| E premte, 11.04.2025, 06:57 PM |
RECENSION PËR
LIBRIN “STUDIME PEDAGOGJIKE”
II
TË PROF.
DR. TAHIR ZAJAZIT
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Libri “Studime pedagogjike II” i Prof. Dr. Tahir Zajazit është një
minierë e thellë, e pasur me një numër të madh të dhënash për arsimin në
Maqedoni, me theks të veçantë në ecuritë e arsimit shqip në periudhën e viteve
1945 deri në ditët tona. Autori i librit një jetë të tërë ia ka kushtuar
arsimit.
Bazuar në njohuritë e veta teorike dhe praktike,
autori i librit i zbulon problemet që kamë të bëjnë me arsimin në përgjithësi
dhe me arsimin shqip, në veçanti. Thekson nevojën e marrjes së masave për
zhvillimin e papenguar të arsimit shqip dhe të arsimit në përgjithësi, ofron
ndihmë lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin permanent të proceseve
ekzistuese në sistemin e arsimit. Autori i veprës i mbështet tendencat për
modernizimin e shkollës, ndërsa funksionin e shkollës e sheh si një sistem pune.
Flet për mbingarkimin e nxënësit në mësim, për tekstet shkollore, për frymën e
sistemit shoqëror dhe për rivendosjen e nocioneve të nomenklaturës pedagogjike.
Për tejkalimin e situatës në të cilën ndodhet arsimi në vend, parasheh zgjidhje
alternative; pohon se reformimin në arsim e imponon ndërrimi i regjimit;
pasqyron profilin e mësuesit në botën globale të dijes; flet për imazhin
psikologjik të mësuesit, për evoluimin dhe valorizimin e zhvillimit të
nxënësit, për mësimin dhe për
përvetësimin si proces, për praktikën audio-vizuale të mësimit si dhe për
perceptimin nga këndvështrimi kibernetik.
Kemi të bëjmë me një libër voluminoz që
ndahet në kapituj. Për studimet me tematikë historike, autori flet në
Kapitullin I. Këtu do të hasim të dhëna të hollësishme për përfaqësimin e
shqiptarëve në universitetin e Shkupit në periudhën e viteve 1946-1977; për
themelimin dhe ecurinë e Katedrës së gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Shkup;
për themelimin dhe zhvillimin e Akademisë Pedagogjike “Shën Klimenti i Ohrit”
(Sveti Kliment Ohridski) në Shkup.
Prof. Dr. Tahir Zajazi është njohës i
thellë i problemeve të arsimit në përgjithësi dhe të arsimit shqip në veçanti -
në Maqedoni. Prej duarve të tij kanë dalë breza të tërë mësuesish, arsimtarësh,
profesorësh, pedagogësh, ligjëruesish universitarë. Një jetë të tërë e kaloi me
nxënës, me studentë, me kolegë, me punëtorë të arsimit, me prindër, me shefa
katedre, me prodekanë, me dekanë me prorektorë, me rektorë, me studiues dhe me
dijetarë apo shkencëtarë.
Profesor Zajazi ka marrë pjesë në
mënyrë aktive në rreth 50 tryeza, debate, konferenca shkencore për çështje të
arsimit, simpoziume, kongrese, brenda Maqedonisë dhe jashtë saj. Ka marrë pjesë
me kumtesa edhe në konferenca shkencore dhe në simpoziume në Shqipëri dhe në Kosovë.
U ka dhënë intervista gazetave, revistave shkencore, studiove televizive. Është
njohës i shkëlqyer i literaturës botërore ku trajtohen dhe shtjellohen çështje
që kanë të bëjnë me shkollën, me të gjitha ciklet e arsimit, me arsimin fillor,
me arsimin e mesëm, me arsimin universitar si dhe me atë pasuniversitar.
Ndaj procesit të arsimit ka një qasje humane.
Thekson rëndësinë e arsimit në zhvillimin e një shoqërie, në përparimin e një
populli apo të një kombi, thekson rolin dhe rëndësinë e shkollimit për
përparimin e njerëzimit, flet për rëndësinë universale të shkollës, të
shkollimit, të librit dhe të diturisë; flet për nevojën dhe rëndësinë e
jashtëzakonshme të shkollimit dhe të emancipimit të femrës. Thekson se arsimimi
është kusht për daljen e një populli nga obskurantizmi në dritë. Shkollimin e
konsideron sinonim të dritës dhe të emancipimit. Punimet studimore dhe tezat e
veta i ilustron me fakte, argumente, skica, shifra, tabela, skema, diagrame,
pasqyra. Të dhënat i pasqyron edhe në mënyrë grafike.
Autori i librit një rëndësi të veçantë
i kushton procesit të mësimdhënies dhe të mësimnxënies. Ai i mbështet metodat
bashkëkohore, përkatësisht moderne në sistemin e arsimit dhe në procesin
mësimor. Ai është një prej studiuesve të parë që predikon zbatimin e metodave
bashkëkohore në procesin mësimor. Sugjeron zbatimin dhe përdorimin e metodave
moderne të ligjërimit në klasë, në amfiteatër, domethënë në arsimin universitar.
Mbështet zbatimin e kritereve bashkëkohore të vlerësimit apo të notimit të
nxënësve, përkatësisht të studentëve. Është kundër relativizimit dhe
banalizimit të kritereve të vlerësimit të njohurive të nxënësve apo të
studentëve. Ky pedagog i rangut të lartë arsimin e sheh, e kupton, e trajton, e
interpreton dhe e ndjen si një çështje komplekse. Ua bën me dije studentëve se
nesër si mësues, si arsimtarë, si profesorë apo si ligjërues universitarë, në
klasë, në shkollë, në amfiteatrot e fakulteteve do të kenë punë me nxënës apo
me studentë, d.m.th. me njerëz, pra njerëz të gjallë. Pedagogu i mirë duhet ta
njohë psikologjinë e nxënësit, të studentit, të prindit, të kolegut. Pedagogu i
mirë e njeh botën e nxënësit, mjedisin, familjen dhe rrethanat në të cilat
jeton ai. Prof. Zajazi na mëson se pedagogu i mirë e respekton dinjitetin dhe
integritetin e nxënësit. Pedagogu i arsimuar dhe i mbathur me njohuri në lëmin
e pedagogjisë, të psikologjisë dhe të didaktikës i respekton kolegët e vet dhe
për çështjet që ndërlidhen me shkollën apo me procesin e mësimdhënies,
bashkëpunon me ta. Autori i këtij libri shumëdimensional thekson nevojën e
respektimit dhe të ruajtjes së rendit dhe të disiplinës shkollore apo të rendit
universitar.
Prof. Zajazi i mëson brezat dhe
publikun se punëtori i arsimit, kudo që të ndodhet, në shkollë apo jashtë saj,
duhet t’i respektojë normat etike dhe kodin moral. Pedagogu i mirë e flak nga
vetja çdo veprim apo sjellje që do ta cenonte dhe do ta vinte në dyshim
autoritetin e tij.
Të gjitha studimet e veta, Prof. Dr.
Tahir Zajazi i mbështet në një literaturë të pasur të autorëve më eminentë, të
vendit dhe të huaj. Duhet theksuar se ndër autorë të huaj mbizotërojnë
studiuesit perëndimorë, përfshi edhe studiuesit amerikanë. Një prej burimeve të
rëndësishme të autorit është edhe filozofi dhe psikologu amerikan Xhon Djui (John Dewey, 1859-1952) i
njohur si reformator i sistemit të arsimit.
* * *
Për studimet me tematikë pedagogjike,
autori i këtij libri flet në Kapitullin II. Këtu autori na flet për përfshirjen
e metodave laboratorike në teorinë e
gnoseologjisë. Përpos kësaj, ky pedagog i mirënjohur i mbështet tendencat për reformimin e shkollave. Në
këtë kapitull, një rëndësi të veçantë autori i kushton shkollës tradicionale dhe shkollës moderne. Është njohës i thellë
dhe i saktë i të gjitha proceseve arsimore shqipe në vend.
Autori nuk lë pa e përmendur Normalen e
Elbasanit të cilën e konsideron model të shkollimit modern të shqiptarëve. Hasim
të dhëna edhe për Ernest Koliqin i
cili gjatë Luftës së Dytë Botërore, për ta mbuluar arsimin shqip, ka dërguar në
Maqedoni dhe në Kosovë 200 mësues të kualifikuar.
Prof. Zajazi ka qëndrim kritik ndaj
politikës restriktive dhe diskriminuese të pushtetarëve maqedonas ndaj
arsimimit të shqiptarëve. Në një pjesë të librit autori na jep të dhëna për
denigrimin e arsimit shqip në Maqedoni në periudhën e viteve 1941-2016. Me
fakte dhe argumente e pasqyron persekutimin dhe dhunimin e arsimit shqip në
Maqedoni në vitet 1944-1994. Lexuesi do të gjejë të dhëna të sakta për
përfaqësimin e studentëve shqiptarë në universitetin e Shkupit në vitet 1946-1994.
Lidhur me politikën diskriminuese dhe restriktive, Prof. Zajazi na jep të dhëna
të sakta prej vitit 1944 deri në themelimin e dy universiteteve në gjuhën
shqipe – Universitetit të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore.
Në libër kemi të dhëna edhe për institucionet e kulturës shqiptare në
Maqedoni në vitet 1944-1994. Autori flet në hollësi edhe për përpjekjet për
themelimin e Fakultetit Pedagogjik në Shkup me mësim në gjuhën shqipe. Jep
detaje për parapërgatitjet për themelimin e një universiteti pedagogjik në
Shkup, në vitet 1992-1994. Në këtë mes përmend në veçanti gazetën “Flaka”, revistën “Jehona”, disa shoqëri kulturore artistike shqiptare nëpër disa
qytete të Maqedonisë, si “Xheladin
Zeqiri”, “Liman Kaba” etj.
Në këtë libër autori na jep të dhëna
thukëta edhe për themelimin e Fakultetit Pedagogjik në Shkup. Tregon se si
Unioni i Intelektualëve Shqiptarë, asociacionet, faktori politik dhe
intelektualët e pavarur shqiptarë në Maqedoni, në vitin 1993 e kanë themeluar
Komisionin Amë ku kanë qenë të përfshirë: deputeti Sefedin Haruni, kryetar,
autori i këtij libri, Dr. Tahir Zajazi,
bashkërendues, Dr. Murtezan Ismaili, Dr. Abdurauf Pruthi, Dr. Remzi
Nesimi, dhe Dr. Murat Murati. Qëllimi i tyre ka qenë që me fillimin e vitit
akademik 1994-1995 Fakulteti Pedagogjik në Shkup të vihet në funksion aktiv.
* * *
Kuptohet, Prof. Zajazi mban qëndrim kritik edhe për të
ashtuquajtura paralele të përziera në
shkollat shqipe në Maqedoni, me ç’rast në klasën me mbi tridhjetë nxënës,
pushtetarët maqedonas fusin edhe nja dy-tre nxënës maqedonas, për hir të të
cilëve i tërë procesi mësimor zhvillohej në gjuhën maqedonase.
Prof. Zajazi ka qëndrim kritik edhe për të ashtuquajturin diferencim ideopolitik të mësuesve, të arsimtarëve dhe të profesorëve
të kryer nëpër shkolla prej Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë apo Lidhjes së
Komunistëve të Jugosllavisë. Si pasojë e këtij farë diferencimi ideopolitik, si
të papërshtatshëm u larguan nga puna shumë punëtorë të arsimit. Ata
cilësoheshin si nacionalistë, irredentistë, separatistë. Fajësoheshin se
punojnë kundër Jugosllavisë dhe kundër vëllazërim-bashkimit.
Profesor Zajazi ka qëndrim kritik edhe ndaj mesazheve të Enciklopedisë maqedonase, në
të cilën shqiptarët pasqyrohen në kundërshti me të vërtetën historike.
* * *
Në pjesën IV të librit autori i ka
përfshirë edhe memorandumet që ua ka
dërguar autoriteteve të caktuara. Në memorandume autori i tyre shtron çështje
që ndërlidhen me arsimin dhe me dukuritë e tjera në vend apo në shoqëri. Dy
memorandume i ka dërguar Rektorit dhe Senatit të Universitetit të Tetovës. Në
to autori pretendon respektimin e standardeve akademike si perspektivë për
funksionimin normal dhe cilësor të UT-së. Një tjetër memorandum i ka dërguar
rektorit të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Abdylmenaf Bexhetit. Në
memorandumin dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, shtron çështjen e
reformimit të arsimit të lartë në shkallë kombi, duke e vlerësuar këtë çështje
si një domosdoshmëri. Memorandum i dërgon kryeministrit të atëhershëm të
Maqedonisë, Zoran Zaevit, kryeministrit të përtashëm të Kosovës, Albin Kurtit,
si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të RMV-së.
* * *
Në pjesën e pestë të veprës autori ka përfshirë edhe portretet e disa
personaliteteve të shquara të popullit shqiptar të cilët kanë dhënë një
kontribut të theksuar në shtrirjen dhe zhvillimin e shkollës shqipe në
Maqedoni, duke përfshirë edhe ndihmesën e tyre në begatimin dhe afirmimin e
vlerave shpirtërore të shqiptarëve në lëmin e gjuhës, të gramatikës, të
letërsisë, të folklorit, të historisë etj. Bëhet fjalë për intelektualët, si: Rexhep
Voka, virtuozi i këngës kërçovare Rexhep Zajazi, Prof. Dr. Hasan Kaleshi, Prof.
Dr. Ali Vishko, Prof. Avni Zllatku, mësuesi Baftijar Rrushaj, Prof. Dr. Esat
Dauti, Prof. Shaban Stafai. Janë përfshirë edhe Prof. Nexhmedin Sulejmani dhe
Prof. Burhanxhait Nebiu. Autori i librit nuk ka lënë pa e përmendur dhe pa e
përkujtuar edhe kongresistin amerikan Ben Gilma, me rastin e vajtjes së tij në
amshim.
Në libër Profesor Zajazi përmend emra
personalitetesh, si: Dr. Nexhat Agolli, Dr. Petro Janura, Mehmedali Hoxha,
Fejzi Bojku, Myrteza Peza, Prof. Reshat Nexhipi, Dr. Havzi Mustafa, Dr. Xhevat
Gega, Murat Isaku, Mr. Nexhat Abazi, Abdurauf Pruthi, etj.
* * *
Prof. Dr. Tahir Zajazi s’ka se si të
mos jetë një prej pedagogëve më të shquar të hapësirave tona. Diku rreth
gjashtëdhjetë vjet është i angazhuar në arsim. Në këtë lëmë, ai posedon njohuri
teorike dhe praktike. Ka kaluar nëpër të gjitha ciklet e arsimit, duke filluar
që nga arsimi parashkollor, arsimi fillor apo tetëvjeçar, arsimi i mesëm, e
deri te arsimi universitar dhe pasuniversitar. Ai ka qenë nxënës dhe studentë,
ka qenë mësues, arsimtar, profesor shkolle të mesme, profesorë universitar,
pedagog, ligjërues, dekan, ligjërues në studimet pasuniversitare. Nga dora e
tij kanë dalë breza të tërë, që nga mësuesit e popullit deri te profesorët me
tituj akademikë. Është njohës i mirë i literaturës që ka të bëjë me arsimin, me
shkollën, me pedagogjinë, me psikologjinë, me didaktikën. Nëpër duart e tij ka
kaluar literatura e autorëve më eminentë, të vendit dhe të huaj, përfshi edhe
autorët shqiptarë të fushave të sipërthëna.
Libri që e kemi para nesh është një
minierë e të dhënave për arsimin parashkollor, për arsimin fillor dhe për arsimin
e mesëm në gjuhën shqipe. Aty gjejmë të dhëna për injorimin e shqiptarëve në
sistemin shkollor të Maqedonisë; të dhëna për reduktimin e mundësive për t’u
punësuar; të dhëna për një strategji të ndryshimit të gjendjes në arsim.
Profesor Zajazi kërkon në mënyrë të
prerë flakjen e politikës nga shkolla.
Sipas tij, politika s’e ka dot vendin në klasa, në bankat shkollore, në
katedrat e fakulteteve, në amfiteatër, në senatin apo në rektoratin e arsimit
të lartë.
Ky pedagog kërkon që punësimi në arsim
të bëhet përjashtimisht në bazë të kriterit profesional dhe etik. Ai flet po
ashtu edhe për rolin e prindit në sistemin shkollor. Sugjeron rikthimin e
moralit dhe të autoritetit të mësuesit, ruajtjen dhe respektimin e integritetit
dhe të dinjitetit të tij. Me masa konkrete, përfshi edhe ato materiale,
shkollës dhe mësuesit duhet t’i kthehet autoriteti i dikurshëm. Me të drejtë
shtron çështjen e vënies në dyshim të diplomave të improvizuara. Transformimi
apo reformimi i arsimit është domosdoshmëri.
Përpos në Fakultetin Pedagogjik të
Shkupit, Prof. Dr. Tahir Zajazi ka dhënë kontribut si ligjërues edhe në
Universitetin e Tetovës si dhe në Universitetin e Evropës Juglindore. Ka
publikuar rreth 170 njësi bibliografike. Është autor tekstesh të botuara. Është
nderuar me shumë mirënjohje dhe diploma.
Më 15 tetor 2024