Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: 80 vjet nga gjyqi special

| E hene, 14.04.2025, 06:53 PM |


80 vjet nga gjyqi special

Nga Kastriot Dervishi

Më 28.12.1944 Komiteti Central i Partisë Komuniste Shqiptare nxori udhëzimin “Për krijimin e komisioneve për zbulimin e kriminelëve të luftës, komisioneve për zbulimin e kriminelëve të luftës, komisioneve të asistencës sociale, komisioneve për shqyrtimin e fitimeve të luftës nga tregtarët dhe në lidhje me punën që duhet të bëjnë këto komisione”.

Trupi gjykues u emërua me vendimin nr.2, datë 26.1.1945 të Këshillit të Ministrave. U ndryshua vetëm një herë. Procesi u zhvillua nga 1 mars deri më 13 prill 1945 më kinema "Kosova" në Tiranë (godina e mëpasme e Teatrit Kombëtar).

Shqyrtimi i dënimeve me vdekje u bë më 13.4.1945 nga Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar. Veçanti e gjyqit ishte se nuk arriti të provojë qoftë edhe një krim të vetëm. Procesi ngeli në kuadër të fjalëve të përgjithshme, duke munguar akuza konkrete.

Statistika të gjyqit special:

-U gjykuan: 60 persona (prej të cilëve 28 ish ministra, 3 ish kryetarë parlamenti, 2 ish kryeministra; ushtarakë, gazetarë, nëpunës të lartë civilë)

-U dënuan me vdekje: 17 persona

-U dënuan me burgime: 40 persona

-U liruan me kusht: 3 persona

-Vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit: 11 persona

-U ridënuan 4 persona (një vdiq në burg dhe një u pushkatua)

Nga pikëpamja administrative, dokumentacioni i procesit nuk u administrua si duhej. Dosja kryesore nuk i ka të shënuara të gjitha të dhënat, të cilat në disa raste gjenden më të plota në gazetën “Bashkimi”. Nga 60 të pandehur, vetëm 27 persona kanë praktikën hetimore nga dosje të ndryshme (21 në dosje hetimore-gjyqësore e 7 në dosje formulare). Për asnjë të dënuar me vdekje nuk është gjetur praktika e hetuesisë (një fletë hetuesie e Bahri Omarit gjendet në AQSH).