Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Themi J. Tushe: Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë e Ismail Qemalit, Petro Poga, ka dënuar ashpër mashtrimet e hajdutëve...

| E premte, 18.04.2025, 07:00 PM |


Ish Ministri i Drejtësisë i Qeverisë së Ismail Qemalit, avokati dhe deputeti Petro Poga, ka dënuar ashpër mashtrimet e hajdutëve Marigo Pozio, Kristo Floqi, Kolë Rrodhe e të tjerë, që donin të përvetsonin autorësinë e Flamurit Kuq e Zi, të qepur nga Thoma Aleks Ristani, i cili u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912-të

Nga Themi J. Tushe

Pas një lufte të gjatë pesë shekullore, plot kryengritje e beteja të vazhdueshme me okupatorët barbar turq, nuk ka aspak dyshim, se shpallja e Pavarsisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, ishte akti më i lartë dhe fitorja më e madhe e Popullit  Shqiptar, për të jetuar i lirë dhe i pavarur në trojet e tij të lashta stërgjyshore në gadishullin e vet  Ilirik. Për kombin tonë të vogël, por trim dhe të pamposhtur, u deshën mjaft sakrifica sublime dhe lumenj  gjaku, që të vinte kjo ditë e bekuar, për ta realizuar me sukses  ëndërrën e tij shekullore të Mëvetsisë, dhe flakur tej  përgjithmonë zgjedhën shfrytëzuese të okupatorëve të Stambollit. Në krye të kësaj lufte titanike, kaq të gjatë e të pabarabartë, që bëri i gjithë  populli ynë ndaj ushtrive të mëdha të  Perandorisë Osmane, që ishte një nga superfuqitë ushtarake të Mesjetës, u vunë bijët e tij më të mirë, të cilët nuk kursyen asgjë, për ta parë atdheun tonë të lirë dhe të pavarur.

Rilindasit tanë të ndritur e atdhetar të zjarrtë si Naun Veqilharxhi, Hasan Tahsin, Pashko Vaso, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Sami Frashri, Naïm Frashëri, Anton Zako Çajupi, Pandeli Sotiri, Zef Jubani, Jeronim Derada e shumë të tjerë, qenë të parët që e filluan  këtë betejë të gjatë e të lavdishme kundër obskurantizmit dhe errësirës shekullore të Anadollit, për zgjimin e ndërgjegjes dhe të vetdijes së kombit tonë. Me ideologjinë e tyre pro-kombëtare, veprimtarinë krijuese me përmbajtë patriotike dhe veprat monumentale letrare si “Bag?tia e Bujqësia”, “Shqiptar”, “Fjal?t e Qiririt”, E vërteta mbi Shqip?rinë dhe Shqiptarët“, “O moj Shqypni e mjera Shqypni” e tjerë, apostujt tanë erudit hap?n një Epokë të Re plot dritë e shpresa edhe për popullin e kombin tonë hyjnor. Kështu, ata arritën shumë shpejt, që të ndriçonin mendjen e popullit tonë dhe ndërgjegjësonin shqiptarët, që mos ta harronin kurrë historinë  e tyre të lavdishme dhe  misionin e shenjtë që duhet të mernin përsipër, duke parë me optimizëm gjithmonë nga e ardhmja.

Këta vigan të mëdhenj të Shqiptarizmës, penës , diturisë dhe përparimit, në të njëjtën kohë lëshuan edhe kushtrimin e fuqish?m, që i tërë populli ynë dhe patriotët shqiptar, të ngriheshin të gjithë sëbashku dhe ti dilnin zot trojeve të  tyre, për ti çliruar ato nga zgjedha barbare e osmanëve. Ky mision kaq i rëndësishëm, i l?në amanet prej tyre, dhe të parëve tanë, që kishte si qëllim lirinë e shtrenjtë të trojeve tona, kaloi si një stafetë nga njeri brez në tjetrin, dhe nuk u venitë kurrë për asnjë çast, gjatë tërë shekujve të robërisë. Ai frymëzoi edhe kollosët e tjerë të mëdhenj të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” si Avdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Ymer Prizreni, Dedë Gjon Luli, Mehmet Ali Pashë Vrioni, Omer Pashë Vrioni, Jakupi Ferri e shumë të tjerë, të  cilët me guxim  të pashoq e vazhduan më tej veprën e tyre të ndritur, për ta bërë sa më  shpejt Shqipërinë të lirë e të pavarur, ashtu si të gjithë kombet e tjerë. Po kështu, këta patriot,  i bënë thirrje edhe të gjithë popullin tonë, që të rrëmbente sa më shpejt armët dhe ti nxirte me forcë jashtë trojeve tona, të gjitha hordhitë okupatore turke.

Pas këtyre kreshnik?ve legjendar, popullit tonë i prinë mjaft atdhetar, dijetar, mësonjës, klerik, luftëtar e kryengritës të tjerë  të shquar, si Isa Buletini, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Dedë Gjon Lulu, Dom Nikollë Kaçorri, Petro Poga, Jani Minga, Llazar Bozo e tjerë, të cilët, sëbashku me diplomatin tonë të madh  Ismail Qemali në krye, më në fund arritën që ta realizojnë me sukses të  plot shpalljen e Pavarsinë së Shqipërisë, duke ngritur edhe Flamurit tonë Kuq e Zi, më 28 Nëntor 1912-të, në qytetin e Vlorës.

Rilindas, patriot, avokat, gazetar, profesor, historian, studieus, politikan, pavarsist, Ministër i Drejtësisë së Qeverisë së Ismail Qemalit, firmëtar i Deklaratës së Pavarsisë, hartues i statusit për shkëputjen e Gjykatës Shqiptare nga juridiksioni( vartësia) i Perandorisë Osmane, deputet, Erind Gjirokastër.

Shpallja e Mëvetsisë nuk ishte aspak akt i veçuar i një grupi patriotësh, qyteti, treve, apo krahine të caktuar shqiptare, pavarsisht rolit të rëndësishëm që kanë luajtur sejcili gjatë asaj periudhe, por ajo është vepër madhore e të gjithë Popullit dhe Kombit Shqiptar, e cila ka në themelet e saj gjakun, sakrificat dhe kontributin e tyre, që nga Tivari e Presheva e deri në Manastir, Artë e Prevezë, kudo që  shtrihen trojet tona.

Edhe pas shpalljes së Pavarsisë  së Shqipërisë, kur ishim ende nën zgjedhën e okupatorëve turq në largim e sipër, tek ne vazhdonte përsëri jo vetëm dhuna e tyre, por dhe terrori i ushtrive gjakatare të shteteve fqinje shoviniste greke, sërbe e malazeze, për ti coptuar e grabitur trojet shqiptare. Kjo situatë anarshie e dhune, që zgjati edhe përmbi një dekadë e gjysëm pas vitit 1912-të, nuk afroi asnjë mundësi të favorshme  për patriotët dhe intelektualët tanë të penës, si për ta shkruar historinë e kësaj ngjarjeve të madhe, ashtu edhe për ti ruajtur disa dokumenta të pakta me vlerë historike rreth saj, që disponoheshin në  atë kohë.

Vetëm pas viteve 1924 dhe 1944, kur Shqipëria formoi dhe rikrijoi shtetin  e saj, ne i patëm mundësitë, që të paktën të mblidhnim, grumbullonim dhe administronim  të gjithë informacionin e madh për shpalljen e Mëvetsisë, që ekzistonte te qindra e qindra patriot, të cilët mor?n pjesë dhe kontribuan për realizimin e këtij evenimenti të madh. Pikërisht në këtë periudhë, kur dokumentat për këtë kuvend të madh mbarkombëtar qenë zhdukur qysh më  parë nga mungesa e shtetin tonë me institucionet e tij, filluan të bëhen një sërë   shkrimesh dhe artikujsh të ndryshëm apriori e larg të vërtetës mbi këtë ngjarje të madhe, në vend që të pyesnim e intervistonim të gjithë patriotët tanë që e kryen atë dhe ata që ndihmuan në Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë. Këtë situatë anarshie të tillë, si gjoja të përshtatshme për abuzime e shfrytëzuan mjaft  element  ziliqar të sëmurë dhe karrierist të prirur për lavdi, duke zhdukur dokumenta, e sajuar prova fallco me shkrimet e tyre, për të përvetsuar kontributin e patrioteve tanë të tjerë, që dhanë për shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë.

E njëjta gjë ndodhi edhe me flamurin tonë Kuq e Zi që ngriti Ismail Qemali në Vlorë  më 28 nëntor 1912, të qepur nga patrioti fierak Thoma Ristani në shtëpinë e tij, sëbashku me fotografin Petro Dhimitri, që stampoi shqiponjën e zezë dy krenare përmbi të.

Që nga dita e shpalljes së Pavarsisë dhe deri në vitet 1924 e më vonë e gjithë Vlora, Myzeqeja dhe Shqipëria, e dinin shumë mirë se kush  e kishte qepur këtë flamur, pasi djaloshin rrobaqeps nikarak, i përndjekur nga regjimi osman, kisha greke dhe  haxhiqamilistët, që përgatiste flamuj për çdo nëntor, e nderonin vazhdimisht të tërë burrat e Kombit, duke e hipur gjithmonë edhe në tribuna përkrah Jani Mingës gjatë kremtimit të kësaj feste në Sheshin e Flamurit.

Mirpo, pas formimit të shtetit shqiptar dhe pikërisht aty nga vitet 1925-së, kur Ahmet Zogu u tërhoq nga abuzimet e tij me këtë ngjarje. Ish Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri i tij  Koço Kote, mbi të cilin rëndonin shumë krime të rënda e vrasje patriotësh, sëbashku me baxhanakun e vet Kristo Floqi, filluan përpjekjet, falksifikimet dhe sulmet e tyre, për ta përvetsuar autorësinë e këtij flamuri,  dhe t’ja jepnin atë si dhuratë  konatës së tyre, zonjës Marigo Kosta Pozio(Poçi). Kristo Floqi kur ju gradua baxhanaku i tij Kiço Kote nga Minister i Brenshëm në Kryeministër i Mbretërisë Zogiste, filloi të bënte disa shkrime sikur flamurin Kuq e Zi, që ngriti Ismail Qemali në Vlorë e kishte qepur kunata e tij(motra e gruas) Marigo Pozio dhe i botoi ato me forcën e pushtetit nëpër gazetat e kohës.

Ky veprim i ulët i këtij fallsifikatori  dhe i disa  të tjerëve i revoltoi shumë patriotët Shqiptar, por edhe ish Ministrinë e Drejtësisë të Qeverisë së Ismail Qemalit, deputetin avokat Petro Poga, i cili me urgjencë  bëri një shkrim dhe  i dënoi ashpër këta hajdut e fallsifikator, duke e botuar atë edhe në gazetën “Drita” të datës 03 dhjetor 1936-të, ku ndër tjera shkruan:

Nga Kujtimet e Mia

——————————

D  r  i  t  a  -  F  l  a  m  u  r  i

Nga P. Poga

Fort i nderuari

Drejtor i gazetës së re nacionale “Drita”!

Me Gëzim të Math mora letrën e z. suaj , me të cilën më lajmëron daljen në dritë të fletores së re “Drita”.

Emëri “Drita” dhe dita e Pavarsisë së Kombit tonë më kujtojnë shumë kujtime gazmore, po jo dhe pak të tmerruarë dhe të idh?nuarë.

Titulli “Drita” më kujton ditën 14 Kallnuër 1883, kur për të parën herë në Stamboll, botova fletoren e parë me emrin “Drita”, gjame dëshirore, për zgjimin e Idealit Kombëtar, në një kohë që shqiptari, afro, e kish harruarë Kombësinë, tue mbështeturë  feve  se e pandeh vehten, më tepër të huaj, se shqiptar, shumë të rrallë kanë qenë, ata që kujtonin atë ideal, për të cilin edhe ëndërritin. Fletorea “Drita” zgjoi Idealin e shenjtë dhe deri diku e çrrënjosi nga zemrat e shqiptarëve mendimin që fetë nuk e ndryshojnë Kombin, tue mos mundur të ndryshojnë; gjakun, gjuhën dhe zakonet që formojnë Kombin.

Titulli ”Drita” me kujton dy fjalë, njëra “olsuna” (u bëftë), shumë gazmore, dhe tjetra “artekjeter” (harrinë më) të Sulltanit të famëshmë, të Turqisë së asaj kohe, fjalën e parë e përdori për lejimin e botimit të fletores “Drita” të dyjtën për ndalimin e saj, mbi kallximin e Dërvish  pashait, valiut të Shkodrës, i cili kur u kthye nga Shqipëria në Stamboll, shkaktoi jo vetëm ndalimin e “Dritës”, po dhe arrestimin e pesëmbëdhjetë dëshmorëve shqiptar, të cilët u interrnuanë ca në Haqe, ca në Hexhas, dhe ca në Çanak-kala, ku mbaruanë dhe jetën e tyne.

“Drita” u ndalua më 30 të Nëndorit 1884 dhe nga ndjekjet e burgimet që nisi Turqia kontra shqiptarëve, për të ndaluarë veprimet e tyne kombëtare u paralizua dhe u çkatërrua komiteti që ish formuarë në Stamboll nga shqipëtarët. Aktiviteti i përparimit të gjuhës u transferua në Rumani, ku u formua dhe shoqëria shqiptare.

“Drita” u ribotua për të dyjtën herë në Sofje të Bulgarisë nga i ndjeri Shahin bej Kolonja, po nuk përparoi dhe nuk vazhdoi shumë kohë , nga ndalimi i qeverisë turke try hymjes së saj në Shqipëni dhe nga ca grindje që ngjanë atje midis ca shqiptarëve .

Në kohë të lirisë( huriet) turke në Gjirokastrë u formua nënë kryesinë t’ime Klubi me emrin “Drita” i cili u përpoq me çdo mënyrë për përparimin e idealit kombëtar të shejtë, për të përparuarë gjuhën formoi shkollën me atë titull. Për fat të keq klubin dhe shkollën shqipe i ç’katërroi okupatori grek, kur parin e klubit dhe shumë anëtar të gjithë gjinokastritë i internoi në ishullin “Ithaqi” të Greqisë, ku qëndruanë njëra sa u hoq Greqia  prej Gjirokastrës. Unë me të ndjerin e të famëshin Mufit Bej Libohova shpëtuam nga interrnimi, se ishim dërguarë në Vlorë si delegat ng’an e prefekturës Gjirokastrës për proklamimin e Indipendencës Shqipënisë dhe për ngritjen e flamurit.

“Drita” u botua për të tretën herë në Gjirokastër me inisiativën time, ku kam shkruar shumë artikuj me pseudonimin “Viroi” e “Një shqiptar” vazhdoi që nga 1922-1923, kur u ndalua nga trubullimet Fanoliste, të cilatë, përçmojnë Historinë e Shqipërisë dhe u shtërnguam të largohemi nga Atdheu. Për atë fytyrën e asaj situatës së keqe e rigjalli ajo fuqia gjeniale që ish destinuarë nga Zoti për të shpëtuarë Shqipëninë, si e shpëtoi nga shumë të këqia, të cilat i tronditnë dhe Indipendencën e saj dhe jo vetëm e shpëtoi, po dhe e përparoi e lartësoi si e shohim dhe e kemi përpara syve.

Triumfi i legalitetit i çfarrosi dhe i çrrënjosi të gjithëve ato gjamet e këqia, për të cilat, dhe ata që i shkatërruanë, mbase janë penduarë, po nuk shuhen nga faqet e historisë, se kanë rrymosurë rryma të thella e të nxira nga ajo situatë e zezë.

Për të katërtën herë “Drita” triumfon në kryeqytetin e Shqipënisë së lirë, nën direksionin e z. suaj, që ini munduarë dhe po mundoheni për përparimin e gjuhës. U falenderoj për preferimin e titullin “Drita” mbase ca ditë më parë kisha çfaqurë në ca shok që dëshiroja të botoj dhe një herë “Dritën” historike dhe u a kujtuanë, ose e kujtuatë vetë, po sido qoftë , unë jam mirënjohës që mu realizua dhe një herë dëshira, se emëri “Drita” me emrin tim janë të lidhura në historinë fletorare të Shqipnisë.

Të takuarit e botimit për të katërtën herë të fletores “Drita” më ditën e 28 Nëndorit, për proklamimin e pavarsisë s’onë dhe të ngrijturit e flamurit në Vlorën Kreshnike, më kujtojnë gëzime të mëdha për realitetin e Idealit Kombëtar, për të cilin ëndërritin gjithë shqiptarët e vërtet, po më kujtojnë dhe t’merrime të këqia nga gjamet e vështira të brendëshme, që hoqi  Shqipëria që nga dita e proklamimit gazmor.

Nuk desha të bëj fjalë për ngritjen e flamurit dhe për mënyrën e ngritjes, se janë thënë e janë shkruar shumë, po të ekzagjeruara dhe më tepër UTOPIRA, se si është botuarë dhe në fletën e parë “Drita”, sikurse flamuri që u ngrit në Vlonë ka qenë i dërguar nga Amerika dhe si mbas ca gazetave të tjera, sikur ka qenë i qëndisur me sermë e me xhufka, të gjitha këto janë ËNDËRRA, se Flamuri i Parë që është ngritur në Vlonë, ka qenë një Pëlhurë e Kuqe, tre metro e gjatë dhe dy metro e gjerë, mbi të cilën u shtyp shqiponja dy krenore me ngjyrë të zezë, me atë bashkë u gatitën dhe 4-5 të tjerë më të vegjël. Pëlhura u ble te një tregtar i quajtur DIAMANTI dhe u qep tek një rrobaqepës i quajtur THOMA, se nuk priste koha, për të gatitur Flamur  L u k s.

Mënyra e ngritjes ishte e frikuar se deti ish i bllokuar, Llogaraja e zënë me vetdashës, përtej lumit të Vjosës ushtria turke , në Tepelenë ushtria greke, d.m.th Vlora ish e rrethuar nga të katër anët.

Të enjten më 28 dhe 15 allaturka të Nëndorit 1912, u mblodhën të gjithë delegatët nga të gjithë anët e Shqipënisë dhe vendosën ngritjen e flamurit  tue marë parasysh çdo gjamë e çdo sakrificë dhe si u gatitën flamurët, ora në 3 pas m.d.(mes ditës) gjithë delegatët, bashkë me Ismail Qemalin shkuan përpara një ballkoni te një shtëpie të madhe e cila sot është e rrëzuar dhe ka qenë 4-5 metro më larg ng’an të djathtë të statutit ku gjendet sot. Atje n’atë ballkon dishëroi Ismail Qemali të ngrihetë flamuri, se si thosh vetë që kish lind më  shtëpinë e atij Balkonit. Dhe sot më tingëllon në vesh fjala e plakut, mblidhuni shok të ngremë flamurin e lirisë së vetqeverimit tonë dhe Zoti na ndihmoftë , gjithë delegatët u afruan dhe ngjatnë duartë mbi tërkuzën që mban flamurin dhe për një herë bashkërisht e ngrijtnë. Atë kohë Ismail Qemali, delegat?t dhe gjithë populli që ish mbledhë rreth e përqark, u panë me lot në sy nga gazi i flamurit, që nisi të valoj nga zefyret që përkëdhelin dhe u ndigjua një zë i math sa tronditi gjithë Vlorën rroftë Flamuri i Shqipërisë , valoftë për gjithë jetë sa të jetë Bota. N’atë kohë i ndjejuari Murat Bej Toptani nisi të këndoi një vjershë, po nuk e la ta mbaroi shiu, kur populli u përhap dhe delegatët me Ismail Qemalin shkuan në shtëpinë e Z vëllaznia Sharra. Kjo ishte ceremonia e ngritjes së flamurit nga ndroja e shokëve që u treguan sipër. Mbas një ore u ngrijtnë dy flamur të tjerë njëri në dogan dhe tjetëri në porto të limanit të Vlonës, ku gjëndeshin shtatë vaporrë të armatosurë në formë flote luftarake, Admirali i të cilës me të parë flamurët që valonin në dogan e në porto liman bombardoi vendetë ku gjendeshin flamurët dhe Vlonën, po asnjë flamur nuk mundi ta rëzoi. Bombardimi vazhdoi 3-4 orë, në mes të bombardimit një bombë prishi kulmin e shtëpisë ku qendronin delegatët dhe Ismail Qemali u përpoq në murin e shtëpisë së ballkonit, ku ish ngritur flamuri dhe u coptua.

Gjendje e delegatëve u trondit dhe u tërhoqën në një përdheje jashtë shtëpisë. Gjithë gjëndjen e Vlonës u tremb e u friksua tepër. T’merri ish i math sa nuk mund të përshkruhet. Delegatët dhe Ismail Qemali po mendoheshim ç’të bënin, më në fund vendosnë dhe i telegrafuan Mbretit të Greqisë dhe fuqive të mëdha mbrojtëse të Shqipënisë: Italisë dhe Austrisë dhe pas dy orë pushoi bombardimi dhe u qetësua gjëndia.

Një javë pas ngritjes së flamurit përsëri, ditën e enjte u mblodhnë gjithë delegatët nën kryesinë e Ismail Qemalit, për të zgjedhur Qeverinë e Parë të Shqipënisë, po që atë ditë, nga këndimi i një liste që kish formuarë Ismail Qemali tue treguarë emërat e atyre që do të formonin qeverinë u thyenë zemrat e delegatëve dhe u kundërshtua rreptësisht ajo listë, dhe si u rregullua u vendos zgjedhja e qeverisë me vota të fshehta. U zgjodh qeverria dhe Ismail Qemali si Kryetari Qeverrisë.

Peripecitë e kësaj qeverie janë të shumëta dhe vetëm historia mund të përshkruajë një ditë me detajet e tyne , kantonimin e Shqipnisë, çështja e Beqir Grebenesë, pretendimi i Izet Pashait si princ i Shqipënisë, proklamimi i autonomisë së Epirit, formimi i Fallangave Lerolfohite, prishja e 400 katundeve të Shqipnisë e të tjera, janë kujtime të t’merruara se idhënojnë dhe helmojnë gjithë ata që i kanë pa dhe gjithë sa i ndigjojnë.

Po tue menduarë, që gjithë lëvizjet e këqia që u bënë në kohëra të ndryshme në Shqipëri, përfunduan në favor të saj, se mos të ish bërë ashtu, nuk do të ish bërë kështu si u bë Shqip?ria, e gjendet sot nën egjudën e shpëtimtarit të Kombit, August Mbreti i Shqiptarëve Zog I-rë, se ekzistenca e Shqipënisë është lidhur me Mbretin e saj, i cili e shpëtoi, e përparoi, e lartësoi dhe gjithënjë përpiqet për prosperitetin e Kombit dhe për fatbardhësinë e gjithë shqiptarëve kudo që gjëndjen brenda e jashtë Shqipënisë. Rroftë Mbreti Shqiptarëve Zog I-rë, rroftë flamuri shenja e shenjtë, fuqia tërheqëse, e cila realizoi Idealin Kombëtar dhe e rrënjosi në zemrat e gjithë shqiptarëve dhe u imponon që të përpiqen gjithë jetën e tyne për Mbret e për Atdhe tue treguar si shëmbëllë rinisë, së pas ardhme.

P.  POGA

__________

Megjithate kjo lojë e turpëshme e pushtetarëve të Tiranës sëbashku me pseudohistorianët e saj, ka 100 vjet që luhet luhet në Shqipëri.

Kjo  tregon qartë edhe shkakun, se për çfarë arsye nuk u pyetën  fare patriotët tanë pavarsist, që të mblidheshin  e botoheshin  kujtimet e tyre, si u lanë në mëshirë të fatit arkivat e rretheve ku u asgjësuan një sërë dokumentash me vlerë dhe përse nuk u zbardhë kurrë e vërteta historike mbi shpalljen e Pavarsisë, qepjen e flamurit nga Thoma Ristani dhe udhëtimi i Ismail Qemalit  nëpër Myzeqe?

Një komedi e till po vazhdon me turp edhe sot,  ku Popullit Shqiptar po i fshihet ende realiteti i aktit të Mëvetsisë me përrallat  e mashtrimet e Marigo Pozios, Kristo Floqit, Kol Rrodhes, Myqerem Vlorës e mjaft fallsifikatorëve të tjerë, që mbushën edhe arkivin e kohës se Zogut plot me gënjeshtra, të cilët Petro Poga i demaskoi publikisht qysh në vitin 1936-të.

Atëherë, kur ne shqiptarët e mbulojmë dhe e shtrembërojmë vet të vërtetën tonë historike, që është krijuar me mund, sakrifica e gjak nga populli ynë, si mund të pretendojmë e kërkojmë tek të tjerët, për ta zbardhur e mbrojtur atë?

Kur do të na tregohet zyrtarisht e vërteta edhe nga shteti ynë mbi këtë ngjarje kaq të madhe, të cilën tashmë ne e dimë shumë mirë sesi ka ndodhur dhe qysh është fshehur e deformuar ajo nga disa njerëz të papërgjegjshëm e klanet e tyre në Shqipëri.

Themi J. Tushe

New York-Connecticut

April  18, 2025