| E premte, 04.04.2025, 06:58 PM |
ROBINSON KRUSO - HIMN PËR OPTIMIZMIN NDAJ DASHURISË PËR JETËN
Nga
Xhelal Zejneli
“Robinson Kruso” (Robinson
Crusoe) është roman aventuror i prozatorit
anglez Daniel Difou (Daniel Defoe,
1660-1731). Romani u botua më 25 prill të vitit 1719. Pasqyrohet në vetën e
parë autobiografia e sajuar e
personazhit që përbën titullin e veprës, d.m.th. e Robinsonit, i cili jeton 28
vjet në një ishull tropikal të largët pranë grykës së Orinokos (Orinoco), si
pjesëtar i një anijeje që ka pësuar avari. Para se të shpëtonte vetë pas shumë
peripecive, ai përjeton aventura të panumërta, avari të anijes e cila
rrezikonte fundosjen, tërmet, takim me kanibalë, lirimin e robërve të tyre, konflikt me kusarë.
Pa dyshim, është një prej romaneve më të
lexuar në historinë e njerëzimit. Që nga botimi i parë, ka përjetuar mijëra
botime të tjera, pothuajse në të gjitha vendet e botës. Kjo vepër i përket
zhanrit të romanit aventuror.
Në të gjitha gjuhët e botës, Robinsoni
u bë term në vete për njeriun i cili jeton i vetmuar, ndërsa me fjalën robinsiadë
nënkuptohet rrëfimi për jetën e ndonjë të vetmuarit.
Titulli i
plotë i vërtetë i romanit, në përputhje me modën e atëhershme, ka qenë tepër i
gjatë: “Jeta dhe përjetimet e pazakonshme
dhe befasuese të Robinson Krusos, marinarit nga Jorku (York), i cili jetoi 28
vjet në ishullin e shkretë në Amerikë, afër grykës së lumit Orinoko, në bregun
e të cilit u gjet pas avarisë së anijes në të cilën humbën jetën të gjithë
anëtarët e ekuipazhit, përpos tij. Me përshkrimin e faktit se si e kanë
shpëtuar piratët. E ka shkruar vetë ai”. Në vjeshtë të po atij viti libri u
ribotua. Autori e ndryshoi titullin.
Daniel Difou e shkroi “Robinsonin” në moshën
gjashtëdhjetëvjeçare, pas shumë rënieve dhe ngitjeve jetësore. Babai i tij
dëshironte që ai të bëhej pastor (prift protestant), por ai iu përkushtua
tregtisë dhe bankrotoi. Doli nga kriza duke shkruar artikuj të ndryshëm dhe
romane të cilët kah fundi i jetës i sollën famë dhe pasuri.
Në letërsinë
angleze të asaj kohe kanë ekzistuar vetëm dy zhanre tematike, romanet e dashurisë dhe romanet udhëpërshkruese, me shumë
aventura.
Pak para se ta
shkruante “Robinsonin”, publikun britanik e shqetësoi libri “Lundrimi
nëpër botë” i Vudi Roxhers (Woodes Rogers, 1679-1732) i botuar në
vitin 1712. Ky ishte një kapiten detar, administrues kolonial anglez që shërbeu
si guvernator i Bahamës. Në libër, ndërmjet tjerash e paraqet edhe fatin e
marinarit skocez, oficerit Aleksandër Selkirk (Alexander Selkirk, 1676,
Lower Largo, Mbretëri e Bashkuar – 13.12.1721, Cape Coast, Ghana) i cili në
vitin 1704, pas një zënke me kapitenin, zbarkon nga anija me kërkesë të vet. E
lënë në ishullin e shkretë Mastierra, pranë bregut të Kilit. Në atë ishull të
ftohtë Selkirku jetoi deri në vitin 1709 duke u ushqyer me mish dhie, derisa
nuk e shpëtoi ekspedita e Vudi Roxhersit. Ka shumë që mendojnë se kjo e ka
frymëzuar Daniel Difoun për romanin e vet. Por, ka edhe teza të tjera. Sipas
një teze, ai vetëm e ka marrë dhe e ka rregulluar shkrimin e vojvodës Robert
Harli (Robert Harley), për të cilin shkruante pamflete politike. Me fjalë të
tjera, ia ka vjedhur shkrimin. Është mundur që frymëzim i tij të ketë qenë fati
i marinarit Robert Knoks (Robert Knox) i cili në vitin 1659 jetoi në Cejlon, ku
u vendos pas avarisë së anijes me të cilën lundronte.
Pak para
Defosë, në vitin 1668, Henri Njuvil (Henry Newill) shkroi romanin “Ishulli i Pinit” në të cilin heroi i tij Xhorxh Pin (George Pine) me katër
bashkudhëtare përjeton anijethyerje dhe shpëton duke arritur në një ishull
tropikal të shkretë, ku kishte ushqim sa të duash. Fati i tij i keq rezultoi
krejt ndryshe për arsye se nuk kishte mungesë ushqimi. Jetën e kalon në dashuri
me të katër partneret e tij. Rrjedhimisht mund të supozohet se për Daniel Difoun
një vepër e tillë nuk ka mundur të jetë model për romanin “Robinson Kruso”.
* * *
Romani “Robinson Kruso” fillon me ikjen e Robinsonit nga shtëpia e
prindërve në Hull dhe ngjitjen e tij në anijen e shokut të vet që pëson
anijethyerje. Pas kësaj, zotohet se kurrë më nuk do të lundrojë në det. Por,
djalli s’e lë të qetë. Ai nuk u bindet dëshirave të të atit që t’i përkushtohet
mësimit dhe t[ bëhet jurist. Pas kësaj, përsëri ndërmerr lundrimin deri në
Afrikë. Ky ishte e vetmja rrugë e suksesshme e tij dhe kjo ia turbulloi kokën
për arsye se në atë udhëtim fitoi njëfarë pasurie solide, duke u shitur
indigjenëve xhingla të ndryshme, siç thotë vetë ai, që i kishte blerë për 400
funta. Nga shitja e tyre bleu rërë ari
të cilën, me t’u kthyer në Londër e shiti për 300 funta.
Pas kësaj, përsëri niset për në Afrikë,
por tani e zënë rob piratët berberë. Nga robëria e tyre shpëton duke u arratisur
me një shok arab i cili quhej Ksuri. Pas peripecive gjatë lundrimit përgjatë
brigjeve afrikane, i shpëton një anije portugeze e cila i çon në Brazil. Aty
Robinsoni fillon të merret me plantacione, por sakaq e kupton se po të kishte
robër puna do t’i shkonte shumë më mirë. Shokët e plantacionit i ndihmojnë të
sigurojë një anije dhe të niset për në Afrikë për të gjetur robër. Gjatë këtij
lundrimi përjeton anijethyerje, por shpëton dhe arrin të dalë në breg si i
shpëtuari i vetëm. Me ndihmën e sendeve të shpëtuara nga anija e avarisur,
Robinsoni e organizon jetën e vet në atë ishull të shkretë, ndërton shtëpi,
madje edhe shtëpizë pikniku, mbjell elb, i zbut dhitë. Kësisoj, krejt i vetmuar
mbijeton plot 24 vjet Një kthesë të
madhe në jetën e tij të vetmuar paraqet zbulimi se ishullin e tij e vizitojnë
indianët. Ata e vizitojnë këtë ishull për t’u dhënë pas gostive kanibalike.
Robinsoni e shpëton një indigjen të parashikuar për therje. Më vonë, ky i bëhet
shoku dhe shërbëtori Petko. Pak më vonë, këta dy e shpëtojnë nga i njëjti fat
edhe babanë e Petkos dhe të shpëtuarin spanjoll nga anijethyerja. Bashkërisht
ndërtojnë një anije me të cilën do të duhej të lundronin deri në bregun e
Venezuelës për t’i takuar spanjollët e tjerë të shpëtuar nga anijethyerja, por
plani i tyre nuk u realizua për shkak se në ishull kishin zbarkuar piratët.
Robinsoni i liron robërit e zënë prej piratëve (kapitenin dhe dy ndihmësit e
tij) dhe me ndihmën e tyre e merr anijen e rrëmbyer. Në fund, të gjithë së bashku
nisen për në atdhe duke lënë në ishull piratët më mizorë të cilëve ua kursyen
jetën, por si dënim ua caktuan jetën në izolim.
* * *
Romani “Robinson Kruso” është bërë një prej veprave më të njohura të letërsisë
botërore. Lufta e Robinsonit për të mbijetuar në ishullin e shkretë
karakterizohet nga përshkrimi tejet realist i detajeve të mjedisit të tij, por
edhe nga paraqitja e suksesshme e jetës së brendshme të heroit, e frikësimeve
të tij, e shpresave, e fatit dhe e fatkeqësisë. Në çdo qëllim të vet Robinsoni
synonte të zbulojë shenjën e vullnetit të Zotit, edhe pse në fund gjithmonë
mbështetej në forcat e veta. Ai është një person praktik i arsyeshëm me ndjenjë
të zhvilluar për pronësi. Ndonëse ndodhet larg qytetërimit, i shfrytëzon
përvojat e atij qytetërimi.
Vlera letrare e
romanit – Në
radhë të parë, Daniel Difou ka qenë gazetar. Shkruante për ekonominë, kështu që
romani i tij nuk ka
ndonjë vlerë letrare të madhe. Në radhë të parë, “Robinson Kruso” është një himn për optimizmin ndaj
dashurisë për jetës dhe ode për ekspansionin kolonial anglez
që sapo kishte filluar të përhapej, për revolucionin industrial që pritej dhe për
kapitalizmin që ndodhej në fillimet e tij. Në kohën e Daniel Difout bota ende
ishte një e panjohur e madhe përrallore e pahulumtuar, mjaftueshëm e madhe sa
t’i ofrojë begati parajsore çdokujt që e shfrytëzon me zell në të mirë të vet. Në
atë kohë në botë jetonin vetëm 610 milionë banorë. Në rajone apo zona të caktuara
nuk ka banuar askush. Është dashur vetëm të vendosësh dhe të marrësh rrugën.
Kush gjurmon edhe gjen. Heroi i titullit të romanit “Robinson Kruso” nuk është kurrfarë personazhi i ngritur, siç kanë
qenë deri atëherë objekt i letërsisë. Ai është njeri i rëndomtë i kohës së vet
i prirë prej qëllimeve të zakonshme dhe pragmatike për të mbijetuar. Për këtë
arsye ka qenë i afërt edhe për lexuesit e brezave të mëvonshëm. Ai është
puritan tipik anglez i kohës së vet i cili e shpëton Petkon prej njeringrënësve
dhe përpiqet ta qytetërojë në përputhje me moralin e vet të krishterë. Por,
mësojmë po ashtu se nuk e quante vepër të pamoralshme nisjen në rrugë për të
blerë robër për plantacionin e vet. Ai nuk është gjithaq i mençur. I shkuan
disa muaj për të ndërtuar një barkë të cilën pastaj nuk arriti ta nxjerrë në
det. Por, ai është tejet këmbëngulës dhe kurrë nuk dëshpërohet së tepërmi. Kur
e rrok ndjenja e pasigurisë, bëhet gjykues racional i jetës. I vë në një ane
vështirësitë që burojnë nga pozita e vet ngase është vetë në një ishull të
shkretë. Në anën tjetër shfaq optimizëm dhe thotë: “Jam gjallë dhe kam për të ngrënë, pra nuk jam keq”. Për nga
optimizmi i madh i ngjan Del boy-it nga seria e sotme për Trotterët.
* * *
Pas suksesit të “Robinsonit” Difou shkroi
vazhdimin e romanit me titullin “Përjetimet
e reja të Robinson Krusos” (The Farther Adventures of Robinson Crusoe, 1719). Ky duhej të ishte vazhdimi i fundit i
serisë, siç thoshte në titullin e librit. Libri nuk e arriti suksesin e romanit
të parë. Aventurat e Robinsonit, tanimë të mplakur, i cili në moshën
shtatëdhjetëvjeçare kthehet në ishull i shoqëruar nga nipi dhe Petkoja, nuk e
kanë më bukurinë e luftës për mbijetesë dhe atë energji jetësore që e posedonte
personazhi i titullit të pjesës së parë të serisë. Ndonëse në të Robinsoni
Robinsoni përjeton peripeci shumë më të mëdha për t’u kthyer në Angli nëpër
Madagaskarit, Kinës dhe Siberisë.
Përkundër mossuksesit
të vazhdimit të sagës për Robinsonin, Difou shkroi edhe pjesën e tretë të tij
me titullin “Përsiatje të rëndësishme
gjatë jetës dhe përjetimeve të pazakonshme të Robinson Krusos dhe vizioni i tij
i botës engjëllore” (Serious Reflections During the Life & Surprising
Adventures of Robinson Crusoe, With His Vision of the Angelic World). Kjo pjesë u botua në gusht të viti 1720.
Në këtë pjesë, nëpërmjet gojës
Robinsonit, Daniel Difou merret kryesisht me përsiatje morale dhe politike për
botën e atëhershme. Në botën e atëhershme Robinsonit më së shumti i pengon paganizmi por mendon se krishterimin
nuk duhet mbrojtur me shpatë. Pas disa rreshtave thotë: “Sikur të bashkoheshin princërit evropianë,
lehtë do t’u kishin bërë ballë turqve dhe persianëve ...”
* * *
Romani “Robinson Kruso” ushtroi ndikim të
madh në botën e letrave. Në një sërë vendesh nxiti një zhanër të ri të romaneve
të ngjashme të quajtura robinzoniada. Nën ndikimin e
suksesit të “Robinsonit”, lindi në
vitin 1726 proza satirike “Udhëtimet e
Guliverit” (Gulliver’s Travels) e
prozatorit anglez-irlandez Xhonatan
Svift (Jonathan Swift, 1667-1745) – pseudonim i Isaac Bickerstaff. Te “Robinsoni” reflektoi edhe romancieri
francez Zhyl Vern (Jules Verne,
1828-1905) në romanin aventuror të tij “Ishulli
misterioz” (L'Île mystérieuse) të botuar
në vitin 1874/1875.
Robinzoniadat ekzistojnë
edhe sot në shumë novela të fantastikës shkencore dhe në telenovelat
(soap opera) të atij zhanri.
Prozatori dhe poeti i famshëm irlandez Xhejms Xhojs (James Joyce, 1882-1941)
thotë se Robinsoni është simbol i kolonializmit britanik. “Ai është prototip i vërtetë i kolonialistit
britanik. Te Kruso-ja është sintetizuar tërë fryma anglosaksone: pavarësia e
mashkullit, vrazhdësia e pavetëdijshme, këmbëngulësia, inteligjenca e ngadaltë
por efektive, indiferenca seksuale dhe të përmbajturit e paramenduar”.
Me analizën e
“Robinsonit” është marrë edhe filozofi gjerman me prejardhje hebraike, Karl Marksi (Karl Marx, 1818-1883) në
veprën e vet klasike “Kapitali” (Das Kapita). Ai përqesh modën e
përhapur të citimit të përvojave pozitive të
punës së vlefshme dhe këmbëngulëse të Robinsonit në ekonominë klasike të
asaj kohe, nga një tregim i sajuar. Por, në përputhje me pikëpamjen marksiste
mbi botën, ai konstaton në mënyrë dashakeqe se përvoja e Robinsonit për të
mbijetuar në një ishull të shkretë paraqet njohjen e vlerës ekonomike më të madhe
të punës ndaj kapitalit, për arsye se vetë Robinsoni vjen në përfundim se paraja që e ka gjetur në skeletin e
anijes, për të nuk ka vlerë, sidomos ndaj veglës
që kishte gjetur.
* * *
Kritikët e mëvonshëm e kanë qujatur
Daniel Difoun themelues të romanit anglez madje edhe botëror modern.
Ballina e botimit të parë të "Robinson Crusoe" nga Daniel Defoe, publikuar në vitin 1719