| E merkure, 16.04.2025, 06:52 PM |
Lesht keni për të marr!
Nga Llesh Ndoj
1.
Tregojnë se dikur e
diku një mbret vendosi të zbresë vetë në popull dhe të mësoje për gjendjen e
njerëzve, tej filtrave që iu vihen zakonisht këtyre informacioneve, veçanërisht
në sistemet autokratike e totalitare, ku udhëheqja e lartë duhet “ruajtur” e
mbajtur larg “gjërave të vogla”, siç janë hallet e popullit…
Pyetjes së mbretit se
si ishin e si i kishin hallet, njëri nga të shumtët, iu përgjigj:
-
Naltmadhni, jemi mirë krejt, po unë e kam një hall, i thotë
dikush.
E
dëgjon me vemendje mbreti dhe i drejtohet sekretarit shoqërues:
-
Shënoje! T’i plotësohet kërkesa deri…
Vazhdoi kështu gjatë
bashkëbisedimi midis mbretit e të nënshtruarëve prej tij e për çdo ankesë mbreti
urdhëronte sekretarin ta shënonte në qitap e të kujdesej për t’ua transmetuar
vartësve, bashkë me urdhërin që të zgjidhej menjëherë. Njerëzit kënaqeshin e
besonin si tek Zoti, kur shikonin se mbreti i rrinte mbi krye sekretarit derisa
ai t’a shënonte në qitap ankesën bashkë me porosinë e tij, ose më mirë bënte
sikur e shikonte se as për të lexuar nuk lexonte dot!. Lista e ankesave e
kërkesave të hallexhinjëve u bë e gjatë dhe përgjigja e Lartmadhërisë mbetej po
e njeta: Shenoje dhe ndiq zbatimin e kërkesës derisa të zgjidhet!
Andej nga fundi i
ditës “me popullin” një njeri iu ankua mbretit për lesh!
-
Kam me martue djalin madhni, e më duhen 10 kg lesh!
-
Shënoje! 15 kg lesh për….
Sekretari i
vemendshëm, iu afrua tek veshi e i tha:
-
Madhni! Krejtve ua bëjmë qaren, po leshin për këtë ku me e marr?!
-
Shënoje more, iu kthye mbreti sekretarit! Krejt lesht kanë për
të marr…
2.
Fushatat elektorale,
po t’i ndjekësh me vëmendje oratorët, janë mrekullia vetë! Thesi i rrenave
hapet bujarisht për të gjithë e të gjithë dalin të kënaqur prej tyre, të paktën
deri të sa të dalin rezultatet zyrtare nga organi që i çertifikon zgjedhjet,
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sheshet e sallat janë plot e fytyrat e njerëzve
të qeshura, aq sa thua ku paska qenë fshehur lumturia deri më sot?! Zgjedhjet
politike në vetvete janë nënshkrimi i një kontrate publike mes zgjedhësve e të
zgjedhurve prej tyre, por cila është kontrata? Nuk besoj se është rastësi që pothuajse
asnjë parti politike nuk paraqet një program elektoral të shkruar, konçiz,
konkret e me afate për gjithshka që premtohet prej tyre. Premtojnë pa asnjë
llogari e përgjegjshmëri, se “lesht” kanë me na dhënë pas zgjedhjeve. Bile,
asnjëri prej tyre, sidomos Rama e Berisha, asnjë copë letër formale nuk e
mbajnë në dorë nëpër takimet elektorale, ndonëse flasin me orë të tëra e, si e
thotë populli, nuk u bie gjuha në gojë!
Pse të mbajnë letër?!
Fol ça të duash, mjafton që turma të eksitohet e t’i duartrokasë në mënyrë
frenetike. Se mos do t’u duhet të japin ndonjëherë llogari për ç’thanë e
ç’bënë! Rëndësi ka mos me ngec. Rëndësi ka me gjet fjalë që çojnë peshë zemrat
e pjesmarrësve, sidomos me batuta që vejnë në epiqendër me tallje,
kundërshtarin politik. Po të jeshë vetëm pak i vëmendshëm, në fjalimet e tyre
politike, numërohen gafa pafund, aq sa të vjen marre nga vetja se pse i ndjekim
e i votojmë këta njerëz!
Më vjen ndërmend një takim elektoral i vitit 1996, diku me një grup
fshatarësh në zonën ku banoja e jetoja atëherë. Shoqërova kandidatin për
deputet të kohës si një detyrim partiak (për etikë nuk do t’ia përmend emrin!)
nëpër disa takime të vogla elektorale me grup-lagje. Në takimin në fjalë,
shumica e pjesmarrësve vinin sa për t’i bërë qejfin atij, disa edhe për harrin
tim, dhe ishin votues të majtë. Pashë aty edhe një grup djemsh të panjohur deri
atëhere për mua dhe mendova se ishin pjesë e grupit shoqërues të kandidatit që
vinin nga qendra, siç ngjet gjithnjë. Në fjalën e tij “programore”, kandidati
foli edhe për Kinën, edhe për raketat, edhe për…, por asgjë për zonën e për
mundësitë që ai do të kishte që, përmes mandatit të deputetit, të ndikonte
realisht në zgjidhjen e halleve konkrete të njerëzve. Duke u kujdesur që ta
bënte kundërshtarin edhe më të zi se ç’ishte në realitet, kandidati shpërfaqi një
turrë shifrash thuajse astronomike adresuar korrupsionit të kundërshtarit
politik, që të linin me gojë hapur. Bëri aq shumë gafa sa…
Njëri nga djemtë e
“panjohur” ish i persekutuar politik nga një fshat i afërt, njeri mjaft
inteligjent ndonëse koha s’ia kishte mundësuar diplomimin për arësye
ekstrashkollore, ia demantoi një nga një shifrat astronomike kandidatit, aq sa atij
nuk i mbetej asnjë mundësi kundërshtimi me forcën e logjikës, përveçse me forcën
e pushtetit. Na u desh shumë “dredhi fjalësh” për të dal nga kjo situatë dhe që
nga ajo ditë, iu shmanga me justifikime nga më të ndryshmet shoqérinit të
kandidatit në takimet e tjera.
Natyrisht që, aq sa më
lejohej, edhe e këshillova kandidatin:
-
Futja kot sa të duash politikisht e teorikisht, i them, por kur
vjen puna tek shifrat bëj kujdes se njerëzit të “tërheqin” për gjuhe! Ato janë
të ftohta e nuk lejojnë shumë mundësi me i dal situatës .
Le të vijmë në 2025-n dhe situatën elektorale në zhvillim.
Thuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Bile as njerëzit e politikës jo! Ja ndonjë
shembull: Berisha në takimet e shumta me bizneset gjithnjë premton “taksë zero”
për biznesin e vogël dhe merr duartrokitjet e të pranishmëve, a thua ka bërë
ndonjë zbulim shkencor të jashtëzakonshëm dhe s’del askush t’i thotë se kjo
tashmë është e realizuar prej vitesh e me ligj e mbrojtur deri në vitin 2029
nga qeverisja socialiste, ndonëse është një veprim i padrejtë në thelbin e vet!
Ose,
-
Tatimi i dividentit do të ulet në 10%, tha në një biznes në
Durrës. Por këtu, qëlloi që pronari ishte i vëmendshëm e i tha se 8% është edhe
tani!
-
Si? Po sa e doni? E doni zero Ju?, vazhdoi Berisha, duke bërë
sikur shënoi në bllokun e tij, dhe e mbylli me një:
-
Do ta shqyrtojmë!
Le të mos hyjmë në shifrat makro ku vështirë me e kaluar klasën
asnjëri me premtimet e tipit të mbretit të treguar në fillimet e këtij shkrimi.
Për çdo taksë premtohet prej tyre ulja ose zerimi, ndërkohë që çdo e ardhur,
qoftë si pagë apo si shërbim, do të rritet e përmirësohet në mënyrë të menjëhershme
e të paimagjinueshme, a thua se shteti që vjen vetëm do të emetoje monedha e
t’i shpërndaje ato të nesërmen e uljes në karriga të pushtetarëve të ri, se të
tjerat i “zgjidh” Zoti apo, si e thotë populli, e bën Zoti mirë! Zoti veç mirë
bën natyrisht, por llogaritarët e shifrave i ka lënë në tokë, në mënyrë që të
kalkulojnë mirë llogaritë e të premtojnë njerëzve ato që janë të realizueshme!
Në fakt jemi aty ku e
lamë:
-
Premto gjithshka me fjalë të bukura, se “lesht” kemi për t’u
dhënë!
3.
Sa herë i mendoj këto
veprime, fjalë e premtime fodulle të politikanëve, më vjen për të vjellë! Më
ndodh të bëhem nervoz, me ndonjërin edhe “të përplasem” me fjalë, në se ma jep
shansin me e pasë ballë për ballë, por shpejt e kuptoj se është fushatë e
rrenat janë “të liçensuara”, sidomos këtë vit ku fillimi i fushatës korespondoi
edhe me 1 prillin. Ndonëse në vitet e rinisë më tërhiqte fort politika e edhe
jam marrë me të në nivelet e ulëta të saj, i them vetes: Je me fat që s’të është
dhënë mundësia të ngjitesh lart në karriget e politikës se do të merreshin mend’t
shpejt e rrëzimi nga lartësitë është kurdoherë me rrezik të lartë…
Pastaj, hap muzikën në
makinë e nga një disk i vjetër gjej këngën e Perlat Sheqerit, titulluar “Furka
e plakës”. Ç’farë thotë kjo këngë? Në esencë vargjet e saj sjellin dialogun mes
një lokeje që tjerr lesh në furkë e ish-deputetit tashmë kandidat, që i kërkon
votat. Përgjigja e lokes është brilante: Pasi thotë se “leshi i dhenëve, leshi
i dhive/ shkoi me rrenat e partive/(…)” konkludon:
-
Por këtë radhë e kam nda peshqeshin/ unë mbaj furkën e ti merr
leshin…
Të kisha mundësi, para
çdo qendre votim në ditën e zgjedhjeve, gjatë të gjithë ditës, do të vija të
përsëritej ky fragment kënge me volum të shtuar!