Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Qilimi lara-lara

| E merkure, 09.04.2025, 02:51 PM |


Sevdail Hyseni

Satirike

Qilimi lara-lara

(Mesele nga periudha komuniste)

Dikur moti, në kohë komunizmi,

Acarohet regjimi, nga fanatizmi.

Shoku Enver, rrinte ashtu mpirë,

Aspak s’ndihej në humor të mirë.

Rrinte me kokën e varur si kalliri,

Nuk i qeshte buza, s’i qeshte  syri.

Na u mblodh Komiteti Qendror,

Si ta bëjë kryetarin e tyre gazmor.

E sollën një shkodran menjëherë,

T’ia ndreqte ditën Shokut Enver.

Me humorin e tij shumë popullor,

Që ta bënte të qeshet edhe në zor.

Porsa hyri humoristi, ç’ka me pa’,

Në zyrë ra heshtja, si në kinema.

Kryetari ulur n’kolltuk aristokrati,

Me dorë nën mjekër sikur Sokrati.

Pak nga shqetësimi e pak nga frika,

Desh i ra shkodranit zemra n’opinga.  

I mbante sytë te dyshemeja përpara,

Te një qilim të qëndisur me lara-lara.

Jepi, i thotë kryetari, po të flas shqip,

Na trego ndonjë barcoletë me kripë.

Apo, ndoshta qilimi të habiti pa masë,

Kështu do ta bëjë Shqipërinë parajsë! 

Shkodrani ngre kokën, flet me ironi,

- Shoku Enver, aman, më trego ta di’.

A më ke thirr të disponojë, ç’ka thua?

Apo, ti zotërote, të më argëtosh mua?!

Ra heshtje e rëndë, në zyrën e lartë,

Sigurimi shtanget, sytë bëhen t’zjarrtë,

Por, Shoku Enver, për çudi të dynjasë,

Lëshoi një buzëqeshje, shkrihet në gaz!

Pastaj, ia, ktheu me të qeshurën e artë,

- Humori yt s’ka nevojë për dekoratë,

Nuk thuhet kot për shkodranët pa nge,

Me një fjalë, e kthejnë vendin në hare.

Që prej asaj dite, Qilimi ngjyra-ngjyra, 

Nuk ishte më vetëm zbukurim për zyra.

U bë metafora qesharake më e ngjeshur,

Ngase e bëri një diktator, për të qeshur!

(Karikatura marrë nga interneti)