| E hene, 07.04.2025, 06:55 PM |
Mirënjohja emblematike në botën e kafshëve, dhe një mesazh për marrëdhëniet e njerëzve
Nga
Albert Vataj
Ka
imazhe që nuk janë thjesht të bukura, por që ngërthejnë në vetvete një dramë të
butë dhe fisnike, që flet me gjuhën e emocioneve më të thella. Një prej tyre
është një fotografi që është bërë virale në rrjet, e publikuar fillimisht në
National Geographic Wild Planet. Pavarësisht mungesës së të dhënave të sakta
për autorin, vendndodhjen apo kontekstin e saktë të ngjarjes, kjo pamje ka
kapur dhe shpërndarë në mënyrë të jashtëzakonshme një çast prekës: mirënjohjen
e një deleje ndaj qenit mbrojtës të tufës.
Në
këtë episod të paharrueshëm, qeni shfaqet i shtrirë për tokë, i lodhur dhe i
rraskapitur nga një betejë që, me gjasë, ka qenë me një tufë ujqërish. Disa
pika gjaku rreth qafës së tij shtojnë dramacitetin e çastit, por kjo gjakosje
nuk është dëshmi e plagës së tij – është gjaku i ujqërve me të cilët është
kacafytur. Qentë e staneve, siç e dinë të gjithë ata që jetojnë në harmoni me
natyrën dhe kafshët, janë të pajisur me një qafore me gjemba që jo vetëm i
mbron nga kafshimet, por i kthen përballjet në një mbrojtje të pandalshme të
tufës.
Delet
kullosin në qetësi, të padijshme për sakrificën që sapo ka ndodhur, por njëra
prej tyre bën diçka që tejkalon instinktin – ajo afron kokën e saj mbi të qenit
dhe qëndron aty, në një përqafim pa fjalë, në një falënderim të heshtur por të
thellë. Është një çast që bart më shumë kuptim se njëmijë predikime njerëzore:
një kafshë që falënderon një tjetër, një jetë që nderon jetën tjetër që i
shërbeu, që e mbrojti.
Simbolika
që buron nga kjo fotografi është universale. Nuk është vetëm mirënjohja e një
kafshe për një tjetër, por një kujtesë për njeriun, që në nxitimin e tij për të
dominuar, shpesh harron të jetë falënderues, harron të përulej përpara
shërbesës, përpara sakrificës, përpara dashurisë së heshtur që shpesh vjen nga
ata që nuk flasin me fjalë.
Ky
imazh, pavarësisht se nuk na jep të dhëna të plota dokumentare, është një ikona
që na mëson, na ndal, dhe na përul. Ai është një testament i gjallë i lidhjes
mes qenieve, i detyrës që shpaguhet me përkujdesje, i heroizmit që nderohet me
butësi. Në një botë ku mirënjohja po bëhet mall i rrallë, kjo dele na mëson një
gjë të madhe: se ndonjëherë mjafton vetëm një përkulje koke për të thënë
gjithçka.