| E premte, 04.04.2025, 07:05 PM |
Marie Zojzi Deda- një jetë e flijuar për liri dhe dinjitet
Nga
Msc. Kristinë Oroshi
Historia e grave shqiptare është histori sakrifice, guximi dhe
përkushtimi ndaj lirisë. Në çdo kohë dhe rrethanë, ato kanë qenë shtylla të
qëndresës kombëtare, duke mos u përkulur përballë padrejtësive. Sidomos gjatë
regjimit komunist, një periudhë e errët që shkaktoi vuajtje të pamasë, gratë
shqiptare u shndërruan në simbole të dinjitetit dhe rezistencës. Me shpirt të
pathyeshëm, ato sfiduan frikën,duke ruajtur
vlerat dhe u bënë ze i fuqishëm, i lirisë.
Një autor i panjohur me të
drejtë thotë: "Historia ka treguar
se gratë që luftojnë për liri nuk vdesin kurrë; ato jetojnë në kujtesën e një
kombi të lirë."
Marie Zojzi Deda, ishte e bija e Shtjefën dhe Pina Zojzit e lindur në vitin 1916 , në një familje
fisnike shkodrane. Rruga për emancipim, zhvillim dhe kulturë
e familjes së saj do ta çonte në bankat e
shkollës së Motrave Stigmatine duke u edukuar edhe me ndjenjat dhe besimin
fetar si anëtare e shoqatës "Bijat e Zonjës". Sipas të afërmëve të
saj, ajo lexonte shumë shkrime fetare dhe patriotike të At Gjergj Fishtës, At
Vinçenc Prenushit
etj., duke u brumosur me ide atdhetare dhe patriotike, me ndjenjën e bukur të
lirisë, me dëshirën e madhe për të jetuar e lirë dhe me besimin tek i madhi
Zot, shkruan në librin "Bijat e Rozafes, gra të shquara të hapësirës shkodrane " studiuesja
Zenepe Dibra .
Familja Zojzi ka luajtur një rol të rëndësishëm në kulturën dhe
historinë shqiptare, duke dhënë një kontribut të çmuar në fusha të ndryshme.
Marie Zojzi Deda ishte motra e etnografit dhe studiuesit të njohur Rrok Zojzi,
i cili i kushtoi jetën kërkimeve mbi traditat dhe kulturën popullore shqiptare.
Ajo ishte gjithashtu kushërira e inxhinier Ludovik Zojzit, arkitekt i varrezave
të Rrmajit në Shkodër dhe një profesionist i talentuar në fushën e ndërtimit
dhe urbanistikës. Inxhiner Ludovik Zojzin e vranë forcat
komuniste në Tiranë pa
gjyq më 15 shtator 1943.Kjo
familje, e rritur me vlera të forta atdhetare dhe intelektuale, ka lënë një
trashëgimi të vyer në historinë e vendit.
Në familjen e njohur të
Dedëjakupëve, Maria martohet me Pjetër Shan Dedën. Nga kjo familje atdhetare e
me tradita të qytetarisë shkodrane kanë dalë intelektualë të shquar, duke kontribuar në lëmi të
ndryshme: si klerikë, tregtarë, zyrtarë, oficerë dhe mësimdhënës.
Kështu pra, kur erdhi regjimi i egër komunist, tek kjo shtëpi
fisnike, atdhetare, e pasur dhe me kulturë, do
të gjente një ndër objektet ma të plotësuem për luftën e vet. Plot dhjetë burra
të kësaj shtëpie do të bishin viktimë, prej të cilëve gjashtë, përfshirë edhe
një femën, do t'u vritshin, ose të vdisëshin ndër tortura, kurse katër të
tjerë, të vuejshin vite të shumta burgu e internimi. Dhe i gjithë ky gjenocid i
tmerrshëm mbi një familje të vetme, mbi një shtëpi që, në mënyrë të
mrekullueshme, kishte pasur kombinue traditën me emancipim shoqëror,- thotë autori Ahmet
Bushati, në librin e tij:" Në gjurmët e nji ditari: Shkodra në tri vitet e
saj të parë nën komunizëm në sigurim ndër burgje dhe kampe".
Maria, ishte një vajzë e dashur dhe fisnike, u rrit në një
familje me vlera të forta heroike duke mos u trembur përballë sfidave,
atdhetare duke e dashur dhe mbrojtur vendin e vet, fetare duke qëndruar besnike
ndaj besimit dhe parimeve shpirtërore, dhe liridashëse duke luftuar për lirinë
dhe të drejtat e të gjithve. Këto parime u thelluan edhe më shumë kur u bë
pjesë e familjes Deda, ku ndjenjat atdhetare dhe besimi fetar ishin të
rrënjosura thellë.
Për këtë arsye, më vonë, familja e saj do të përballej me një
persekutim të egër nga regjimi komunist, i cili mori përmasat e një krimi të
rëndë njerëzor ku Keli dhe Koleci vdiqën në hetuesi bashkë me nipin e tyre
Simon Daragjatin. U pushkatuan dy vëllezërit Dom Nikolla dhe Gjushi ndërsa
Lini, Guljemi, Zefi, Toni, Deda dhe Shani u dënuan me 30 vjet burg dhe 48 vjet
internim.
Si njëri nga organizatorët e Kryengritjes së Postribës, Pjetër
Shan Deda luajti një rol kyç në këtë kryengritje sepse e mobilizoi popullin e zonës së Gurit të Zi. Pas shuarjes së Kryengritjes
së Postribës, regjimi komunist ndërmori masa të rrepta, duke përfshirë arrestime,
ekzekutime dhe burgosje të pjesëmarrësve. Familjet e tyre u persekutuan me
konfiskime pasurish dhe ndalime në arsim e punësim. Kjo periudhë shënoi
shtypjen e çdo kundërshtimi ndaj regjimit.
Maria ishte një grua që kurrë nuk u përkul përballë padrejtësive. Por as dhuna, as kërcënimet nuk e thyen shpirtin e saj. Së
bashku me bashkëshortin e saj, Pjetër Dedën, ajo iu bashkua rezistencës kundër
regjimit, duke u bërë simbol i qëndresës së pamposhtur. Ata gjetën strehë mbi fshatin Rragam, në
vendin e quejtun "Hija e Madhe" në Meshkallë. Për tre muaj në
lagështi e në të ftoftë, të ndjekun çdokund prej Sigurimit, u
mbështetën nga fshatarët trima të asaj zone.
Rezistenca
heroike dhe vrasja e Marie Zojzi Dedës bashkë me burrin dhe përcjellësin e tyre
Rreth vrasjes kanë
qarkulluar disa versione por versioni më i detajuar është ai i studiueses
Fatbardha Saraçi
Mulleti e cila kur e përshkruan qëndresën dhe vrasjen e Marie Zojzi-Dedës do
të paraqet këto argumente: " Burrë e grua gjetën strehë në vendin "Hija
e Madhe" në fshatin Mëshkallë. Për tre muaj me rradhë jetuan në lageshtire
e në te ftohtë, te ndjekur kudo nga sigurimi i shtetit komunist... U mbështetën
dhe u ndihmuan nga fshatarët e zones. Në një ditë dhjetori, me tradhëti
zbulohen. Pylli rrethohet. Ishte ora katër e mëngjezit. Terr. Ndriçonte pak sa
drita e hënës. Rrethohen, ndihen krismat e pushkëve dhe Maria mbetet e
shoshueme nga plumbat e sigurimsave. Burri i saj Pjetri plagoset rëndë dhe
vdes, mbetet varrhumbur, ndërsa kufoma e Maries nuk iu dorëzue familjes dhe s'u
lejua te varrosej në varrezat e fshatit. Shtëpia e saj e perjetshme u be pylli,
ai e struku persëri... "
Edhe sigurimi komunist per
vrasjen e heroines Marie Zojzi Deda e pranon faktin se ajo është vrarë
në përpjekje me forcat komunste. Në këtë raport Major Mihallaq Ziçishti në shkresën dërguar
Komandës së Sigurimit,në Tiranë
njoftoi: "Në ora 5 të natës së
sotme forcat e këtij qarku rrethuan dhe kapën kriminelët e arratisur Pjetër
Deda dhe Gaspër Zefi, të dy nga Shkodra, në kodrat e katundit Rragam. Gjatë
perpjekjes, ka deklasua për arsye politike. mbetur e vrarë Maria, e shoqja e
Pjetër Dedës." F. 1, Viti 2013, D. 5, f. 639. Arkivi i MB, Fondi
DMP, v. 1946 D. 62. Edhe studiesi Fritz Radovani një intelektual shkodran
verzionin e vrasjes e spjegon përafërsisht njejtë. Në shkrimin e tij: " Po kur të marohen burrat" e sqaron në këtë mënyrë vrasjen: "Në heshtjen e asaj natës kriminelët mendojnë
vetëm për krime e vrasje. Këtë detyrë do ta kryenin ma së miri Zoji Themeli,
Toger Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil Kapisyzi
e Zenel Cani me shokët e Ndjekjës. Në të dalun të dritës së datës 6 dhjetor,
rreth orës 04.00 të mëngjezit, në luginën e prronit të Hijes së Madhe, në
Meshkallë të Sheldisë, kur Maria e zgjueme... doli nga çadra e vendosun prej
Pjetrit në atë vend, u ndigjue një za: "Dorëzou Marie, se nuk të
vrasim!"... Ajo, u përgjegj: "Për së gjalli kurrë, mor
qena....!", nxori armën nga brezi sëpse, e njihte mirë "besën" e
komunistëve... Po, gjuejtjet e automatikëve të katilëve komunistë
nga pozicionet e vëndosuna rreth asaj çadre gjatë natës, e rrëzuen përdhe... "
Nata e
Shën Kollit dhe kulti i rezistencës në trojet shqiptare
Shën Kolli është një festë
tradicionale katolike shqiptare e cila festohet në shumë familje shqiptare.
Rreth kësaj feste kanë ndodhur shumë ngjarje por edhe rezistenca kundër
pushtuesve osmanë siç është
rasti i Ndoc Mark Gegës
ku kënga popullore shqiptare tregon qartë se atdhetari Ndoc Mark Gega nuk ishte
lanë i qetë që të festoj natën e Shën Kollit por ishte rrethuar nga policët e
Qaushit ku në këngë nder të tjera thuhet : "
Dul Ndoc Marku në derë të oborrit/ndihmo Zot Qiri
i Shën Kollit,/ natë e madhe ka qëllu/ prej Qaushave gjallë me pshtu./ " Historia tregon se
Ndoc Mark Gega ishte i detyruar që në natën e Shën Kollit të bëj luftë heroike
dhe ta vret Qaushin me ushtrinë e tij që e kishte rrethuar duke u ndihmuar edhe
nga baba i tij. Për fyerjet dhe sharjet
që bëheshin në këtë natë të Shën Kollit na tregon edhe rasti i vrasjës se
Brahim Ages së Anadollit që po e shante natën e Shën Kollit.Në këtë rastë
trimit Qerim Delisë si mbetët gja tjetër përveç që
fillimisht të siguroj ushqimet e
familjes për festën e Shën Kollit dhe me pas ti jep plumbin ballit Brahim Agës
së Anadollit por që kishte një brengë se i kishte mbetë Pasha marak që nukë i
kishte dhënë edhe atij plumin ballit.Të njejtin veprim sikurse pushtuesit turq
e kishin kryrer edhe pushtuesit komunistë. Në këtë rast Zoji Themeli, Togër Baba, Vaskë Koleci, Dulaç
Lekiqi, Fadil Kapisyzi ,
Zenel Cani e Major Mihallaq Ziçishti qe kishin organizue
rrethimin dhe të pafetë e tjerë komunistë që i kishin ra mohit e atdheut e
rrethojnë dhe në pabesi i vrasin tre atdhetarët shqiptarë pikërisht në natën e Shën Kollit. E
Pina nëna e Marie Zojzit,kur ndëgjoj për këtë lajm tragjik ajo nanë e shkretë,
në atë moment të vështirë në familjen e saj, gjeti forcë me iu thënë katër
fëmijeve, të shtangur nga lajmi: "Të
lutemi, vetëm të lutemi, mos qani, Marien e ka thirrë Shën - Kolli, në bahçen e vet." Tamam
si në epopetë e maleve tona. Varri i Maries i braktisur prej komunistëve, por
shumë i afërt për fshatarët hallemëdhenj, u hijëshua nga një rrasë shtufi, ku
një bari skaliti fjalët: " Vdiq besnike
Marie Shtjefën Zojzi. " Nuk ishte shënim i zakonshëm - Ishte
thirrje për kujtesë:
"Një gjysëm shekulli gati shkoi,
Por atë varr kush se harroi
Kush kalonte aty pari
Vuni lule e degë lari." do të shkruan
në studimin e saj studiueusja Fatbardha
Saraçi Mulleti në përshkrimin " Kalvari
i grave në burgjet e komunizmit".
Pra,më 6 dhjetor
të vitit 1946, pas disa muajsh përndjekje dhe sakrifice, ajo dha jetën në një
përpjekje tragjike, por nuk e dorëzoi kurrë shpirtin e saj të lirë. Historia e
saj dhe e shumë grave të tjera shqiptare mbetet dëshmi e forcës dhe guximit të
pashoq – një frymëzim për brezat që vijnë.
E poeti do t´u kushtoi
vargje këtij heroizmi të burrit dhe gruas që nuk u dorzuan por se bashku
qëndruan deri në vdekje:
" Së bashku në luftë ata ranë;
Me pushkë drejtue barbarit.
Ma e ambël asht vdekja", thanë,
Se gjallë dorëzue tradhtarit."
Këto vargje popullore, që u krijuan pas 6 dhjetorit 1946,
pasqyrojnë sakrificën sublime të Marie dhe Pjetër Dedës. Ata e dinin se liria
është e shtrenjtë dhe e papërkulshme, prandaj e dhanë jetën për të, duke mbetur
të pavdekshëm në zemrat e atdhetarëve. Kjo kujtesë e nderon sakrificën e tyre
dhe do t'i mbajë gjithmonë të gjallë, si simbole të luftës për liri dhe
dinjitet.
Rikthimi i
heroinës
Shpeshherë në histori heronjtë dhe heroinat e vërteta nuk shkojnë varr humbur ato
ngjallën nga dheu dhe bëhen frymëzim për brezat e rinj. Marie Zojzi Deda u bë
frymëzim për besnikëri ndaj tokës së atdheut ,u bë frymzim për besnikërinë ndaj
burrit dhe u bë frymëzim për luftën kundër te keqës. Varri i saj u ruajtë për
45 vjet në fshatin Meshkallë. Besnikët e varrit të Marie Zojzi Dedës dhe të
gjithë fshatrave të Sheldisë , Rragamit, Gurit te Zi, Jubanit etj., ju bashkuan
karvanit të qytetarve shqiptarë që me dinjitetin e një heroine po rikthehët për
tu varrosur në varresat e Rrmajit. Në këto varresa ku pushojnë eshtrat e shumë
atdhetarve,intelektualve dhe shumë ikonave te shqiptarizmës. Heroinat nuk
vdesin ato përjetësohen.Vepra e tyre është një kandil që ndriçon rrugët e
lirisë dhe tregon qartë se trupi mund të vritet nga plumbat shpirti shkon në
qiell mirpo ideali për liri pavarsi shtet e dinjitet kombëtarë do të mbetët i
shënuar në historinë tonë shqiptare.
Literatura
1. Zenepe Dibra,"Bijat
e Rozafës
gra të shquara të hapësirës
shkodrane", Camaj- Pipa,Shkodër, 2004 , fq. 88-89;
2. Fatbardha Saraçi -Mulleti,"Dhimbje
2",shtëpia botuese " Ilar " Tiranë,
2008,fq.215-217;
3. Fatbardha Saraçi Mulleti, "Kalvari i grave në burgjet e komunizmit", Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave
të Komunizmit,Tiranë,2017,fq.12-13;
4. Hamdi Bushati,"Shkodra dhe motet "Vëllimi i II-të ,Shkodër 1999" ,
shtëpia botuese "Indrumrno"; fq.153,268;
5. Ahmet Bushati, " Në
gjurmet e nji ditari:Shkodra në tri vitet e saj të parë nen komunizëm në
sigurim ndër burgje dhe kampe ", Camaj- Pipa, Shkodër, 2001 ,fq.131-134;
6. Fritz Radovani-Zemra Shqiptare.net
7. F. 1, Viti 2013, D. 5, f. 639. Arkivi i MB Fondi
DMP, v. 1946 D. 62.;