| E merkure, 16.04.2025, 06:56 PM |
Me rastin e 39-vjetorit të vdekjes
SIMON
DË BOVUAR
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Simon dë Bovuar (Simone
Lucie Ernestine Marie Bertrand de Beauvoir, Paris, 9.1.1908 – Paris, 14.
4.1986) është prozatore franceze. Vjen nga një familje qytetare të kamur. U
edukua në frymën katolike. E lë fenë dhe bëhet kritikuese radikale e dogmave
dhe e miteve të qytetërimeve. Deri në vitin 1945 ka qenë profesoreshë
universitare e filozofisë. Më pas i përkushtohet letërsisë. Ka qenë luftëtare
për lirinë personale dhe për liritë
njerëzore, sidomos për emancipimin e femrës. Ka qenë mbështetëse e prerë e
komunikimit dhe e mirëkuptimit midis njerëzve. Ka qenë bashkudhëtare e
romancierit, filozofit, dramaturgut dhe kritikut francez Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980). Filozofi ateist
– Sartri, është i vetmi shkrimtar që e ka refuzuar çmimin “Nobel”. Volteri i
Evropës i mesit të qindvjeçarit XX, Sartri ishte filozof ekzistencialist.
Ekzistencializmit i kontribuoi dukshëm edhe Simon dë Bovuar. Në romanin e parë “Mysafirja” (L’Invitée, 1943) gruas tradicionale ia kundërvë gruan e
pavarur dhe liberale. Akoma
më radikale është në esenë “Gjinia
tjetër” (Le Deuxième sexe, 1949)
e cila me një rebelim deri atëherë të paparë foli për nënshtrimin e femrës.
Pozitën e femrës e paraqet që nga fëmijëria deri në pleqëri, duke e parë nga
këndvështrimi i historisë njerëzore, i religjionit, i letërsisë, i zakoneve dhe
i moralit. Duke i tronditur mitet për feministët pasiv, i dha një nxitje të
fuqishme lëvizjes feministë në Francë. Në romanet “Gjaku i huaj” (Lë Sang des autres, 1945), “Çdo njeri vdes” (Tous les
hommes sont mortels, 1946) dhe në
dramën “Gojët e padobishme” (Les Bouches
inutiles, 1945) merret me
përgjegjësinë e njeriut ndaj të afërmit. Romani “Mandarinat” (Les Mandarins, 1954) dëshmon për dëshpërimin me humanizmin. I paraqet
dilemat
e intelektualëve francezë të majtë në periudhën e pasluftës (së Dytë
Botërore), pavendosmërinë e tyre për t’i dënuar kampet e përqendrimit në
Bashkimin Sovjetik. Shkallë-shkallë, gjithnjë më tepër u kushtohet
eseve dhe kujtimeve (memoareve). Në përputhje me idetë e Sartrit, mendimin ekzistencialist të vet Simon dë Bovuar e
artikulon në mënyrë më të qartë në esenë “Piri
dhe Kineasi” (Pyrrhus et Cinéas, 1944).
Librat e saj me kujtime kritika i përshëndeti njëzëri: “Kujtimet e një vashe të edukuar mirë” (Mémoires d’une jeune fille rangée,
1958), “Forca e sendeve” (La Force des choses, 1963) “Një vdekje tejet e ëmbël”
(Une mort très douce, 1964), në
të cilat me zgjuarsi dhe në mënyrë kritike e paraqet fëmijërinë e vet, kërkimin
e lirisë dhe të afirmimit përkundër rrugëve të përcaktuara. Ato janë dëshmi e
çmueshme e përplasjeve intelektuale në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore,
sidomos në grupin e ekzistencialistëve.
Veprat e saj të mëvonshme i kushtohen moshës së pjekur, pleqërisë dhe vdekjes: “Gruaja e rraskapitur” (La
Femme rompue, 1967), “Pleqëria” (La Vieillese, 1970).
Simon dë Bovuar me luftën e vet për
dinjitet njerëzor dhe për zbulimin e padrejtësive shoqërore ndikoi fuqishëm në
rrjedhat letrare.