| E hene, 14.04.2025, 07:00 PM |
ATA QË I MBAJNË GJALLË PLAGËT E LIRISË
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Sot,
më 14 prill 2025, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të
Torturës (QKRMT), nën udhëheqjen e Feride Rushitit, organizoi tubimin me emrin
simbolik “Zëri im, forca ime – nuk ka më heshtje”, me rastin e shënimit të 14
Prillit – Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së
Fundit në Kosovë.
Dhe
mu sot, pas një çerek shekulli, një valë e papritur dhimbjeje më rrëmbeu
përbrenda. Ishte një ditë që filloi si të gjitha, por mu përmbys papritmas
brenda një çasti, kur përballë meje u shfaqën gra dhe burra në ekranin e
RTK-së– jo thjesht njerëz, por dëshmi të gjalla të një kohe që nuk ikën, të një
plagë që nuk shërohet, të një heshtjeje që më në fund kishte filluar të fliste.
Ata
nuk flisnin me urrejtje, as me hakmarrje, por me një sinqeritet që të dridhte
shpirtin. Haptas, pa maska, ata pranuan se ishin të dhunuar. Jo vetëm në trup,
por në thelbin e qenies së tyre – dhunuar nga falangat serbe që nuk kursyen as
shtëpitë, as tokat, as trupat, as gjuhën, as kujtimet, as dinjitetin.
E
ndjeva veten të vogël, të pafuqishme, të rënduar nga një tis trishtimi që nuk
mund të përshkruhet me fjalë. Jeta m’u duk e rëndë, jo për shkak të
ndjeshmërisë personale, por për shkak të barrës së tyre — të atyre që kishin
jetuar ferrin dhe tani qëndronin para nesh, jo si viktima, por si dëshmitarë të
gjallë të qëndresës.
Në
atë çast, të gjitha fjalët më tepër më pengonin se më ndihmonin. Ajo që ndjeja
ishte një lloj turpi i heshtur — që kisha jetuar për vite në paqen time,
ndërkohë që kaq shumë të tjerë kishin mbijetuar në një pasiguri të përjetshme.
Ishte një ndjesi faji që nuk mund të artikulohej, një dhimbje e përzier me
admirim të thellë.
E
sot, pas 25 vitesh, kuptova se koha nuk i shëron gjithmonë plagët — ndonjëherë
ajo vetëm i hesht. Dhe kur dikush guxon t’i hapë ato, dhimbja nuk ndjehet vetëm
prej atij që flet, por shpërndahet, e padukshme, në zemrat e atyre që dëgjojnë.
Dhe unë e ndjeva. Fort. Thellë. Dhe për një çast, më dukej se jeta vetë u ndal
nga pesha e atyre fjalëve.
Po
në rregull… por kush ishin ata? Kush ishin ata dhunues që vinin me çizme të
rënda mbi dheun tonë, që hynin nëpër shtëpitë tona pa trokitur, jo si njerëz,
por si stuhi të çmendura që përmbysnin gjithçka që kishte emër, frymë dhe
dritë? Çfarë fytyre kishin vallë? A ishin vërtet njerëz me sy e me duar, apo
ishin bisha të maskuara, hijena të ngritura mbi dy këmbë, të ardhur nga diku
larg, nga errësira e thellë e Karpatëve apo nga skutat më të ftohta të
urrejtjes njerëzore? A ishin të lindur kështu, apo ishin shndërruar në përbindësha
nga një sistem që e ushqente egërsinë dhe e quante burrëri shkeljen mbi trupin
e tjetrit?
Kush
ishin ata që shkatërruan jo vetëm muret e shtëpive tona, por edhe muret e
brendshme të nderit, të besimit, të sigurisë? Ata që përdhosën trupin e gruas
sikur të ishte një armik, jo një qenie njerëzore, jo një nënë, jo një motër?
Kush ishin ata që me duart që duhet të punonin, përqafonin, krijonin —
shkaktuan dhimbje të pashpjegueshme, plagë që nuk shërohen as me kalimin e
brezave? Dhe çfarë bëjnë sot? Si e jetojnë sot jetën e tyre, në ato shtëpi ku
ndoshta njëherë kanë ndjerë dashuri, ku fëmijët e tyre flenë të qetë, ku gratë
e tyre përgatitin mëngjesin e ditës së re?
Çfarë
ëndrrash shohin këta njerëz kur errësira bie dhe bota hesht? A i përndjekin
pamjet e të bërtiturave, a u shfaqen fytyrat e atyre që i shkelën, i turpëruan,
i zhdukën? Apo flenë të qetë, me ndërgjegjen të fjetur thellë si një gur në ujë
të turbullt? A u dridhen duart kur prekin fëmijët e vet, sepse në ndjeshmërinë
e një prekjeje, u kujtohet dhuna që dikur ia bënë dikujt tjetër, ndoshta një
vajze që nuk arriti kurrë të bëhet nënë?
Kush
ishin ata dhe çfarë janë tani? A kanë ndërruar lëkurë, apo veç heshtje? A kanë
ndërruar pamje, apo veç adresë? A jetojnë si qytetarë të respektuar, apo si
fantazma që ecin në mes të njerëzve, duke mbajtur mbi vete një barrë që s’e
njohin, por që historia nuk do ta harrojë? Sepse ndërsa ne kujtojmë, ndërsa ne
përkulemi me dhimbje dhe dinjitet përpara viktimave, ata ndoshta vazhdojnë të
ecin me kokën lart — jo nga krenaria e vërtetë, por nga harresa e vetëzgjedhur.
Dhe pyetja që mbetet pezull, si një re e rëndë që nuk ikën kurrë:
A
e dinë çfarë kanë bërë? Apo janë bërë të verbër nga errësira që vetë e kanë
krijuar?
A
kërkojnë vallë falje ato krijesa që një ditë u shndërruan në hijet më të errëta
të njerëzimit? A kanë guximin t’i thërrasin vetes përbindësha, sepse asgjë
njerëzore nuk mbeti në atë që bënë? Apo flenë të qetë, të rrafshuar mbi jastëkë
të butë, ndërsa nata mbulon gjithçka dhe vetmia i përball me veten, me mendimet
e veta, me heshtjen që nuk ka më asnjë zhurmë tjetër për ta shpërqendruar? A
flenë pa u dridhur? Apo ndoshta, natën, kur gjithçka është qetësuar, kur
fëmijët u janë zhytur në gjumë dhe gratë ndoshta i kanë kthyer shpinën,
ndërgjegjja zgjohet si një bishë që kafshon nga brenda?
Çfarë
thonë vallë në ato çaste, kur nuk ka askënd që i sheh? A ndiejnë ndonjë lloj
pendese, apo i justifikojnë aktet e tyre me fjalë të lodhura si "ishte
luftë", "urdhra", "hakmarrje"? A gjejnë strehë në
klishetë që ia lehtësojnë barrën shpirtit të kalbur, apo as vetë nuk dinë më të
dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra? A thonë se nuk dinin ç ‘bënin? Se ishin të
rinj, të shtyrë, të mashtruar? Apo e vërteta është më e thjeshtë dhe më e
tmerrshme: se bënë atë që bënë, dhe s’ndiejnë keqardhje.
Sepse
për të kërkuar falje, duhet të kesh ndërgjegje. Duhet të kesh ndjeshmëri. Duhet
të jesh, para së gjithash, njeri. Por a ishin ata njerëz? Apo vetëm trupat e
tyre ishin njerëzorë, ndërsa brenda tyre lëvizte një etje primitive për dhunë,
për pushtet, për sundim mbi tjetrin – për të shkatërruar, për të poshtëruar,
për të zhdukur çdo gjurmë të atij që e konsideronin "tjetër"? A janë
ata që ndonjëherë u shfaqën si ushtarë, por vepruan si kriminelë, a janë ata që
nuk donin luftë, por vetëm mundim, vetëm gjak, vetëm nënshtrim?
A
vazhdojnë ende sot me të njëjtat teke të vjetra, me të njëjtin mendim të kalbur
që dikur i bëri të ndihen të fortë, ndërsa përballë kishin trupa të pambrojtur,
gra, fëmijë, burra pa armë? Apo kanë ndërruar pamje, por jo brendësi? Apo sot e
fshehin përbindëshin nën kravatë, nën fjalë të buta, nën heshtje që ngjan me
qytetari?
Historia
mund të vonojë, por nuk harron. E as dhimbja nuk hesht përgjithmonë. Dhe pyetja
që qëndron si një dritare e hapur drejt ndërgjegjes kolektive është kjo:
A
kërkuan ndonjëherë falje… apo zgjodhën të flenë në paqen që ndonjëherë vetëm
djalli e gjen?
Jo.
Jo, këta burra e këto gra nuk u përkulën. As përpara dhimbjes së vet, as
përpara syve të botës. Ata nuk u thyen, nuk u strukën në hijen e turpit që nuk
u përket, nuk u mbështollën me heshtjen që shpesh e detyron dhimbja. Edhe sot,
pas gjithçkaje që kanë kaluar, ata qëndruan drejt – vertikalisht, si trungjet e
drunjve që janë rritur përmes stuhive, me rrënjë të thella në dhembjen dhe
dinjitetin njerëzor. Qëndruan përballë publikut, përballë të dashurve të tyre,
përballë shoqërisë që më në fund, me zemër të dridhur, i dëgjon. Dhe nuk
kërkuan mëshirë. Kërkuan që e vërteta të dëgjohej. Dhe vetë prania e tyre ishte
një dëshmi – jo vetëm e së kaluarës, por edhe e forcës që lind nga më e
rënduara plagë.
Këta
njerëz nuk janë të zakonshëm. Nuk i takon çdo ditë, nuk i sheh në kafenetë e
zhurmshme, nuk i njeh nga zëri apo nga pamja. Janë ata që kanë zgjedhur
heshtjen për vite me radhë, por që tani flasin me zërin e asaj dhimbjeje që nuk
mund të mbahet më brenda. Janë heronj – jo të legjendave me armë dhe betejash
nëpër male, por të një beteje shumë më të vështirë: betejës për të mbijetuar,
për të ruajtur shpirtin, për të qëndruar i pastër përballë ndotjes më të madhe
që një njeri mund të përjetojë.
Ata
janë gjaku i pashuar i kujtesës sonë. Janë ata që na rikujtojnë se liria që sot
e shijojmë, e marrim si të mirëqenë, nuk ka ardhur si dhuratë. Ajo është paguar
– me dhimbje, me heshtje, me trup, me shpirt, me net të pafjetura dhe me ditë
që nuk ikin kurrë nga kujtesa. Falë tyre dhe falë familjeve të tyre që u
qëndruan pranë kur askush tjetër nuk dinte si të afrohej, ata janë këta që janë
sot – të pathyeshëm, të mëdhenj, të domosdoshëm.
Janë
dhembja jonë që nuk mbyllet, por edhe krenaria jonë që nuk shuhet. Janë kujtesa
që nuk duhet të pushojmë së rikujtuari. E nëse rinia jonë kërkon të dijë çfarë
është robëria, le të mos e mësojë nga librat e ftohtë të historisë, por le të
shohë në sytë e këtyre njerëzve. Le t’i dëgjojë – jo thjesht me vesh, por me
zemër. Sepse në zërin e tyre fshihet çmimi i vërtetë i lirisë: një çmim i
lartë, i paguar me dhimbje që nuk kalon, me heshtje që peshon, me guxim që
ndriçon. Dhe atëherë, vetëm atëherë, rinia jonë do të mësojë se liria nuk është
një flamur që valon në erë – por një plagë që është dashur shumë dashuri dhe
shumë qëndresë për ta mbajtur të hapur, që ne të ecim të lirë.
Jo.
Këta burra dhe këto gra nuk janë thjesht dëshmitarë të një kohe të errët — ata
janë mbajtës të dritës në mes të errësirës. Edhe sot, në përballje me kujtimet
më të rënda, me dhembjen që nuk ka pushuar së rrjedhuri në zemrat e tyre, ata
qëndruan dinjitoz, me shpirtin e drejtë dhe trupin të ngritur, sikur secili
prej tyre të ishte një shtyllë kujtese, një zë i gjallë i së vërtetës që nuk
mund të fshihet. Ata nuk e ulën shikimin, nuk u përkulën para dhimbjes së vet,
por e shndërruan atë në forcë, në qëndresë, në një thirrje të heshtur që kumbon
në vetëdijen e secilit prej nesh.
Këta
nuk janë njerëz që i takon çdo ditë. Ata nuk janë zëra të zakonshëm që
zhurmojnë për vëmendje në hapësirat publike. Janë qenie që kanë kaluar përmes
një ferri që nuk mund të përshkruhet plotësisht me fjalë, por që pavarësisht
gjithçkaje, kanë dalë prej andej me shikimin përpara, me nderin të paprekur, me
një dritë të brendshme që vetëm ata që e kanë parë vdekjen në sy mund ta
bartin. Ata janë të rrallë — sepse të rrallë janë ata që përballen me jetën pas
dhimbjes, pa u shkatërruar, pa u mbyllur në vetvete, pa u shuar.
Këta
janë heronjtë tanë. Jo heronj të himneve ushtarake, jo figura të statujave prej
bronzi që heshtin nëpër sheshe, por heronj të gjallë që ecin në mesin tonë me
plagë të padukshme dhe me guxim të pashoq. Ata janë gjaku që vazhdon të rrahë
në zemrën e një kombi që ende mëson të kujtojë. Janë fytyra e dhimbjes që nuk
shuhet, por që mëson të frymojë përmes mbështetjes, dashurisë dhe qëndrimit
pranë të atyre pak njerëzve që kanë ditur të qëndrojnë me ta në stuhi. Sepse pa
familjet që i mbështetën, pa dashurinë që nuk e braktisi, ata nuk do të ishin
këta që janë: dëshmitarë të së vërtetës, shtylla të moralit, gjurmë të gjalla
të çmimit të lirisë.
Dhe
këta shembuj duhet t’i shohë rinia jonë. Jo në kornizat e ceremonive, por në
jetën e përditshme, në heshtjen e tyre të fisme, në lotët që nuk kërkojnë
keqardhje, në fjalët që rrjedhin nga një plagë që nuk mbyllet. Le të dëgjojë
rinia jonë zërin e këtyre njerëzve, dhe përmes tij, le të kuptojë se çfarë
është robëria — jo si fjalë që gjendet në libra historie, por si përjetim që e
ka zënë frymën e gjeneratave. Le të kuptojë sa shtrejt është paguar kjo liri që
sot e shijojnë me hap të lirë dhe mendim të qetë. Sepse liria nuk është as
luks, as privilegj i lindur. Është dhimbje e trashëguar, është qëndresë që
vazhdon, është kujtesë që nuk guxon të shuhet. Dhe pikërisht këta njerëz —
burrat dhe gratë që flasin me zemrën, jo me fjalimet — janë mësimi më i mirë që
një komb mund t’i japë brezit të tij më të ri.
Ata
janë të pafajshëm. E pafajshmëria e tyre nuk është vetëm një fakt, por një
plagë që e bartin çdo ditë, një vulë që nuk fshihet, një heshtje që nuk është
zgjedhje, por pasojë. Ata nuk kanë faj, por mbajnë brenda vetes barrën më të
rëndë që mund t’i ngarkohet një njeriu: të jetosh çdo ditë me kujtimet që
djegin, me frikën që nuk ikën, me një dhimbje që nuk e zë vendi në fjalor. Nuk
kanë një ditë të lehtë – sepse çdo ditë që vjen është një tjetër përvjetor i
heshtur i asaj që ndodhi, një tjetër mëngjes ku syri zgjohet më parë se
shpirti, një tjetër natë ku trupi e di se gjumi nuk do të jetë pa zgjim të
rëndë në shpirt.
Ata
jetojnë me ankthin si hije, me tmerrin si frymë që nuk largohet edhe kur ajri
është i pastër. Janë ata që kanë parë errësirën me sy, jo atë që zbret nga
qielli në mbrëmje, por atë që ngulitet në sy e nuk del më. Dhe megjithatë, ata
që janë më të lënduarit, më të zhveshurit nga paqja, ata gjejnë forcë. Një
forcë që nuk është e zakonshme, që nuk vjen nga muskujt apo nga fjalët, por nga
një vend i thellë, i brendshëm, ku njeriu vendos të mos dorëzohet — edhe kur
bota ka bërë gjithçka për ta rrëzuar.
Ata
flasin. Flasin, edhe pse zëri u dridhet, edhe pse fjala është si të shkelësh
mbi copa xhami, edhe pse çdo kujtim është një plagë që rihapet. Flasin jo për
të fituar mëshirë, as për të marrë lavdi, por për të dëshmuar. Dëshmojnë edhe
atë që është vështirë ta thuash, edhe atë që ndoshta s’e ka thënë askush më
parë. E bëjnë këtë sepse e dinë që e vërteta, për sa e dhimbshme, është më e
shenjtë se heshtja. Dhe vetëm duke e thënë, ajo nuk vdes. Vetëm duke u dëgjuar,
ajo nuk fshihet.
E
ndërsa ata flasin me lot në sy e me zë të lodhur, kriminelët – ata që bënë
gjithçka për t’i zhdukur, për t’i përkulur, për t’i thyer – vazhdojnë të
mburren me krimet e tyre. Vazhdojnë të rrokin krenari mbi të kaluarën e errët,
të ecin nëpër botë me kokën lart, sikur të ishin ndërtues e jo shkatërrues.
Vazhdojnë të heshtin për fajin, por të flasin me zë të lartë për dhunën, si të
ishte akt trimërie. Vazhdojnë ta mohojnë të vërtetën, të mbulojnë me gënjeshtër
atë që bota e pa dhe e dëgjoi.
Por
e vërteta nuk shlyhet me harresë. Dhe zëri i të mbijetuarve është i vetmi zë që
i jep botës ndërgjegje. Ata janë dëshmia që qëndron përtej propagandës, përtej
mashtrimeve, përtej ndërtimit të historive të rreme. Ata janë kujtesa jonë
morale, ndriçimi ynë në labirintin e së kaluarës. Janë ata që, megjithëse të
lënduar, u bënë dritë. Dhe falë tyre, krimi nuk do të harrohet. Sepse zëri i së
vërtetës — sado i lodhur, i ngjirur apo i vonuar — kur të ngrihet, do të
shkundë çdo themel gënjeshtre.
Unë
kam besim. Një besim që nuk është i verbër, por i rrënjosur thellë në ndjenjën
njerëzore për drejtësi — në atë forcë të heshtur që e shtyn të vërtetën të
ngrihet edhe kur bota duket se ka harruar. Besoj se një ditë, ndoshta jo shumë
të largët, ata do të dalin para një gjykimi — jo para një salle të zakonshme
gjyqësore ku dëshmitë shihen si dokumente, por para një gjykimi më të lartë, më
të thellë, më gjithëpërfshirës: gjykimit të njerëzimit.
Do
të qëndrojnë atje, pa maska, pa mburoja politike, pa propagandë për t’i
mbuluar, dhe do të ndiejnë peshën e secilit shikim që do t’i përshkojë, peshën
e çdo zëri që ka qarë në heshtje për shkak të tyre, peshën e çdo fëmije të
humbur, të çdo gruaje të përdhunuar, të çdo burri të zhdukur pa gjurmë. Para
atij gjykimi, nuk do të ketë më vend për justifikime, për "urdhra",
për "kohë lufte", për gënjeshtra të mbështjella me fjalë patriotike.
Aty do të flasë vetëm e vërteta — ajo e vërtetë që ka duruar, që ka pritur, që
nuk është lodhur kurrë së qëndruari gjallë në kujtesën e viktimave dhe të atyre
që nuk kanë lejuar heshtjen të mbulojë gjithçka.
Besoj
se do të vijë ajo ditë kur ata do të thirren me emër, dhe emri nuk do të jetë
më i barabartë me fuqinë, por me turpin. Do të ndiejnë në lëkurë dënimin që nuk
vjen vetëm nga ligji, por nga ndërgjegjja universale e njeriut — që nuk pranon
që dhuna të mbetet pa emër, që krimi të mbulohet me kohë, që dhimbja të
harrohet si një faqe e vjetër libri.
Do
të vijë ajo ditë, sepse drejtësia mund të vonojë, por nuk mungon. Mund të
humbasë rrugën për pak kohë, por gjithmonë e gjen kthesën. Dhe atëherë, jo
vetëm që do të marrin dënimin që u takon, por edhe historia do të shkruhet me
emra të qartë, me fakte të hapura, me zëra që nuk do të mbyllen më. Sepse e
vërteta është si drita — mund të ndalet për pak çaste nga errësira, por
asnjëherë nuk shuhet. Dhe atëherë, më në fund, edhe plagët tona do të ndiejnë
se diçka u është kthyer: nderi, dinjiteti, dhe ajo ndjenjë e thellë që asgjë
nuk ka qenë më e kotë — se dhimbja ka folur, dhe drejtësia ka dëgjuar.
Jo,
për ta nuk mjafton vetëm një dënim me burg. Sepse një qeli, sado e errët, nuk
është mjaftueshëm e thellë për të mbajtur peshën e asaj që kanë bërë. Një dënim
me vite, me mure të ftohta dhe orare të caktuara ushqimi, do të ishte madje një
formë shpëtimi për ta – një sistem i organizuar që ua ofron qetësinë që ua
mohuan atyre që i vranë, i përdhosën, i zhdukën. Jo, nuk është vetëm drejtësia
ligjore ajo që duhet t’i presë. Ata duhet të dënohen me një dënim tjetër – më
të thellë, më të përjetshëm, më të drejtë: dënimin me kujtesë.
Ata
duhet të futen në llumin e historisë – jo në faqet e saj të bardha, por në
cepin më të errët, më të përdhosur, më të turpshëm të saj. Aty ku nuk shkohet
për të mësuar lavdi, por për të kuptuar sa thellë mund të bjerë njeriu kur humb
shpirtin. Aty duhet të qëndrojnë emrat e tyre – të shkruar jo me bojë, por me
turpin e përjetshëm që nuk zhduket as nga koha, as nga pushteti, as nga paraja.
Nuk ka fjalë që i arsyeton. Nuk ka ligj që i lan. Nuk ka propagandë që ua
zbardh fytyrën. Sepse nuk është çështje vetëm e fajit individual, por e një
qëndrimi, e një shpirti të errët që e ka përdorur dhunën si instrument të
bindjes, trupin e tjetrit si fushë beteje dhe heshtjen si armë të zakonshme.
Ata
nuk janë thjesht autorë krimesh — janë shembuj të asaj se deri ku mund të
shkojë një mendje që ushqehet me urrejtje. Janë turpi i një epoke që duam ta
harrojmë, por që nuk guxojmë ta harrojmë. Sepse harresa do të ishte falje. Dhe
falja pa pendim është fyerje për viktimën. Prandaj, më shumë se dënimi fizik,
ata meritojnë një vend në atë galeri të errët të turpit kolektiv, aty ku çdo
brez i ri do të mësojë se çfarë nuk guxon të bëhet, çfarë nuk duhet të
përsëritet, çfarë duhet të mbahet mend.
Ata
duhet të mbesin përherë në faqen e zezë të historisë, si shenja që nuk duhen
larë, por treguar. Jo për hakmarrje, por për vetëdije. Sepse vetëdija është ajo
që e ruan një komb nga përsëritja e së njëjtës errësirë. Dhe në atë vetëdije,
vendi i tyre është i shkruar përgjithmonë — jo si njerëz, por si turpi i
njerëzimit.
Sot,
ndërsa i shikoja ato gra dhe atë burrë që dridhej nga emocionet e mbledhura
ndër vite, që i lexohej lëkundja jo vetëm në zë, por në çdo lëvizje të trupit,
në sytë që lëngonin heshtur e në duart që kërkonin mbështetje në ajër, ndjeva
se çfarë thellësie ka fjala “përkrahje”. Nuk ishte thjesht një akt formal, as
një qëndrim publik për të mos u ndjerë fajtor para historisë. Ishte një nevojë
e thellë, një detyrë njerëzore, një borxh moral që kemi ndaj atyre që nuk e
mbyllën gojën, që nuk u mposhtën nga turpi që nuk ishte i tyre, që dolën
përballë nesh me plagë të hapura, me të vërtetën si flamur dhe me dinjitetin si
mburojë.
Ata
që dolën sot para nesh nuk ishin thjesht viktima. Ata ishin dëshmitarë të një
historie që për botën e civilizuar është kulmi i turpit — jo vetëm për nga
dhimbja, por për nga heshtja që për vite me radhë e kishte shoqëruar. Dhe
megjithatë, ata zgjodhën të flasin. Ta ndajnë me ne dhimbjen, ta nxjerrin në
dritë atë që bota për një kohë kishte zgjedhur ta mbulonte me shikime të ulura
dhe me ndjesi të vakëta. Ata e ngritën zërin jo si kërkesë për mëshirë, por si
akt guximi, si mënyrë për të rikthyer dinjitetin, për të thënë se janë këtu, të
gjallë, të pathyeshëm, edhe pse të shkelur.
Në
atë çast e kuptova thellë se sa shumë kemi nevojë të qëndrojmë pranë tyre — jo
si spektatorë të dhembjes së tyre, por si mbështetje që e mban përpjetë të
vërtetën. Sepse ata nuk kërkojnë mëshirë, por njohje. Nuk kërkojnë heshtje të
ndrojtur, por një prani që flet, që dëgjon, që nuk largohet kur e vërteta bëhet
e vështirë për t’u dëgjuar. Duhet të jemi aty, të jemi të pranishëm me të
gjithë qenien tonë, me kujtesën tonë, me përgjegjësinë tonë njerëzore. Të
qëndrojmë pranë tyre si muret që mbajnë një shtëpi në këmbë pas një tërmeti.
Sepse
kur një njeri guxon të ndajë dhimbjen më të madhe që ka jetuar, ne nuk guxojmë
të jemi të ftohtë. Duhet ta përqafojmë jo vetëm trupin, por historinë e tij,
shenjat e tij, të vërtetën e tij që nuk është më vetëm e tij, por është pjesë e
ndërgjegjes sonë kolektive. Dhe sot, ndërsa i shikoja të dridheshin para
publikut, më dukej se dridhja e tyre ishte edhe një dridhje që na përshkonte të
gjithëve — një kujtesë se nuk mund të ndërtojmë një të ardhme të ndritshme nëse
nuk ndalemi me nderim para atyre që u dogjën në errësirë, por nuk u zhdukën.
Ata janë dëshmitarët tanë. Ne jemi dëgjuesit e tyre. E në atë marrëdhënie të
shenjtë, lind një e vërtetë më e madhe se ne: që nderi, kur ndahet, bëhet
drejtësi. Dhe drejtësia, kur lind nga dhembja, bëhet dritë për brezat që vijnë.
Me
familjet e tyre — ato gra, burra, nëna, baballarë, fëmijë e motra që nuk janë
larguar asnjëherë nga krahët e të lënduarve të tyre, që edhe pas një çerek
shekulli janë aty, pranë, të palëkundur si rrënjë që nuk shkulen nga asnjë
stuhi. Edhe sot, pas 25 vitesh, kur shumëçka është ndërruar në botë, kur
fytyrat janë plasaritur nga koha dhe fjalët janë pakësuar nga lodhja, ata
qëndrojnë aty, të heshtur, të përulur, por të pathyeshëm në përkushtimin e
tyre.
Nuk
kanë bërë zhurmë. Nuk kanë kërkuar lavdi. Nuk janë shfaqur nëpër tribuna. Por
kanë qenë, çdo ditë, çdo natë, përballë dhe përkrah, në dhomat e vogla ku
dhimbja ka bërë fole, në netët pa gjumë ku kujtimet zgjojnë më shumë se zëri i
orës, në mëngjeset ku shpresa rrezaton vetëm pak, por mjaftueshëm për të mos u
dorëzuar. Ata kanë mbajtur dorën e atij që dridhej nga kujtimi. Kanë heshtur
bashkë me të, kur fjala ishte shumë e rëndë për t’u thënë. Kanë qarë fshehtas,
vetëm për të mos i dhënë dhimbjes më shumë zë sesa ajo kishte tashmë.
Familjet
e tyre janë shtylla e padukshme e kësaj qëndrese — një dashuri që nuk është
treguar me fjalë, por me prani. Me gotën e ujit në mesnatë. Me mbulesën që
tërhiqej qetë mbi shpatullën e përzhitur nga kujtimet. Me sytë që shikonin
përtej plagës dhe shihnin njeriun. Me përqafimin që s’kishte nevojë për fjalë:
“Jam këtu. Nuk të lë.”
Dhe
pikërisht këta njerëz, që nuk kanë kërkuar asnjëherë duartrokitje, meritojnë
nderimin tonë më të madh. Sepse ata nuk kanë qenë vetëm dëshmitarë të dhimbjes
— ata janë bërë bashkudhëtarë në vuajtje. Ata janë kujtesa që nuk harroi,
dashuria që nuk u tret, drita që nuk u shua as kur nata binte rëndë mbi zemrat
e tyre.
Nëse
sot kemi ende guxim të flasim për drejtësi, është sepse ata nuk janë larguar.
Nëse sot e vërteta ngrihet mbi heshtjen, është sepse dikush qëndroi aty, pranë,
edhe kur të gjithë të tjerët kishin ikur. Ata janë zemra që ka rrahur në krah
të një zemre të lënduar. Janë dëshmia se dashuria, ndonëse e thyer nga
tragjedia, mund të qëndrojë e plotë. Dhe kjo dashuri — pa zë, pa dekor, pa emër
në tituj gazetash — është akti më i pastër i qëndresës njerëzore.
Të
dashurit e tyre janë sakrifica jonë e përjetshme, plagë që nuk guxojmë ta
mbulojmë me harresë, sepse nëse e bëjmë, atëherë do të kemi humbur jo vetëm
kujtesën, por edhe shpirtin tonë kolektiv. Ata – njerëzit e tyre të humbur, të
përdhunuar, të vrarë, të zhdukur – janë më shumë se emra, më shumë se
statistika, më shumë se faqe të zeza në librat e historisë. Janë zemra që
ndalën përpara kohe, ëndrra që u këputën në mes, fëmijë që nuk u rritën kurrë,
gra që nuk përqafuan fëmijët e tyre, burra që nuk u kthyen më në shtëpi. Janë
vetë mishërimi i dhimbjes që na shoqëron si një hije e heshtur në
përditshmërinë tonë të qetë.
Të
dashurit e tyre janë amaneti që nuk duhet shkelur. Janë zëri që nuk mund të
shuhet, sado vite të kalojnë, sado gjenerata të ndërrohen. Ata janë kujtesa që
na mban zgjuar, ndërgjegjja jonë morale që na kujton se çmimi i lirisë sonë
është i gdhendur në dhimbjen e tyre. Dhe pikërisht për këtë, dhimbja e atyre që
i humbën nuk duhet – dhe nuk guxon – të harrohet. Sepse kur harrohet një
dhembje e tillë, fillon të tretet njerëzorja brenda nesh.
Të
dashurit e tyre janë sakrifica që nuk u zgjodhën, por që na obligojnë
përjetësisht. Ata janë urë midis asaj çfarë kemi qenë dhe asaj çfarë duhet të
jemi: njerëz që nuk ecin mbi heshtje, por që mbajnë mbi supe barrën e kujtesës.
Sepse vetëm duke kujtuar ata, duke ndalur herë pas here për të përkulur kokën
me respekt, me nderim dhe me trishtim të thellë, ne mbesim njerëz. Jo thjesht
në trup, por në shpirt.
Prandaj
dhimbja e tyre nuk është vetëm dhimbja e tyre — është dhimbja jonë. Një dhimbje
që duhet të na rrëqethë edhe kur qielli është i kthjellët, që duhet të na
pushtojë edhe në ditët tona më të qeta. Sepse kur ata janë harruar, jemi ne që
kemi humbur. Dhe kur ne kujtojmë, ata vazhdojnë të jetojnë — jo si të shkuar,
por si vetëdije. Si kujtesë që na mban gjallë në të vërtetë. Si zë që na thotë
përditë: “Mos e lejoni më kurrë të përsëritet.”
14 shkurt, 2025
Prishtinë