| E enjte, 03.04.2025, 06:57 PM |
ROBIN
HUDI
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Robin Hudi (Robin
Hood) është
hero qendror dhe legjendar i një sërë baladave angleze të mesjetës. Me fjalë të
tjera, është hero legjendar i poezisë popullore angleze nga koha e mbretit
anglez Rikardit I Zemërluanit (1157-1199),
i cili sundoi në vitet 1189-1199. Rikardi I Zemërluani njihet për guximin dhe
trimërinë në luftën e tretë të kryqëzatave.
Robin Hudi është simbol i qëndresës së anglosaksonëve
kundër pushtuesve normanë. Në burimet e shkruara më të hershme të mesit të
shekullit XV Robin Hudi përshkruhet si një plaçkitës gjakpirës i pangopur. Më
vonë, letërsia angleze e paraqet atë se si në luftën e anglosaksonëve kundër
normanëve bëhet fisnik atdhedashës. Në shekujt XIX dhe XX figura e tij ndryshon
dhe ai paraqitet si një luftëtar për drejtësi sociale i cili ua grabit
pasurinë të pasurve dhe ua jep të varfërve. Ai kujdesej për bashkëvendasit e
tij të varfër. Vidhte prej të pasurve për t’ua dhënë të varfërve.
Sipas baladave të mesjetës, Robin Hudi bashkë me shumë
bashkëluftëtarë të tjerë, si Litllë Xhon (Little John) dhe Uill Skarlet (Will
Scarlet) jeton i fshehur në pyllin Shervud (Sherwood Forest) në afërsi të
Notingemit (Nottingham). Më vonë, objekt i baladave bëhet edhe dashuria e tij me
Maid Marianë.
* * *
Është një
rebel dhe hero legjendar i një sërë baladave angleze, disa prej të cilave
datojnë që nga shekulli XIV. Robin Hudi bashkë me bashkëluftëtarët e vet nga
pylli Shervud (Sherwood Forest) plaçkit dhe vret përfaqësuesit e pushtetit,
kurse gjërat e grabitura ua ndan të varfërve. Armiku më i shpeshtë i tij ka
qenë sherifi i Notingenit, përfaqësuesi vendor i monarkisë. Në baladat më të
hershme aventurat e tij ndodhin nëpër Jorkshirin jugor dhe jo në Notingen. Përpos
tjerëve, kundërshtarë të tij janë edhe pronarët e pasur kishtarë të tokave. Të
dobëtit, gratë, fëmijët dhe të varfrit Robin Hudi i mbron prej feudalëve tiranë
dhe pjesëtarëve të tyre. Motivi i fuqishëm i revoltës së tij kundër pushtetit buroi
nga zemërimi i popullit të thjeshtë ndaj ndalimit ligjor të gjuetisë nëpër
pyje. Në baladat e hershme ka pasur shumë ashpërsi dhe kjo ka qenë e
pashmangshme si pjesë përbërëse e jetës mesjetare.
Si ka lindur legjenda për Robin
Hudi? Përkundër përpjekjeve të mëdha për të dëshmuar se Robin Hudi
vërtet ka ekzistuar, prova që do ta vërtetonin një gjë të tillë, nuk ka. Të
gjitha përpjekjet bazohen në legjendat mesjetare dhe kjo është e vetmja provë e
ekzistimit të tij. Mendimi që është i përhapur sot se Robin Hudi ka jetuar në
kohën e sundimit të Rikardit I Zemërluanit ka lindur si fryt i antikuarit dhe
shkrimtarit të shekullit XVIII – Uilliam
Stakilej (William Stukeley, 1687-1765).
Baladat
autentike për Robin Hudin janë shprehje poetike e synimeve popullore nëpër
Anglinë veriore në kohën turbulente të kryengritjeve dhe të pakënaqësisë së
fshatarëve që arriti kulmin në kohën e Kryengritjes fshatare të vitit 1381.
Edhe pse
shumë balada të njohura për Robin Hudin lindën pas mesjetës, bërthama me siguri
ka lindur në mesjetë. Këto janë tregimet: “Robin
Hudi dhe frati”, “Robin Hudi dhe Guy nga Gisborni”, “Robin Hudi dhe poçari” dhe
“Përjetimi i Robin Hudit”.
Gjatë
shekullit XVI e më vonë, karakteri thelbësor i legjendës për të është
shtrembëruar për arsye se atëherë Robini bëhet fisnik i rënë. Përkundër faktit se rritet numri tregimeve për
kuturisjet e tij dhe dalin në sipërfaqe një numër i madh i personazheve të
reja, midis tyre edhe dashuria romantike e tij, e bukura Marianë, megjithëkëtë
ato e humbin gjallërinë dhe vlerën poetike për arsye se në to nuk ekziston më
impulsi burimor – synimi për drejtësi sociale.
* * *
Për
Robin Hudin janë xhiruar edhe filma. “Robin Hudi: Princi i hajdutëve” (Robin
Hood: Prince of Thieves) është film amerikan i xhiruar në vitin 1991 në
regji të Kevin Hal Reynolds (1952- ). Veprimi është vendosur në Anglinë e
fundit të shekullit XII. Rolin e Robin Hudit e luan Kevin Kostner (Kevin Michael
Costner, 1955- ). Përkundër kritikave kryesisht negative, filmi i sipërthënë u
bë një prej hiteve kinematografike më të mëdha të vitit 1991, ndërkaq Kostneri
realizoi njërin prej roleve më të suksesshme të karrierës së vet. Sukses të
madh kori edhe kënga (Everything
I Do) I Do It for You të cilën në soudntrack të filmit e realizoi muzikanti
britanik dhe kanadez Brajan Adams (Bryan Guy Adams, 1959- ). Në vitin 1993 u
xhirua parodia e filmit “Robin Hudi:
Burrat me hulla hop (Robin Hood: Men in Tights).
* * *
Në vitin
2018 për Robin Hudin u xhirua edhe një film amerikan. Robin Hudin e luante aktori
nga Uelsi (Welsh) Taron Egerton (1989- ). Drejtor i filmit është Oto Bethërst (Otto
Bathurst, 1971- ), producent Leonardo DiCaprio (1974- ) etj.
* * *
Për Robin Hudin janë xhiruar shumë filma. Filmat për të
shfaqen, si nëpër kinema, ashtu edhe nëpër studiot televizive.
Nuk dihet saktë nëse Robin Hudi vërtet ka ekzistuar si
një person historik real.
Nga emri i tij buron
fjala robi që është një lloj kapele siç e ka mbajtur ai.
Para pallatit në Notingem (Nottingham) Robin Hudit i është ngritur përmendore.