| E shtune, 05.04.2025, 06:57 PM |
Nga
ijet te kërthiza
Nga
Edison Ypi
Këto
ditë kur Dimri po jep shpirt dhe Pranvera po troket, u nisa t'i ngul një të
kafshuar Shqipërisë. Ku e ka hak. Ku e çaj kollaj. Ku mishi është i butë. Në
ijë. Të hyj pra te mëlçia dhe veshkat, që i bie diku në veri të Vlorës, pastaj,
me turirin gjith gjak, tu sulem të tjerave rropollira, dhe të dal në Elbasan,
nga kërthiza.
Rruga
e vjetër për Vlorë s'ka më gunga dhe gropa. Është ndrequr dhe asfaltuar. Ke qef
të kalosh. Vetëm biznese, karburante, markata, punishte.
Rruga
për te veshka dhe mëlçia e Shqipërisë, diku në kurriz të Vlorës, atje ku deti
nuk duket, nis përtej Mifolit, majtas, në Skrofotinë.
Skrofotinë
- Trevëllazërit, jeshil dynjaja. Kodra të buta, vreshta, ullishta, shtëpi të
reja, makineri bujqësore, motorra, fuoristrada.
Në
të hyrë te Trevëllazërit dhe mbretërinë e tyre, takova rrugës një Artur. Jo
Zheji, as Shopenhauri. Fermer me nja 300 rrënjë ullinj. Pra pak. Të tjerët kanë
nga 2 mijë e kusur rrënjë ulliri.
Arturi
i Trevëllezërve më siguron se pas disa vështirësive të këndëshme, përmes një
rruge me kalldrëm, nga Trevëllzërit, që janë mëlçia e Shqipërisë, mund të
shkohet te veshka e Shqipërisë, që është Llakatundi. Faleminderit Mbret Artur.
Ma jep të lutem numurin e celularit. I shallah s'më duhet. Po ku i dihet.
I
gjatë si litar, Trevëllezërit shtrihet buzë ullishtave si Lini buzë Liqerit të
Lasgushit.
Ta
shohësh nga lart në hartë ose me dron, Trevëllezërit duket si Japonia.
Shkolla
është në fund të litarit si Lini.
Mbi
murin e shkollës, pllakë përkujtimore mermeri që mezi lexohet. "Në kujtim
të bashkëfshatarëve tanë që u masakruar nga nazistët gjermanë". Vetëm
emrat e 15 qyqarëve. Bijen në sy mbiemrat Malaj dhe Myrtaj. Tetor 1944. Asnjë
fjalë qysh e tek ndodhi masakra.
Sheshi
i vogël para shkollës plot me adoleshentë zevzekë të qeshur, nervozë, dhe të
papërmbajtur njëkohësisht.
Në
kafene, njëri prej pleqve që po loz domino me tre të tjerë thotë me qesëndi për veten dhe miqtë e tij;
-Ne
që po lozim domino jemi rinia e fshatit. Më i riu ndër ne është ky babagjyshi
këtu 83.
Në
shesh të fshatit, asnjë femër, grua, amvisë, gocë, nxënëse.
A
kanë mbetur në këto nahie gjurmë të austriakëve ? A kanë ardhur këtu pinjollë
të bejlerëve të kërkojnë pronat. ? Të Eqerem Bej Vlorës, për shembull ? Këto
dhe të tjera pyetje i lashë për më tutje. Ku pamja e kurrizit të Vlorës të jetë
më e plotë, truri më i nxehtë, syri më i mprehtë.
Rruga
për në fshatin tjetër, në fshatin Mekat, nis me një ish-kalldrëm që kthesë pas
kthese tretet ngadalë mes baltave dhe ullishtave duke u kthyer nga kalldrëm në
shteg.
Mezi
pres të arrij në Llakatund t'i pyes vlonjatët e kurrizit çfarë ëndërrash
shohin, çfarë përrallash rrëfejnë, çfarë frikërash ndjejnë, çfarë bukurish
pëlqejnë, çfarë hanë, çfarë pinë, a kanë kalashnikovë të fshehur nga '97-a, si
i kanë punët me emigracionin, a e vrasin ndopak njëritjetrin, sa vjeç e kanë më
të riun plak etj. etj.
Mbi
ullishtat mes Trevëllazërve dhe Llakatundit, qielli, deti, Sazani, Karaburuni,
Zvërneci, Narta, Laguna, Kriporja, çfaqen më spektakolarë se kudo.
Rretheqark
pamje që të kujtojnë aroma, aroma që të sjellin ndërment kohëra, kohëra që të
afrojnë epoka
Duke
zbritur kodrën, baltat shtohen.
Ska
më rrugë. Ka vetëm shteg me baltë që trashet e trashet tatëpjetë. Kali Jeep
trembet. Me zor u bindet frërëve të këmbës dhe dorës. Nis e hingëllon sikur
përpara ka ujqit që pas pak do e shqyejnë. Derisa bie në një gropë të thellë.
Jepi gaz sa të duash. Bëje 4x4, s'bën asnjë punë.
Goma
të mbushura me baltë që duken si prej sapuni. Shteg balte si prej gjalpi.
Ullinj gjithandej. Male në horizont. Qiell i vrënjtur. Jeep i ngecur.
Po
tani ?
Tani
dy dur për një kokë. Harroi pronat, bejlerët, austriakët. Bëji derman vetes.
Gjej një mënyrë të mos shkruajnë mbi
varr: "Ra heroikisht duke luftuar dhëmbë për dhëmbë me baltën". Ose
të vijnë të xhirojnë filmin "Vdekje nën Ullinj" me regji të Hervin
Çuli, të ngrihet nga varri të vijë ta luaj Jean-Paul Belmondo.
Një
kalimtar që vjen përpjetë dhe ka parë nga larg Jeepin e zhytur në baltë,
braktis shtegun, bën sikur s'i vjen klithma për ndihmë, ikën me ngut, zhduket
mes baltës dhe ullinjve në drejtim të paditur.
Bëj
ca foto t'i kem. Mbase ndonjë ditë m'i kërkon National Geographic.
Frika
është mitra e ideve gjeniale. S'ka rëndësi kush e ka thënë Artur Zheji, Artur
Shopenhaueri, apo Arturi i Trevëllazërve, celin e të cilit e kam, dhe i erdhi
dekiku ta përdor.
Pas
nja një orë në mes të baltës dhe ullinjve, shenjti shpëtimtar Arturi i
Trevëllazërve, e ka gjetur zgjidhjen. Pas kthesës dëgjohen gulçimat e një
Zetori në prag pensioni, që megjith rrotat gjigande me llokma të mëdhaja, mezi
ngjitet me rrapëllima përpjetë nëpër baltra.
Manovratori
i Zetorit, paisur me kavo çeliku, me çengela, me të gjitha, është mjeshtër i
nxjerrjes nga balta të gomerëve që nuk i nxjerr dot i zoti.
Pas
gjysëm ore jam rrëzë kodrës, në të thatë.
Por
këpucët, rrobat, dhe Jeep-i jashtebrenda, janë plot me baltë.
Duhet
një lavazh.
Fjalë
goje.
Ec
e gjeje.
Një
grua zemërmirë thotë se lavazh ka te kthesa e dytë. Mirpo lavazh s'ka te asnjë
kthesë.
Madje
Lavazh s'ka as në Mekat ku një emigrant i kthyer për pak ditë në vendlindje, me
një Shqipe të ndryshkur nga mospërsorimi, të thotë se në Mekat ka lavazh, e ka
parë me sytë e vet përballë asaj magazinës atje tej.
Atje
tej s'ka as magazinë, pa le lavazh.
Përtej
Mekatit afër Llakatundit, lavazh ka, dhe është modern, por ska lavazhist, ka
ikur në Gjermani.
Lavazh
ka edhe përtej Llakatundit në një vend ku ka gjithçka përveç njerzve. Prit e
prit, kur befas, nga ngrehia pranë që duket si shtëpia i frymëve të vdekura ku
u takuan Manilovi me Çiçikovin, nga një dritare që ka zënë merimanga, braktisur
prej kohësh nga të gjitha llojet e vështrimeve, nga miklueset deri te
vrastaret, nxjerr kokën një alien që të thotë me zë varri:
Lavazhier
s'ka. Iku në Greqi. Po deshe ndize pompën dhe laje vet makinën. Mua më jep 10
Euro.
Lamtumirë
pyetje të squta, muhabete dinake, të përdredhura, të shijshme, interesante,
mallëngjyese, spektakolare, pa hequr 10 kilogram baltë nga këpucët dhe rrobat,
s'flas dot, s'më del zëri nga fyti.
Ndoshta
ka lavazh në Vlorë. Po, ka, por si udhëtar i vërtetë, nuk mund ta ndal këtë
udhëtim pa humbur asgjëkundi, pa bërë pak muhabet në dialekt, pa hequr këtë
baltë.
Do
vete në Poçëm.
Aq
më mirë, sa më e gjatë, sa më tepër gropa dhe gunga, sa më tepër baltë të ketë
rruga.
Por
që të mos zërë balta baltën, para baltës së Poçëmit duhet të heq baltën e
Llakatundit.
Sa
keq dhe sq inat më vjen që me gjithë
këtë baltë s'futem dot te ndonjë kafene këtu rrotull Babicës. Ta gjej Selam
Musa Salarinë, makar fantazmën e tij, e ta pyes: O Selam Musai, si ndodhi o
Burr i Dheut, për cilën sebep erdhe në Vlorë nga shtatë male kaptuar, nga
Salaria, për ta hedhur gunën mbi tela ? Italinë, që me gjithata kryqëzorë në
det ishte e në det është, si e hodhe në përrua ?
Përtej
Babicës në drejtim të Poçëmit, dy lavazhe. Asnjë në punë. Të dy të thatë.
Ku
kanë ikur lavazhierët, mosketierët, proletarët, qafirët, tradhëtarët,
besëprerët ?
Lavazhierët
nuk ikin të gjithë në Gjermani, thotë një kalimtar. Ikin bëjnë punë të tjera,
më të leverdisëshme. Bëhen kamarierë, banakierë. Disa prej tyre që kanë dëgjuar
se po t'i lutesh, Zotit, nga çoban të bën bilbil gjyzar që këndon në degë, kanë
ikur ruajnë bagëtinë. Çobenët marrin mirë në anët tona. Mbi 1 mijë euro në
muaj.
Në
Peshkëpi janë dy lavazhe. Të dy të braktisur.
Por
në Peshkëpi haberin e keq të lavazheve të thata e mposht një haber i mirë:
S'ka
problem sa kilogram baltë ke mbi trup dhe mbi makinë. Rruga për Poçëm është
ndrequr dhe asfaltuar.
Peshkëpi-Poçëm
është rrugë aq e bukur, aq sugjestive, sa baltën e rëndë dhe lavazhet e thata
të bën t'i harrosh.
Kodra,
korie, livadhe, kthesa, përrenj, puse nafte, katunde të vegjël të sistemuar,
rruga për Poçëm është një pafundësi pamjesh spektakolare sikur i ka vizatuar
Zoti me dorën e vet. Por, si të gjithë gjërat e bukura, mbaron shpejt.
Lavazh
i thatë edhe atje ku s'ta pret mendja: Përtej Poçëmit turistik, në autostradën
Levan-Tepelenë, te Autogrill 24, ku vinë nga an' e anës për tu dendur me mish e
peshk.
Në
Frakull nis një breshër kokrra sa një kumbull. Më vonë televisionet thanë se i
njëjti breshër kumbullash në autostradën Levan-Vlorë shkatërroi 9 makina që u
përplasën me njëratjetrën, kush e kush të hante sa më tepër kumbulla të tharta
pas kurrizit të Vlorës heroike.
Sa
mirë që s'vajta mbi kurriz të Vlorës nga autostrada. Ja si të ruan Zoti kur
shkon në teqe dhe jo në hale.
Deri
në Levan, si gjithkund gjatë kësaj odiseje balte, ka lavazhe, por s'ka
lavazhista.
Në
Levan ndërrova mendje. Hoqa dorë nga dënglat, larja, pastërtia.
Do
kthehem në Tiranë nga Elbasani, kërthiza. Me në trup dhe në makinë baltë
kurrizi Vlore. Pas një udhëtimi mbi dhjetë orë nga ijet te kërthiza. Gjatë të
cilit mbajta mbi trup mbi dhjetë kilogram baltë. Kalova nëpër dhjetë lavazha të
thata. Kot u lodha. Ëndërra çova. Baltë solla.