet burg e
internim, si kundërshtar politik i regjimit të kaluar), nënkryetar Ibrahim O.
Haxhiu (i biri i Osman Haxhiut të Luftës së Vlorës), sekretar i përgjithshëm
Novruz Bajrami, si dhe “xhaxhi Ferati”, më i dashuri shkrimtar për fëmijë,
Ferhat Çakërri, Prof As. Dr. Zeko Braho, Liljana Gjika, Skënder Beqiri, Njazi
Hamzaraj, Kozma Billa dhe unë, Albert Habazaj, anëtarë kryesie. Kryetare Nderi
kishim mbesën e Plakut të Bardhë të Flamurit Kombëtar, Nermin Vlora Falaschin.
Sa veprimtari të bukura kulturore artistike kombëtare kemi zhvilluar. Me
shpirt, me zjarr, me idealizëm. Kishim dhe dritën e ngrohtë të SAJ.
Mbresëlënëse kanë qenë takimet në bibliotekën e vjetër të qytetit (sot shtëpia
e Beut), në pallatin e Kulturës “Labëria”, në Teatrin “Petro Marko” etj. Ajo
vinte përherë me Renzon. Kishte raste që vinte me ta dhe djali i tyre. I vetmi.
Drita e syve. Roberto. Një pasdite e pashlyeshme do të ngelet në kujtesën tonë
ajo e 18 Prillit 1993. Një festë kulturore. Zhvilluam veprimtarinë kulturore:
“Nermin Vlora Falaschi - personalitete e shquar e kulturës shqiptare”. Fjalët e
saj: “Ndjehem krenare që jam prodhim shqiptar, u shpreh mirënjohjen mësuesve të
mi që më kalitën fizikisht dhe shpirtërisht për të mposhtur vështirësitë e
jetës. Unë jam shqiptare, kam përçuar zërin e Shqipërisë nëpër botë dhe dua të
prehem në tokën shqiptare, në Kaninën e Vlorë- toka e të parëve të mi” qe shumë
emocionuese, frymëzuese, atdhetare dhe mallëngjyese për ne, deri në adhurim për
atë njeri që na duhej si krijesë hyjnore. Ajo qe një shqiptare e madhe jashtë
Shqipërie. Nuk qe vetëm zëri i gruas së shquar shqiptare në botë, por një
identitet shqiptar kulturor dinjitoz në Europë e kudo ku ajo jetoi e punoi në
funksionin profesional, pa harruar kurrë e askund misionin atdhetar. Nermin
Vlora, shqiptarja e madhe me virtyte të larta, do të jetë një shembull i
shkëlqyer, një rreze drite, që do të ndriçojë udhën gruas shqiptare në
Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Greqi, në Turqi, gruas
arbëreshe në Itali, shqiptarkave kudo që janë nëpër botë, për t’u përcjellë
brezave jo vetëm vlerat e saj, por edhe detyrimin që kemi për kombin tonë të
dashur.
Parafjalë nga mendimtaria atdhetare e Nerminit: Shkova në Itali dhe unë. Refugjat si shumë e
shumë shqiptarë. Domethënë njeri ilegal, me numër, pa emër (i palegalizuar).
Shumë shpejt u rrita në përgjegjësi…U bëra emigrant! Njeri me emër. Legal.
Punoja. Mirë. Në L’Aquila (capoluogo di Abruzzo). Jerusalemi i Italisë (Në një
trajtë tjetër). Si Qytet i Tërmetit, u njoh pas gjëmës së 6 prillit 1999. Me
punë e mirësjellje, krijova respekt. Dhashë e mora mirësi. Doke. Traditë. Me
sjellje qytetare. Si njerëzit. (Ndoshta po hiqja sadopak, aq sa mundesha e sa
më takonte imazhin e “bishtit pas” që na kishin vënë ca nga të huajt dikur dhe,
për dreq, ca nga tanët u dolën në shteg, duke i bërë iso këtij avazi të
lodhur). Me Nerminin flisja shpesh, por rrallë shkoja në Romë. Kur shkova për
herë të parë në apartamentin e tyre, në periferitë e qeta, magjike e me katër
stinë të gjelbra, në zonën Via Gramsci, Villa Borghese, Nr.7 – jam mrekulluar
dhe kam përjetuar një ndjenjë krenarie të shkallës sipërore. Jo vetëm nga
mikpritja e nderimi që më bënë, sikur unë, një copë shkëmb ende i palatuar mirë
e zbritur nga malet e Tërbaçit, të isha djali i tyre apo një mik i madh; jo
vetëm nga biblioteka e madhe, me libra të vjetër, të rinj, të rrallë,
enciklopedi, antikuarë, në gjuhën shqipe, në shumë gjuhë të botës; jo vetëm se
Nermini fliste shkëlqyeshëm një gjuhë të kulluar shqipe, që vetë Naim Frashëri
do ta kishte si modelin më të pastër të bukurzanimit (të shqiptimit, të
tingëllimit) të shqipes; jo vetëm se Renco (i shoqi, Renzo) e kuptonte gjuhën
shqipe shumë, shumë mirë dhe e fliste shqipen mirë, jo keq duke qeshur me
dëlirësi; por për ç’ka do t’ju rrëfej: Sallonin e pritjes e kishin në formë
drejtkëndëshi, aty te nëntëdhjetë, njëqind metër katrorë. Një parantezë. Unë,
në shtëpinë time, mbaj varur në mur fotografinë e prindërve, kur kanë qenë të
rinj. Fotografitë e tjera të familjarëve, të të afërmve i mbaj në album. Edhe
fotografinë e vjehrrit në album e mbaj. Nuk e di si veproni ju. Kthehemi në
Romë. Te Renzo. Te Nermini. Sa u futa brenda, shkëlqente salloni i bardhë e i
gjatë nga harmonia e kontrasteve të gjetura. Po më shumë shkëlqente shpirti
tyre. Më shkuan sytë në fund të sallonit. Përtej. Në ballë. Majtas sipër
portreti i Gjergj Kastriot -Skënderbeut. Djathtas sipër portreti i Ismail Qemalit.
Piktura të mëdha. Unë përjetova emocione të fuqishme krenarie, por edhe
psikologjia ime (provincialitet shqiptaresk?!) s’më linte rehat. Më ngacmonte.
Më gërvishte. Mirë kjo, se është Mbesa Jonë, po ky, i zoti i shtëpisë është
italian. Dhe jo dosido. Elitë. Në kupolë të saj. Ambasador i përjetshëm i
Italisë. Dhëndër është tek ne ai…E kështu…Por, pa më lënë të “filozofoja”
gjatë, vetë Renzo, me atë të qeshurën e tij si të perëndishme më ftoi të
uleshim. “Do të qeras sipas traditës tuaj, - më tha - që tani është dhe imja.
Me raki Skrapari. Gëzuar!”. Tjetër surprizë e lezetshme kjo. Dhe, sikur të qe
futur në trurin tim të vogël, me një zë të ngadaltë, gurgullues e me kumbim të
ëmbël, nisi bisedën: “Njerëz si Ismail Qemali janë largpamës, janë pararendës
të kohës: këtë e dëshmon veprimtaria e jetës së tij. Këtë e materializon
plotësisht edhe peneli i kunatës sime, piktores Vera Blloshmi. Apo jo?! Shikoji
me qetësi”… Portretet ishin të dallueshme që larg, deri në detaje. (Nuk i mbaj
mend përmasat). Krijuar nga dashuria dhe talenti i rrallë i zonjës fisnike Vera
Blloshmi Mellet, piktore shqiptare me banim në Londër (kushërira e parë e
Nerminit). Më thotë Nermini, me atë zërin e ngrohtë, të kthjellët e melodioz,
me një gjuhë çiltërsisht metaforike, që rridhte natyrshëm: “Vera jonë sot
pushon në Kopshtin e bukur të Kujtimeve, por veprat e saj madhështore stolisin
kontinentet e ndryshme. Ja shikoji vetë këto dy portrete vigane: Veshja dhe
sytë e flaktë të Skënderbeut dëshmojnë heroin fitues të përhershëm me mjete të
armatosur. Sytë e portretit të Ismail Qemalit kanë një veçanti të shënuar, me
dukuri pa zbrazëti morale e shpirtërore, ku burimi i pashtershëm i dashurisë
për Atdhe, bëjnë në këtë drejtim përçapjen kryesore të qëllimeve të jetës së
tij. Jetë, ku pasqyrohet ideali i ndërgjegjshëm se pavarësia politike nuk mund
të ketë jetë të gjatë, nëse nuk farkëtohet edhe autonomia ekonomike”…Më ka bërë
shumë përshtypje Renzo Falaschi mbetet një rast unikal. Ai e donte shumë
Nerminin. Qe e bukur nga fiziku. Nga shpirti. Nga mendimi. E nderonte shumë
Ismail Qemalin, jo thjeshtë se qe gjyshi gruas së tij të dashur, por sepse
plotësonte profilin e vizionarit të kohës. E vlerësonte shumë Shqipërinë, jo
thjeshtë se qe vendlindja e gruas së tij të dashur, por sepse i çmonte virtytet
fisnikërisht të larta dhe se në vendin e shqipeve ai gjente djepin e gjuhëve.
Bëmë shumë fotografi. Me Nerminin vetëm. Me Renzon vetëm. Me të dy, si me dy
urata dritërimi. Shumë nga ato fotografi (sidomos pas djegies aksidentale me
gaz në apartamentin e saj) ikën bashkë me të. Kam qenë disa herë në
apartamentin e tyre, sa kohë punova në Itali. Ajo banesë u bë strehëz aq e
ngrohtë për atdhetarët shqiptarë, për shqiptarët emigrantë dhe refugjatë (ende
të palegalizuar në ato vite) që punonin me djersën e ballit, mendonin e
vepronin dhe për Shqipërinë. Ajo sakrifikoi pasurinë e saj dhe të Renzos për
Akademinë “Iliria”, për çështjen shqiptare, për albanologjinë, për historinë
dhe qytetërimin shqiptar. Por, ajo mori me vete xhevahiret e shpirtit, vlera të
pamohueshme dhe të gjithmonshme. Iku ajo. U mbyll Dera e Madhe. Eh!… Më dha
libra boll. Ndër to një revistë “Koha e jonë = Notre temps”, organi Bashkimit
demokrat Shqiptar, botuar në Francë nën drejtimin e Lec Shllakut, e përkohshme
Politike - Kulturore - Shoqënore, Nr.10-11-11, vjeti XXXI, Tetor - Nandor -
Dhetor 1992. Me ISSN. Nermini kishte botuar shkrimin (kryeartikull): “Ismail
Qemal Vlora, gjysh i gjithë Shqiptarëve”. E nis shkrimin si një romantike e
zjarrtë, por me logjikën krahasimtare të kohës për vlerësimin e Veprës: “Ismail
Qemali, Plaku i Vlorës, por edhe djaloshi i përhershëm i gjithë Shqiptarëve, pa
dallim feje, krahine ose nënshtetësie. Atij i kishte thënë gjaku: “Shko mor
shpirt shko, se kam nevojë për të rinj të çdo moshe”! Prandaj, me plot të drejt
mund të themi se Ai, me të vërtetë ishte “Plaku i Vlorës”, por me iderat e tija
largpamëse mund të konsiderohet si njeri i ndriçuar i ditëve tona, ku merita e
vërtetë e fitores qëndron në aftësinë e bindjes, në hollësirat e diplomacisë,
jo në ndeshjen e fuqive të armatosura. Ismail Qemali ishte njeri tepër i butë,
tepër intelektual, për t’i zgjedhur çështjet me ndihmën e armëve: Ai kishte
arritur t’i hapi Portat e Shteteve Kryesore t’Evropës me sjelljen, e kulturën
dhe me diplomacinë e tij të stërholltë e largpamëse”. Në fund të atij
kryeartikulli (jo vetëm se është vendosur në faqen e fillimit të revistës),
Motra e Madhe na jep një këshillë të dobishme atdhetare me urtësinë
karakteristike të shkrimtarisë së dalluar që përtej: “…Ismail Qemali na dhuroi
një “ATDHE”. Por neve, deri më sot, nuk e kemi kuptuar vlerën e kësaj dhurate.
Ne kemi bërë gabime të shumta. Le të fillojmë ta kuptojmë tani,…, meqë ai që
pranon gabimin e vet, do të thotë se ka filluar të qortohet. Kështu do t’a
nderojmë Gjyshin tonë të përbashkët, Ismail Qemalin dhe gjithë bashkëpunëtorët
e tij. Kështu do ta sjellim në gjirin amtarë Kosovën kreshnike dhe Çamërinë e
shpartalluar…”. (Shih: “Koha e jonë = Notre temps”, vep. e cit., f. 3-6). Në
Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë janë 31 regjistrime bibliografike ku
përmendet emri i Nerminit (jo vetëm si autore, por edhe si redaktore etj., apo
që është shkruar për të nga të tjerët). Më shqetëson një fakt. Mungojnë librat
kryesorë të Nermin Vlora Falaschit në fondin e Bibliotekës më të rëndësishme të
Shqipërisë. Vërtetë që ajo shumë botime i realizoi në Romë. Por ka botuar dhe
në Prishtinë. Dhe në Shkup. Po në Tiranë? Pse jo?! Pará! Para!… Po ngjet si me
Çomorën. E me të tjerët…Megjithatë, duhet gjetur një mekanizëm që gjithë titujt
libra të botuar nga pena e Nermin Vlorës të sigurohen për pasurimin e fondit të
Bibliotekës Kombëtare. Në bibliotekën personale kam opusin e veprave të
humanistes shqiptare. Kam edhe mungesa. Një libër madhor i Nermin Vlora
Falaschit është ai me titull “L’etrusco lingua viva” në serinë “Antiche civiltà
mediterranee - II”, Bardi Editore, Roma, 1989, një monografi shkencore në me
187 faqe tekst, figura me ngjyra, grafika, shënja, alfabete, me modele në tre
gjuhë italisht, anglisht dhe në frëngjisht. Përkthimin në anglisht e ka
realizuar me mjeshtëri dhe aftësi Renzo Falaschi. Me një bibliografi të pasur
nga studiuesit më të njohur të botës si dhe ata shqiptarë në fushat e
arkeologjisë, të gjuhësisë, letërsisë, të historisë dhe të kulturës. Në kohën
kur lexon librin “L’etrusco lingua viva” (“Gjuha etruske - gjuhë e gjallë”,
shën. im: A.H), të bien në sy edhe pika të tjera takimi në elementet
gramatikorë midis shqipes dhe etruskishtes, sidomos disa prej tyre që shqipja i
ka deri diku të dallueshme nga gjuhët indoevropiane. Gjithashtu vërehet
përqasje kulturore dhe afri e përbashkime antropologjike (mesdhetarë jemi),
sikurse, natyrshëm, duken dhe distancat apo përveçimet antropologjike
(lokalitetet e banimit), që, në fakt, vetëm një studiues i hollë i fushës mund
t’i vërejë. Një libër tjetër me studime të thelluara me firmën e Nermin Vlora
Falaschit është monografia “Lashtësia e gjuhës shqipe sipas dokumenteve
epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik” në serinë “Qytetërime të lashta
mesdhetare - III”, Bardi Editore, Roma, 1991, me 149 faqe, vetëm në gjuhën
shqipe. Në këtë lbër janë përfshirë dhe përmbledhja e transmentimeve të
programit kulturor të Radio Vatikanit. Autorja ka bërë kushtim në fillim të
librit: ky libër ësht uratë për bashkimin e gjithë etnive Shqiptare në vatrën e
madhe evropiane”. Në librin “Shqipja çelësi i gjuhëve”, në serinë “Qytetërime
të lashta mesdhetare - IV” ajo mëshon mbi metodën e karbonit C14 dhe e vështron
lashtësinë e gjuhës shqipe duke krahasuar fjalët me rrënjë pellazgo - ilire
(gjurmë të gjuhës të shkruar s’ka ende, shën.im - A.H) në disa gjuhë, në shqip,
në italisht, në anglisht, dhe, sipas saj, gjuha shqipe ka gjyshe ilirishten.
Ajo shkon më tej, duke na rrëfuer se stërgjyshe e shqipes është pellazgjishtja.
Këtu ka paqartësira. Turbullira. Tis mjegulle. Biles perde. Përse mos të themi
dhe derë të mbyllur të blinduar për të gërmuar thellësive retrospektive të
linguistikës tonë. Mungesë guximi profesional apo pamjaftueshmëri provash?
Nermini shpeshherë i vlerësonte shumë gjuhëtarët e mëdhenj Shaban Demiraj dhe
Mahir Domi për diturinë e tyre, teoricienë të shquar janë - thoshte - por pse
heshtin? Prakikisht kishte vërejtje. Dijet e tyre duhet t’i japin rezultatet e
kërkimit. Konkrete dhe të mëdha. Dhe citonte nga Enciklopedia e Madhe Greke:
“Stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, kanë banuar që në pjesën më të madhe të
botës që njihej aso kohë, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm dhe
duke ngritur vepra me vlera të jashtëzakonshme”. Nga Nouveau Petit Larousse:
“PELLAZGËT, populli shumë i lashtë që banonte në periudhën parahistorike në
Greqi, në Arkipelag, në brigjet e Azisë së Vogël dhe të Italisë…Në përgjithësi
konsiderohet se Thrakët e lashtë, Frigët, Lidët, Karientët, ETRUSKËT, Epirotët,
ILIRËT, italiotët (Sanitët dhe Oskët) dhe SHQIPTARËT E SOTËM, janë degët
kryesore të Pellazgve”.
Një majë e letërsisë filozofike: Nga letërsia artistike e Nermin Vlorës dallon
romani esé “E Nesërmja e Kohës” (tit. i origj.: “EX”), Shkup, “Gjon Buzuku”,
1991 me 192 faqe, i ndërtuar me 18 kapituj. Në fakt, ky është botimi i dytë në
gjuhën shqipe, sepse botimi i parë shqip i tij është bërë më 1978 në Romë.
Librin ma ka dhuruar vetë Nermini me autograf, më 28 Nëntor 1992, kur erdhi në
Vlorë për 80-vjetorin e Pavarësisë Shqiptare. Libri çelet kështu: Një urim “E
Nesërmja e Kohës” qoftë PAQË, BASHKIM, EVOLUCION Për gjithë Shqiptarët!”.
Botimi i parë i romanit është bërë në italisht më 1971 në Romë. “E nesërmja e
kohës” që do të thotë edhe se “Revolucioni i vërtetë është Evolucioni”, sipas
autores, dëshiron t’i japë kuptim artit, filozofisë, problemeve të ndryshme të
kohës. Kohë e ndërvarur nga psikologjia shoqërore, në elementet e saj më
dinamike, ku, kjo e kuptuar bëhet kusht i domosdoshëm. Kohë, me prirje të
shpjegojë, me ndërmjetësinë e ndjenjave, konceptin e metamorfozës së fenomeneve
jetësore, duke ua përshtatur fenomeneve të mbijetesës. Në vijat e saj të mëdha,
koha përfshin elementët materialë të botës dhe shfaqjet e shumanshme, kanë
kuptime me baza të sakta. Arkaizmi, në faza të ndryshme, është kohë, që me ndërmjetësinë
e evolucionit, materializohet në modernizëm. Modernizëm që do të konsiderohet
një ditë arkaizëm, nën shtytjen e vlerave të reja, që ndryshojnë botën dhe që
hapin faqe gjithnjë të reja, në konceptin e kuptimit të saj… Paralelizmi
historik i nënshtrohet pa kondita këtij ligji, kurse arti shpreh hovet
shpirtërore brenda dhe jashtë tij. Përmasa materiale kanalizohet në vijat e
domosdoshme të kohës. Vlerat shpirtërore, megjithëse formohen në kohë, hidhen
jashtë kohës në të ndjekur ato pika synimi që vetëm mendja mund t’i arrijë dhe
shpirti t’i përvetësojë. Në fenomene të tilla koha mënjanohet, mendimi hidhet
përpara ndaj së nesërmes së kohës, ndaj revolucionit të evolucionit. Ky roman
esé, na provon, me ndërmjetësinë e protagonistit Mamot, (diplomati që udhëton
me tren nga Berna në Milano) fazat e ndryshme të pjekurisë në kohë. Pjekuri, që
në fazën përfundimore del me fitore mbi kohën, me anë të hovit mendimor, të
evolucionit shpirtëror, synim i padyshimtë i të gjitha krijesave të botës.
Mamoti, me hir, mbetet i pakufizuar në një pikë të globit, për të përfaqësuar
tërë njerëzinë: rron, gabon, pëson, mëson. Nuk ka çaste në jetën e tij që
vuajnë disi, nga një farë mungese emocioni, fakte që mënjanojnë monotoninë e
jetës. Jetë, që për të shpërthyer në pjekurinë brendore, ka nevojë të rrojë në
përmasën më të plotë të kohës. Si rrjedhim, Mamoti përballon të gjitha
problemet që jeta i parashtron, matet dhe vuan me to, për to dhe në fund del me
fitore. Fitorja e pjekurisë që s’kërkon viktima. Fitorja e mendimit, që ka
përvetësuar relativitetin e fenomeneve të botës. Fitorja mbi kohën. Duke u
marrë me këtë libër, më duket se Pacifistët e globit thonë: “Mamoti është
secili prej nesh. Ne të gjithë duam të jemi si Mamoti!”. Ngjarjet mbartëse të
brendisë filozofike i shkojnë për shtat si një kostum letrar e psikologjik edhe
popullit shqiptar. Dhe i rrinë bukur këto “veshje” që Nermini ia dhuroi jo
vetëm letrarisht. Populli ynë i lashtë, malësor, i pjekur në kohë nëpërmjet
vuajtjeve, nëpërmjet mendimit, nëpërmjet evolucionit shpirtëror. Dhe, si
pasojë, del në dritë se rrënjët e lashta të Mamotit mund të jenë ushqyer në
tokën pjellore të Shqipërisë. Ndërkohë, kuptojmë që vetë Nermin qe një
pacifiste e madhe. Pa u marrë me analizën e tekstit, mendoj se vlen t’i kujtoj
lexuesit të gazetës “Tirana Observer”, që pasthënie ky roman ka shkrimin e
brilantit Ernest Koliqi (që me Kutelin cilësohen bashkëthemelues të tregimit
modern shqiptar). Është fjala për shkrimin e Koliqit, “LIBRA TË LEXUEM” që e
bëri në respekt të botimin italisht të romanit “E nesërmja e Kohës” me titullin
“Ex”, (shih: “Shejzat”, nr. 5-8, 1972). Pasi vlerëson romanin si një provë të
re të talentit letrar të autores, ndër të tjera, Koliqi shkruan: “Në kët ajo
derdh përvojën e jetës së vet me qëllime morale disi mâ depërtuese se përpara
dhe me cenë shpehëse mâ të theksueme. Nji grumbull i larmíshëm ngjarjesh
shtjellohet tue pasqyrue në kët vepër tregimtare pështjellimin e zakoneve të
kësokohëshme plot turbullim. Të gjitha epizodet e rromanxit përfundojnë, të thuesh,
në trishtim tue lânë mbrapa mbresa t’idhëta. Shka s’ka në 200 faqet e tij!
Dashunína të lêjshme e të palêjshme, rreziqe e ndjekje, peripetína diplomatike,
arratija spiunazhi, drogë edh’epshe demuese, zbritje kah vesi e nji pjese së
rinís qi shmanget nga themelet e shëndoshta të traditës. Por ky varg ngjarjesh,
qi të rrëmben në gjiret e jetës ultramoderne, nuk përbân veçse gërshetin e
dukshëm të rromanxit dhe sherben vetëm si objekt për të gjetë thalbin e mshefun
të jetës njerzore. Nën kët landë në të cilën brumi njerzuer parashtrohet i
ngjeshun me tharme marrije e djallëzije, endet e padukëshme nji pëlhurë e
rrastë ndiesísh qi i apin hov tregimit kah epërsít shpirtnore. Pyetje të
ngashërueme qesin krye aty këtu përkitazi me fatin e njeriut qi në kët shekull
tronditet nga fuqi të panjoftuna të cilat e shtyjnë me libue (aborder) në
brigje përtè pushtetit të Kohës”. (Shih: Falaschi, Nermin Vlora: “E nesërmja e
Kohës”, Shkup, “Gjon Buzuku”, 1991, f.188).
“Vera”, një libër i ngrohtë si mozaik ylberor: Kur isha në Itali, një pasdite dimri shkoj në
Romë, i ftuar nga çifti ideal dhe idealist Falaschi. Ka qenë data 17 Shkurt
2000. Organizohej një veprimtari e madhe Akademisë Kulturale “ILIRIA”,
Themeltare e së cilën qe humanistja e nderuar Nermin Vlora Falaschi. Ajo më
njoftonte kur në Romë organizoheshin shqiptarët për takime kulturore, atdhetare
e letrare. Shndërroheshin në festa mbarëkombëtare. Eh!.. Nermini më dhuroi një
libër-album, me tekst, piktura dhe fotografi. “VERA” titullohet, është i
shkruar në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe italisht. Në Romë është botuar.
Korrik 1998. Me 62 faqe të shkruara është. Vërtet s’ka shumë faqe, por ka një
det me dashuri, një mal me mall. Ka mesazhe mirësie dhe bekon përkrahje yjnore.
Është libër mirënjohjeje. I kushtohet të paharruarës Vera Blloshmi Mellet,
vajza e vajzës së parë të themeluesit të shtetit shqiptar, piktore shumë e
njohur shqiptare në Angli e me famë botërore. Autorja e çel homazhin me fjalët:
“Ky album i vogël, kushtuar Verës, dëshiron të jetë urim, admirim për ata që
luftojnë për Liri e Paqë, në Dardaninë fisnike. Shkruar në tri gjuhë. Në gjuhët
e botës. Me gjuhë të bilbilave. Që ta marrë vesh bota. Edhe Toka. Edhe Qielli:
“…fluturove buzëqeshur n’hapësirë/ hapësirën e pafund t‘kohës,/ ku vetë koha,
tashmë asgjësohet…” [Qershor 1998]; “… smiling you have flown into the space,/
the infinite space of time,/ where time now fades away…”; “…sei volata
sorridente nello spazio,/ spazio infinito del tempo,/ ove ormai il tempo
s’annulla…”. Kush ishte Vera? Më pëlqen se Nermini na e paraqet letraisht: “Ajo
ishte flladi i verës, fladë frymtarie ku brenda sajë vezullonte zejtaria e
artit, me shkëndira të vazhdueshme krijimtarie dhe larmi tematike me
shkallëzime poetike të ngjyrave harmonike, ku faktorë i gjithëpushtetshëm ishin
sytë e personave që ajo pikturonte”. Pastaj tregon. Ka një rrëfim simpatik. Dhe
interesant: “Vera dhe unë jemi rritur së bashku, si motra, ndoshta si binjake,
meqë kemi plotësuar njëra tjetrën. Ajo kishte prirje për pikturë dhe i ka
mbetur besnik gjatë gjithë jetës. Unë kisha talent në fushën e humanistikës.
Dhe, gjatë gjithë jetës sime jam marrë e po vazhdoj të mirrem me gjuhësi dhe me
interpretimin e mbishkrimeve të lashtësisë… Unë linda me 18 prill, Vera me 19
prill. Ne ishim dy veta që plotësonim njëra tjetrën. Prirjet tona të ndryshme
në të gjitha fushat kanë krijuar atë afërsi shpirtërore që shprehet në heshtje.
Dhe heshtja është zëri i këthjelltë i natyrës që krijon, në mënyrë të
pavetdishme ndajafërsi shpirtërore. Vera dhe unë kishim krijuar nji fletore ku,
në faqen e majtë gjendej nji vjershë e ime dhe, në atë të djathtën nji vizatim
i Verës, në përputhje me temën e vjershës. Ishim të vogëla, 10-12 vjeçare.
Njërën prej atyre vjershave: “Kënga e nji zogu”, shkolla ia dha Revistës
“Diana” ku dhe u botua. Por erdhi nji ditë fatkeqe, kur fletorja me vjersha e
vizatime, bashkë me të gjitha gjërat që ndodheshin në shtëpi, u tërhoqën prej
shtetit, miratim i njizëshëm, meqë ata i përkisnin popullit e nuk mund të ishin
pronë private: “as fletorja e dy fëmijëve që kishin bërë nji punë artistike””.
Nga rrëfimet e Nerminit: “Është një periudhë e gjatë, ku edhe jam vlerësuar me tituj si
studiuese e gjuhës shqipe, duke vënë në jetë amanetin e gjyshit, që të mos
reshtim për Shqipërinë. Si diplomat me përvojë, Renco studioi, hulumtoi dhe
shkroi librin “Diplomacia e Ismail Qemalit”, të cilin unë e kam përkthyer në
gjuhën shqipe. Tërë jetën e tij respektoi veprën e Ismail Qemalit, jo sepse
ishte gjyshi im, por se admironte zgjuarsinë dhe diplomacinë e plakut të Pavarësisë,
që e kishte idhull, sikur të ishte shqiptar”. Ky fakt na ngelet në mendje. Nuk
shlyhet kurrë: Edhe pse ishte me origjinë italiane, Renco ishte i mahnitur pas
historisë shqiptare dhe kulturën e këtij populli. Por mbi të gjitha shkroi
shumë për Ismail Qemalin. Dhe këtë e bëri jo se ishte gjyshi i bashkëshortes,
por tek ky politikan pa vlerat e një strategu të madh që çoi një komb drejt
pavarësisë. Por amaneti i tij i fundit tregon edhe dashurinë që shfaqi për
kombin shqiptar. Flet Nermini, (ende pa ikur vetë): “M’i ka thënë me humor, për
të mos ndier peshën e dhimbjes, por tani që ai nuk është më, ato duhet të vihen
në jetë. Amanetin nuk e tret dheu – kemi një shprehje në shqiptarët - Çdo gjë
duhet të shkojë në vend të vet. Sipas traditës italiane, Renco ka kërkuar që të
digjet trupi i tij pas vdekjes dhe hiri të vendoset pranë meje kur të kaloj në
përmasën tjetër. Donte që të ishim bashkë përjetësisht në Kaninë të Vlorës,
vendlindjen e të parëve të mi. Unë e kam kundërshtuar djegien e trupit, por do të
jetë mendimi i përbashkët me tim bir, Roberton, që është ambasador, për të
vendosur e zbatuar amanetet e tij. Ajo që ndiej në këto momente është dhimbja
për humbjen e tim shoqi”. Shumë njerëzore, shumë familjare, shumë e vërtetë.
Mallëngjyese. Shumë! Renzo Falaschi e la amanet që të prehej në tokën shqiptare
në Kaninë të Vlorës. Djali i tyre Roberto pruri një vazo simbolike me hirin e
babait italian Renzos dhe të nënës së tij shqiptare Nermin. Qe data 6 Korrik
2005, kur në varrezat e qytezës së Kaninës erdhi vazoja me hirin e dy të
ndjerëve dritërues. Dhe atje pushojnë të dy si meteorë dashurie, lirie, diturie
dhe mirësie, nën hijen e gjelbër dhe paqësore të ullinjve mbi Vlorë.
Dy fjalë jetëshkrimore: Sinqerisht duam të shkruajmë e të shkruajmë pafundësisht për
veprën e madhe që bëri dhe që la Nermini, se qenë e ngelen visare. “Gjeologët”
e letrave bëjnë mirë ta piketojnë si duhet veprën letrare dhe studimore të
Nerminit. Megjithatë, kërkohet të bëjmë dhe një jetëshkrim të vogël të Motrës
së Madhe Nermin Vlora. U lind më 18 prill 1921 në Tiranë, ku mori dhe mësimet e
para në shkollën “Motrat Qiriazi”, dhe të mesmet po ashtu në Tiranë, në
Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Që nga mosha e re Nermin Vlora tregoi prirje për
t’u marrë me krijimtari. Siç e pohon dhe vetë, ka filluar të shkruajë vjersha
qysh në moshë shumë të re, në vitet ’31 – 32 të shek.XX. Gjatë shkollës së
mesme përktheu vjersha nga gjuha frënge dhe italishte në atë shqipe për
emisionet e Radio Tiranës. U martua me diplomatin italian Renzo Falaschi (Renco
Falaski) dhe shkoi në Itali. Studio shkencat juridike në Siena (Toskana). E
pajisur me dituri të thellë u dha pas krijimtarisë letrare dhe asaj shkencore.
Në këtë drejtim, përveç gjuhës shqipe, e ndihmuan edhe gjuhët: italiane,
frënge, angleze, spanjolle, greke, turke që i fliste dhe i shkruante bukur.
Ligjëroi në shumë universitete të botës: Angli, Portugali, SHBA, Ugandë,
Kolombi, Kinë, Çekosllovaki, Kosovë etj. Fushat e interesimeve të saj, përveç
asaj shkencore, shtrihen edhe në atë letrare, historike, arkeologjike,
linguistike, pra në lëmin e pasur të humanistikës. Disa nga veprat e saj janë
përkthyer janë përkthyer edhe Lisbonë, Bogota, etj. Kontributet e saj shënohen
në fushën e letërsisë për llojet e romanit, të poezisë, të esesë dhe të reportazhit,
udhëpërshkrimeve. Gjithashtu ka lënë gjurmë të dukshme dhe në shkencën e re të
Antrolologjisë Kulturore. Ka botuar mbi 30 libra, midis të tjerash: “Zotërues i
kohës” (1967), “Nga gjysmëhëna tek hëna” (1973), “Momente kolombiane” (1979) -
poezi; “Udhëkryqi” (1968), “E Nesërmja e Kohës” (1971), “Gjurmë gjaku” (1974),
“Lejleku kokartë” (1976) - romane; “Kina” (1972) - udhëpërshkrime; “Bashkësia
dhe autonomia” (1973) “Konsiderime mbi civilizimin Çibça” (1979), “Pellazgët,
Ilirët, Etruskët, Shqiptarët (1984), “Etruskishtja gjuhë e gjallë” (1989) -
studime; përktheu nga anglishtja në shqip “Kujtimet e Qemalit” (1974), ndërsa
nga italishtja librin “Ismail Bej Vlora”(1985). Gjithashtu nga anglishtja në
italisht nermin Vlora ka përkthyer librin “Ismail Kemal Vlora e l’Indipedenza
dell’Albania 1912 Memorie” (Ismail Qemal Vlora dhe Pavarësia e Shqipërisë, 1920
Kujtimet) me shtesa e plotësime historike nga Renzo Falaschi; Romë, 1992;
monografi me 412 faqe. Do të shtoja që romani “Udhëkryqi”, në variantin original
në italisht “Il bivio, Bolonja (1967), me 222 faqe, është një botim luksoz me
lidhje të trashë, me kopertinë të, trashë, me kopertinë të realizuar nga
piktorja Vera Mellet. Libri përmban edhe DVD . (S’po merremi me zbërthimin e
librit, se s’do të mbaronim kollaj). Jë kontribut kulturor dhe shkencor i
Nerminit është botimi trigjuhësh: shqip - “Nga etnocentrizmi në pluralizëm
kulturor”; anglisht - “From ethnocentrism to cultural pluralism”; italisht -
“Dall’etnocentrismo al pluralism cultural”, Bardi editore, Roma, 2000, me 220
faqe në format A4. Biblioteka e ka dhuratë me autografin e saj këtë libër me
shënimin në shqip: “Profesorëve dhe nxënësve të Universitetit “Ismail Qemal
Vlora’ i uroj të gjitha të mirat dhe qofshin kolonat e kombit tonë të dashur e
shumë të lashtë, duke pasur si shembull veprimtarinë e atij që mban emrin e
këtij tempulli të rëndësishëm. Me dashamirësi Nermin Vlora Falaschi”. Nermin
Vlora ka fituar çmime të ndryshme letrare, nga të cilët më të rëndësishmit
janë: laura “Honoris causa” nga Universiteti i Tuksonit (Arizona, SHBA); dy
çmime nga Kryeministria e Italisë, për zhvillimin e kulturës; dekoratën
“Oficial de la Orden di San Carlos”, nga qeveria e Kolumbisë për botimin e
librave mbi qytetërimin e lashtë parakolumbian “ÇIBÇA” dhe për aktivitetet e
ndryshme kulturore që zhvilloi në Kolumbi, gjatë pesë vjetëve që bashkëshorti i
saj ishte Ambasador në Kolumbi. Etj. Gjykoj se meritojnë të përfillen nga
kritika e specializuar poezitë e saj fluide, romanet historike, filozofike,
shoqërore për emancipimin e gruas dhe me eksperienca udhëtimesh. I përkas atij
grupi të punëtorëve të penës që mendojnë se shkrimet e librat me gjurmime mbi
qytetërimet e lashta, sidomos ato për qytetërimet e lashta mesdhetare meritojnë
të përfillen edhe nga studiuesit, arkeologët e antropologët tanë. Se bota i ka
vlerësuar. Nermini na dëshmon, sipas saj, me prova të pakundërshtueshme, se
dokumentet epigrafike të lashtësisë, nga deti Egje deri në Oqeanin Atlantik,
interpretohen me anën e dialekteve të gjuhës shqipe, e cila vjen
drejtpërsëdrejti nga pellazgo - ilirishtja. Do të ishte gjë e mirë për
kulturën, po të formohej një komision akademik për t’i dhënë përgjigje
vendimtare kësaj çështjeje kaq të rëndësishme, jo vetëm për Shqiptarët, por për
kulturën botërore dhe qytetërimin në përgjithësi.
Unë jam me fat: Çdo ditë, çdo mëngjes, gjithë ditën, çdo javë, çdo muaj, gjithë vitin e vit pas viti unë përshëndetem me Nerminin. Unë jam me Nerminin. Emrin e saj e kam në ballë të bibliotekës ku punoj në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Portretin e saj e kam sipër, djathtas mbi krye. Më jep dritë nga drita e saj. Dhe unë ua jap studentëve dhe pedagogëve të Universitetit. Çdo mëngjes më jep mirësi Hirësia e Saj. Studiuesi kosovar Hasan Hasani ka botuar monografinë: “Nermin Vlora Falaski”, Prishtinë, Shkëndija, 1992, me 118 faqe. Ndërsa shkrimtarja sentimentale dhe gazetarja rebele, e paharruara Zenepe Luka (Çekrezi), ish - kryetare e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi” deri sa qe gjallë ka botuar librin voluminoz “Rrëfej Nermin Vlorën. Ishim tri”, Vlorë, Triptik, 2005, me 511 faqe dhe një bllok fotografish me Nerminin pas tekstit të shtypur. Emra si Nermin Vlora zbukurojnë hijshëm letërsinë qytetare të Vlorës dhe të Shqipërisë. Dhe ullinjtë mbi Vlorë janë të bukur si sy Nermini…