| E hene, 07.04.2025, 06:59 PM |
PUSHTIMI ITALIAN I SHQIPËRISË, MË 7 PRILL 1939 - FILLIM I LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Nga
Jusuf Buxhovi
"Pushtimi
italian i Shqipërisë (7 prill – 12 prill, 1939) ishte një fushatë e shkurtër
ushtarake e Mbreterisë së Italisë kundër Mbreterisë së Shqipërisë. Konflikti
erdhi si rezultat i politikës imperialiste të diktatorit italian Benito
Mussolini. Shqipëria u pushtua në menyrë të shpejtë. Sundimtari i saj, mbreti
Zog u detyrua të mërgonte dhe vendi u bë pjesë e Perandorisë Italiane si një
protektorat në bashkim personal me Kurorën Italiane."
Në
të vërtetë, pushtimi italian i Shqipërisë më 7 - 12 prill 1939, shënon fillimin
e Luftës së Dytë botërore dhe jo 9 shtatori i atij viti, kur Gjermania naziste
sulmoi Poloninë dhe për disa ditë e detyroi të kapitulojë.
Historiografia
botërore ende vazhon ta përhapë këtë diskurs, ngaqë historiografia shqiptare,
ende gjithnjë nën diktatin e dogmës ideologjike, nuk ia ka dalë që sulmin e
Italisë fashiste, që ishte aleate e Gjermanisë naziste, ta faktojë si të tillë,
ngaqë raportet politike dhe ato ekonomike të mbretërisë shqiptare nën
udhëheqjen e Mbretit Zogu me Italinë fashiste të Musolinit nga koha e traktatit
shtetëror në vitin 1927 e deri në vitin 1937 konsiderohen "veprime
antishtetërore të mbretërisë shqitare që çuan te gëlltitja e shtetit shqiptar"
dhe jo e një invazioni ushtarak imperialist në përputhje me marrëveshjet
nazi-fashishte të Italisë me Rajhun Gjerman për ndarjen e sferave të interesit!
Ky
interpretim ideologjik, pamëdyshje sikur lidhet me propagandën e Musolinit dhe
aleatëve të tij, se sulmi italian ndaj Shqipërisë nga 7 deri më 9 prill 1939
ishte një veprim në përputhje me aleancat me mbretërinë shqiptare "për
bashkim në të njëjtën kurorë", gjë që asokohe ashtu edhe u interpretua
edhe nga Britania e Madhe dhe shumë vende të tjera evropiane me të cilat u
maskua sakrifikimi i saj si viktimë e parë e nazi-fashizmit!